Kulturë
Ajete Zogaj: Vepër e rëndësishme për letërsinë për fëmijë
E marte, 12.01.2021, 12:30 PM
VEPËR E RËNDËSISHME PËR LETËRSINË PËR FËMIJË
Anton
Nikë Berisha “Poetika e letërsisë për fëmijë”.
Botoi
Universiteti i Gjakovës“ Fehmi Agani”, Gjakovë 2020.
Nga
Ajete Zogaj
Është i njohur
kontributi i profesor Anton Nikë Berishës në fushën e letërsisë: autor i disa
romaneve të realizuar për të rritur e për fëmijë, i disa përmbledhjeve me poezi
me vlera të ngritura dhe i studimeve monografike, ku vështrohen vepra kulmore
të letërsisë sonë e të letërsive të tjera.
Se pena e vyer e
këtij studiuesi vazhdon të jetë shumë prodhimtare, e dëshmon vepra “Poetika
e letërsisë për fëmijë” botuar ditë më parë nga Universiteti i Gjakovës
“Fehmi Agani”, si libër universitar për studentë dhe për profesorë që e japin
këtë lëndë.
Vepra “Poetika
e letërsisë për fëmijë” (Letërsia
për fëmijë si art i fjalës & Vëzhgime teorike & Krahasime me letërsinë
për të rritur& Interpretime veprash & Portrete shkrimtarësh) është
studim i veçantë jo vetëm për dukuritë, për autorët dhe për veprat që i merr në
shqyrtim, por mbi të gjitha për mënyrën e qasjes, të interpretimit dhe të
argumentimit që përdor në pjesët dhe punimet për veprat konkrete.
I shtjelluar në
tri pjesë libri trajton çështje të shumta e të rëndësishme të letërsisë për
fëmijë në aspektin teorik ashtu dhe të interpretimit të teksteve, si dhe
portretizimit të autorëve të shquar të kësaj letërsie.
Në pjesën e parë
të librit: Çështje teorike të letërsisë për fëmijë autori trajton dukuri
teorike të letërsisë si art i fjalës e sidomos të letërsisë për fëmijë përballë
letërsisë për të rritur. Mbasi krahason elemente të rëndësishme të këtyre dy
shtresave të artit të fjalës, Berisha thekson faktin se të dy këto shtresa si
përbërës të qenësishëm kanë gjuhën poetike dhe mesazhet poetike dhe për të dyja
qëllimi kryesor është ndikimi estetik te marrësi, përkatësisht të lexuesi.
Në pjesën e dytë Interpretime
veprash profesor Berisha në mënyrë profesionale dhe thellësore u qaset dhe
bën interpretimin e disa veprave të veçanta për fëmijë, qoftë të autorëve
shqiptarë, qoftë të atyre të letërsive të tjera, duke ndriçuar vlera kryesore
poetike që i cilësojnë ato. Në Parathënien e librit Berisha thekson: “Vepra e
letërsisë për fëmijë është para së gjithash art i fjalës, prandaj nëse me
dashje e lëmë anash këtë tipar të saj, vetvetiu i mohojmë qenësinë dhe
veçantinë, përkatësisht qëllimin kryesor: përmasën artistike dhe kënaqësinë -
ndikimin estetik”. (f. 15).
Pjesa e tretë e
librit Portrete shkrimtarësh sjell para lexuesit portretin letrar të dy
autorëve të dëshmuar të letërsisë sonë për fëmijë: Rifat Kukajn dhe Vehbi
Kikajn.
Trajtime teorike
të letërsisë për fëmijë
Në këtë vepër
studimore profesor Berisha ndriçon një varg veçantish të letërsisë si art i
fjalës, duke filluar nga lindja e saj në formën gojore, pra të lindjes dhe të
komunikimit të letërsisë të bartur gojarisht prej një individi të tjetri dhe e
cila ishte pararendëse e letërsisë së shkruar. Autori thekson se arti i fjalës,
qoftë ai i përcjellë gojarisht, qoftë ai i shënjuar përmes shkrimit, përligjin
pasurinë shpirtërore që e shoqëroi njeriun nga kohët e lashta dhe përmes
formave të ndryshme të komunikimit ndikuan në zhvillimin dhe përparimin e tij.
Duke ndriçuar
natyrën komplekse të letërsisë si art, autori shkruan: “Në të vërtetë, thuhet
se përkufizimi më i qëlluar dhe më i plotë i artit të fjalës është vetë arti i
fjalës [...].Arti letrar është shumështresor dhe ngërthen në vete një varg
veçantish e tiparesh, vlerash e kuptimesh, të përligjura në vepra llojesh të
ndryshme e të shumta të krijuara në rrjedhë të qindvjetshave e në kultura të
ndryshme e nga individë të ndryshëm” (f. 24), që vështirë mund të përmblidhet
në një përkufizim.
Në vazhdim të
përcaktimit të natyrës së veprës letrare poetike, përkatësisht të tekstit të
tyre si shtjellim gjuhësor shprehës, Berisha thotë: “Ajo që e bën të shkruajë
një shkrimtar të mirëfilltë (nuk mendoj për shkrues dhe autorë që shkruajnë sa
për të thënë) është se atë që e ‘tund’ në shpirt, ndien se mund dhe duhet ta
thotë, pra të bëjë të ekzistojë nëpërmjet strukturës gjuhësore të veçantë, ta
krijojë të bukurën me fjalë. Ajo që i jep shpirt letërsisë, siç u tha më parë,
është gjuha dhe gjithçka lidhet me mënyrën sesi ajo zgjedhet e shtjellohet në
tekstin konkret dhe nga shumësitë kuptimore që dalin prej tij. Teksti që gjakon
njëkuptimësinë, nuk i përket mirëfilli letërsisë, po fushave të tjera. [...]
Përcaktimi i një teksti letrar ose joletrar kushtëzohet edhe nga aftësia dhe
mënyra e leximit të individit (lexuesit); nga njohja, nga përvoja dhe nga shija
që ka për artin.” (f. 30).
Autori i çmon të
rëndësisë së dorës së parë mesazhet poetike që dalin nga teksti letrar dhe për
të vërtetën artistike që ai shpreh: “[...] shkrimtari nëpërmjet ngjarjeve dhe
dukurive të trajtuara në veprën letrare nxjerr kuptime dhe zbulon qenësi, po
dhe i krijon ato, që domethënë e pasuron përvojën e kohës së tij e të kohëve
pas tij. E vërteta historike është e rëndësishme për brezat, por në veprën
letrare artistike shprehet e krijohet, siç u tha, e vërteta e mundshme, e
vërteta artistike, që pa dyshim, ka vlerë më të madhe.” (f. 39).
Në librin studimor
“Poetika e letërsisë për fëmijë” studiuesi Anton Nikë Berisha, sjell shembuj të
shumtë të veçorive të letërsisë për fëmijë si dhe të raporteve e të pikëtakimeve
të saj me letërsinë për të rritur. Sipas Berishës “[...] nuk mund të bëhet
fjalë për kufij të prerë midis letërsisë për të rritur dhe letërsisë për fëmijë
- të dyja i përkasin artit të fjalës dhe të dyja kanë rëndësinë e pamohueshme
në zhvillimin dhe në pasurimin e traditës letrare”. (f. 67).
Autori i këtij
libri trajton edhe veçantitë dalluese të letërsisë për fëmijë dhe asaj për të
rritur. Ai thekson se këto dy shtresa të artit të fjalës ndryshojnë për mënyrën
e qasjes së objektit poetik, për gjuhën dhe për shtjellimin e tekstit, si
përcaktues i rëndësishëm i secilës krijesë letrare, pra edhe i veprave të
këtyre dy shtresave të letërsisë, që lidhet me marrësin - lexuesin, të cilit i
kushtohen.
