Kulturë » Vataj
Albert Vataj: Faik Konica, ai që e promovoi flamurin tonë kombëtar
E merkure, 20.09.2023, 06:58 PM
Faik Konica, ai që e promovoi flamurin tonë kombëtar me zjarrin e një atdhetari idealesh të larta
Nga
Albert Vataj
Ideali
i lartë i Faik Konicës për ta mbrojtur dhe për ta bërë sa më të njohur flamurin
tonë kombëtar bie në sy që në shkrimet e tij të hershme në revistën “Albania”,
të cilën ai e themeloi dhe e drejtoi.
Në
shënimin “Flamuri kombëtar i Shqipëtarëvet” (“Albania”, 15 shtator 1901) në
pyetjen e një parapaguesi të revistës “Albania”: “A ka Shqipëria një flamur
kombëtar?”, Faik Konica i përgjigjet duke u bazuar në veprën e Lavardinit:
“Historia e Gjergj Kastriotit i mbiemëruar Skanderbeg, mbret i Shqipërisë”, botuar
frëngjisht në Paris më 1621. Në faqen 44 të këtij libri lexojmë: “Flamurët e
Skenderbeut, që ishin të gjithë të kuq, kishin një shqiponjë dykrerëshe të
zezë. Ngjyra kombëtare jona është e kuqia edhe e zeza; këto ngjyra të vëna
bashkë janë shënji kombëtar i Shqipëtarëvet”.“Shqipëria a ka një flamur
authéntik?”, punimi i dytë i këtij atdhetari për flamurin është përgjigje
xhonturqve, të cilët, siç thotë Faik Konica, “përhapnë dhe po përhapin fjalën
që Shqipëria nuk ka flamur authéntik”.
Përgjigjja
fillon me një ton të ashpër polemik, por e argumentuar në bazë të burimeve
shkencore të pakontestueshme. Xhonturqve dhe atyre që nuk dinë dhe atyre që nuk
duan të dinë për historinë e flamurit tonë kombëtar, i cili është në të
vërtetë, histori dramatike e kombit shqiptar, – ai në mënyrë sarkastike ua
kujton të kaluarën historike të shqiptarëve, kur ndër të tjera, thotë: “Në keni
dyshim, pyetni kockat e stërgjyshërve tuaj dhe do t’mësoni laftin dhe madhërin’
e atij flamuri. Jo kockat e krahërorit, po kockat e kurrizit, – se Turqët,
stërgjyshërit t’uaj, të mundur prej atij flamuri në jo më pak se njëzet e dy
lufta, i kthyen më shpesh kurrizin se sa qëndruan t’i bëjnë ballë”.
Shqipëria
e ka një flamur autentik? – Përgjigje për një të sharë xhonturqve
Nga
Faik Konica
Xhonturqit,
për të shuar idealizmin në zemrat e shqiptarëve, përhapën dhe po përhapin
fjalën që Shqipëria nuk ka flamur autentik, që flamuri i kuq me të zezën
shqiponjë dykrerëshe, është i përbërë rrenësisht tani shpejt, dhe që kjo
“lëvere” s’ka ndonjë rëndësi fare. Oh jo, o xhonturq, nuk është ashtu!
Lajthiteni shumë. Në kini dyshim, pyesni kockat e stërgjyshërve tuaj, dhe do të
mësoni lartin dhe madhërinë e atij flamuri.
Dhe
jo kockat e kraharorit, po kockat e kurrizit – se turqit, stërgjyshërit tuaj, të
mundur prej atij Flamuri në jo më pak se njëzet e dy luftëra, i kthyen më
shpesh kurrizin se sa qëndruan t’i bëjnë ballë. Por, që t’u presim guximin
xhonturqve, dhe t’u provojmë shqiptarëve padrejtësinë e armiqve të kombit tonë,
do të shtrojmë përpara secilitdo tekste autentike që dëftojnë, pa lënë fare
vend për dyshim, vjetërsinë dhe vërtetësinë e flamurit që përdorim.
Kur
bisedohet një pikë historie, duhet më parë të marrim librat më të vjetra dhe më të shëndosha që e ngasin atë pikë. U
botuan latinisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, anglisht, hispanisht,
portugisht, suedisht, greqisht, më tepër se njëqind vepra përmbi jetë të
Skënderbeut. Por, lënda e të gjitha këtyre veprave është e marrë, rrjedh nga
një burim. Thashë “burim”, dhe këtë fjalë mbajeni mend, se nuk është një
metaforë e ardhur pa kërkuar nën pendën time, por është pikërisht fjala teknike
e përdorur nga historianë; Thonë frëngjisht “les sources” , “burimet” e një
çështjeje historiake.
