E merkure, 01.05.2024, 08:04 AM (GMT+1)

Faleminderit

Albert Vataj: Mid'hat Frashëri, ndër shkreptimat më të dritshme të mendimit shqiptar

E marte, 03.10.2023, 07:57 PM


SOT NE PERVJETORIN E VDEKJES

Mid'hat Frashëri, ndër shkreptimat më të dritshme të mendimit shqiptar

Nga Albert Vataj

Mid'hat Frashëri është prej atyre penave dhe mendjeve të ndritura të përkatësisë sonë identitare, i cili, bashkë me Fishtën dhe Konicën, por edhe të tjerë, patën guximin të flisnin hapur dhe të godisnin fort, të tregoheshin rreptësisht të drejtë në pamëshirën e deklarimeve për shqiptarët, në një përpjekje, më shumë gjasë të dështuar, për të ndikuar sadopak në mirësimin e sjelljeve dhe dobishmërinë e punëve për kombin, më shumë se për veten.

Mid'hat Frashëri me recetën e tij të ashpër për shërimin e mëndjes dhe shpirtit të shqiptarëve, bëri shumë armiq, vrenjti shumë surretër, la shumë koka mënjanë, turfulloi shumë pëshpërima, prishaqejfi jo pak zuzarë, deshti dhe urrejti si një zemër që kërkonte të prehej në një gjoks që ishte gati t’i vihej derteve të kombit, siç burra dhe gra të tjerë që u flijuan për mëvetësi dhe dritën e dlirësisë.

Ai, Mid'hat Frashëri, i përket atyre kapaciteteve intelektuale, ikja e të cilëve të shënonte një humbje për Shqipërinë e shqiptarët. Ai iku më më 3 tetor 1949, por testamenti që la ishte ajo shprëblesë e hyjshme që gjithkënd ndër ne e bën të ndihet i përulur në besim të virtyteve dhe vlerave të nalta, të atyre aspiratave që shënjohen në faqe të dritshme të historisë sonë.

Qëndroi dhe iku si një shqiptar i madh, duke na lënë amanet:

"Çë kam pasuri të tundshme ose të patundshme, libra, mobilla, karta, plaçka etj. i lë për krijimin' e një "INSTITUT ALBANOLOGJIE" që të jetë një qëndër e studimevet shqipëtare, të mprojë, të shvillojë, të qendrësojë dhe të udhëheqnjë studimetë që përkasin Shqipërinë dhe Shqipëtarëtë."

“Nuk di se ku do të vendoset Instituti; po, në qoftë se goditetë pakëzë jashtë qytetitë, do të donja që varri im të jetë në një cep të kopshtit, më të mëngjërë duke hyrë nga porta e rrugësë; mbi këtë varr dua një copë gur të math dhe një qiparis. Më duketë sikur do të jem ruajtësi i Institutit, sikur do të marr edhe unë një pjesë pasjetore në gjëllimin e tij”.

Ai dhe shumë mëmëdhetarë të tjerë, patën, lanë dhe dhanë gjithçka kishin që shqiptaria të jetë, të lartësojë me lavdinë; e të shkumes, të tashmes dhe të ardhmes, duke qenë dhe mbetun te çdonjëri që flet dhe jeton shqip, një amanet si një grusht dhé që e mbajmë nën krye dhe e marrim me vete kudo fati na thërret. Po, për të qenë dhe mbetur amanetçarë të veprave të mira në dobi të asaj përkatësie, e cila të ndihet e përfaqësuar dhe e krenuar prej nesh.

Kjo ndërmendje për Mid'hat Frashëri, për këtë atdhetar të ditur dhe dritur, është mirënjohje por edhe ndjenjë përgjegjësie, ndoshta jo për të bërë sa bëri ai dhe të tjerë atdhetarë për shqiptarinë, por për tu përpjekur që duke bërë sa të mundim të jemi të të njëjtës udhë që ata bënë.

________

Mid’hat Frashëri jep 15 fshikullima të forta karakterit tonë, për të merituar shëlbim të shpirtit dhe paqes

Ja çfarë thotë Mid’hat Frashëri për shqiptarët:

1- Shqiptari prej natyre është kotësidashës, plot vanitet dhe egoizëm. Nuk i pëlqen kurrë të shohë dhe të njohë fajin dhe të metën e tij: i pëlqen kurdoherë të ngarkojë një tjetër.

2- Shqiptarët, megjithëse në pjesën më të madhe myslimanë, nuk e kanë konsideruar veten kurrë turq. Në të kundërtën, ata kishin një nocion të qartë për individualitetin e tyre dhe një hendek i thellë i pengonte ata të ngatërroheshin me racën e pushtuesve.

