Kulturë
Ndue Dedaj: Deja, mali i borës
E hene, 23.10.2023, 06:48 PM
DEJA,
MALI I BORËS
(“N’kët’
Shqipni ku dejet bora”)
NGA
NDUE DEDAJ
Mal
i Zotit. Mal i Matit. Mal i Verilindjes. Mali i Formulës së Pagëzimit. Njëri
nga malet që kemi për zemër. I kam shkuar dy a tri herë në rrëzë, kah Macukulli
e Dukagjini, por më i bukur duket nga larg. Si një kështjellë e bardhë mitike,
në një areal të pashoq malesh veriore.
Të
vijë emri i tij nga dëbora? Pse jo! Një mal që nuk mund të mendohet pa borën as
në verë. Bora ngrin dhe shkrin. Në lartësi të tilla alpine pa ikur bora e
vjetër, vjen e reja. Dhimitër Shuteriqi, në mbyllje të një reportazhi nga Mati,
qershor 1966, sjell dhe vargun e një kënge popullore: “N’at Shqipni ku dejet
bora!” Autori vijon: “Po, dëbora u dej, - u shkri qëkuri. Pranvera erdhi...”
Dej është një folje e gegnishtes, për u shkri. Mirë, Mali i Dejës, se ardhka
nga shkrirja e borës, po Vau i Dejës, ku bora është një vizitore e rrallë?
Mbase për këtë do të na ndihmojë Fjalori i Gjuhës Shqipe (2006), i cili
shpjegon: “déj/ë, -a emër i gjinisë femërore; numri shumës; - e(t) vend ku bora
ka shkrirë fare ose është ulur; / vend në lumë a në përrua, ku është pakësuar
uji; cekëtinë.” Pra, siç shihet, qenka një fjalë si për në mal, si për në
fushë. Ka studiues që thonë se Vaut të Dejës i ka mbetur ky emër nga banorët e
malësive të Dukagjinit, çka dhe mundet, pasi dihet që shpesh ata që kanë ikur
nga një vend kanë marrë me vete toponime, antroponime, emra pajtorësh të
krahinës etj. Ndonëse në rastin e Vaut të Dejës, nëse i besojmë këtij
shpjegimi, do të ishte më bindës kujtimi i vendit të të parëve, ku (s’) dejet
bora, si Dukagjini, ashtu si për të vetët, Kelmendi, Munella, Gjallica etj.
Në
artikullin e Emil Lafes, “E folmja Nikaj - Mërturit” (“Studime filologjike”,
nr, 3, 1964), në njërën nga këngët e mbledhura prej tij, është dhe vargu
rapsodik: “n’ato maje ku s’dejet bora”, përdorur në kontekstin e trimërisë dhe
qendresës historike të malësorëve, mbartur dhe në këngët e pas Luftës së Dytë;
varg që hyrë dhe poezinë e poetëve të trevës si: “Atje ku kurrë nuk dejet bora”
etj. Po aq interesant është përdorim i foljes dejet në lirikën popullore: “Moj
bardhoke, flokë kunorë, / ma ki shtatin bardhë si borë, / bardhë si bora në
Shkëlzen/ herë po dejet e her po bjen.” Pra, dëbora dejet e s’dejet...
Edhe
në mos ardhtë gjuhësisht emri i Dejës prej borës, ai është një mal i dëborës,
më shumë se i blerimit që e rrethon gjithkah, përfshi dhe Mbasdejën që shpie
drejt Lurës. Deja është dhe një “deja vu” (dezha vy) shqiptare e natyrës dhe e
kullave monomuntale të Macukullit si askund tjetër.
Kësisoj,
a do të jetë dhe një mal i Turizmit?....