Kulturë » Vataj
Albert Vataj: Ali Podrimja, poeti i zashmërisë së trajtave t'epjes së shpirtit
E hene, 28.08.2023, 06:50 PM
SOT N'DITËLINDJEN E POETIT
Ali
Podrimja, poeti i zashmërisë së trajtave t'epjes së shpirtit
Nga
Albert Vataj
Zani
dhe pena, zemra dhe poezia e Ali Pidrimjes, kësaj vullnese shpirtnore u kthyen
në flakadan të luftës për liri të Kosovës. Golgota e këtij populli martir,
ishin dhe mbeten deri në të mbramen frymë, tharmi i kangës që diti me e këndue
edhe kur jetonte me vdekjen, edhe kur vdiste për të jetuar ëndrra e tij.
Kushtroi me za shpirti në çdo kraharor dhe qiellit i dha krahët e atij zogu
krahthyem e kungimi rënkues.
Ali
Podrimja na kujton se e rrjeshtoi kumtin e tij për me çliru poezinë shqipe nga
disa rregulla metrike, siç është: vargu i thurur, apo nga përmbajtjet si fryma
apologjike, brohoritëse e poezisë së pasluftës etj. Por, ai konsumoi një
përpjekje titane dhe vendosi parime të tjera krijuese, siç është vargu i lirë,
shqiptimi metaforik, gjuha e ironisë, efikase për të shprehur zona më të errëta
apo më të fshehta të natyrës së njeriut. Synimi i poetit për t’u fshehur përmes
reflekseve ezopike dhe për t’i përcjellë ato, duke shmangur ndalesat e jashtme,
e nxjerrin në plan të parë mesazhin dhe në plan të dytë atë pjesë të vlerës
artistike që arrihet përmes ritmit dhe euforisë.
Lindja dhe shndritja e
yllit poetik
Poezia
e Ali Podrimjes, e përkthyer në shumë gjuhë të huaja, është pranuar e vlerësuar
pikërisht për arsye se në thesarin universal të vlerave, hyn bindshëm përmes
koloritit të veçantë, përmes botës shpirtërore me individualitetin e vet të
formuar, të ndryshëm nga të tjerët. Publikimin e parë e bëri në vitin 1957 në
revistën letrare Jeta e Re kur ishte në gjimnaz. Rrethanat e vështira politike
gjatë viteve ´60 dhe ato familjare më pas, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në
poezitë e tij. Vdekja e të birit, Lumit, rezultoi me veprën më të bukur të tij
gjer më sot, Lum Lumi. Poezija e tij ka bërë që poezia shqiptare në tërësi të
respektohet në të gjithë trojet shqiptare, si dhe të përkthehet në shumë gjuhë
të huaja. Vargu i Podrimjës karakterizohet nga thjeshtësia, rima e padukshme,
dhe simbolet e papritura. Gjatë gjithë kandës së tij për me mëtu përmes vargut,
metaforës, poezisë atë që shpirti i gufonte, ai e kjartësoi rrugën e tij të një
krijuesi, të një poeti të madh. Nuk nguroi kurrnjiherë për me e thanë fjalën e
vet, për me ken aty ku sofra e pozisë kishte shtruar zemrat dhe fjalët,
shpirtin dhe metaforën. Tash që ai do të mungojë në sofrat e poezisë, kumti që
nxuni me tharmin e shpirtit të paepun do të mylmejë në amshim thirrjet e urisë
për liri, dashuri dhe devocion.