3- Kur merr një detyrë, ki disiplinë e durim. Shqiptarin e ka prishur mungesa e disiplinës dhe zjarri i padurimit

4- Shqiptarin e ka prishur mosbindja dhe jo bindja. Nis ti më parë të japësh shembullin e bindjes jo të verbër.

5- Hiqe veten si pak të mençur dhe pak të ditur. Mendjemadhësia na ka çmendur gjer më sot.

6- Duhet të kemi kurajo të themi të vërtetën, të bardhës t’i themi të bardhë dhe të zezës – të zezë.

7- Mos e qorto dhe mos e shaj shqiptarin për fajin që ka bërë, se ajo është mënyra më e fortë që ta bësh të këmbëngulë në atë faj. Merre me të mirë dhe shiko ta bindësh, pa pasur as pamjen e të dhënit këshillë.

8- Shqiptari, duke mos qenë i mësuar me jetë politike, dua të them, duke mos pasur gjer më sot shtet, qeveri dhe indpendencë, s’ka kuptuar dot akoma barrën, detyrat dhe përgjegjësitë që rrjedhin nga një jetë indipendente.

9- Patrikularizma, lokalizma dhe ekskluzivizma tek shqiptari rrëfehen me atë mani që ka secili që do të marrë emrin e fshatit ose të qytetit si emër familjeje. Kur piqen dy shqiptarë, pas gëzimit të parë, pyetja esenciale është: nga të kemi zotëri?

10 – Shumë herë ideali për shqiptarin është të qenët i zoti, me çdo mënyrë që të jetë. Pa dyshim, duke pasur horizontin të ngushtë, nuk mund të kërkojë veç sukseset e lehta.

11- Vetëm një proverb të mirë di: ”Trimi i mirë me shokë shumë”. Por kur mendoj fjalën e Ali Pashës: dy shqiptarë janë shumë! Atëherë kam dëshirë ta kthej proverbin: ”Trimi i mirë me shokë…pak!”

12 – Shpëtimi i Shqipërisë do të vijë me anë të vetes tonë.

13 – Mos u hidhëro po të shkoj tjetri para, edhe pse nuk ndenje dot në krye. Zilia na ka lënë të panderuar.

14 – Shpesh herë zemërimi ynë vjen jo se kemi të drejtë, po se kemi faj dhe na vjen ligsht që na e shohin të tjerët.

15 – Dhembja më e madhe është pikëllimi i brendshëm, jo ai qe rrëfehet.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Dorian Koçi: In memoriam për Robert Elsie Albert Vataj: Ndërmëndje dhe mirënjohje për t’pashoqin e dijes, fisnikun shkodran Gjon Shllaku Gjekë Gjonaj: Krijues e studiues serioz e i palodhur Dorian Koçi: Edhe 100 elektriçistit Lech Walessa që i ndrroi siguresat regjimit polak Albert Vataj: Parashqevi Simaku, këngëtarja që u shfaq si një shkëndi që na ndezi në ëndje Albert Vataj: Pjerin Ashiku, shëmbëllimi i një tradite vlerash krenuese, trokthi i “Djepit të Kulturës”, Shkodrës Hasan Hasanramaj: Legjenda ma madhështore e këtij shekulli... Gjekë Gjonaj: Trieshjani që u flijua për lirinë e Kosovës dhe bashkimin kombëtar Vahit Nasufi: 110 vjetori i rënies së Heroinës Sulltana Qafa Ibrahim Kabili: Luigj Gurakuqi, eruditi dhe atdhetar i flaktë Gjekë Gjonaj: 11 vite pa poetin e kalibrit ndërkombëtar, Ali Podrimjen Idriz Zeqiraj: Rrëfimi i trishtë i Kolonel Qunit për vrasjen e Sali Çekaj Bajram Canameti: Kalvari i Zenel Limajës pas një firme të diktatorit Enver Hoxha Fran Gjoka: Përjetësisht mirënjohës Prof. Dr. Vehbi Hotit Kolec Traboini: Çfarë e bën Aristidh Kolën tribun e martir i shqiptarizmës Idriz Zeqiraj: Sali Çekaj - heroi emblematik i Kosovës Ibrahim Kabili: Idriz Seferi dhe veprimtaria patriotike e tij Feti Tunuzliu: Figura e Hafiz Sabit ef. Zajmit në shtypin librar dhe media Gjekë Gjonaj: Lucë Gjon Mati Gjonaj nuk është dëshmor, por një burrë shumë i nderuar me të cilin krenohet Malësia Dorian Koçi: Selam Musa Salaria në rrjedhat e lëvizjeve patriotike

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora