Kulturë
Klajd Kapinova: Dera e Madhe Fisnike dhe Bujare e Marash dhe Mri Dedja
E merkure, 20.09.2023, 06:55 PM
Dera e Madhe Fisnike dhe Bujare e Marash dhe Mri Dedja e Mërrnaçajve në SHBA është vetë krahina malore e pamposhtur e Kelmendit në miniature
(Historia e rrefimeve të përjetuara të “Mri Dedja e
Mërrnaçajve, zoja e hekurt me shpirt florini”, me autor shkrimtarin dhe
studiuesin e talentuar dhe brilant Jozef Radi)
“Nga biseda me
autorin Jozef Radi meson, se për realizimin e këtij libri janë zbardhë mbi 120
orë regjistrime në manjetofon, për të ju afrue sa ma shumë të vërtetës e për
t’i sistemu e perpunu ato në laboratorin e shkrimtarit e sjellë lexuesit në
menyrën ma të kandshme. Një punë vërtetë e madhe dhe kjo do të shihet nga çdo
lexues i këtij libri.” - Marjana Naçaj, ish mësuese dhe reçensuese e
librit
“Tre
burra të familjes bashk me dy pleqt e tyne vendosin të arratisen, meqense ishin
lajmërue se tehu i thikës po i afrohej edhe familjes së tyne. Ishin një familje
e njohun me kushte të mira ekonomike. Në Kelmend kishte mjaft njerëz të mir
n’at periudh. Por si duket begatia që kishin Merrnacajt, ishte si pluhur në
sytë e shtetit shqiptar. Nuk u mjaftonte, që një vlla e kishin në burg, por
donin ta shkatërronin familjen… Libri për Mri Merrnaçajn, është libër kushtuar
gruas shqiptare. Çdo grua do të gjejë pjesë të vetvetes aty dhe gjithë shoqëria
shqiptare, përballë veprës së Mri Merrnaçajt e cila në moshën 84-vjeçare
ndërmori me një kurajo të admirueshme rrëfilim e gjithë hetës së saj, që di të
shërbej si model që e vertata, kujtesa dhe krimet nuk duhet të harrohen. Kanë
kaluar 33 vjet dhe burgu i Spaqit është katandisur në një karakatinë. Shteti
shqiptar mund të kishte vepruar me kohë. Ka ndërtuar të gjitha këto
institucionet, që kanë qenë të krimit. Është bërë shtëpija me gjethe, bunkerët,
tunelet e ministries së brendshme. Ata që e kanë bërë diktaturën i kanë muzetë,
kurse ata që e pësuan diktaturën nuk i kanë muzetë e tyre. Kjo është e verteta
e shtetit shqiptar. Ju bën muze atyre qe bënë diktaturen dhe jo atyre qe e
pësuan nga diktatura. Unë protestën time e kam manifestuar edhe me librin tim.”
- Jozef Radi shkrimtar, tregon për Zërin e Amerikës
“Me Marash dhe Mri
Mërrnaçaj dhe të gjithë vëllezërit patriotë Mërrnaçaj, jam njohur shumë vite më
parë, kur unë për herë të parë kam ardhur në vitin 1978 në Neë York, SHBA. Unë
kam qenë disa herë mik i familjeve të tyre. Qysh nga ai vit dhe deri më sot me
kemi qenë miq shumë të mirë. Kjo familje gëzon respekt shumë të madh në
komunitetin tonë këtu, sepse Marnaçajt patriotë, kanë qenë gjithnjë mikpritësa,
ndera, lavdia dhe krenaria e vendlindjes së tyre të dashur Kelmendit, trojeve
etnike shqiptare dhe shqiptar-amerikanëve. Ne të gjithë aktivitetet
antikomuniste dhe demostratat me motivin për lejimin e lirisë fetare në
Shqipërinë e cila po vuante nën komunizmin e zi, të gjithë Mërrnaçajt dhe
familja Marash dhe Mri Mërrnaçaj, kanë qenë të parët përkrah bariut tonë
shpirtëror dhe intelektualit të shquar prelatit mons. dr. Zef Oroshit,
Themeluesit të Kishës së Parë Katolike Shqiptare “Zoja e Këshillit t’Mirë” (sot
Zoja e Shkodrës”), në shumë protesta të vazhdueshme në New York, Washington
D.C., SHBA, duke kërkuar nga Qeveria dhe presidentët amerikanë, për mbështetjen
e popullit të vuajtur shqiptarë të martirizuar dhe për rrëzimin e komunizmit në
Shqipëri etj.” – Tomë Mrijaj, New York, studiues dhe publiçist
Nga Klajd
Kapinova, Editor i revistës “Jeta
Katolike”, New York
Në Qendrën Kulturore
“Nanë Tereza”, pranë Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” në Hartsdale,
New York, u bë promovimi i librit luksoz me kopertina të trasha dhe voluminoz
me 400 faqe, me titull sinjifikativ: “Mri Dedja e Mërrnaçajve, zoja e hekurt
me shpirt florini”, të autorit dhe njëherazi mikut tim, shkrimtarit,
studiuesit të palodhur dhe skrupuloz Jozef Lazer Radi.
