Kulturë
Klajd Kapinova: Një qiri drite në 121-vjetorin e lindjes së Kardinalit Mikel Koliqit
E enjte, 05.10.2023, 07:18 PM
Një qiri drite në 121-vjetorin e lindjes së Kardinalit Mikel Koliqit si i pari në historinë e krishtërimit ndër shqiptarë
Refleksione
rreth librit “Simfonia e një jete:
Kardinal Mikel Koliqi 1902-1997” (Itali, 2001) të
muzikologut prof. Gjon Simoni
“Gjatë studimeve
teologjike, në Milano, Mikelit i besuan drejtimin e korit të kolegjit.
Siç duket, Mikeli nga Shqipëria ishte më i afti nga muzikantët seminaristë që
kishte kolegji. Ai tregonte se për të shoqëruar korin, caktuan një tjetër
seminarist që kishte përfunduar studimet në konservator dhe luante mjaft mire”.
- Prof. Gjon Simoni (1936-1999), pedagog, muzikolog, studiues
Nga
Klajd Kapinova - Ish redaktor i revistës “Kumbona e së Dielës” themeluar nga Kardinal M.
Koliqi, dhe sot editor i revistës “Jeta Katolike”, New York
Çdo libër i shkruar
nga studiues seriozë, prelat dhe intelektual të mirëfilltë,
shkrimtarë të anatemuar dhe bashkëkohorë dhe
kryesisht ato të shkollës së traditës shumë
shekullore veriore geg, njerëzit e artit dhe kulturës, është
gjithëmonë një dritare diturie për mua, për të njohur me kënaqsi personalitetet
e shquara dhe të përbaltura dhe harruara të botës shqiptare këtu në SHBA dhe
atje në vendlindje përtej Oqenianit Atlantik.
Kardinal Koliqi, është një nga figurat më të ndritura të Kishës Katolike
Martire Shqiptare, njeriu që u bë simbol i gjallë i persekutimit të
katolikëve dhe popullit shqiptar gjatë regjimit komunist 1944-1990, dëshmitar i
gjakut të martirëve, derdhur për Fé e Atdhé në rrethana rrënqethëse e shumë
tragjike, nën diktaturën komuniste ateiste në Shqipëri.
Ati i Shenjtë papa shën Gjon Pali II (1920-2005)
e emëroi prelat nderi (Monsinjor) në janar të vitit 1992,
dhe e takoi personalisht, një vit më pas, gjatë vizitës së tij historike në
qytetin dhe katedralen e madhe të shën Shtjefnit (protomartir) të qytetit të
Shkodrës, më 25 prill 1993, duke e emëruar me titullin më të lartë të
hierarkisë së Kishës Katolike si Kardinal (Cardinal) më 26 nëntor
1994, me një ceremoni
madhështore, që u zhvillua në kishën e shën Pjerrit në Selinë e Shenjtë
në qytet-shtetin e Vatikanit.
Menjëherë
pas fillimit të proçeseve demokratike të Shqipërisë, kardinali Mikel Koliqi u
nderua së pari me titullin “Pishtar i demokracisë”, më pas me
titullin “Nënë Tereza” dhe, vetëm pak ditë para vdekjes, me
titullin më të lartë “Nderi i Kombit”.
Ai
kaloi në amshim qytetin e tij të lindjes në Shkodër, më 28 janar të vitit
1997. Prelati i ynë, ka një jetë të veçantë siç qe ajo e dom
Mikel Koliqit, që shtrihet në gjithë hapësirën e shekullit të kaluar, një jetë
e jashtëzakonshme për Fé e Atdhé që mbeti hallkë e pashkëputur nga tmerri i
persekutimit ateist të komunizmit.
E thënë shkurt, jeta tij është si një testament
shpirtëror e kombëtar dhe
është për të gjithë shqiptarët shembull e testament shpirtëror e kombëtar,
pra, një udhërrëfyes për të gjithë shqiptarët, se si duhet punojmë të bashkuar
e në mirëkuptim gjithëmonë me njeri-tjetrin, për një të ardhme më të mirë për
popullin, me një përkushtim e përvujtëri, duke kërkuar e përvetësuar gjithmonë
vlerat e vërteta e të shëndosha, njerëzore, shoqërore e shpirtërore, kulturore
dhe kombëtare.
Eshtë nder, kënaqsi
dhe privilegj të rishfetosh me etje të reja diturie një libër me vlera, rrëfyer
përmes një përshkrim shumë tërheqës dhe me një stil fin narrativ shumë të bukur
joshës një nga më interesantet, që sapo përfundova së rilexuari këto ditë këtu në
Manhattan, New York, në zemër të kryeqytetit të kulturës metropolitane botërorë
dhe SHBA-së.
Saktësisht
212, është numri i
faqeve të veprës së re jetëshkrimore, që studiuesi muzikolog i njohur
shkodran prof. Gjon Simoni (1936-1999), i ka përkushtuar Kardinalit të parë
në historinë e krishtërimit në popullin shqiptar, Shkëlqësisë së Tij Mikel
Koliqi, të përmbledhur esencialisht në tre studime rë mirëfillta
interesante shkencore: “Jeta”, “Veprat” dhe "Dëshmi”.
Vepra e re cilësore
për nga përmbajtja e saj hapet me një Parathënie të shkruar nga atë
Francesco Botta S.J. E parë me një sy kritik dhe analitik, vepra muzikore e
Kardinal Mikel Koliqit ruan vlerën e rëndësishme për veprën muzikore të
Kardinalit, të studiuar si bleta punëtore me skrupolozitet dhe profesionalizëm
nga prof. Gjon Simoni, duke bërë një shprehje dhe nderim zemre ndaj një
prelati, për një mik shumë të dashur të një bashkësie, dhe famullisë katolike
së kishës së “Zemrës së Krishtit” në Tiranë, për një meshtar besnik shembullor
dhe të përvuajtur të klerit katolik shqiptar.
Në faqet e librit
shohim, se "Jeta", përfshinë pjesët interesante, që kundrohen me
andje copëzat,
si: Koha e parë: Allegro Giusto; koha e dytë: Adagio Lamentoso; koha e
tretë: Allegro Maestoso dhe Coda, kurse në kapitullin e dytë "Veprat",
bëjnë pjesë melodramat: "Rozafa", "Rrethimi i Shkodrës",
"Ruba e kuqe".
Më rej kapitulli i
tretë “Dëshmi” përfshinë tre nënçështje: “Një pikë referimi” (Gjon Kapidani
1933-2009), "Veprimtaria muzikore e imzot Mikel Koliqit" (Tonin
Zadeja 1926-2011) dhe mbyllet me biografinë, shembujt dhe veprat, dhe disa
fotografi origjinale historike.
Vepra e mirëseardhur,
në komunitetin tonë shqiptaro-amerikanë, është shtypur me estetikë, cilësisht
dhe me parametra bashkëkohore nga Shtypshkronja e njohur “Laurenziana”
në Napoli të Italisë.
Kardinali,
i pari i tetë fëmijëve të Koliqëve
Mikel
Koliqi, lindi në Shkodër më
29 shtator 1902. I ati, Mark Koliqi, ishte tregtar dhe e ëma, Age Simoni, ishte
bijë tregtari. Mikeli, qe fëmija i parë i një vargu prej 8 fëmijësh, ndër të
cilat pesë djem dhe tri vajza: Mikeli, Ernesti (babai i përhapjes së arsimit
dhe shkollave shqipe në Kosovë, shkrimtari dhe prozatori i shquar modern
prof. Ernest Koliqi, Ministri i Kulturës së Shqipërisë, një ndër yjet e
letërsisë shqiptare si shkrimtar dhe njëri me kulturë shumë të madh) Leci,
Gulielmi, Margerita, Antonieta, Viktori dhe Terezina.
Koliqi
i ri studioi dhe arriti
të luante në piano pjesë nga Moxart dhe Bethoven. Studioi pjesë pianistike të
Shopen-it, duke luajtur sidomos valset dhe nokturnet e këtij autori. Ai asokohe
njohu autorë bashkohorë, si: Debysi, Ravel etj.
Mikeli
student i etur për dije dhe kulturë bashkëhore tradicionale botërore dhe italiane, lexoi dhe
studioi me kënaqësi muzikën operistike, ndoqi me intensitet zhvillimin e
veverizmit muzikor, por në të njëjtën kohë kishte adhurim të veçantë për Vagnerin,
veprat e të cilit i njihte shumë mirë.
Ai shkonte për të
ndjekur shfaqjet operistike në Milano dhe në qytetet e tjera të Italisë,
dallonte qartë karakteristikat interpretuese të njërit këngëtar apo tjetrit,
përshkruante atmosferën e koncerteve dhe operave si spektator.
Në periudhën kur
vinte në qytetin e lindjes Shkodër, Kardinali shpirtëror i ardhshëm Koliqi
shkonte në piknik në periferi të qytetit antik me histori të lashtë dhe të
lavdishme ndër shekuj, si fshatrat piktoreskë në Shirokë, Zogaj e gjetkë,
dëgjonte në shtëpitë e shokëve dhe miqve muzikë me gramafon.
Libraria
e madhe e librave të tij filloi të pasurohej dhe zgjerohej në mënyrë të vazhdueshme me veprat dhe
kryeveprat e autorëve të ndryshëm, si: Moxart, Verdi, Puccini, Vagner,
Rossini, Donixetti, Maskanji, Leonkavalo, Boito, Hendel, Bach, Hajden, veprat
vokale nga Palestrina, Laso, Kerubini, Perozi, Kasimiri, Paxhela etj.
Pas mbarimit të shkollës
së mesme, ai filloi studimet e larta në Politeknikumin e Milanos, në degën e
inxhinierisë mekanike.
Por, gjatë kësaj
periudhe mori vendimin për t'u bërë prift, duke lënë përgjyshëm studimet në
vitin e dytë për të vijuar studimet teologjike në seminarin Corso di Venezia
të Milanos dhe më vonë në seminarin Vonogonos.
Atje
studioi nga viti 1928 deri më 1930. Në 30 maj 1931, në moshën 30 vjeçare, u shugurua
meshtar në Kishën e Jezuitëve të Shkodrës, nga Arqipeshkëvi i Shkodrës imzot
Lazër Mjeda (1869-1935).
Studiuesi
muzikolog shqiptar Simoni, me veprën e vet përkushtuar Kardinal Mikel Koliqit, hedh dritë për herë
të parë në pasionin e madh që meshtari kishte për muzikën, krahas adhurimit për
meshtarinë dhe punën e përditshme me rininë shkodrane në Veprimin Katolik,
me shtypin, themelues dhe drejtues i revistës popullore të përjavshme shkodrane
"Kumbona e së dielës" (1942 e cila vijon edhe sot me
hapjen e kishave në Shqipëri me të njëjtin emër dhe tematikë fetaro-kulturore).
“Gjatë studimeve
teologjike, vlerëson studiuesi prof. Gjon Simoni, në Milano, Mikelit i
besuan drejtimin e korit të kolegjit. Siç duket, Mikeli nga Shqipëria ishte më
i afti nga muzikantët seminaristë që kishte kolegji. Ai tregonte se për të
shoqëruar korin, caktuan një tjetër seminarist që kishte përfunduar studimet në
konservator dhe luante mjaft mirë".
Duke ditur se
priftërinjtë katolikë që shërbenin në atë kohë në Shqipëri konsideroheshin nga
Selia e Shenjtë si misionarë, ky "status" u jepte lejen dhe mundësinë
që, sipas rastit, të studionin e të diplomoheshin edhe në fusha të tjera të
tjera të kulturës dhe artit.
Kështu, sapo mbaroi
studimet, para se të vinte në Shkodër për të filluar punë (misionin e bariut
shpirtëror)
si ndihmësfamullitarë, Mikeli iu drejtua imzot Luigj Bumçit (1872-1945) që
t’a dërgonte në ndonjë shkollë muzikore për të mësuar muzikë.
Me rekomandimin e
Ipeshkëvit, Mikeli shkoi në Austri (kryeqytetin e muzikës operistike
botërore, ku çdo vit jepet me 1 janar Koncerti i Madh i Vjenës, shënimi im K.K.),
pranë një kori të famshëm.
Siç duket atje
studioi elementët e dirigjimit lokal, duke vënë në bazë profesionale njohuritë,
që ai kishte marrë nga leksionet private
autodidakte dhe nga përvoja artistike e pasur.
