E marte, 10.12.2024, 11:44 AM (GMT)

Kulturë

Shyqyri Fejzo: Midis realitetit dhe humorit

E marte, 24.10.2023, 06:52 PM


Midis realitetit dhe humorit

Tregim nga Shyqyri Fejzo

….-Akoma mësues  je?-vazhdoi bisedën me pyetje  Veseli, babai i një shokut tim të kahershëm. Më shikoi drejt e në beben e syrit dhe kur u bind se vazhdoja punën si mësues, m’u kthye:

-Të dija se je prej thane, po më duket se na dole prej shtogu..

Nuk më la kohë t’i ktheja përgjigje, se ai vazhdoi…

-Po çfarë u mëson atyre kalamajve ore më qafsh. Sejcili me nga një telefon në dorë rrinë gjthë ditën. Se vjen miku, shoku, nuk duan t’i  a dinë. Se i urdhëron të mbushin një shtambë ujë apo të marrin një kërçel e ta vënë në oxhak se u shua zjarri e po ngrijmë së ftohti, nuk dëgjojnë fare nga ai vesh…Pastaj të thashë se na dole prej shtogu ore mësues se më duket e ke humbur rrugën në oborr kur i thonë asaj fjalës. Pa hapi sytë dhe shiko për rreth. Çuni i Canes që nuk i mësoi të gjitha shkronjat e alfabetit në shkollë, sot i bie gërnetës dhe që nga Korriku në vjeshtën e prame, nuk gjen një ditë të bëjë pushim nga dasmat. Çupa e Files që nuk ja thoshte fare shkollës e mësimeve sot është bërë balerinë a si i thonë dhe dridhet e përdridhet me një çupë tjetër te ai “Fiksi për fare”.Ti me 36 shkronjat e alfabetit mbete mësues tërë  jetën, ata me 7 nota a si i thonë ata të muzikës e bluan karroqen…”

-Progresi bazohet në dije, xhaxhi Veseli dhe dija përdoret nga truri dhe zhvillohet prej tij. Fuqia e trurit njerëzor është çelësi për të fituar të ardhmen. Por, e ardhmja nuk vjen kurrë nëse nuk e planifikon dhe nuk përgatitesh për të. Kështu na kini mësuar ju dhe ne atë po bëjmë- desha “ta njom”pak xha Veselin, po jo, or ti. Kishte marrë zjarr keq ai nga të rinjtë.

Këto miza më futi para se të ndaheshim me të  xha Veseli, babai  i shokut tim të mirë. Ai nuk e kishte marrë  vesh akoma se unë tani isha transferuar të jepja mësim në një shkollë në qytet se dy mësues të asaj shkolle kishin ikur të punonin në Gjermani.

Ditën e parë u prezantova në shkollën “Liria”  të qytetit dhe po atë ditë më orientuan klasën ku do të bëja mësim.  U prezantova se cili jam dhe dëgjova nga të 24 nxënësit emrin e mbiemrin e sejcilit.

…-Unë për normat gjuhësore të shqipes standarte, jam kërkues.  Me siguri u a kanë thënë më parë se unë dhe po u’a përsërit, se gjuha shqipe është identiteti i kombit tonë. Prandaj duhet ta mësojmë me themel.-” Shkarkova drutë e përgjegjësisë time. Ndjeva se disa luajtën nga vendi. Kështu e nisa punën me klasën e shtatë të shkollës “Liria” në atë qytet.

Pedagogjia dhe përvoja më thërriste të mësoja se ku i kam vënë këmbët. Me çfarë nxënës kam të bëj? Është si puna e kulaçit e byrekut të mirë që bëhet vetëm me miell të mirë. Me nxënës të mirë nderohesh. Kaq gjë e kisha mësuar nga jeta. Ku e kanë shënjestrën me gjuhën shqqipe, me lëndën  që do të jepja. Ksisoji i hodha një sy të imët regjistrit dhe notave në lëndën e gjuhës. Ehu,u,u! M’u duk fushë me lule. Notat maksimale ishin vënë  pa kursim dhe shumë kurrnacë ishin treguar në notat minimale.”Eh! Lum unë!”- mendova me vete ku paskam ardhur!

Megjithëatë, mendoja se ilaçi i qetësimit të ndërgjegjes është ballafaqimi. Ksisoj vendosa ta bëj një diktim. Kuptohet, e fola vetë duke  hapur mirë sy e veshë se vigjilenca të çon tek çmimi i epërsisë. I mblodha të 24 fletët e diktimit dhe i sigurova në çantën time të punës.

-Kur do na i jepni rezultatet  e këtij diktimi?- Pyeti Shkëndia. Në prezantimin e parë kjo nxënëse m’u duk se ashtu si e ka emrin do të ketë dhe dinjitetin e saj.  Ky mendim m’u përforcua dhe mbas pyetjes që bëri.

-Shpejt do i lexoj dhe do i merni, Shkëndi.-M”u duk se beri të habiturin kur i fola në emër kaq shpejt. Se dihet, të gjithë janë krenarë për emrin e tyre. Aq më tepër kur e thekson para kolektivit. Me një të tundur kokën poshtë e lart, sigurova atë dhe gjithë klasën që m’u duk se të gjithë ishin kuriozë të dinin sa më shpejt rezultatin.