Promovimi i librit
bashkoi shqiptarët e Amerikës në shenjë respekti, vlerësimi dhe mirënjohje të
madhe për familjen zëmadhe të Mërrnaçajve, qendresën e madhe dhe të vazhdueshme
burrërore të tyre, nën shembullin pozitiv, për gjithçka që ata i kanë dhënë
komunitetit shqiptar në SHBA.
Kopertina e librit,
është vepër e mirëfilltë artistike mjeshtërore e piktorit të talentuar Antonio
Perdoda, i cili mrekullisht paraqet në ballinë portertin e skalitun të
personazhit real të nënës heroinë dhe stoike Mri Mërrnaçaj.
Vepra e re, u
mirëprit shumë mirë nga komuniteti shqiptaro-amerikanë, përmes një pjesëmarrje
të rrallë masive të miqëve, familjarëve të Mërrnaçajve, Klubit të Shkrimtarëve
Shqiptaro-Amerikanë (2001), dashamirësve të librit, përfaqësuesëve të Kishës e
mediave të komunitetit në shtetet New York, New Jersey, Michigan, Connecticut, Ohio, etj.,
miqët e ardhur nga Kelmendi (Shqipëria), Shkodra, Lezha, etj.
Eshtë
e rëndësishme të theksohet, se jetëshkrimi narrativ si orijginal në llojin e
vet, është ofruar këndshëm përmes gjuhës gegnishte të latuar me kujdes, midis
stilit të shkodranishtes së
përpunuar të rrymës koliqiane ose më saktë të Ministrit të Kulturës shkrimtarit
dhe prozatorit modern prof. Ernest Koliqit dhe astilit fin të gjuhës gegë të
përdorur gjerësisht në veprat e tij shkrimore nga malcori dhe patrioti i denjë
prof. Martin Camajt, e cila tregon se është një vepër e shkëlqyer e
rrëfyer në vetën e parë mbi shqiptaren e shquar burrneshë, stoike dhe fisnike
Mri Mërrnaçaj, përfaqësuese e dy prej familjeve më të shquara, nderuara dhe
respektuara në krahinën e famshme të Kelmendit të Malësisë së Madhe, Nilaj dhe
Mërrnaçaj.
Ky botim dinjitoz,
është një nderim i madh e i veçantë për vuajtjet, qëndresën dhe sakrificën
heroike të femrës apo nanave të pamposhtura stoike antikomuniste shqiptare.
Tek i hedh një
vështrim të shpejtë përmbatjes dhe titujve të përzgjedhur të veprës reale
jetësore, del se vepra në fjalë është gjithashtu në vetvete një homazh
nderimi dhe përkujtimi për prindërit e Mrisë, djalit Nik Mërrnaçaj e
bashkëshortit të ndjerë atdhedashës Marash Mërrnaçaj, ku fletë pas flete
plot dhimbje dhe dramë mbas drame, penda e zhdërvjedhtë brilante geg e
shkrimtarit bashkëkohor Jozef Lazer Radit (një pinjoll i denjë i
vijimsisë së familjes zëmadhe dhe të shquar të Radëve dhe posaçërisht i babait
të tij, enciklopedistit të nderuar, respektuar dhe paharruar intelektualit
erudit dhe shkrimtarit të spikatur prof. Lazer Radit), paraqet hap mbas
hapi qendresën heroike të vijueshme antikomuniste të familjes, historinë e
guximshme të arratisjen nga ferri komunist, kalvarin e pambarim të emigrimit të
tyre drejtë Malit të Zi… e më pas rrugëtimin drejt ëndrrës së madhe në vendin e
bekuar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ajo që suprizoi dje
pjesëmarrësit ishte vajza e re si moderatore e kulturuar dhe elegante Mikela
Nonaj, e lindur dhe rritur në SHBA, e cila duke qenë mbesë e Mërrnaçajve,
bëri një paraqitje dinjitoze, me fjalë të përzgjedhura me kujdes dhe efekt
pozitiv gjatë gjithë takimit model, që pa e ndjerë tubimin e bukur dhe të
larmishëm kaloi tre orë të këndshme. Gjuha e ëmbël gegë, që ajo fliste me një
rrjedhshmëri të pastër, bëri që të merrte here pas here buzëqeshje respekti dhe
duatrokitjet frenetike nga të gjithë të pranishmit, që kishin mbushur si
asnjëherë tjetër auditorin tonë.
I Përndershmi
famullitari ynë dom Pjetër Popaj, në fjalën përshëndetëse rrëfei udhën e
tragjedisë plot kalvare dhe vuajtjeve, të cilat i dinte më përpara me detaje
dhe sapo i kishte rilexuar me endje sërisht, përmes përshkrimeve të spikatura
brilante të mendjes dhe pendës fine të Jozef Radit, duke e quajtur me të drejtë
personazhen e librit Mri Mërrnaçajn një heroinë të vërtetë.
Në vijim të mesazhit
të tij, bariu shpirtëror dom Pjetër Popaj u ndal në përkushtimin e vijueshëm
fetarë të saj, si dhe cilësitë e spikatura kelmendase, si: bujarinë dhe
mikëpritjen familjare, fisnikërinë, mirësinë dhe vlerat e jashtëzakonshme
pozitive të familjes Mërrnaçaj e në veçanti të nënës stoike Mrisë.
Sipas programit të
parashikuar me shumë kulturë dhe kujdes deri në detaje më të imta nga
organizatorët, u bë paraqitja për herë të parë e një dokumentari historik, i
përgatitur me nivel të lartë profesionalizmi nga kanali televiziv “TV
Albanian Culture New York”, dhe paraqitur denjësisht para publikut nga
regjizori dhe drejtuesi i saj Adem Balliu.
Pikërisht këtë detaj
fisnikërie e ka theksuar profesionalisht dhe artistikisht producenti i
dokumentarit Adem Belliu dhe familja e tij mediatike, e cila për më tepër ka
pasur një lidhje e miqësi vllazërore me familjen Mërrnaçaj, që dokumentohet sot
me foto edhe në dokumentarin e ri.
Aty pjesëmarrësit e
shumtë mësuan disa detaje të veçanta mbi jetën e vështirë me plot sakrifica dhe
mbijetese dinjitoze të nënës malësore sypatrembur Mri Mërrnaçaj dhe familjes së
saj me gjashtë fëmijë.
Kush nuk e njeh dhe
kush nga ne nuk ka shkuar për t’a takuar Marash dhe Mri Mërrnaçaj në
shtëpinë e madhe të tyre, e cila gjithmonë ka qenë e hapur dhe mikëpritese, për
të gjithë ne këtu. Kjo Derë e Madhe fisnike tipike etnike shqiptare, ka
disa dekada në shërbim të panderprerë ndaj komunitetit shqiptaro-amerikanë pa
dallim feje, krahine dhe ideje.
Kryetari i Bashkisë
së qytetit të vogël Yonkers-it Mike Spano, falënderoi të pranishmit dhe
organizatorët e tubimit. Ai u shpreh edhe nga përvoja e tij jetësore, duke
thëne se: “Mësimet e historisë, kalojnë nëpërmjet dhimbjeve e vuajtjeve tona
dhe tuajave...”
