Kulturë
Sylejman Morina: Zëri kumbues dëgjohej larg në male
E enjte, 14.09.2023, 07:58 PM
Pamje
nga kompleksi i EtnoFestit
ZËRI KUMBUES DËGJOHEJ LARG NË MALE
Programi
kulturor veror “EtnoFest” në fshatin Kukaj, gjithnjë e më shumë, po e zgjeron
pjesëmarrjen e artistëve nga të gjitha trojet ku jetojnë e veprojnë
shqipfolësit. Sivjet, pjesë e festivalit ishin dyshja nga Zara:
etnomuzikologia, Dina Bushiq dhe kitaristja, Melita Ivkoviq
Nga
Sylejman Morina
Fshatin malor të
braktisur e afirmoi kultura
Kur
errësira e mbuloi fshatin kulturor Kukaj, dritat e neonit e shndrisnin çdo
pjesë të kompleksit artistik ku zhvillohej jeta kulturore e ’’EtnoFesti-t”. Ato
sikur donin t’i porositnin yjet, se ne këtu do ta largojmë errësirën, ndërsa ju
shndrisni malet dhe fushat për rreth.
Kudo
zotëronte gjallëri, disponim dhe fytyra të qeshura; gjithandej kompleksit
artistik në fshatin Kukaj.Aty prezantohej program i pasur kulturor, por nuk
mungonin as gatimet tradicionale. Në një hapësirë të caktuar lëviznin
vizitorët-dashamirët e artit, ngado shiheshin vepra arti, gjëra tradicionale
artizanale. Thjeshtësia këtu ngritët në lartësi artistike; shumica llojeve të
artit sikur ishin bërë bashkë në një vend, dhe krijonin një harmoni të bukur.
Vendi po merrte pamjen e një shenjtërie artistike. Pamje magjepsëse ngado që
silleshe. Nata krahëhapur sikur dëshironte që gjallëria të vazhdonte në pa
kufi.
Mbi
një dekadë ky fshat ka lënë pas pamjen e një fshati malor të lënë pas dore.
Përditë e më shumë po gjallërohet, sa nga ndërtimi i shtëpive dhe kasolleve
tradicionale, ku më shumë dominon tradicionalja, po aq edhe nga pasuria
kulturore që begaton këtë fshat. Por, shtrohet pyetja: meritë e kujt është ky
ndryshim pozitiv. Padyshim këtë fshat të harruar që e kishin lënë të shkretë
banorët e tij, nëse ka pasur mallkim për atë, e theu regjisori i njohur, Fadil
Hysaj, duke e futur në hartat e botës së artit dhe duke ia kthyer gjallërinë
dhe e duke ia dhuruar famën që s’e ka asnjë fshat tjetër.
Janë
13 vjet, përpjekje e investime të vazhdueshme të regjisorit Hysaj, dhe jo vetëm
atij, që të krijohet një ambient autokton për kulturë që të tërheq dhe të
përvetëson nostalgjia për traditën. Ai përmes manifestimit kulturor
“EtnoFfest”, gjithherë e kërkon përsosmërinë artistike, duke u bazuar në
trashëgimin që na lanë të parët tanë. Festivali ka një karakter multimedial me
një sërë programesh: shfaqje teatrale, ekspozita, koncerte, rite arkaike dhe
shfaqje bashkëkohore, promovime krijuesish etj.
Zaraset pjesëmarrëse të
programit
Dina
Bushiq dhe kitaristja Melita Ivkoviq
“EtnoFest-i”,
çdoherë befason me risi në program. Kësaj radhe pjesë e programit qenë
etnomuzikologia arbneshe Dina Bushiq me zërin e saj kumbues e të ëmbël dhe
kitaristja,e njohur Melita Ivkoviq. Ato
i trandën zanat e vjetra dhe të rejat të atyre maleve, më këngët të padëgjuara
më parë. Fjalë të një gjuhe që tingëllonin ndryshe, por që ngjallnin kërshërinë
e tyre. Zanat e reja u kërkonin shpjegime për fjalët e pakuptueshme zanave të vjetra.
Ato, atyre u thanë se këto fjalë janë të gjuhës ilire të kësaj ane, të cilat
qëmoti nuk i kemi dëgjuar. Por që na krijojnë nostalgji.