Qasja teorike dhe
vlerësimet që sjell profesor Berisha në veprën “Poetika e letërsisë për fëmijë”
janë tregues bindës në radhë të parë për njohjen dhe dijen e thelluar të
autorit për letërsinë e për natyrën e tekstit të veprës letrare. Nisur nga
shqyrtimi thellësor dhe argumentues që profesor Anton Nikë Berisha i bën
letërsisë për fëmijë në këtë libër mund të themi me bindje se e vendos atë në
rrafshin më meritor të studiuesve të letërsisë sonë për fëmijë. Po sjell këtu
një mendim të rëndësishëm të profesor Berishës për veprën letrare për fëmijë:
“Vepra letrare për fëmijë, si dhe çdo vepër tjetër letrare, përbërësin kryesor
e ka gjuhën dhe mënyrën e shtjellimit të tekstit poetik nga dalin mesazhet,
marrëdhëniet e fjalëve, shumësinë dhe nuancimet kuptimore, ngjyrimet
ndjenjësore e tingullore, përafrimin, ballafaqimin dhe përplasjen ose
kundërvënien, humorin përmasën argëtuese - lojën. Me tipare të këtilla ajo
bëhet pjesë e pandashme e artit të fjalës, letërsisë dhe çdo përkufizim i saj
jashtë këtyre përbërësve është i paplotë dhe i papranueshëm. Çështja që letërsia
për fëmijë ka mundësinë të shqyrtohet, të analizohet dhe të përdoret dhe për
qëllime të tjera, si, fjala vjen, edukative dhe pedagogjike, nuk e kufizon dhe
nuk e ndërron thelbin e saj, por dëshmon vetëm pasurinë, gjerësinë dhe
rëndësinë e saj të shumëfishtë”.(f. 43). Pra, sipas profesor Berishës,
letërsinë për fëmijë e bëjnë letërsi të mrekullisë dhe të magjisë para së
gjithash gjuha, mënyra e perceptimit, e shtjellimit dhe e të shprehurit,
thjeshtësia e mesazheve, loja që është e pranishme e që gërshetohet me humor të
natyrshëm, që zgjojnë tek fëmijët kureshtjen, kënaqësinë, fisnikërimin dhe
pasurimin shpirtëror.
I një rëndësie të
veçantë është kapitulli ku autori në mënyrë kronologjike jep ‘rritën’ dhe
zhvillimin e letërsisë për fëmijë dhe të autorëve të dëshmuar, që përkundër sistemit komunist
në Shqipëri krijuan vlera të qëndrueshme, po dhe për
veprat letrare të botuara në Kosovë duke filluar nga viti 1953.
Interpretim i
veprave të rëndësishme për fëmijë
Në pjesën e dytë
të librit “Interpretime veprash” profesor Anton Nikë Berisha merr në shqyrtim
përmbledhjet me poezi “Posta e porositur” të Mark Krasniqit, “Pëshurrani i
gjyshit” të Rifat Kukajt, si dhe veçanti të poezisë për fëmijë të Agim Devës.
Sipas studiuesit
Berisha, përmbledhja “Posta e porositur” e Mark Krasniqit, është njëra ndër
veprat më interesante dhe më të rëndësishme për fëmijë në letërsinë shqipe. Kjo
vepër i mundëson fëmijës, në të njëjtën kohë, të luajë rolin e spektatorit dhe
të pjesëmarrësit ose thënë ndryshe, njësimin e botës së brendshme me nevojat
dhe dëshirat e veprimit të përditshëm”.(f. 94).
Për përmbledhjen e
Rifat Kukajt “Pëshurrani i gjyshit” Berisha thekson se ajo “[...] pa asnjë
dyshim hyn në rrethin më të ngushtë të veprave më artistike të poezisë për
fëmijë të shkruara në gjuhën tonë shqipe”. Këtë vlerësim, profesor Berisha e
argumenton me analizën e hollësishme që i bën kësaj përmbledhje me të cilën
Rifat Kukaj mbërrin një rrafsh të lart poetik duke përftuar me mjeshtëri disa
nga pamjet më të rralla e më poetike që njohu deri atëherë poezia jonë për
fëmijë; shqiptoi të rëndomtën të ngjizur me të parëndomtën, duke gërshetuar me
shkathtësi përditshmërinë dhe përfytyrimin, konkreten dhe imagjinativën. (f.
101).
Në librin “Poetika
e letërsisë për fëmijë” prof. Berisha bën objekt studimi dhe poezinë për fëmijë
të Agim Devës, ku midis të tjerash shkruan: “Pasuria e vargut dhe formës, që
ngjasin brenda një vargu, një strofe ose një vjershe, bashkë me elementet që i
zumë ngojë më parë: tematikën aktuale, shumësinë kuptimore dhe gjuhën poetike
që përdor ky krijues, i japin poezisë së tij përmasën e origjinalitetit dhe
vlerën e padiskutueshme që ka brenda poezisë sonë për fëmijë”. (f. 127).
