Kulturë
Ndue Dedaj: Trishtimi i Barletit
E diele, 15.10.2023, 06:50 PM
TRISHTIMI
I BARLETIT
Tregim nga Ndue Dedaj
-
Si e kishit emrin, zotëri? Ndjesë, po nuk po më vjen ndërmend emri juaj!
-
Mua po më pyesni, zoti Kryetar?! Të thuash për mua që jam plak, se harresa ka
bërë të veten, hajde de?…
Nit
Historikun e përshkoi një e therur nga koka te këmbët, iu rrotullua një çast
tavani plot llambadarë të shndritshëm, por e mbajti veten. Sapo kishte mbushur
81 vjeç dhe nuk priste të luante fati me të. Ishte moti i fundit i shekullit XX
dhe ai tashmë ndihej i “motshëm”, siç thoshte kur kërkonte ndihmë financiare
për botimet, në kuptimin se nesër bëhej vonë. Ndonjëri, që e njihte mirë dhe
nuk ua përtonte hokave, ia priste: “Fiks, pellazg je...”
Po
për të nuk ishte shaka. Sapo kishte botuar veprën e tij të jetës në tre vëllime
dhe kryetari i Akademisë së Shkencave, një profesor i njohur i Semiotikës, nuk
ia mbante mend emrin?!... Doli i turbulluar nga ai sallon hijerëndë, ku ishin
mbledhur gjithë akademikët e vendit për një urim të përbashkët me rastin e
ditës së shkencës. Nuk kishte pasur ndonjë ftesë dhe u habit kur pa se ata të
tjerët aty brenda kishin ftesa, bile dhe për drekën që do të shtronte ministri
i Arsimit dhe Shkencës me atë rast. Çfarë duhej më shumë se vepra prej 900
faqesh për ta quajtur dhe atë akademik, si gjithë të tjerët? Ndërkohë që tre
muaj më parë një akademi shqiposh, matanë Atlantikut, e kishte shpallur
“akademik nderi”. Ata, mendjehapurit e Perëndimit, dinë se ç’bëjnë, kurse këta
kokoroçët e këtushëm kanë përlarë gjithçka për vete! Ndaj nuk bëhet ky vend...
Ashtu,
duke fryrë e shfryrë, u ul në një stol në parkun e Akademisë, ku cicerimat e
zogjve sikur ia davaritën disi atë dufin e brendshëm. Ku kishte humbur gjithë
ato vite, që nuk i kishte dëgjuar këta zëra gazmorë? I hodhi një sy çantës së
rëndë prej meshini ngjyrë kaf, ku gjendej vepra e tij madhore dhe e kaploi
sërish zëmërimi me shefin e Akademisë. Deshi të kthehej me turr në atë sallon
dhe t’ia plaste në sy ata libra me kapakë të trashë lustrafini, që ta shihte
mirë ai se me kë kishte të bënte, por iu duk diçka e pacipë dhe u tërhoq.
Një
mendje i thoshte se emrin e tij e dinte i madh e i vogël, kurse i pari i
shkencës, e kishte bërë se nuk ishte? Vajmedet. Vetëm arkëtarja e KESH-it e
pyeste “si e ke emrin”, sa herë shkonte të paguante dritat në sportel...
Nuk
diti se çfarë t’i thoshte të shoqes në telefon, - që ia kishte merakun plakut
se mos e zinin makinat, apo rrëzohej shkallëve me gjithë atë çantë në dorë, “sa
një samar kërriçi”, siç kishte ironizuar një herë ajo, - se ai kishte ikur nga
ceremonia, sapo ajo kishte filluar dhe tash po sodiste si një të huaj Fan Nolin
në bronz...
“As
ky nuk ishte Akademik!...” - foli më vete Nit Historiku.
*
Aranit
Bërxulla - nofkën Historiku ia kishte ngjitur pa të keq një dashamir si për
t’ia shtuar namin - ishte marrë me punë të ndryshme në jetë; para çlirimit
kishte punuar argat te pasanikët, kah mesi i viteve ‘50, mbas një kursi pedagogjik
e kishin çuar mësues filloreje, kurse me mbarimin e Institutit Pedagogjik,
ishte emëruar mësues i historisë në shkollën e mesme agro-industriale. Pasi
kreu shkollën e lartë të Partisë “Vladimir Iliç Lenin” nisi për të ngjitja në
karrierë, në fillim përgjegjës kuadri në Uzinën Mekanike, pastaj shef
propagande në Komitet dhe në sektorin ushtarak. 1990-a e zuri në pension dhe e
shoqja e nxiste që t’i ktheheshin fshatit, as dhjetë kilometra larg nga qyteti,
shkohej e vihej me urban, mirëpo Nitit ia kishte prishur mendjen një shok i tij
i fëmijërisë, ish - drejtor shkolle, edhe ai pensionist:
-
Ç’më rri si të kesh qenë askushi, shkruaj një monografi për krahinën tonë, kemi
qenë lokalitet në zë, kush më mirë se ti do ta bënte! Unë për vete i kam hyrë
punës për një libër për rolin pararojë të gruas në socializëm. Të gjithë po
shkruajnë libra! Pse më pak se të tjerët jemi ne? Nasi sapo e nxori librin për
gjyshin e tij patriot. Leci do ta nxjerrë muajin tjetër për minierat e
qymyrgurit. Selimi i është vënë punës për një album për çetat vullnetare.
-
Unë nuk bëj të këtilla, një shkrimtar këto i quan libra katundarie, do të bëj
një gjë që të tundet shkenca! O do t’iu shkoj në rrënjë Albanëve, o mos më
thënshin Aranit Bërxulla!
-
Shih, shih! Nuk thonë kot në ferrën e vogël fle lepuri i madh!...
Dhe
pa humbur kohë iu fut punës studimore, ditë - natë. Do të reviziononte në më
pak se një vit gjithë tezat për Albanët, duke kritikuar historianët zyrtarë, që
sipas tij kishin shkruar dokrra. Kishte shkuar disa herë në Zgërbonjë, duke
këqyrur rrënojat antike, por nuk ia kishin mbushur mendjen. Duke e parë ashtu
me kapele republike në kokë dhe çantën e stërmadhe, fshatarët e kishin marrë
për ndonjë arkeolog të huaj, por kishte qëlluar një ish-zborist i kohës kur
shërbente në ushtri, që e kishte njohur dhe ai kishte bërë të habiturin se si
komisari tash na qenkësh bërë historiak. Apo nuk thoshtë asokohe Partia se në
socializëm njeriu duhet me qenë specialist për gjithçka? Me siguri fjala kishte
qenë që një tornitor të ishte dhe saldator, një shofer dhe pak mekanik, po
asesi që një kuadrovik administrate të turrej me pahir kah labirintet e
shkencës!?...
Dhe
kishin ardhur kumtesat e para dhe gjer librat e tij për Albanët, që historiaku
i kohëve të vona me pasion djaloshar i nxirrte jo më nga rajonet e përmendura
deri atëherë, por në një krahinë gjysmëmalore, as veriore e as jugore, as
qendrore e as periferike, që për rastësi, dhe aspak për fajin e tij, përkonte
me vendlindjen e historian Nitit. Shtysë e gjithë kësaj kishte qenë një toponim
në katundin e tij, Arbena, që i kishte mbetur peng që në fëmijëri. Ishte një
rrënojë e vockël gurësh në një kodër, që deri atëherë studiuesit e kishin
quajtur një fortifikatë mesjetare jo kushedi.
Tashmë
kur mbaheshin konferenca në Tiranë për historinë e mesjetës, Nit Historiku
dilte në podium, pa ia dhënë kush fjalën, rrëmbente mikrofonin dhe iu vinte
hakut akademikëve, aq sa ata lusnin Zotin që veç ai të mos shkilte më në
tubimet e tyre. Arbena i tij ishte kthyer në makthin e tyre. Donte patjetër t’i
përfshinte në debat, por ata nuk e hanin atë kokërr ulliri të debatonin me një
amator, siç thoshin mes tyre, ndërkohë që mendonin se ai ishte jo vetëm amator
i rëndomtë, por një sharlatan që guxonte të përdorte shkencën për ambiciet e
tij delirante.
“Nuk
shkëlqeu dot si komisar, dashka të ndrisë si shkencëtar!”...
Mirëpo
Nit Historikut aq i bënte për ta. Ai do t’i mundte dhe pikë. Le të mbaheshin
për ajka e historiografisë. Në arkiva s’kishte hyrë ndonjëherë dhe as e dinte
se nga binin, por ai gjurmonte në popull, sajonte gojëdhëna, i rrotullonte
gjërat andej e këndej, vetëm e vetëm që ta shpallte Arbenën e tij kryeqendër të
Albanëve... dhe të botës. Vendalinjtë e tij do të thoshin një ditë se heroi i
tyre kishte qenë ai, që i kishte nxjerrë në dritë dhe për këtë ata do t’ia
bënin shtatoren mu aty mbi gërmadhat e vjetra më të madhe se të Marin Barletit.
Ky nuk kishte shkruar asgjë për kalanë e Arbenës, kurse “Barleti” i tyre,
domethënë Nit Historiku, kishte sjellë argumente se ajo kishte qenë një nga kështjellat
albane. Shkurt, i kishte futur në histori si katund e si fis, kinse duke
vërtetuar se Arbena ishte jo vetëm një vatër e padiskutueshme e qytetërimit
ilir, por dhe atij pellazg...
Kur
ia kishin thënë këtë një akademiku që kishte ardhur nga Kosova për kërkime
rreth Albanëve, ai kishte psherëtirë:
“Ëh,
çfarë trishtimi i Barletit! Me siguri ati i historisë do të ketë zënë kryet me
duar, a thue se po i këputej e rrokullisej poshtë, e atij do t’i duhej mundimi
i Sizifit për ta ngjitur prapë aty ku kishte qenë, mbi supe!...”
Historiaku
ynë i paparë ia kishte dalë që gjatë një fushate elektorale tek ajo rrënoja të
sillte dhe vetë kryetarin e Bashkisë, i cili duke mos pasur kurrëfarë haberi
nga këto punë, i kishte rrahur shpatullat Nit Historikut. Fotografitë nga ajo
vizitë i tregonte në çdo tubim “shkencor”, duke kujtuar se kështu do të
tërhiqte vëmendjen e atyre të Akademisë, por ata as që donin t’ia dinin për
qokat e kryetarllëkut të provincës, që veç vota donte. Kërkesës me shkrim të
kryetarit të Bashkisë për të organizuar një simpuzium në Arbenë, ata iu
përgjigjën me shpërfillje. “E po kanë kunj me mua. Janë bërë xhelozë me
zbulimin tim! Ata, historianë me demek, rrinë e ngrohin vezët në Bibliotekën
Kombëtare, kurse unë prek me dorë çdo gur të Arbenës, që më shpie te pellazgët!
Le ta dinë të gjithë se nga mitra e Arbenës sonë të vogël kanë dalë krejt
kolosët e shqiptarisë. Po, po, thoni sa të doni me ironi, nga tri pëllëmbë
vend!?...”
Kishte
pasur një polemikë të ashpër me një historian të njohur mediavelist, aty në
korridoret e Institutit të Historisë. Historiani në fillim ishte përpjekur ta
largonte më të mirë, por kur Nit Historiku i kishte sulmuar si të paaftë në
çështjet e mesjetës, ai kishte shpërthyer duke dalë jashtë natyrës së tij dhe
sidomos etikës së institucionit: “Po kush na qenke ti, mor shoku historuc, që
nuk di nga bie shkenca e historisë dhe dërdëllit si dijetar i madh. Ti nuk ke
asnjë të dhënë shkencore, asnjë skedë e referencë tëndën, nuk ke shkelur kurrë
në arkiv, nuk ke metodike kërkimore, nuk di t’i kryqëzosh e parashtrosh të
dhënat edhe sikur t’i keshë ato... As grada e as tituj shkencorë! Asgjë. Nuk e
kupton se je duke pluguar në të huajt?!”