Jehonin këngët e vjetra
arbneshe
Dina
dukej krenare, siç janë arbneshet, por edhe kishte arsye të jetë e tillë, sepse
këndonte para njerëzve të gjakut të saj; e ndiente veten se nuk është në vend
të huaj; ishte në tokën e të parëve të saj, të stërgjyshërve ilirë, pra, nuk
ishte mysafire. Këngët e moçme arbneshe me bukurinë e tyre jehonin në qiellin e
hapur dhe depërtonin thellë në shpirtrat e etur të publikut për të dëgjuar
këngë arbneshe. Publiku i respektuar, që ishte i ulur në shkallët e gurit të
teatrit të hapur, krijonte imazhin e
zonjave e zotërinjve ilir të Butrintit apo Durrësit, duke shikuar
shfaqjet në teatrot e tyre. Flladi i mbrëmjes që zdirgjej nga kodrat ia
flladiste ballin artisteve nga ngrohtësia e brendshme e krijuar nga atmosfera e
këndshme.
Dina,
vetë i kishte gjurmuar këngët e vjetra arbneshe, duke i shpëtuar ato që kishin
mbetur në kujtesën e arbneshëve pleq e plaka nga zhdukja e sigurt; ajo e
ringjalli jetën e tyre, ua bëri të sigurt e të qëndrueshme. Dyshja nga Zara
tregoi profesionalizëm, nivel të lartë artistik, respekt ndaj publikut
artdashës. Dina, para fillimit të këndimit të këngëve me pak fjalë i informonte
publikun me njohuri për Arbanasin. Për këto vlera kulturore nuk kanë pasur
njohuri të gjithë arbneshët, e sidomos gjeneratat e reja, të cilët tani kanë
mundësi t’i dëgjojnë edhe t’i mësojnë. Gjatë historisë shumë degë ishin
shkëputur nga trupi arbënor, e, disa edhe ishin tharë; disa u bënë ballë
furtunave shekullore dhe po e dëshmojnë gjallërinë e tyre, si arbëreshet në
Itali e e arbneshët në Zarë.
Dina po e vazhdon
traditën e komunikimit me institucionet kulturore shqiptare
Dina
Bushiq
Etnomuzikologia,
Dina, bëri që të vazhdojë e tejkalojë plejadën e kufizuar të intelektualëve
arbneshë, që kishin krijuar kontakte me institucione a individë nga trojet
shqiptare, siç ishte prof. Aleksandër Stipçeviqi që kishte vizituar të gjitha
viset shqiptare. Akademik Pavle Deshpali kishte performuar në Kosovë, por që,
fatkeqësisht, Shqipëria kurrë nuk ia
kishte dhënë këtë mundësi .
Me
punime letrare në revistën “Jeta e Re”, me qarqet intelektuale, kishin
komunikuar: Josip Rela, Shime Deshpali, Budimir Peroviqi etj, të cilët edhe e
kishin vizituar Kosovën. Maksimilana Barançiq kishte mbajtur ligjëratë në
njërin nga “Seminaret e gjuhës shqipe për të huaj” në Prishtinë. Ajo,
bashkëpunon me disa intelektualë shqiptarë të Kosovës e Shqipërisë. Po ashtu,
është meritore për organizimin e kurseve të arbnishtes në Arbanas. Nga ana
tjetër, Josip Gjergja kishte punuar si trajner basketbolli në Prishtinë, etj.
Tani traditën po e vazhdon Dina.
Projekti që nuk është
dashur të deshtojë
Një
projekt i mundshëm kulturor që do të vinte nga Arbanasi do ishte Libreti “Nita”
i Budimir Peroviqit, me muzikën e bërë nga Luigji Mateshiqi, i planifikuar të
realizohej në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e që kishte dështuar; nuk do t’i them
të gjitha shkaqet pse ndodhi kështu, po e vë në pah vetëm një fakt: Luigji e
kishte sugjeruar Budimirin që teksti i libretit duhej domosdo të botohej, dhe
ishte botuar më 1977 në revistën letrare ”Jeta e re”, (“Nita” libret, 1977,
nr.5, faqe 971-997). Autori nuk ka qenë fare i informuar për botimin e tekstit
të tij. Kështu, në vitin 1981, ia kam dërguar një kopje të “Jetës së Re” që
rastësisht e kisha hasur. Sikur të njoftohej me kohë Budimiri më 1977, ky
aktivitet kulturor i dy arbneshëve do të realizohej qysh atëherë .
Pas
demonstratave studentore, më I981, në Prishtinë, arsimi dhe kultura ishin të
sulmuara, me të gjitha mjetet, nga nacionalizmi serb. Situata politike ishte
tejet e rënduar. Budimiri kishte menduar se serbët, dy arbneshëve dhe ekipit
nga Italia nuk do t’u lejohej shfaqja e libretit ”Nita”. Ai mendonte se libreti
duhej të përgatitet me arbneshët që jetojnë në Zagreb, pra ishte kategorik që
të realizohej projekti, por vdekja ia ndali procesin e realizimit të projektit
aq të dëshiruar.
Dina publikisht e ka
pranuar origjinën e saj arbneshe
Pamje
të fshatit të EtnoFestit
Të
kthehemi te Dina. