Kulturë
D. Hadri: Pierfranko Bruni - Fitues i Çmimit 'Naim Frashëri'
E diele, 24.09.2023, 07:54 PM
Konferencë shtypi e Jurisë së Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”
POETI
PIERFRANKO BRUNI – FITUES I ÇMIMIT “NAIM FRASHËRI”
Poeti
italo/arbëresh nga Kalabria, Pierfranko Bruni, është fitues i çmimit të madh
"Naim Frashëri" të Edicionit Jubilar të 27-të të Festivalit
Ndërkombëtar të Poezisë "Ditët e Naimit". Ky është vendimi i Jurisë
së Festivalit i përbërë nga studjuesit e letërsisë, Prof. Dr. Ymer Çiraku
(kryetar), Prof. Dr. Vebi Bexheti dhe
Mr. Ndue Ukaj (anëtarë). Më 2004, Drejtoria e Festivalit poetin Pierfranko
Bruni e ka pasë shpall Anëtar Nderi të Festivalit. Festivali Ndërkombëtar i
Poezisë “Ditët e Naimit” do të mbahet prej 19 – 21 tetor 2023, në qytetin e
Tetovës dhe në Kosovë.
Kjo
u bë e ditur në një Konferencë shtypi të mbajtur më 23 shtator, nga drejtori i
FNP "Ditët e Naimit", Shaip Emërllahu dhe nga anëtari i Jurisë, Prof.
Dr. Vebi Bexheti. Më herët, me këtë çmim letrar janë lauruar emra të njohur të
letërsisë, si: Ismail Kadare (Shqipëri), Desmond Egan (Irlandë), Ali Podrimja
(Kosovë), Fatos Arapi (Shqipëri), Lionel Ray (Francë), Abdelatif Laabi (Marok),
Eva Lipska (Poloni), Tua Forstrom (Finlandë), Peter Poulsen (Danimarkë),
Athanase de Thracy (Bullgari), Kuei shien Lee (Taivan), George Wallace (SHBA),
Visar Zhiti (Shqipëri), Fiona Sampson (Angli), Kama Kamanda (Kongo), Kristoffer
Leandoer (Suedi) etj.
Anëtari
i Jurisë së Festivalit, Prof. Dr. Vebi Bexheti, paraqiti arsyetimin për dhënien
e çmimit letrar "Naim Frashëri". Ai në mes terash tha se, “Pierfranco
Bruni është një personalitet shumëdimensional. Përveçse studiues në fushë të
arkeologjisë dhe drejtor në Ministrinë e Trashëgimisë Kulturore të Italisë, ai
është mjaft i njohur për lexuesin italian e më gjerë si poet, kritik letrar dhe
eseist.
Ka
botuar disa përmbledhje me poezi. Kontributi i tij është i vlerësuar edhe në
një sërë studimesh mbi letërsinë italiane, europiane dhe mesdhetare të
shekullit të njëzetë, ku shquajnë shkrimet për autorë të shquar të përmasave
botërore si Pirandelo, Kuazimodo, D`Annunzio, Ungareti e Pavese.
Veçmas
poezia e tij, përmes sistemit të pasur figurativ dhe ideor, mbart një vlagë të
fuqishme humanizmi dhe besimi të palëkundur në vlerat egzistenciale të
njerëzimit. Ai beson se edhe në natën më të thellë, duhet gjetur një yll i vogël, që do të
ndriçojë udhëtimin e njeriut. Kredo e tij si shkrimtar përmblidhet në sentencën
aq kuptimplotë se të shkruash, në fakt, është të jetosh brenda fjalës. Pra,
misioni i shkrimtarit është që ai të identifikohet e mishërohet me gjithëshka -
në veprën e tij. Si të thuash, të ketë pra një besëlidhje të pandashme në
raportin shkrimtar e vepër, ku të mbizotërojë veç sinqeriteti dhe e vërteta pa
kushte.
Pra,
tek ky poet, prozator dhe eseist letrar, është tipar i dukshëm qasja estetike
nëpër një rrjet të dendur referencash filozofike, çka u sjell këtyre krijimeve
një dimension mjaft sintetizues e universal.
Më
tej në motivimin e Jurisë u tha se, “Si një krijues i lindur në mjediset
kalabreze të Italisë së Jugut, janë të pranishme në këtë poezi edhe disa motive
me kujtesën për Teutën ilire, apo me shpendin simbolik të shqiponjës. Sipas
pikëvështrimit të tij, legjenda është një mister, që jeton tek e vërteta,
prandaj edhe i drejtohet pa mëdyshje mbretëreshës së lavdisë ilire, kur sheh aq
ngjajshmërisht: “sytë e tu me ngjyrën e grave të Shkodrës”.
Në
vlerësimet që i janë bërë kësaj krijimtarie, dy janë segmentet themelore që
karakterizojnë rrugëtimin e tij letrar: kujtesa dhe nostalgjia. Pra, poetika e
veprës së tij, endet dhe merr vlera në këto hapësira letrare dhe estetike”.
Drejtori
i Festivalit Shaip Emërllahu, tha se këtë vit janë ftuar 20 poetë nga vende të
ndryshme të botës, si: SHBA, Argjentinë, Porto Riko, Itali, Palestinë, Zvicër
Francë, Meksikë, Korea e Jugut, Irak, Belgjikë, Kroaci, Greqi etj., dhe poetë
të shumtë nga e gjitha hapsira shqiptare dhe daspora. Edhe programi i këtij
edicioni do të jetë i larmishëm për nga përmbajtja. Në kudër të tij, do të
mbahet disa orë letrare, do të promovohen libra të Sh.b."Ditët e
Naimit", do të vizitohen lokalitete kulturore dhe historike, etj.
Shaip Emerllahu dhe Vebi Bexheti
Tetovë, 23 shtator 2023
D. Hadri