Faleminderit
Albert Vataj: Ndërmëndje dhe mirënjohje për t’pashoqin e dijes, fisnikun shkodran Gjon Shllaku
E diele, 01.10.2023, 07:55 PM
Ndërmëndje dhe mirënjohje për t’pashoqin e dijes, qytetarisë dhe shqiptimit, fisnikun shkodran Gjon Shllaku
Nga
Albert Vataj
Më
24 mars 1923 u lind në qytetin e Shkodrës, Gjon Shllaku, ai që do të mbetej në
kujtesën e të gjithë atyne qi e njohën, për ma s’shumti atyne që u banen pjesë
e fuqisë së tij krijuese dhe shpirtit vetmohues të shndrrum në vepër,
shëmbëllimi më i përsosun i njeriut fisnik dhe dijeshumë.
Nëse
ti thue Shkodra, mundesh me nenkuptu vendin ku nisën spariherë me u shfaq
shkreptimat e vezullimit dritëhyjshëm, me t’cillat na ushqyem andrrat dhe
krenarinë, por s’mundesh me kujtue kyt cak qytetnues pa sjell n’kujtesë ata, përkushtimi
dhe pasioni i tyne mëkues, e shndërruan krijimin në nji akt besimi. E n’kyt
qiell t’Shkodrës qi përkundej n’kambana kumtesh t’hyjshme, e ndezi me nji dritë
t’amël, nji za i heshtun, nji zemër prushun n’dëshirime t’naltueme, ai ishte
Gjon Shllaku.
Për
tanju qi nuk e njihni dhe nuk keni ndigjuar për të dhe dedikoheni të përcillni
sot s’pariherë të flitet për Gjon Shllakun, un munden me than se ai ka pas të
rrallë shokët, për nga dija, kultura dhe qytetaria. Me te na lidh jo vetëm
“Iliada”, letërsia klasike qi e bani me folë shqip, nji kolan e gjatë
krijimesh, fjalori Latinisht-Shqip qi i mori vitet e mbrame të jetës, por
mënyra qi ky gjeni zgjodhi me naltsu panteonin e vet. Ai kurrë nuk u ankua,
megjithëse vuajti, ai kurrë nuk ngau pas të drejtave dhe privilegjeve,
megjithëse i takonin si rrallëkujt, ai kqyri punën e vet, u përpjek me e ba atë
si asht ma mirë dhe pati kurajon intelektuale për me vlerësu punën dhe
angazhimin e të tjerëve, pa u drasht se kjo ka me i eklipsu diellin e tij.
Gjon
Shllaku ishte një ndër dishepujt më të devotshëm të dijes, pasionit për aktin e
krijimit dhe vetmohimit, përkushtimit dhe virtytit. Ai ishte shëmbëllimi më i
përplotësuar i njeriut të përkorë. Si pakkush kam patur fatin ta njoh dhe ta
takoj, fatkeqësisht për herë të fundit një vit përpara se të ndahej nga jeta.
Gjithçka në të ishte e dlirë. Zërin dhe vështrimin i mbamend si më paqësoret që
kisha rrokur deri asohere.
Puna
dhe angazhimi i tij i pandalshëm na lidhin me një galeri të dëshmimit të tij
krijues. Përktheu pjesë nga “De rerum natura” e Lukrecit dhe nga “Eneida” e
Virgjilit kur ishte ende seminarist. Kur ishte vetëm 16 vjeç pruni të plotë në
shqip “Gjeorgjikat” e Virgjilit. Një vit ma vonë përkthen Ben Hur-in e Lju
Uallasit. Përktheu gjithashtu tekste biblike nga greqishtja e vjetër, “Punët e
Apostujve” dhe “Apokalipsi”. Në vitin 1965 shqipëron “Iliadën” në gegnisht, për
ta ripunuar në standard më 1979. Më 1995 boton shqipërimin e shtatë tragjedive
të Sofokliut – përkthim që në kohë të regjimit nuk iu pranua nga Akademia, me
“Kangët e Rolandit” (bot. më 2003) dhe “Le Cid” të Kornejit. Dy muaj përpara
vdekjes mbaroi hartimin e “Fjalorit latinisht-shqip” të nisun prej shumë vitesh
me 65.000 fjalë, e cila i mori as më shumë e as më pak se 15 vite. Ka lan të pa
përfundum “Fjalorin greqisht-shqip” me rreth 18.000 fjalë. Ky njeri i shenjtë,
bëri të flasë shqip Ovidin, Horacin, Shekspirin, Hygoin, Rasinin, De Musenë,
Lamartenë, Shatobriandin deri tek Papa Gjon Pali i II.
Përveç
punës rraskapitëse orëshumë të përkthimit ai la dhe krijimet e tij, nga të
cillat përmendim dramat “Dy Lekët”, “Judita dhe Holoferni” dhe “Skënderi e
Zulejka”. Gjatë qëndrimit në burgun e Burrelit, nis më 1950 shkrimin e dramës
“Skënderi dhe Zulejka”, që e përfundoi në aeroportin e Urës Vajgurore, Berat.
Me anën e dy shkodranëve të rinj, teknikë të jashtëm në pistën e Beratit, u
realizua dalja e veprës së vetme të shpëtuar prej punës së tij mas hekurave.
Pas 47 vitesh i vëllai, regjizori Lec Shllaku, ia dorëzoi dorëshkrimin. Ky
është i pari daktilografim që përfundoi në orën më 20 nandor 1999.
E
gjithë kjo përpjekje titane, kjo punë vetmohuese atë nuk mundën ta bënit të
pasur, por në jetën time nuk do të kem shansin të njoh një njeri me një shpirt
kaq bujar, me një zemër të madhe, i paankim e përjashta kurrnji angazhimi për
me ken njeri publik, për me dëshmu e me kërku merita e privilegje. Ai punoi dhe
jetoi për të ndërtuar njeriun e përkorë, atë që ne jetë të jetëve do t’ia kena
borxh mirënjohjen e përunjur.
Natyrshëm
që gjithëkjo përmendore e krenarisë dhe e dijes së shqipes dhe shqiptarëve që
rrëzelleu nga pena dhe puna e tij duhej të pikasej dhe të vlerësohej nga
mirënjohja, e cila mundena me përmen; më 25 dhjetor të 1995 i jepet titulli
“Profesor” nga komisioni i kualifikimit shkencor, muaj kur dekorohet po ashtu
me Urdhrin Naim Frashëri i Artë nga presidenti Sali Berisha. Në prill të 2003 i
akordohet nga Presodenti i Republikës Alfred Moisiu urdhri “Mjeshtër i Madh”
dhe nga Këshilli bashkiak i Shkodrës “Qytetar nderi i Shkodrës”. Po ashtu dekorohet
me Urdhrin Naim Frashëri i Artë nga presidenti, fitues i “Penës së Artë” të
dhënë nga MTKRS për përkthimin e “Gjeorgjikave” të Virgjilit më 2001. Fitues i
”Diskut e Argjendtë” nga qeveria greke me anë të ambasadës së saj në Tiranë.
Tançka
për të cilën na mbete me u krenu prej kësaj figure nuk janë dhe aq vlerësimet
dhe mirënjohja, është vepra që la, puna e tij vetmohuse, emni i tij i pashlyem
në kujtesën e gjithkujt qi ndjen nevojën për me ken i ndritun prej rrezeve të
këtij shëmbëllimi të së përsosurës.
Faleminers
Zotit qi ekzistove Gjon Shllaku!