Kënduat
ngandonjëherë fjalën “bibliografi” të përdorur këtu [te “Albania”]. I ndjeri
Emile Legrand gatonte një bibliografi shqiptare. Puna e bibliografëve është të
ngrehin lista metodike librash përmbi aksh e aksh subjekt, që jo vetëm
studentët e një çështjeje të shohin se ç’u botua përmbi atë, po të dinë edhe
burimet nga u hoqnë [nxorën] ato botime.
Mjerisht,
“burimet” e Skënderbeut tonë janë aq të pakta, sa s’kemi nevojë për kërkime të
veçanta, dhe i dimë që janë dy.
I
pari burim është një libër i shtypur më 1480 (vetëm 13 vjet pas vdekjes së
Mbretit!), në Venedik, latinisht, nën këtë titull: “Historia Scanderbegi edita
per quendam Albanensum. Venetiis impressa industria, atque impensa Erhadi
Radolt de Augusta anno Domini 1480. Die
2 mensis Aprilis ducante Joanne Mocenyco
inclyto Duce”.
Do
me thënë: “Historia e Skënderbeut e botuar prej një shqiptari. U shtyp në
Venedik me mundim dhe me të holla t’Erhard Radolt-it në vit të përlartë të
Zotit 1480, ditën e 2-të të muajit të Prillit, kur ish në fron (të Venedikut)
Joanni Mocenigo, duka i shkëlqyer”. Për autorin, i cili me modesti të tepërt,
nuk e shfaqi emrin e tij, dimë këto: Ish nga Tivari, dhe një vëlla i tij qe
zyrtar ndër truprojësit e Skënderbeut. Nga ky vëlla, autori shqiptar i mësonte
të gjitha punët e Mbretit pothuaj ditë pas dite: zakonet e veçanta të
Skënderbeut, marrëveshjet diplomatike, fushat e luftës, të tëra janë shkoqitur
me shumë kujdes.
Një
tregim [episod] do t’u tregoj vërtetësinë e autorit tonë: kur arrin në histori
të luftës së Skënderbeut në Itali, ku Mbreti ynë kishte vajtur t’i ndihte
mbretit Ferdinando të Napolit kundër frënqve, shkronjësi kërkon ndjesë nëse bën
lajthime, sepse, thotë, këto të ngjara i mësoj nga dorë e dytë, duke qenë që i
vëllai i tij, i sëmurë në atë kohë, qe i shtrënguar të mbetet në Shqipëri:
“Frater meus, qui in ipsis Domini stationariis ordines ducebat, cujus
traditiones ego potissimum sequebar, eo tempore morbo implicitus domi manere
coactus fuerit”. Si e shihni, libri i shkronjësit të Tivarit është një burim
shumë i vlershëm për jetën e Skënderbeut. Për fat të keq, s’ka mbetur më
sheshit asnjë ekzemplar; po me gjithë këtë, e njohim me anë të priftit Biemmi,
i cili e përdori, pothuaj e përktheu, në jetë të Kastriotit që botoi italisht
më 1742 në Brescia.(28)
I
dyti burim i jetës së Skënderbeut është vepra e Barletit: “Historia de vita et
gestis Scanderbegi, etc”. (“Histori e jetës dhe e të bërave të Skënderbeut,
etj). Barleti qe shkodran dhe e kish parë me sy Skënderbenë. Kur ra Shkodra në
duar të barbarëve, Barleti u ngrit e shkoi në Venedik, dhe atje botoi më parë
historinë e luftës së Shkodrës. Më 1508, botoi latinisht jetën e Skënderbeut, e
cila pati shumë edicione dhe shpejt u përkthye në të gjitha gjuhët e Evropës.
Edicion i parë, 1508, është shumë i rrallë; po British Museum-i, i cili është
fort i pasur në libra për Skënderbenë, ka jo një, po dy ekzemplarë nga ky
edicion!
Pas
këtyre burimeve, mund të shtojmë një vepër shumë edicionesh (i pari të cilin e
kujtoj këtu, doli në Paris më 1576) të Lavardinit: “Histoire de George
Castriot, surnommé Scanderbeg, roy d’Albanie. Par Jacques de Lavardin, etc.,
Paris, 1576”. Libri i Lavardinit, i hequr nga i Barletit, nuk mund të quhet një
burim, po ka një vlerë: si e dëftova aq herë te pjesa frëngjisht e “Albania-s”,
në atë kohë mbretërit e Francës kishin një trupë shqiptarësh në ushtri të tyre.
Lavardini, si burrë i luftës, kish raste mjaft që të piqej me këta ushtarë, të
cilët do kishin dëgjuar qindra herë nga
pleq të vendit të tyre të ngjarat dhe punët e Skënderbeut.
Lavardini
pra qe i zoti të kontrollonte të thënat e Barletit; dhe në mos e akseptofshim
si burim, se burim nuk është, kemi të drejtë ta pëlqejmë si një shtim të
dobishëm të burimeve.