Kulturë
Ramadan Mehmeti: Arti kundruall absurdit
E diele, 01.10.2023, 07:50 PM
BOTIM I RI
Me mbështetje të Ministrisë së Kulturës, Rinisë
dhe Sportit të Republikës së Kosovës, SHB “Dritapress” e Prishtinës, ditë më
parë botoi veprën e autorit Mehmetali Rexhepi me titull: “URTIANA”, poezi,
2023.
ARTI
KUNDRUALL ABSURDIT
Nga
Ramadan Mehmeti
Poeti
Mehmetali Rexhepi, tashmë i sprovuar në fushën e prozës, në kritikë e studime
letrare-eseistike-estetike e publicistike, vijon kultivimin e poezisë me
pjekuri të dukshme, edhe në vëllimin më të ri poetik “URTIANA.”
Motivet,
idetë, reflektimet figurative, estetika e kësaj poezie shtrijnë gjymtyrët dhe
rrokin përmasa të së madhërishmes dhe të
bukurës; me gërshetime ngërthesash të rëndomta e të ndërlikuara të
jetës, që ndërvaren, puqen, kushtëzohen ndërsjellash, pleksin madhështinë,
tragjiken, ironinë, absurdin e pashëruar njerëzor, filozofinë e shkëlqimit
jetë-shkurtë në jetën njerëzore.
Poeti
në tetë ciklet e këtij vëllimi poetik, me depërtime ideore e figurative,
shtjellon e shtron mëtimet njerëzore për kërkime dhe hulumtime në globin tonë
dhe në univers... Njëkohësisht vë në pah
shfrenimin dhe shkallmimin e ambicies së njeriut, për mbizotërime të racës mbi
racën; duke shkrirë intelektin për nënshtrimin e racës, po në emër të epërsisë
të një race të shpifur?!
Autori
i këtij vëllimi poezish, Mehmetali Rexhepi qëmton dhe thurë poezi të kontrasteve, të antonimikeve ironike,
grackash e dhimbjesh, mallëngjimesh për përdhosjen e dhuntive, që i sjell
realiteti jetësor e kozmik, si dhunti të jetës, të shkëlqimeve dhe të errësimit
të saj. Me një fjalë: brenga e poetit bëhet lajtmotiv i ekzistencës për
shpëtimin e bukurisë.
Të
gjitha këto qëmtime ideore e ekzistenciale, përmes sprovave të poetit,
kondensohen nga pena hulumtuese, për të nxjerrë në pah tipare të reja ideore e
figurative në poezi. Poeti ndërthurë etikë dhe estetikë të atillë, e cila mëton
të mos mbeten veçse një rutinë subjektive
e autorit. Të gjitha sprovat e përjetimet, pleksen në një filozofi
poetike prore në lëvizje por, me peshën e përsëritur të absurdit!... Përmes
modeleve ideore e figurative të ngërthyera në këtë poezi, poeti Rexhepi kërkon
korrigjimin e pashmangshëm të kaheve të absurdit, për ngadhënjimin e homo
sapiens-it. Këso konstatime të këtij diskursi i hasim të reflektuara në tërë
hapësirën e vëllimit “URTIANA.” Por, për ta konkretizuar pohimin, le t`i
nënvizojmë vetëm ca nga shembujt ilustrues të poezive, si: “Fjalët miope dhe
mrekullia”, “Metafora e detit” në ciklin e parë; “Lura”, “Ku ngrijnë viruset”
në ciklin e dytë; “Ibershimet e prillit” dhe ”Boshti” në ciklin e katërt;
“Mendje miope” e “Shkrolat nëpër gjemba” (poemë) në ciklin e gjashtë; “Sipëria e një trinie” në ciklin e shtatë; “ Ura për kapërcimin e natës” në ciklin e
tetë dhe të tjera.
Arti
i poezisë i poetit Mehmetali Rexhepi në vëllimin “URTIANA”, i shërben kërkimit
fisnik për zbutjen e egërsisë së çnjerëzores dhe, kultivimin e bukurisë së
mendimit në resurset njerëzore.
A
duket diçka e tillë nën shtresën e hollë të ozonit? Këtu nuk pushojnë
përsiatjet dhe brengat e urtisë poetike
të librit “URTIANA.”