-Të kishit dhe numurat e telefonave tanë, mbase ishte më mirë të na njoftonit sejcilin me mesenxher-foli një nxënës i bëshëm që ende nuk ja fiksova emrin që në fillim.

Ky mendim i tij më la pa fjalë. Preferova më mirë të mos i kthej ndonjë përgjigje se ndodhesha para të panjohurës së telefonave. Megjithëatë nuk m’u ndejt.

-Po pse e dashke të mësosh rezultatin me telefon?- I drejtohem. –Si është  rregulli në këtë shkollë?Ju lejojnë ti mbani telefonat me vete?-Nuk mora ndonjë përgjigje.

-  Kur marrim ndonjë përgjigje me telefon, ndodh që kur kemi dalë mirë, ja tregojmë dhe prindëve. Pastaj, disa nga ne duan që të mos merret vesh nga klasa se cfarë diktim ka bërë sejcili -m’a ktheu ai që bëri pyetjen.

Nuk e kisha menduar, po kjo puna e telefonave më pas më hapi një postat të ri.

Në dhomën që kisha siguruar me qera, atë natë dritat u fikën vonë. Lexoja dhe koregjoja diktimet e nxënësve të mi. Pas një jave i kisha përfunduar leximet dhe koregjimet e diktimeve. Çfarë të shikoje dhe shkruaje për ato! Nuk po ua paraqit lexuesave, mbasi do dëgjoni dhe shijoni bukurinë e rezultateve të diktimit dhe xhevairet që dualën atë ditë kur u dorëzova diktimet.

-E fillojmë atëhere, me shkrimin e fjalëve bashkë ndarës dhe me vizë në mes. Fjalën         kundërpërgjigje,(e cila shkruhet së bashku), e kanë shkruar të ndarë 11 prej jush. “Se sa të jesh Shqiptar” Fjala “sesa “duhet shkruar së bashku.     “10 vjetori i shkollës”duhet me vizë “10-vjetori.” E kanë shkruar gabim pa vizë 7 djem e 4 vajza.

-Ne djemtë që e paskemi katranosur atë vizën, për pak e formonim një skuadër futbolli.-foli Beni duke treguar se e ka xhan sportin.

-Ndalim në një drejtim tjetër.-tërhoqa vemendjen.-Në përdorimin e  <ë> së në pozitë fundore. Në këtë rast 20 vetë i kanë shkruar fjalët e mëposhtëme “zgjatë”, parasyshë, drejtpërdrejtë etj, me <ë>  në fund. Duhen shkruar pa <ë> në fund.

Nga 17 nxënës është shkruar gabim në përdorimin e shumësit të disa emrave që nuk duan <ë>  fundore si shqiptar, arsimtar, qytetar etj. Këta  17 vetë i kanë shkruar me <ë>  në fund. Të gjorës <ë> në klaën tonë i dalka shumë punë.-u them jo pa ironi.

-Kujdes tani!- tërhoqa vemendjen dhe vazhdova: -Pothuajse të gjithë kini gabuar në mosdallimin e kundërvënies fenologjike ndërmjet bashkëtingëllores shumëdridhëse /rr/ dhe njëdridhëse  /r/.Këtu shumë nga ju e kanë katranosur fare. Shikoni e dëgjoni se çfarë kini shkruar: rafsh, rallë, rotull, përallë, qere, haroj etj.të shkruara me vetëm një /r/. Mos harroni se ka disa çifte minimale fjalësh të tilla si ara- arra, ruaj-rruaj, deri-derri,  rimë- rrimë, mor-morr etj. të cilat në vet-vete kanë kuptime të ndryshme nga njëra-tjetra.

Hedhim në  disktim këto gabime që janë bërë se pastaj, në ditë të tjera do t’i lëshohemi bashkëtingëlloreve të përbëra ku kini bërë shumë gabime dhe apostrofit.- fola dhe kur filluan të qeshurat e të gjithë kishin drejtuar shikimin nga fundi tek një nga shokët e tyre që quhej Apostrof, kuptova që duhet të isha më i përmbajtur.

-Kur të vimë tek Apostrofi, kemi një këtu në klasë ne  që këtë temë na jep ujë të gjithëve m’u  në bisht të lugës…

…Doemos.E ka me hak se ka emrin e tij-I doli në mbrojtje Shkëndia.

Me mendje bëra një matje të kohës dhe mendova se kishin mbetur dhe pak minuta të mbaronte ora.”Pse mos e bëj bisedë të lirë këto minuta.” Më shkoi një mendje. Sa e dhashë sinjalin ata nuk pritën më.

-Na rrahe me pambuk për ato gabimet në diktimet që bëmë o mësues.- foli Shkëndia.

-Një gjë ne nuk e kuptojmë o mësues.Nuk di a ke parë tituj të lajmeve, titra të emisioneve televizive, të cilat po ti kishit koregjuar ju, do i linit në klasë.- foli një nga djemtë.