Ish drejtuesja e
shkollës së fshatit malor Tamarë (Malësi e Madhe), mësuesja Liza Pllumbi
shpalosi në detaje aspekte jetësore të familjes Mërrnaçaj dhe u ndal te vlerat
e larta të Mrisë, në përballje me vuajtjet dhe fatin e jetës.
Është i rëndsishëm
fakti se ligjeruesja me origjinë kelmendase zj. Pllumbi, është inisiatorja
kryesore e palodhur, që Shkolla e Mesme e Bashkuar në Kelmend të marrë emrin “Nik
Mërrnaçaj”.
Prek
Ndue Meri (Pllumbaj), foli rreth jetës së Mrisë, historisë së luftës në Sukë së M’kushtit dhe
si ai u bë pjesë e librit në fjalë.
Ai më tej apeloi me
një mesazh për bashkëatdhetarët e tij shqiptaro-amerikanë, që të mos harrojnë
historinë e lavdishme ndër shekuj të krahinës me emër të madh të Kelmendit në
Malësi të Madhe dhe gjithë Shqipërinë.
E
veçanta e takimit,
ishte edhe pjesa klasike muzikore me violinë e luajtur nga dyshja Rozeta
Ujkaj dhe Mimoza Lleshaj, e cila në vetvete shërbeu si një moment meditimi
dhe reflektimi, paqeje e qetësimi shpirtëror.
I mirënjohuri i
komunitetit tonë, studiuesi, publiçisti, ish-gazetari veteran i radios Zërit të
Amerikës në gjuhën shqipe Idriz Lamaj, në kumtesën e tij esenciale, u
ndal në disa aspekte shpirtërore të rrëfimit të heroinës Mri Mërrnaçaj dhe
njohjes së hershme, që ai kishte ndër dekada me këtë familje fisnike, qysh kur
ato për herë të parë zbresin në tokën e bekuar të SHBA-së dhe vendosen
përfundimisht në shtetin metropolitan të New York-ut.
Studiuesi dhe
vatristi veteran Lamaj, kishte sjellë me vete si suprizë një libër të vogël
uratësh, duke ia treguar publikut pjesëmarrës të tubimit dhe ia ofroi
për t’a parë më pas edhe famullitarit tonë dom Pjetër Popaj, në shenjë nderimi
dhe respekti të thellë ndaj të paharruarit monsinjor dr. Zef Oroshit
(1912-1989), që ai vetë ia kishte dhuruar mikut të tij të hershëm dhe
bashkëpunëtorit të revistës fetaro-kulturore “Jeta Katolike” (New
York, 1966) Idriz Lamajt, 52 vjet më parë.
Lindita
Harizaj Dema, si një ndër
lexueset e para të veprës në fjalë, foli për librin, duke hequr paralele
persekutimi edhe me jetën e familjes së saj, që kaloi asokohe një kalvar të
gjatë dhe pambarim vuajtjesh nën regjimin komunist të Dullës...
Ajo e pikëdhuar, u
shpreh se në libër gjejmë pjesë nga dramat tona, gjej shumë personazhe dhe
femra të përvuajtura shqiptare.
Ky është një libër i
dhimbshëm e heroik, ku në çdo faqe historike brenda saj, kam gjetur dhe veten
time, ku sikurse dihet Mria është model i nënës, motrës e gruas shqiptare, tha
ndër të tjera ish e pëndjekura politike dhe e persekutuara për shumë dekada, në
kohën e komunizmit në Shqipëri zonja Harizaj-Dema.
Për të marrë pjesë në
tubimin kulturorë kishin ardhur nga shteti ekzotik i agrumeve të Floridës
Zef Naçaj bashkë me bashkëshortën e tij zonjën Marjana Naçaj.
Ajo si mike e hershme
e familjes Mërrnaçaj, ish mesuesja Marjana Naçaj është njëherazi edhe
reçensuese e librit “Mri Dedja e Mërrnaçajve, zoja e hekurt me shpirt
florini”.
Ligjeruesja Naçaj, në
fjalët e saja plot elokuencë, paraqiti refleksione dhe fakte interesante
mbi jetën dhe figurën e Mrisë, duke e cilësuar librin e ri si një rrëfim
i nevojshëm e i domosdoshëm për të njohur më mirë historinë kombëtare shqiptare
dhe të trevave kreshnike të Kelmendit në veçanti.
Ajo ndër të tjera tha
se: “E gjithë përmbajtja e librit mbështetet mbi rrefimet e Mri
Mërrnaçaj, që së bashku me pendën e dashtun të shkrimtarit të mirenjohur Jozef
Radi e bajnë këtë libër mjaft interesant për lexuesin e gjanë. Për ne, që e njofim
në detaje të gjithë jetën e saj dhe kemi lexue gjithçka asht shkru nga autorë
të ndryshëm, përfshi edhe librin e autorit Ndue Ukcamaj “Lotët e
Françeskut dhe rrefimet e Mrisë”, bindemi plotësisht se sa i nevojshëm asht
kenë ky libër i plotë, i shoqnuem me të gjithë dokumentet e sigurume nga arkiva
të ndryshme. Ngarkesa emocionale, që vjen nga njohja me rrugëtimin jetësor të
Mri Dedjes, i kalon të gjitha parashikimet e një lexuesi të zakonshëm. Rrëfime
të nevojshme për t’u arshivu në kanalet e historisë. Për ne, që e jetuem pjesën
ma të madhe të jetës tonë në atë rregjim, kuptojmë se si zhvilloheshin ngjarjet
e rrethanat, por kurrsesi nuk arrinë t’a kuptojnë brezat e mavonshëm e aq ma
tepër këta të sotmit, që kujtojnë se gjithçka ka kenë ashtu siç është në ditët
e sotme…”
Reçensuesja
e kujdeshme Naçaj,
tregon se këto rrëfime të sistemuara aq bukur, duke ruajtur me fanatizëm
shprehjet origjinale të personazhit kryesor të veprës Mrisë, në përshtatje me
të folurin e zonës heroike të Kelmendit “e pasunojnë dukshëm librin dhe e
ban atë të dashtun për cilindo që e lexon, qoftë ai me njohje apo në farefisin
e saje deri tek lexuesi i gjanë. E pamë në këtë aspekt, libri rrjeshtohet pa
frikë në naltësinë e librit legjendë të At Zef Pllumit “Rrno për me
tregue.”
Më poshtë, ajo
rikujton bisedat mbi proçesin e hartimit të librit në fjalë, me autorin e
veprës së re me shkrimtarin Radi, duke theksuar se: “Nga biseda me autorin
Jozef Radi mëson, se për realizimin e këtij libri janë zbardhë mbi 120 orë
regjistrime në manjetofon, për të ju afrue sa ma shumë të vërtetës e për
t’i sistemu e perpunu ato në laboratorin e shkrimtarit e sjellë lexuesit në
menyrën ma të kandshme. Një punë vërtetë e madhe dhe kjo do të shihet nga çdo
lexues i këtij libri.”
Ajo si lexuese e parë
e librit falënderoj me gjithë zemër nga podiumi, aktivistin e palodhur të
komunitetit tonë zotin Mark Marrnaçajn, që është njëherazi edhe
inisiatori i këtij aktiviteti nga fillimi dhe deri tani, duke theksuar, se: “Ke
ba një punë fisnike, që koha do t’a diftoj gjithnji e ma tepër e bekimi i Zotit
do të bjerë mbi ju e mbi familjen tande, se je pjesë jo e vogël e vuajtjeve të
familjes së Mërrnaçajve.”