Vend të
rëndësishëm në këtë libër zë edhe trajtimi që studiuesi u bën veprave në prozë
“Princi i vogël” Anton dë Sent Egzyperi, “Zogu i bardhë” dhe “Dita e xhufkave”
të Rifat Kukajt dhe romanin “Shpella e piratëve” të Petro Markos.
Romanet “Princi i
vogël” dhe Zogu i bardhë” autori i librit i cilëson si kryevepra brenda
letërsive përkatëse për fëmijë, interpretimi i të cilave dëshmon për aftësinë e
autorit të ballafaqohet me vepra të tilla poetikisht të ngritura e të vërë
komunikim thellësor me to.
Romanin “Shpella e
piratëve” të Petro Markos studiuesi Berisha e vlerëson vepër të aksionit dhe të
ngadhënjimit, ku gërshetohet bota gojëdhanore me botën reale: “Hyrja në
Shpellën e piratëve është, thënë metaforikisht, hyrje në të kaluarën, është
shpalim artistik i fatit, i pësimeve, i flijimeve, por edhe i qëndresës dhe i
dinjitetit të njeriut tonë”.(f. 166)
“Roman që
rrënjëzon mirësinë dhe mirëkuptimin midis njerëzve” është pjesa që trajton
çështje teorike dhe konceptuale të romanit “Dita e xhufkave” të Rifat Kukajt,
për të cilin thuhet: “Romani ‘Dita e xhufkave’ i Rifat Kukajt në mënyrë të
denjë dëshmon për rritën dhe cilësinë e prozës romaneske për fëmijë në gjuhën
shqipe, një vepër artistike, që do ta dëshironin edhe letërsitë për fëmijë të
traditave më të mëdha shkrimi se sa e jona”.(f. 179).
Në pjesën e tretë
të këtij libri studiuesi Anton Nikë Berisha, jep portretin e dy autorëve të
dëshmuar Rifat Kukajt dhe Vehbi Kikajt.
Veprimtarinë
letrare për fëmijë të Rifat Kukajt autori e vlerëson në këtë mënyrë: “Vepra
letrare e Rifat Kukajt tashmë është bërë pjesë e artit tonë të fjalës, e
pasurisë sonë shpirtërore, sidomos e asaj për fëmijë dhe me kohë do të bëhet
edhe më shumë. Një gjë të këtillë e përcaktojnë dhe e përligjin vlerat e mëdha
që i cilësojnë veprat e tij.” (f. 194); ndërsa për krijimtarinë letrare të
Vehbi Kikajt vë në dukje sa vijon:
“Çështja e parë që meriton të theksohet është se vepra letrare e tij edhe sot e
gjithë ditën ka vlera dhe është aktuale. Kikaj ishte i vetëdijshëm se krijimi i
veprës letrare artistike është punë që kërkon përpjekje e flijime të mëdha dhe
vetëm si vlerë poetike ajo mund të bënte rolin e vet të shumëfishtë. Në mënyrë
të veçantë ai kishte kuptuar nevojën e përpjekjeve të shumëfishta të krijuesit
të letërsisë për fëmijë për krijimin e veprës artistike, e cila do të
komunikojë e do të ndikojë në atë shtresë lexuesish, që njëkohësisht i përket
të tashmes dhe të ardhshmes. Kikaj e shihte ndikimin e letërsisë për fëmijë në
mënyrë komplekse, edhe si mesazh artistik, edhe si formë e njohjes së botës,
edhe si vetëdijesim për jetën dhe veprimin e individit”.(f.195).
Libri “Poetika e
letërsisë për fëmijë” i Anton Nikë Berishës është studim i rëndësishëm, mbase
më i rëndësishmi i botuar deri më tani për letërsinë për fëmijë, prandaj si i
këtillë do t’u shërbejë model studiuesve të letërsisë për fëmijë, studentëve e
profesorëve që merren me letërsinë për fëmijë.
Prishtinë, dhjetor 2020