Të gjithë e moshuarit
e qytetit të Shkodrës dhe nga antarët e Veprimit Katolik asokohe, korit të
famshëm të qytetit e katedralës së shën Shtjefnit (sikurse njihet nga të
gjithë si Kisha e Madhe) e kujtojnë portretin e tij si një njeri të qeshur,
të dashur, optimist, me kulturë të gjërë, amator i muzikës, fjalë ëmbël dhe të qetë
nga karakteri, me të cilin kishte bërë për vete shumë miq e shokë.
Në libër, për këtë
natyrë të dashur popullore, muzikologu dhe kompozitori produktiv prof. Gjon
Simoni shkruan: “Të gjithë në mënyrën e vet pritnim shumë prej tij, por më
shumë se shoqëria, më shumë se Shkodra priste prej tij familja, e cila po
kalonte një periudhë të vështirëshisë financiare dhe të gjithë shpresat për të
dalë nga kjo gjendje i kishte mbështetur tek djali i madh. Ishte plotësisht e
natyrshme. Megjithatë, e ëma, me një "U bëftë vullnesa e Zotit", duhet
të ketë hequr mendjen nga kjo shpresë, duke iu nënshktruar vullnetit të
Perëndisë."
Dhe natyrshëm,
sikurse kishin vepruar gjatë 2000 vjetëve, edhe dom Mikeli nuk erdhi në Shkodër
si prift i zakonshëm për t'iu nënshtruar rutinës, për të kryer vetëm detyrat
fetare si ndihmësfamullitarë dhe më vonë famullitar në qytetin e tij të dashur.
Plane ambicioze dhe
realizimin e menjëherëshëm të tyre kishte në kokë prifti i ri. Ai e kishte të
qartë se çfarë duhej bërë dhe si duhej bërë sa më mirë. Me një përvojë të pasur
evropiane, menjëherë i hyri punës për t'i shërbyer sa më mirë bashkësisë së tij
katolike, dhe jo vetëm asaj.
Profesor
Simoni, duke hulumtuar mbi
jetën dhe veprën e Kardinal Koliqit, ndër të tjera vlerëson: "Gjatë
kësaj periudhe arriti të organizonte korin e Katedrales, të cilit i vuri emrin
‘Scola Cantorum’ (1932).
Kompozoi
dhe realizoi në skenë tri melodrama me theks të fortë patriotik. Kompozoi edhe
30-40 pjesë të ndryshme korale, shumica me objekt kishtar. Këto pjesë kishin
formën e motelit që ishte shkruar për violinë dhe kor vajzash, ndonjëra edhe
për solist e kor.
Themeloi
dhe drejtoi për shumë vjet revistën e njohur "Kumbona e së diellës"
dhe e drejtoi atë si kryeredaktor nga numëri i parë (1938), deri sa u mbyll nga
censura komuniste në vitin 1945."
Kardinal Koliqi,
kishte një aktivitet të pasur si muzikant, ekzekutues, drejtues kori dhe
kompozitor. Pra, edhe pse famullitar, pasioni i tij për muzikën bëri që ai të
merrej ne të seriozisht dhe në një masë më të madhe se i takonte.
"Si
intelektual me kulturë të gjërë muzikore, i hyri menjëherë punës për krijimin e
korit të Katedralës në baza profesionale... Ky grup koral përbëhej nga burra të
aftë për të interpretuar meshën dhe pjesë të tjera të muzikës fetare gjatë
ceremonive kishtare. Ai qe një fillesë e traditës së muzikës korale Scola
Cantorum që do të lulëzonte më vonë", vlerëson muzikologu i njohur
shkodran dhe nxënës i Kardinal Koliqit, muzikologu prof. Gjon Simoni.
Dom
Mikeli, sikurse e thërrisnin
të gjithë asokohe në qytet, mendoi të organizonte shfaqje skenike, në të cilat
kori dhe elemëntë të tjerë angazhoheshin si elementë si aktorë që recitonin dhe
ndonjëherë, edhe këndonin sipas rolit. Kështu, ai filloi t'u përshtaste muzikë
të huaj teksteve teatrale të shkruar nga poeti i ëmbëlsisë, dom Ndre Zadeja
(pushkatuar barbarisht nga komunistët më 25 mars 1945) ose nga poetë të tjerë
shqiptarë.
Me interes është
përshkrimi që muzikologu dhe ish nxënësi i tij prof. Simoni i bën bashkëpunimit
të ndërsjelltë midis poetit dhe kompozitorit që, njëkohsisht, ishin edhe
vëllezër në Krishtin, respektitivisht dom Ndre Zadeja dhe dom Mikel Koliqi.
"Drama të
ndryshme shqiptare u përshtatnin melodi këngësh të huaja, e kështu kori dhe
solistët merrnin pjesë si aktorë në veprimet skenike.
Nuk
dimë sa kohë vazhdoi kjo lloj pune artistike, kur një ditë erdhi dom Ndreu në
studion e dom Mikelit dhe, duke vënë "soleminisht" libretin e dramës
"Rozafat" mbi tavolinën e punës, i tha: "... shkruaje vetë
muzikën.
Një
dramë shqiptare kërkon muzikë shqiptare...", dhe iku duke lënë tundimin pas
vetes.
Dom
Mikeli, që vetëm, një shkak donte, i hyri menjëherë punës dhe kompozoi shpejt,
brenda pak javësh, muzikën për dramën "Rozafat"...
Kompozonte
në mbrëmje, kur kthehej në qelë, në selinë e famullitarit dhe pas aktiviteteve
të tjera.
Meqenëse
nuk kishte shumë kohë, muzikën e shkruante pa e zbardhur në të pastër.
Këngët
(ariet) dhe pjesët e tjera solistike, ndonjëherë gjenden të shkruara në një
vijë melodike dhe shoqërimi i tyre pianistik ka vetëm disa kthesa harmonike dhe
shënime të fakturës së shoqërimit si dhe ndonjë figurë instrumentale, e cila
shërben për të përcaktuar emocionalisht edhe nga ana dramatike figurën
artisitike, që ta karakterizojë dhe ta vendosë atë mirë në mjedisin
artisitko-dramatik."
Autori i veprës
kushtuar Kardinal Koliqit, ka bërë një studim profesional shterrues të të
gjithë vlerës krijuese artistike muzikore, duke i paraqitur sot të freskëta pas
shumë dekadash.
Ai me dashamirësi,
respekt të thellë e nderim për maestron e tij të parë, ka ruajtur në thellësi
të kujtesës dhe shpirtit dashurinë për çdo partiturë dhe notë muzikore nga
perndjekjet e përbinshme komuniste që kërkonte të asgjesonte çdo notë dhe
muzikë të progresit botëror, një pjesë të të cilat i trashëgoi edhe Kardinali
ynë Koliqi.
Prof. Gjon Simoni,
përmes një pune hulumtuese, sistemuese dhe analitike të materialit faktografik,
ka mundur të na dhurojë meshtarin e krijuesin, Krishtin dhe muzikën kushtuar
Atij në emër të një populli që ndër shekuj i ka qendruar besnik fesë dhe
traditës kulturdashëse të të parëve.
Përmes një stili ta
pasur narrativ dhe një elegance në të shkruar ofron për lexuesin mbarëshqiptar
melodramat e muzikuara nga dom Mikeli, sikurse njihen sot, si: "Rozafa",
"Rrethimi i Shkodrës" dhe "Ruba e kuqe", të tria të
shkruara nga poeti i njohur i ëmbëlsisë dom Ndre Zadeja (1891-1945).
…Ideologjia
e Revolucionit të kuq kinez përsekutonte intelektualët e klerikët katolikë
shqiptar
Muzikologu dhe
studiuesi prodhimtar prof. Gjon Simoni, gjatë hulumtimeve të kujdeshme shumë
vjeçare ka dhënë të shkrira në linjat e veprës së vet për Koliqin të gjithë
jetën e tij dhe për të parë në një profil më të ngushtë, si muzikolog i gurrës
shqiptare.
Por, autori ynë nuk
ka lënë pas dore edhe gjeografinë e kalvarit komunist me të cilin u përballë
drejtpërsëdrejti Kardinali ynë Mikel Koliqi.
Kështu në vepër
mësojmë se në vitin 1952-1953 filluan presionet dhe përpjekjet e diktaturës për
të krijuar Kishën Katolike Autoqefale, pra të pavarur nga Selia dhe Ati i
Shenjtë në Vatikan. Në vitin 1953-1954 kjo valë arrestimesh përfshiu shumë
intelektualë nga mbarë Shqipëria dhe Shkodra më së shumti dhe më e madhja.
Prof. Gjon Simoni,
duke shkruar për këtë dramë tragjike që preku mbarë popullin shqiptar dhe më së
shumti klerin katolik shqiptar në Shkodër, për Kardinalin Koliqi vë në dukje:
"Mbaroi kështu koha e parë e simfonisë së jetës së tij. Akordet
dramatike mbyllnin këtë pjesë. Megjithatë, buzëqeshja e tij e vazhdueshme që
vinte nga qetësia shpirtërore bënte që tragjedia e kësaj jete të merrte një
pamje pothuaj joreale, gati-gati teorike. Si lufta e së mirës kundër së keqes.
Kështu për dom Mikelin filloi epoka më e zezë e jetës, ajo e privimit të
përhershëm të lirisë, pa asnjë kuptim për botën e tij intelektuale dhe të
misionit të tij si meshtar. Gjithçka për te zbret në banalitet. Nga ana e
tjetër vuajtjet dhe torturat rriteshin, duke lënë përshtypjen se do të
vazhdonin përgjithmonë."
Megjithëse i burgosur
ose i internuar, ai vazhdoi të kryente detyrën e vet fetare fshehtas. Ai
ushtronte dhe zhvillonte me shumë kujdes ungjillizimin e bashkëvuajtësve, kur
ata e kërkonin, kryente ritet fetare, si pagëzim dhe kungimin, dhe megjithëse
larg nga Shkodra, jepte këshilla dhe udhëzime dhe së bashku me kolegët meshtarë
merrte vendime për problemet e famullive, që ishin në gjendje përndjekjeje të
jashtëzakonshme.
Kështu
në vitet 1954-1986, kaloi në burgim dhe internim edhe 32 vjet të tjera. Në
vitin 1977, në moshën 75-vjeçare, dënohet për të tretën herë me 15 vjet burgim.
Absurdi kishte
logjikën e vet djallëzore. Vitet e burgimit dhe internimit i kalon mes
vuajtjeve në disa krahina të Shqipërisë, si në Lushnjë, Fier, në zonën e maleve
të Vlorës dhe në vende të tjera syrgjynimi.
Më vonë do të tregonte
për torturat e tmerrshme që pësonin në burg: rrahje deri në gjakosoje,
elektroshok, varje nga duart e lidhura disa ditë me radhë, përve urisë, etjes e
të ftohtit.
Gjatë kohës së gjatë
të burgimit shumë qenë shokët e tij klerikë, por edhe bashkëvuajtës të tjerë,
që u vranë ose vdiqën nga torurat mizore.
Pra, me të drejtë
çuditemi kur shohim se dom Mikelin nuk e zhdukën fizikisht, që në vitet e para
të vendosjes
së regjimit komunist të hurit dhe litarit, gjatë viteve të errëta 1945-1950
dhe më pas
gjatë kohës së sundimit dhe zgjedhimit të dhunës sistematike kudo dhe kudohere.
Me të drejtë
konstaton në librin e tij prof. Simoni, se siç duket, ishte një peng i çmuar në
dorën e diktaturës për t'i bërë presion vëllait të tij shkrimtarit dhe burrit të shtetit dhe
kulturës geg prof. Ernest Koliqit, që të mos merrte inisiativa dhe të
zhvillonte aktivitet politik kundër pushtetit komunist në Shqipëri. Madje kur e
pyetnin dom Mikelin për vuajtjen e tij përgjigjej: “... të tjerët kanë
vuajtur më shumë se unë nga torturat...”.
Gjithsesi, ai kaloi
40 vite burg... dhe Zoti shtriu dorën pranë Nënës Shqipëri, për të vlerësuar
prelatin e përvuajtur
deri në madhështi si Kardinal... Për këto dhe shumë episode të
rëndësishme të jetës së Kardinalit Mikel Koliqi, do të mësoni më shumë në
veprën në
fjalë.
Autori dhe studiuesi
muzikolog prof. Gjon Simoni, në planin human kryen një detyrë dhe detyrim të madh
moral ndaj qytetit të tij të lindjes Shkodërlocës, si besimtarë i devotshëm katolik
dhe ish nxënës në korin e njohur Scola Cantorum dhe në Veprimin
Katolik të qytetit të lashtë, që drejtohej nga themeluesi i saj Shkëlqësia e Tij
Kardinal Mikel Koliqi.