Zonja
Naçaj, duke përshkruar
punën e madhe voluminoze dhe të palodhur të shkrimtarit me përvojë Jozef Radi,
theksoi se: “Autori i librit, nuk ka për qëllim të analizojë
veprimet e diktaturës së re që po instalohej, por trajton pasojat e traumat që
krijoj në popullin e pafajshëm të Vuklit e Kelmendit në përgjithësi e në
veçanti atë të Bajraktarit të Vuklit, që ishte edhe Dera prijëse e flamurtarëve
asokohe. Nuk mund t’a imagjinojsh, që krime të tilla të jenë të pa ndëshkueme
historikisht. Asht koha që historia të zhveshet nga politika dhe të thonë
fjalën e saj mbi këto të vërteta. Të vërtetat vijnë në këtë formë prej
kontributeve si ky që Mri Mërrnaçaj sjellë nëpërmes autorit Jozef Radi, në këtë
libër me shumë vlera. E gjithë shtrirja e librit, me pasazhet që kalojnë para
lexuesit, të jep përshtypjen e një romani, ku në qendër të të cilit asht Mri
Mërrnaçaj. E vështirë me e mendu, e vështirë me e lexu, që një njeriut t’i
ndodhin në një jetë kaq ngjarje të randa e kaq lëvizje në jetën e saj. Kujtoj,
kohën kur im shoq Zef Naçaj, po shkruente librin “Forca e Kelmendit”.
Unë hyna në studion e tij dhe e gjeta me lot në sy: Unë e shqetësuar e pyeta:
Ç’ka ka ndodhë!?
-Asgja më tha, por po shkruej pjesën e Mrisë!”
Kryetari i Shoqatës
së Shkrimtarëve Shqiptaro Amerikanë poeti Mhill Velaj, në kumtesën e tij
e cilësoi librin si burim historik, dokumentar e letrarë, i shkruar me një
gjuhë të ëmbël, me rrëfime e përjetime autentike. Vepra e re përjetëson një
figurë të veçantë heroike të femrës tipike etnike shqiptare.
Poeti Velaj, ndër të
tjera në kumtesën e tij tha se: “Jo rrallë ndodh që monografitë bëhen edhe
si një lloj burimi historik i rrjedhave sociale, por edhe atyre kombëtare. Të
tillë do e kisha trajtuar edhe këtë monografi të shkruar me mjeshtëri nga Jozef
Radi “Mri Dedja e Mërrnaçajve, Zoja e Hekurt me Shpirt Florini - Rrëfime t’nji
jete”. Vepra i paraprin një parathënie e protagonistes së librit, e cila me një
thjeshtësi e madhështi të fjalës së shkruar jep pasqyrimin për motivet e
fillesave të kësaj monografie. Ajo ruan modestinë deri në qiell, kur i
drejtohet lexuesve, por në anën tjetër tregon edhe vlerat e fisnikërinë e një
gruaje të hekurt, e cila zemrën e vizionet i ka plot dashuri e mirësi, ku
përmes një gegërishteje të bukur, të ëmbël e të kulluar, pushton mendjet e
zemrat e lexuesve… Këtu ipen të dhëna interesante për Shpinë e Bajraktarit të
Vuklit, ku në sfond hynë shumë personazhe, emra, ngjarje e përplasje historike
ku si nëntemë e këtij libri zë vend edhe pjesa ”Kelmendi përballë komunizmit”,
ku përmes rrëfimesh e përjetimesh autentike ipen të dhëna të shumta për
ngjarjet historike, heroizmin, qëndresën dhe orientimet properëndimore të kësaj
krahine të dëshmuar në shekuj për rrënjët e tij identitare, ku theks të veçantë
i ipet pjesës historike “Fati i dhimbshëm i familjes së Bajraktarit të
Vuklit”. Libri i ngjan një kronologjie e balade të pafund familjare ku në
to ndërfuten personazhe të shumtë, përvoja, guxim, pasoja dhe mbijetesë
titanike. Pjesa tragjike e përshkruar në këtë libër si rezultat i rezistencës
ndaj ideologjisë komuniste “Familja e Bajraktarit internohet n’Tepelenë”
shpërfaq dramën kombëtare të kësaj familjeje desidente që në fakt përjetoi
‘Golgothën shqiptare’.”
Dhe më poshtë poeti
shqiptaro-amerikanë Velaj saktëson: “Me një fjalë, është tablloja e
jetës së një gruaje fisnike e malësore me rrënjë guri që rrëfen, për jetën e
saj si një kronikane e historisë dhe e përjetimeve familjare, që nga lindja e
saj deri në moshën e shtyer, ku ndërthur situata sa krenare po aq dramatike, sa
të dashurisë po aq të sfidave e dilemave ekzistenciale, por mbi të gjitha
karakteri i saj mbetet i pathyer dhe me çdo mjet arrin t’i jap kuptim jetës
familjare farefisnore dhe asaj shoqërore. Mri Dedja përmes këtij libri e
rrëfimi letrar është shndërruar në Orakullë dhe vetëfarkëtuese e fatit të saj.
Ajo të mahnit me memorien e saj dhe elegancën madhështore për t’i rrëfyer
ngjarjet krejt natyrshëm dhe me baza reale, pa fryerje e imponime. Në pjesën “Mërrnaçajt
në kurthin e Sigurimit”, rrëfehet saga familjare e kësaj familjeje e cila
përjetoi torturat nga më të ndryshmet për t’i qëndruar besnik traditës, fesë,
kombit e idealeve stërgjyshore.”
Në mbyllje të
kumtesës së tij, është i saktë dhe i qëlluar përkufizimi i poetit Velaj se ky
libër i ngjan një mozaiku apo pikture që në vete ngërthen shumë imazhe apo
pamje jetësore që në thelb kanë etnikën, kulturën dhe ngadhënjimin e brezave
përmbi sfidave ideologjike dhe të mirat e rrëzimet që na i ofron jeta.
Ish ushtaraku i lartë
shqiptar në pension Asllan Bushati, lexoi kumtesën e poetit Sami
Milloshit, i cili e quajti librin enciklopedi.
Autori
Jozef Radi, në fjalën e tij përshëndetëse
shpjegon se si shkak për të shkruar këtë libër, u bë Mark Mërrnaçaj, një
njohës i gjithë situatës së vuajtjeve dhe bashkëvujtës e pjestar aktiv i
familjes së Mërrnaçajve të Pshatanit.
Studiuesi
dhe shkrimtari Radi,
pas përshëndeti të gjithë të pranishmit në auditor, shpjegoi ecurinë e etapave
të përgatitjes së librit dhe deklaroi për pjesëmarrësit se libri është një
monument për femrën shqiptare. Ai falënderoi në mënyrë të veçantë familjen
Mërrnaçaj, Mark Mërrnaçajn, Prek Pllumajn e Anton Përdodën etj.
Nëna
heroinë Mri Marrnaçaj, së cilës i dedikohet kjo vepër, në fjalën e saj falënderoi dom Pjetër
Popaj, atë Gazmend Tinaj o.f.m., Mark Mërrnaçaj, Jozef Radin, të gjithë
folësit e të gjithë pjesëmarrësit në tubimin madhështor.
Atë
Gazmend Tinaj o.f.m. në fjalën e tij deklaroi se rrëfimi i Mri Mërrnaçaj është shpallje,
është simfoni e trishtë melankolike. Janë rrëfime zemre. Zemra, është
memoria e ngjarjeve të trishta të njeriut. Libri, në të gjithë brendësinë e
tij, është si një rrëfim për të mos harruar kurrë.
Aktivisti i
komunitetit tonë shqiptaro-amerikanë Mark Gjonaj, në fjalën e tij
theksoi se Marash e Mri Mërrnaçaj tragjeditë i kthyen në forcë e dhimbjen në
fuqi për të ecur përpara me dinjitet e krenari.
Në përfundim të promovimit
familja Merrnaçaj shtroi një koktejl për gjithë të pranishmit dhe të ardhurat
nga shitja e librit ia dhuroi si gjithnjë Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës” në
Hartsdale, New York.
Libri
është paraqitje e një epoke
dhe
një mënyrë për të folur për te
Libri i plagëve dhe
dhimbjeve historike familjare dhe shqiptare: “Mri Dedja e Mërrnaçajve -
Zonja e Hekurt me Shpirt Floriri”, është një botim që përshkruan në hollësi
vuajtjet e një gruaje shqiptare, tragjeditë e së cilës nisën që në fëmijëri,
kur Shqipëria ishte nën regjimin e egër ateisto-nazikomunist.
Ai është dëshmi e
koleksionit të krimeve të përbindshme të nazi-komunizmit të zi, ku të rinjtë
mund të mësojnë nga e kaluara e zymtë e histoirsë së Shqipërisë, që historia të
mos përsëritet më në vendin martir të shqiponjave.
…Më 13 prill të vitit
1939, në familjen e Dedë Nilajt nga fshati Vukël i Malësisë së Madhe, lindi një
vajzë, të cilën e pagëzuan në kishën e fshatit me emrin Mri Dedja. Asokohe
ishte një jetë shumë e vështirë.
Qysh fëmijë 5 vjeçe ajo
është dëshmitare e një sërë tragjedish të shkaktuar nga barbarët komunistë në
familjen e saj.
Asokohe regjimi
komunist i Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut i vrau ose më saktë i futi në dhe të
gjallë babain, axhat dhe dy djem të rinj të axhave dhe më pas u dogji shtëpitë
dhe mori e shkatërroi të gjithë pasuritë që kishin asokohe.
Mria
sot 84-vjeçe, kujton shumë e
emocionuar, se: “Baba im u dogj brenda n’shpi si Oso Kuka në Vraninë.
Vëllain e madh t’babës e morën, e i thanë hapë një gropë. Ai e hapi varrin për
së gjalli dhe e futën të gjall në dhe, e mbuluan aty. Pa kurrfar dënimi, pa i
ba asgjë t’keqe, askujt. Kol Bajraktari u largua nga shpija, sepse ende nuk u
kishte ra në duar. Ata morën djalin e axhes e ia nxorën dy sytë, e mbuluan me
gurë dhe aty vdiq. Ai ishte djal i ri në moshësn 27 vjeç. Tuj mos mjaftue me
kaq, komunistat morën djalin e axhës tjetër, që ishte 18 vjeç dhe e prenë me
brisk në qafë, 18 vjeçar… Më thanë vishu mirë, se sonte mund të na vrasin. Në
duar të tyne nuk do t’u lëmë, sepse nëse na kapin, nuk do t’u shohim ma kurrë.
Ne nëpër burgje e ju në internime. Ne sot duhet të braktisim jetën në shtëpinë
tonë. Vjerrin e vjerrën e kishim me vete. Edhe ata të shkretët vendosën të
vinin pas djemve të vet. Kemi dalë bashk dhe na u deshën 10 orë që ta kalonim
kufinin… Nuk ka drejtësi, nuk ka asgjë. Ne kemi vujt, e kemi la me gjak atë që
ndodhi. Për ne ka kenë gja e madhe se na fiken shpinë. Amaneti për fëmijët
tanë, për brezin e ri, asht që t’mos harrojnë gjuhën, besimin në të madhin Zot,
sepse aty kemi besue dhe gjithmonë na ka ndihmue. Këtë libër e kam shkrue që të
mos harrohen vuajtjet në shpitë tona dhe gjithë Shqipninë.”
Këto krime tragjike
me vrasje barbare ditën për diell, janë ngjarje të ngjashme më ato që bënë
vazhdimisht nazistët gjermanë ndaj popullit të pafajshëm ebrej, gjatë kohës së
Luftës së Dytë Botërore.
Për shkak të kushteve
të rënda, ajo humbi edhe dy vëllezër. Nëna e saj u kthye në shtëpinë e
prindërve të saj, por vdiq pak vite më vonë.
Ende pa mbushur 16
vjeçe, vajza e brishtë malësore stoike Mri Dedja u martua me Marash Mernaçajn
nga krahina e mirënjohur e Kelmendit, familja e së cilit ishte vënë po ashtu në
shënjestër të asgjësimit dhe persekutimit nga regjimi komunist.
Pak vite pas
martesës, në moshën 19-vjeçare ajo u detyrua larg dëshirës së saj që të
braktisë me dhimbje Shqipërinë dhe Kelmendin, trojet e të parëve të saj.
Kjo histori e
dhimbshme e mbushur me drame të njëpasnjëshme është pjesë e një libri të ri nga
një ish bashkëvuajtës në kohën e regjimit komunist në Shqipni, me autor
shkrimtarin dhe studiuesin e mirënjohur Jozef Radi, i cili është kujdesur që
këtë histori ta sjellë edhe në variant elektronik dhe të regjistruar në audio.