-Po, pse, gazetat pak gabime bëjnë?...Një e hidhte,tjetri e priste.

-Ne duhet të shikojmë punën tonë.-ndërhyra.

-Për disa fjalë që kanë brenda atë bashkëtingëlloren bashkëdridhëse /rr/ unë kam mosmarveshje të vjetra me ato. “U err”, “derr”, “ferrë”, “Sterrë”, “Skëterrë”,”horr”,”morr”  etj. Këto vetëm të këqia sjellin, më duket mua dhe mirë u a bëjnë që në skelet, sa të jenë dhe të rrojnë /rr/ do e mbajnë në kurriz.-

-Me leje, mësues.-kishte ngritur dorën një djalë andej nga bangot e mesit. Ai e pati thënë emrin ditën e parë kur erdha në këtë shkollë, por mua nuk po më kujtohej. Më erdhi në ndihmë Beni qime verdhi.

U bë  një pëshpëritje e zgjatur në klasë.

-Mësues, ky është filozofi i klasës tonë. Ka lexuar dhe lexon vandakë me libra. Apo nuk e ka atë kujtesë, të mprehtë e të hollë, si halë…Ne sa herë ngecim për ndonjë problem që nuk e dimë, Furzuliut i drejtohemi…

-Ta lëmë të flasë.-bukosa pak Benin dhe e nxita Furzuliun  të jepte mendimet e tij.

-Më ka tërhequr një libër në dy vëllime me autor Petro Zhejin. Ai shoku im që foli pak më parë për ato fjalët me /rr/ më duket se ka të drejtë. Brenda tyre gjithnje mbijeton tersi.  Po të ishte me jetë sot, Petro Zheji, me siguri Homerin e lashtësisë, Omer Kahjamin, poetin persian autor i Rubairave të famshme dhe Lirikun e ri shqiptar Ymer Nurka, do     i klasifikonte si “gjeneralët e dashurisë”.Dhe a e dini se pse? “Se kanë shkruar pafund për dashurinë do të thoni ju”. Unë them jo vetëm aq. Vini re. Në tri  shkronjat e fundit togfjalësi  “…”.mer “ është i njëjtë për të tre autorët…Pse, rastësi është kjo?...

-  O profesor! Ne kemi shumë për të thënë po mund të bjerë zilja që lajmëron pushimin dhe…

- Unë them të vazhdojmë. Flisni pa ndroje e  me guxim  se punën e ziles e rregullojmë-i nxita.

-Që kur ke ardhur, po na zhvidhos ca vida që  po na  zenë ndryshk, mendoj.-foli Beni qime verdhi.

-Më flisni pa ndroje dhe më qartë, ju lutem.-…

-Ne sot po e bëjmë ashtu si thotë ajo kënga që ka kënduar dikur Qemal Kërtusha, o profesor. Po  i biem “përmidis pazarit të Durrësit”- e merr fjalën Furzuliu.-..T’a marrësh vesh o profesor, ne sot jemi për leximin dhe mësimin, midis medias elektronike dhe librit. Shqip muhabeti, libri  na lodh shumë, përtojmë të lexojmë librin, kur një gjë e gjejmë më shpejt e mirë në kompjuter, telefon apo tablet. Pse ta fshehim..!

-Kjo që the, i dashur Furzuli, është pak më tej se “pazari i Durrësit”. Ke rrokur një temë shumë të rëndësishme, po hajde ta diskutojmë së bashku-ftova nxënësit e klasës.

-Unë them se media elektronike na ofron shumë mundësi që të gjejmë atë që duam në të. Aty janë mundësitë të merren shënime, por edhe përvojë…Tha Shkëndija.

-I ka të gjitha mundësitë, ashtu si thotë Shkëndia ajo medja elektronike, por mos harroni si thotë ajo fjala popullore, “kali i kuq e ka një huq.”Them se ka përqëndrim të dobët  në krahasim me leximin e librit. T’a shpërndan vemendjen, kurse libri vërtet është pak i mërzitshëm, por është i saktë dhe lexuesi aty përqëndrohet mirë, mendoj unë. Kur ke librin në  shtëpi, cfarë të lipset e lexon në cdo kohë…

Lëverja me të cilën ishte mbuluar mosnjohja ime në këtë punë të re, po hiqej. Pesimizmi dhe shpresa luftonin në të njëjtën kohë në personin tim.”Sa mirë e bëri shteti   Suedez që ju kthye vetëm librave në shkollë”më rrihte si cekan në kokë ky mendim me shpresë se një ditë do të diskutonim për këtë dhe në shkollat tona. E ndjeja se në punën e re më presin shumë supriza, sidomos për respektimin e normave gjuhësore të shqipes standarte.     Çuditrisht nuk më hiqej nga mendja një thënie e shkrimtarit amerikan  Mark Twain, që e kisha rilexuar dy ditë më parë.”Problemi në këtë botë nuk është se njerzit dinë shumë pak, por se dinë kaq shumë gjëra që s’qëndrojnë…”

Shyqyri Fejzo

Tetor 2023

Hamburg, Gjermani.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora