Kulturë
Prend Buzhala: Letërsia për fëmijë në studimet e Anton Nikë Berishës
E diele, 29.10.2023, 07:55 PM
LETËRSIA PËR FËMIJË NË STUDIMET E ANTON NIKË BERISHËS
Nga
Prend Buzhala
Çështje
teorike letrare dhe studime monografike
Duke qenë njëra ndër figurat epiqendrore të letërsisë së
sotme shqipe[1],
me interesime të shumëfishta, shpesh të pakrahasueshme me ndonjë autor,
përmasash të mëdha e të jashtëzakonshme për letërsinë (kritikë letrare, studime
monografike e interesime teorike letrare), duke i zgjeruar këto interesime me
realizimin e një varg projektesh të tilla sistematike të Fjalës Diskursive
(interesimet për letërsinë popullore, interesimet për letërsinë arbëreshe,
interesimet për letërsinë vjetër shqipe,
interesimet për çështje teorike letrare, interesimet për vlerat antologjike të
lerave shqipe e të asaj botërore si hartues antologjish, puna në përzgjedhjet e
librave poetikë po edhe në prozë të dhjetëra autorëve të sotëm shqiptarë e
arbëreshë, veprimtaria e tij në fushën e përkthimeve të kryeveprave botërore,
veprimtaria në fushën e letrave kushtuar Nënës Tereze etj.; duke ia shtuar
kësaj veprimtarie edhe krijimtarinë e pasur letrare me romanet, poezitë, poemat
si në letërsinë për të rritur ashtu edhe në at për fëmijë); gjithsesi, që, në
kuadrin e këtyre interesimeve të gjalla e dinamike hyjnë edhe interesimet
kushtuar letërsisë për fëmijë.
Këtu do përmendur kontributin e tij që prej fillim vitet
’70 të shekullit që e lamë pas e këndej, në fushën e kritikës letrare, duke
vlerësuar e interpretuar autorë e vepra të letërsisë së sotme shqipe për
fëmijë, siç janë Rexhep Hoxha[2],
Mark Krasniqi[3],
Anton Çetta[4],
Bedri Dedja[5],
Rifat Kukaj[6],
Vehbi Kikaj[7],
Agim Deva[8],
Ymer Elshani[9]
etj.
Ndërkaq, në dekadën e fundit, e zgjeroi këto interesime
me përkushtime të mirëfillta studimore, kritiko-letrare dhe të fushës së
interesimeve të lehtësisë për fëmijë, siç janë “Letërsia për fëmijë si art i
fjalës”[10]
dhe “Poetika e letërsisë për fëmijë”[11]
Ky korpus tekstesh studimore, kritiko-letrare dhe
interpretuese, hynë në radhën e mendimit letrar ndër më të mirëfilltat në
letrat shqipe. Ky interesim zgjerohet e thellohet me studimet
monografike kushtuar letërsisë për fëmijë, siç janë “Poezia për fëmijë e
Mark Krasniqit” (studimin monografik) – FAIK KONICA, Prishtinë 2002,
pastaj “Letërsia për fëmijë si art i
fjalës”, ARBËRIA 07, Tiranë 2013 dhe sivjet botoi monografinë “Veçanti të
veprës letrare për fëmijë të Rifat Kukajt”, Argeta LMG, Tiranë 2020. Kohëve të
fundit botoi edhe një vepër të rëndësishme me titullin “Poetika e letërsisë për
fëmijë” (botoi Universiteti i Gjakovës” Fehmi Agani”, Gjakovë 2020 ).
