Kulturë
Antologji poetike për Bylbyl Breçanin "Hero i Kosovës"
E diele, 08.10.2023, 07:50 PM
"BYLBYLI i PRANVERËS së MADHE"
Antologji
poetike për Bylbyl Breçanin "Hero i Kosovës", që do të botohet në
fillimvitin 2024.
Mirëpresim
krijimet tuaja poetike deri me 31 dhjetor 2023 në adresën:
Deri
tani, në tetor 2023, janë pjesë e kësaj Antologjie Poetike 47 poetë nga Rajoni
Shqiptar i Ballkanit dhe Mërgatat Shqiptare në Botë.
Ju
faleminderit për bashkëpunimin dhe kontributin Tuaj!
Tiranë, 6
tetor 2023.
Pak nga
CV e Heroit
HEROI i
KOSOVËS BYLBYL BREÇANI e NGRITI FLAMURIN SHQIPTAR të FITORES së THYERJES së
KUFIRIT SHQIPËRI-KOSOVË NË MES BRESHËRIVE TË PLUMBAVE TË USHTRISË SERBE
-Akademia
Përkujtimore Jubilare në 50 vjetorin e lindjes dhe 25 vjetorin e rënies së
Heroit të Kosovës e Dëshmoriut të Shqipërisë, Bylbyl Breçanit, do të mbahet në
“Tirana International Hotel e Konference Center”, me 13 maj 2024, ora 11.00.
Bylbyl Breçani lindi në
fshatin Markaj të Tropojës, më 13 maj 1974. Trualli i tij kishte mëkuar tek ai
patriotizëm në breza. Gjyshi i tij kishte luftuar përkrah Bajram Currit, ndërsa
dy xhaxhallarët Cen Selimi Breçani e Shaban Sadiku Breçani u rreshtuan në
rradhët e Ushtrisë Shqiptare në luftë kundër nazifashistëve.
Prindërit e Bylbylit, Hazir
Selim Breçani (Bacaloku e mixhoku Hazir) në Markaj (Bujan i Epërm) e Kajde
Fetahu Breçani (Nanëmadhja Kajde) nga Iballa e Pukës, i kishin shtatë fëmijë, 4
djemë e 3 vajza. Nga katër vëllezërit Bylbyli ishte i treti. Në odën malësore
ai kishte dëgjuar gjithmonë ngjarje historike, e më së shumti për luftërat për
çlirimin e Kosovës e bashkimin e saj me Shqipërinë.
Bylbyl Breçani e kreu
arsimin 8-vjeçar në vendlindjen e tij në Markaj të Bujanit të Tropojës.
Sherbimin ushtarak e kreu në dy vite në Pukë, pastaj u specializua për raketa
në Tiranë e në fund në Kukës (1994-‘95).
Organizimi i Ushtrisë
Çlirimtare të Kosovës (UÇK) kishte filluar herët-shkruan publicisti e
veprimtari Gëzim Prengzi- dhe Malësia e Gjakovës ishte vendi i përgatitjes së
luftëtarëve e drejtuesve të saj, ishte vendi i furnizimit me armë dhe ishte
streha vllazërore që do të strehonte popullsinë shqiptare të Kosovës të
shpërngulur me forcë nga makina ushtarake serbe. Një nga vendet bazë ku kryhej
përgatitja për ushtarët e UÇK-së ishte edhe Breçani, kjo lagje gjeostrategjike
natyrore e luftarake e fshatit Markaj. Kësokohe, aty, te “Tunelet e Breçanit”,
atdhetari kombëtar, Bylbyl Breçani, takohet me Ilir Konushevcin–“Hero i
Kosovës” e Adrian Krasniqin–“Hero i Kosovës”. Mbasandejna, tevona, dhe me
ushtarakët e lartë të Luftës së Koshares, Rrustem Berisha e Hisen A. Berisha
dhe vullnetarisht organizohet në shkurt-qershor në formacione luftarake të
Luftës së Kosovës, në Brigadën 138 “Agim Ramadani” në Koshare.
Bashkë me eprorët e tij,
Rrustem Berisha (ish- Ministër i Mbrojtjes i Kosovës) e Hisen A. Berisha
(deputet i Republikës së Kosovës) mori pjesë në thyerjen e kufirit mes
shqiptarëve në prill 1999, në betejën legjendare të Koshares– nga luftërat
monumentale të Kombit Shqiptar, ku Bylbyl Breçani në mes breshërisë së plumbave
të serbëve e ngriti Flamurin Kombëtar Shqiptar në posten e Kamenicës në
Koshare. Akti i tij i lartë do të shënonte fitoren e kësaj beteje e thyemjen e
kufinit Kosovë-Shqipëri.
Në periudhen kohore prej
shkurtit deri në qershor 1999 pjesëmarrja e tij në luftime të ndryshme e të
shumta ishte shumë e gjerë: prej nga Rrasa e Zogut në Koshare, nga Juniku në
Deçan, nga Rrasa e Zogut në Koshare e nga Isniqi në Pejë.
Bylbyl Breçani shumë shpejt
u bë i njohur dhe i vlerësuar nga bashkëluftëtarët dhe eprorët e tij. Ai nuk
mbeti vetëm një ushtar i thjeshtë, por edhe një drejtues i denjë, një luftëtar
i frontit të parë, ballor, sakrifikues deri në dhënien e jetës së tij.
Komandanti i Brigadës 138 “Agim Ramadani”, Rrustem Berisha, thoshte se:
“Bylbylin e kam krahun e djathtë, se janë këta Bylbyla që na e prunë lirinë dhe
e naltësuen Shqipërinë”. Ndërsa Hisen A. Berisha thoshte se “Bylbyli ishte i
papërmbajtur, nuk pyeste për plumbat serbë, e sado e këshillonim që të kishte
kujdes, si thoshte që, “unë e kam realizuar planin, le të ndodhë çka të donë…”
Më 25 qershor 1999, Bylbyl
Breçani niset me disa shokë për t’i nxjerrë dy luftëtarë kosovarë të mbetur në
fushën e luftës, të mbetun pa u varrosur. Në këtë aksion të guximshëm ai bie në
tokë të minuar me mina të ushtrisë pushtuese, aneksuese e shovene serbe në
Shkozë të Mulliqit në Koshare, në Gjakovë të Kosovës. Bylbyl Breçani e dha
jetën e tij të re në moshë 25-vjeçare, bashkë me Ali Fejzullahun nga Mitrovica
dhe plagoset Isuf Mulliqi. Kështu e mbylli jetën me lavdi të plotë Bylbyl
Breçani.
Bylbyl Breçani u varros me
nderimet më të mëdha nga populli i Tropojës dhe bashkëluftetarët e tij të
Luftës së Kosovës që e përcollen nën breshërinë e armëve. Eshtrat e tij tani
prehen në Memorialin e Koshares në Gjakovë, në tokën ku ai derdhi gjakun e tij
për Lirinë, Pavarësinë e Shtetësinë e Kosovës, për Bashkimin Kombëtar
Shqipëri-Kosovë.