Por
nëse në Institutin e Historisë në Tiranë i kthenin shpinën, kishte shoqata
atdhetare - kulturore shqiptarësh në diasporë me të cilat e kishte ujdisur që
të mbante kumtesa për këndvështrimet e tij të reja historike dhe sidomos për
zbulimin e tij, Arbenën. Mirëpo pasi e dëgjonin njëherë Nit mavrinë, që nuk
pushonte për tri orë të mira, ata bënin qejf si me thana dhe nuk iu
përgjigjeshin më ftesave të tij për ta pritur përsëri vitin tjetër, më ditën e
flamurit.
Ata
që e kishin njohur dikur Komisar Nitin, nuk e njihnin Nit Historikun. Nuk ishte
më ajo koka e bëshme e ushtarakut faqekuq, sikur do të pëlciste nga shëndeti,
por një fytyrë e rreshkur, me flokët e kërleshur dhe mjekrën e bardhë si e
Marksit. Fotografitë e tij ishin para rafteve të mëdha me libra. E kishte
mbushur një ditë deng tavolinën e shkrimit me ato të uruar libra, si të ishte
Nikolae Jorga dhe kishte thirrur të nipin t’i bënte disa shkrepje. “O gjysh,
ç’është kjo rrëmujë kështu? Apo e ke bërë strofull për macet?!...”
*
Pas
asaj ceremonisë “shoku Aranit” nuk u kthye kurrë më në dyert e Akademisë. A
thua nuk kishte vlejtur asgjë rropatja e tij me ditë e me net, me muaj e me
vite, rretheqark zbulimit të tij misterioz, përderisa nuk kishte krijuar një
emër që të mbahej mend nga të gjallët? Se nëse nuk mbahej mend sot, si do të
mund të ishte i pavdekshëm nesër? Ku do të shkonin 900 faqe studime për Arbenën
e tij pellazge? Mbase nuk do të harrohej atje mes dy grykash të nëmura, po
ç’rëndësi kishte emri në një provincë të harruar, kur nuk të njihte
kryeqyteti?...
Ndërkohë,
shoku i tij, ish - drejtori i shkollës, kishte hequr dorë nga ai libri për
emancipimin e gruas socialiste, iu ishte kthyer fletoreve të dikurshme me fjalë
të rralla, që kishte pas mbledhur si mësues, i kishte rishikuar një për një,
duke i ballafaquar me fjalorët dhe ashtu pa u ndjerë, kishte botuar një libërth
gjuhësor me gjurmime nga terreni për trevën e tyre, dhe ja ku i kishte sjellë
ftesën për në promovimin që do të bëhej pasnesër në vendlindje…
-
Vij e të marr unë me makinë. Do t’i thuash dy fjalë për librin tim…, - i kishte
thënë ai në telefon. - A, se harrova, do të jetë dhe kryetari i Akademisë së
Shkencave! - kishte shtuar ai.
-
Siii? Do të vijë për librushkën tënde, që do ta bënte çdo mësues fshati, e nuk
ka ardhur njëherë për “Arbenën” time pellazgjike?...
-
Mbase… ngaqë… siç i kishte thënë një gjuhëtar, unë paskësha sjellë një
kontribut shkencor, sidomos sa i përket toponimisë së zonës me brumin e
shqipes…
*
-
Diku jemi parë? - iu drejtua kryeakademiku ditën e promovimit të asaj
“librushkës” gjuhësore prej 90 faqesh.
Nit
Historiku e vërejti nga këmbët te koka, se mos tjetri po tallej me të, por nuk
iu duk ashtu. Megjithëse hante një inat të paparë, tha:
-
Neee? Askund!...
Kur
u kthye në shtëpi, nxori albumin fotografik nga komodina dhe grisi të gjitha
fotot ku kishte dalë me VIP-at e shkencës, në kohën kur besonte se ata e
njihnin e ishte dhe ai njëri nga ata.
“Vërtetë,
si e kisha emrin?” - iu drejtua Aranit Bërxulla, me fjalët e atij tjetrit,
vetvetes...