2. “Poetika e letërsisë për fëmijë” – një vepër shumëfish e rëndësishme
Meqenëse letërsia për
fëmijë si art i fjalës ka fushë të gjerë receptimi jo vetëm nga lexuesit e
përkushtuar, por edhe nga nxënësit, pedagogët, studiuesit e fushave letrare,
arsimore, edukative; meqenëse shumë vepra të letërsisë për fëmijë lexohen si
lekturë e zgjedhur shkollore, apo si lëndë mësimore përmes libër-leximeve, apo
si lëndë e veçantë studimi në nivel universitar tek katedrat albanologjike e
pedagogjike; atëherë s'do mend se vepra “Poetika e
letërsisë për fëmijë” (Letërsia për fëmijë si art i fjalës & Vëzhgime
teorike & Krahasime me letërsinë për të rritur & Interpretime veprash
& Portrete shkrimtarësh)”, meqë mban për botues Universitetin e Gjakovës “Fehmi
Agani”, do të shërbejë edhe si libër universitar për studentë dhe për profesorë
që e ligjërojnë lëndën e letërsisë për fëmijë. Fillimisht librit i prin punimi “Letërsia
për fëmijë si art i fjalës dhe rëndësia e saj “, në të cilin pohon me të
drejtë: “Vepra e letërsisë për fëmijë është para së gjithash art i fjalës,
prandaj nëse me dashje e lëmë anash këtë tipar të sa, vetvetiu i mohojmë
qenësinë dhe veçantinë, përkatësisht qëllimin kryesor, përmasën artistike dhe
kënaqësinë - ndikimin estetik.”[12]
Ndonëse në të kaluarën, nëpërmes shkrimeve të ndryshme nëpër revista a shtypin
pedagogjik, arsimor e letrar, kanë shkruar për problematikën e letërsisë për
fëmijë, për përqasjet e marrëdhëniet mes letërsisë për të rritur e për fëmijë,
qëllim i autorit është që ta riaktualizojë rëndësinë e letërsie për fëmijë dhe
të ndriçojë veçori, tipare e dukuri të saj si art i fjalës, por dhe “rëndësinë
e saj të shumëfishtë për pasurimin shpirtëror dhe artistik të njeriut tonë, pa marrë parasysh moshën e marrësit ose shfrytëzimin e
letërsisë për fëmijë dhe për qëllime pedagogjike ose të tjera.”[13]
Duke e ndarë librin
në disa pjesë: “Çështje teorike të letërsisë për fëmijë”, “Interpretime veprash”
dhe “Portrete shkrimtarësh”, autori do
t’i mbetet besnik, përgjatë gjithë veprës, postulatit kryesor të kësaj
letërsie, kur tashmë lë anash karakterin pedagogjik, arsimor, edukues, argëtues
etj. dhe përqendrohet te qenësia e sa si art i fjalës. Në këtë drejtim
shtjellohen e zhdrivillohen çështje e dukuri e veçori të letërsisë për fëmijë
tek tri punimet e pjesës “Qenësi dhe veçanti të artit të fjalës – letërsisë”,
si janë “Arti letrar si pasuri shpirtërore”, “Ndërliqësia e natyrës së artit të
fjalës” dhe “Qenësia e strukturës gjuhësore poetike”. Meqë autori është edhe
studiues i letërsisë gojore, në të dy rastet (letërsi gojore, letërsi e
shkruar) ai e sheh krijimtarinë letrare esencialisht si art i fjalës. Kur kemi
parasysh, te ky libër imi, ku po flasim për romanet për fëmijë të Anton N.
Berishës, atëherë na përligjet edhe një interesim tjetër, mu ashtu siç pohon
edhe vetë autori:
“Njeriu jo vetëm që e
krijoi artin e fjalës, por u mor dhe me shqyrtimin dhe studimin e tij, me
veçantitë shtjelluese dhe shprehëse poetike si dhe me përmasën e ndikimit
estetik dhe me rëndësinë e këtij ndikimi në njeriun. Kjo ndodhi nga fakti se
ndriçimi i tipareve të artit kushtëzoi zhvillimin e vetë artit, rrjedhimisht me
këtë, zhvillimin e shijes artistike, përkatësisht zhvillimin e ndjenjës për të
bukurën e për të madhërishmen, gjë që i hapi shtigje të reja artit të fjalës
dhe dëshmoi qenësinë e shumëfishtë të tij për njerëzimin. Këto përpjekje
kurorëzohen me veprën Qasje artit poetik të Aristotelit, që shërbeu si bazë për
thellimin e studimeve të mëtejshme dhe për njohjen sa më të plotë të artit të
fjalës”[14].
Meqë i veçon, tek shtresat e ndërliqshme estetike të veprës letrare, edhe
aspekte tjera të këtij arti siç janë mesazhi që përcillet te marrësi (lexuesi),
shumëkuptimësinë e fjalës (“Pikërisht gjuha poetike e kushtëzon veçantinë dhe
vlerën e krijesës letrare”, thotë autori, sepse jashtë gjuhës nuk ka letërsi),
apo edhe veçori tjera, siç është rrëfimi, sidomos rrëfimi përrallor. Autori i
ka kushtuar rëndësi të veçantë tipit të rrëfimit përrallor dhe gjuhës poetike
që ajo ngërthen, për t’i ndërlidhur, kësisoj, praktikën krijuese, romanet e
poemat e tij, me trajtimet e studimet që i kushtohen kësaj krijimtarie. Po qe
se letërsia krijohet e lexohet për të ushtruar ndikimin e saj estetik, po qe se
edhe letërsia gojore, edhe ajo e shkruar, duan të njësojnë realitetin konkret
nëpërmes realitetit imagjinativ a përfytyrues, atëherë është krejtësisht e
përligjur se përse në krijimtarinë letrare për fëmijë të Anton N. Berishës
mbizotëron trajta përrallore e rrëfimit, rikrijimi i përrallës në letërsi:
“Dukurinë e tillë e përligj mirëfilli njëri nga llojet më të njohura të letërsisë
për fëmijë - përralla, e cila shekuj me radhë u përcoll gojarisht brez pas
brezi, për të bërë pastaj një jetë mjaft të gjallë në formën e shkruar, qoftë
kur u krijua nga shkrimtarët, qoftë kur tekstet e traditës letrare gojore u
mblodhën dhe u botuan [...] Me botën magjepse dhe me stilin e veçantë e të
ngritur, ndikim i këtij lloji letrar qe i shumëfishtë dhe mbetet si i tillë: ai
shpreh një botë të përfytyruar, të projektuar, që nuk është kërkesë vetëm e
botes së fëmijës, por edhe e të rriturit. Pa këtë përfytyrim jeta e njeriut do
të ishte diçka tjetër.”[15]
Këto dy forma a
trajta të komunikimit, po i quajmë kushtimisht trajtat diskursive
(studimi, kritika, mendimi teorik) dhe trajta imagjinatave (kësaj radhe, romani
për fëmijë, poezia për fëmijë e poema për fëmijë); e ndihmojnë njëra tjetrën,
të dyja marrinë japin nga njëra tjetra. Mu
si vepra e Aristotelit që erdhi
pas veprave të autorëve antikë, por që i shtjelloi, i organizoi e iu dha trajtë
e formë brenda mendimit të tij teorik-letrar. Gjithsesi që autor e ka t qartë
dallimin midis gjuhës që përdor shkrimtari në veprat letrare për fëmijë dhe në
veprat letrare për të rritur: “Ajo duhet t’i përshtatet natyrshëm mënyrës së të
menduarit të fëmijëve, të jetë një qenësi e kuptueshme prandaj dhe lehtazi e
receptueshme. Pikërisht brenda këtyre përbërësve fshihet dhe qëndron fuqia dhe
veçantia e gjuhës që përdor shkrimtari në një vepër për fëmijë.”[16]
Te pjesa e parë
shtrohen edhe çështje tjera me rëndësi thelbësore, të dorës së parë, për sa i
përket letërsisë për fëmijë, siç janë:
ndikim estetik i letërsisë për fëmijë, përkufizimi i saj, si e përligj
përralla rëndësinë e letërsisë për fëmijë, letërsia për fëmijë përballë
letërsisë për të rritur me përafrimet e dallimet që kanë, shtresa dhe lloje të
ndryshme të letërsisë, duke u përqendruar edhe tek vlerat që ka si letërsia
shqipe për fëmijë si ajo e letërsisë sonë gojore për fëmijë. Madje, letërsia
gojore konsiderohet bazë e letërsisë së shkruar për fëmijë.
Pasi t’i ketë
shtjelluar këto çështje teorike, në pjesën e dytë i hyn punës praktike të interpretimit të
veprave, siç janë veprat poetike për fëmijë “Posta e porositur” e Mark
Krasniqit, që e vlerëson njërën ndër më të rëndësishmet e letërsisë sonë, kurse
librin me poezi “Pëshurrani i gjyshit” e quan një kryevepër e poezisë sonë. Një
studim mirëfilltë është ai që ka të bëjë
me poezinë e Agim Devës, përkitazi me veçoritë q ka kjo poezi. Më tutje merr në
shqyrtim veprat në prozë, siç janë “Princi i vogël” i Antoan dë Sent Ekçyperit,
si dhe dy romane të Rifat Kukajt, “Zogu i bardhë” e “Dita e xhufkave”, si dhe
romanin “Shpella e piratëve” të Petro Markos. Te pjesa e fundit “Portrete
shkrimtarësh”, vijnë dy punime: “Mbi disa mëvetësi të veprës letrare të Rifat
Kukajt” dhe “Rreth disa cilësive të veprës letrare të Vehbi Kikajt”.
Bota e personifikuar
e kafshëve me modelin e saj të mrekullueshëm, me rrëfimin e ngrohtë e tërheqës,
me veprime, lojë e humor tek “Posta e porositur”; rrafshi i lartë poetik,
ngjizja e të rëndomtës me të parëndomtën, mesazhet me përshtypje të forta e me
ndikim estetik, pasuria e të shkrehurit poetik me ngjyrime shumësore, zgjedhja
e dukurive për trajtim që janë të
rëndësishme për jetën e njeriut, teksti i mbrujtur me mendime të qenësishme tek
“Pëshurrani i gjyshit” Rifat Kukajt –
janë punktet e kundrimit interpretues e shtjellues të kësaj kritike. Autori
hulumton gjithnjë veçorit që e dallojnë atë vepër, gjithnjë me kërkesën se
secila vepër e mirë dhe secili autor serioz, ka identitete vet krijues,
artistik, shenjat e veta dalluese. Po me këto kërkesa
ai shkruan edhe për poezinë e Agim Devës, duke veçuar prirjen e poetit për
shumëllojshmërinë e temave e të motiveve: “Pra, për Agim Devën s'ka asnjë temë
që nuk mund të bëhet të komunikohet me fëmije. Për të është e rëndësishme
mënyra e qasjes dhe e transponimit të dukurisë, përkatësisht mesazhi qe del nga
struktura tekstore, qe nxit e kushtëzon komunikim. Autori me qëllim do që
nëpërmjet vjershës së vet t'i ballafaqoje fëmijët me ato dukuri e
probleme që do t'i ndeshin në jetë, qoftë si fëmijë, qoftë, më vonë, si të
rritur. At di se jeta dhe të papriturat e saj nuk u përkasin vetëm të rriturve,
por njësoj edhe fëmijëve. Së këndejmi, sa më parë që ata të bëhen të
vetëdijshëm për jetën dhe për vështirë,
si të tillë, i presin, më lehtë do t'i përballojnë e do t'i zgjidhin
ato.”[17]
Mirëpo studiuesi vë në pah edhe dallimet e botës së fëmijëve nga ajo e të
rriturve, sepse fëmijët nuk bëjnë leqe, pasi poti gjithnjë e kërkon rolin që ka
fëmija në familje e në shoqëri, kërkesën për një individ të lirë n gjirin e
shoqërisë dhe për pasurim të botës së tij shpirtërore. Poeti nuk iu ikën temave
që e shqetësojnë njeriun dhe fëmijën. A. N. Berisha thekson: “Rrëfimi poetik i
Agim Devës [...] është sa i pandërmjetëm dhe i qartë, aq dhe simbolik dhe
poetik. Poezia e tij tematikisht është aktuale dhe kuptimisht shumësore. Edhe
pse autori nuk e kultivon fantastikën, të mrekullueshmen, krijimet e ngritura e
të shtjelluara nga gjuha poetike, nxisin një nëntekst dhe një konotim të pasur!”[18] Se vepra “Poetika e letërsisë për fëmijë”
pati jehonën e vet, dëshmojnë, ndër të tjera, edhe dy lexime prezantuese e
shtjelluese që i janë bërë asaj, siç është punimi i Ajete Zogajt “Vepër e
rëndësishme për letërsinë për fëmijë”[19]
dhe i Sabahajdin Cenës “Çelësi i interpretimit të veprave letrare për fëmijë”[20]
3.
Në paradigmat e leximit
Ashtu sikundër shihe
prej veprave që i merr në shqyrtim dhe prej autorëve që i zgjedh, studiuesi
Anton N. Berisha spikat individualitet e ndryshme, që dallojnë. E bën këtë,
sepse më mirë do të vërehen edhe ato
veçori që e përbëjnë përgjithësisht letërsinë për fëmijë. Mbi të gjitha, për
t’ua përcjellë lexuesve, shkollave, pedagogëve, studiuesve të letërsisë vlerat
e mirëfillta letrare e artistike që iu qëndrojnë kohëve. Mendimi kritik për
letërsinë për fëmijë tek Anton N. Berisha, si te studiues e autorë tjerë,
përfshin së toku shtjellimet e përgjithshme të ndërkomunikimeve në mes
letërsisë për fëmijë dhe teorisë së letërsisë; atëherë kritika e tillë do të
marrë dy kahe makrostrukturore: trajtën e analizës së mirëfilltë letrare dhe
trajtën e shkrimit kritiko-letrar drejtuar botës së fëmijëve.[21]
Ç’është e vërteta, përgjithësisht kritika letrare, qoftë edhe ajo për vepra të
letërsisë për fëmijë, i drejtohet lexuesit të rritur, pedagogëve, prindërve dhe
bibliotekistëve, sepse fëmija nuk është intelektualisht dhe emocionalisht i
pjekur për t’i bërë një lexim krijues tekstit kritik. Veprat e sotme të
letërsisë për fëmijë e ngërthejnë
paradigmën e vet të leximit, leximin paradigmatik. Kurse leximi studimor e
kritik gjithnjë e gjithnjë do të gjendet në shoqëri me motrën e saj që i rri te
koka në të gjitha vështirësitë, sikundër është Praktika e Leximit.
Në këtë mënyrë, bota
komplekse e fëmijës, kësaj krijese të mrekullueshme dhe bota komplekse e
veprave letrare për fëmijë që dhuron vlera të patjetërsueshme të përjetimit dhe
të së bukurës. Megjithatë, botën e pasur që ta ofron fëmija e fëmijëria për
trajtime letrare; dhe proceset e zhvillimit të fëmijës, nga ana tjetër,- ende
mbeten mister, siç theksojnë edhe autorët e sipërpërmendur amerikanë. Mister,
mu ashtu si do të shprehej Uordsvorth: fëmija është babai i burrërisë.[22]
Nëse kjo letërsi, e shoqëruar me simotrat postmoderne të internetit, filmit,
filmit të animuar, librit të digjitalizuar, bibliotekës së digjitalizuar,
filmit të vizatuar, lojërave pa kufi etj. nuk është e habitshme që do të
sfidohet edhe nga mendimi, nga përvojat dhe nga imagjinata e shkruar apo gojore
e ligjërimit, apo nga ato të imazhit. Tashmë e bukura nuk zbulohet vetëm në
fjalën e shkruar, apo vetëm në gjuhë, por edhe në trajtat e shumta të
receptimit kritiko-letrar. Letërsia është këtu, sfidat janë këtu. Pritet dora e
kritikut dhe e studiuesit, ashtu sikundër na dëshmon këtë studiuesi e kritiku
Anton Nikë Berisha.
[1] Më gjerësisht shih Prend Buzhala: Kode poetike të mbijetesës
shpirtërore/Mbi romanet për të rritur të Anton N. Berishës, Argeta LMG, Tiranë,
2009.
[2] Shih Anton
Berisha, Teksti poetik, Rilindja, Prishtinë, 1985, f. 114-120, kushtuar
romanit “Lugjet e verdha”.
[3] Anton Nikë Berisha, Poezia për
fëmijë e Mark Krasniqit, Faik Konica, Prishtinë, 2002.
[4] Anton Nikë Berisha, Vepra e
Anton Çettës përligj qenësinë e trashëgimisë sonë, Instituti i Trashëgimisë
Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, Shkup, 2020. Punimi “Anton Çetta poet
për fëmijë”, f. 35-43.
[5] Shih Anton Berisha, Shumësia
kuptimore, Rilindja, Prishtinë, 1990, f. 134-141, kushtuar romanit
“Heroizmat e Fatbardh Pikaloshit”.
[6] Përveç që ka shkruar te disa libra
të tij kritiko-letrarë, Anton Nikë Berisha botoi edhe librin “Veçanti të veprës
letrare për fëmijë të Rifat Kukajt”, botoi Ageta LMG, Tiranë 2020.
[7] Shih Anton Nikë Berisha, Veçanti ligjërimesh poetike, Eurorlindja,
Tiranë, 1996, f. 101-105.
[8] Po aty, f. 106-118.
[9] Shih Parathënia e librit Ymer
Elshani: “Kur vallëzojnë buzëqeshjet”, Poezi e zgjedhur për fëmijë. Zgjedhjen
dhe parathënien ANTON NIKË BERISHA, Shtëpia botuese Faik Konica, Prishtinë,
2021.
[10] Anton Nikë Berisha, Letërsia për fëmijë si art i fjalës, Argeta LMG,
Tiranë, 2013.
[11] Anton Nikë Berisha: Poetika e
letërsisë për fëmijë, Universiteti i Gjakovës “Fehmi Agani”, Gjakovë,
2020.
[12] Po aty, f. 15.
[13] Po aty, f. 16.
[14] Po aty, f. 23.
[15] Po aty, 14.
[16] Po aty, f. 76.
[17] Po aty, f. 121.
[18] Po aty, f. 126.
[19] Ajete Zogaj, Vepër e rëndësishme për
letërsinë për fëmijë. Në: https://www.zemrashqiptare.net/news/56108/ajete-zogaj-veper-e-rendesishme-per-letersine-per-femije.html
[20] Sabahajdin Cena: “Çelësi i interpretimit të veprave letrare për fëmijë”. Në
të përjavshmen letrare kulturore “Exlibris”, nr. 129, 1 maj 2021, Tiranë, f.
9.
[21] Shih librin tim: Prend Buzhala: “Në mbrojtje të imagjinatës (Nga letërsia
shqipe për fëmijë)”, ANDENA, Prishtinë,
2013, f. 26- 27
[22] William
Wordsworth: My Heart Leaps Up (Poezi). Në https://poets.org/poem/my-heart-leaps.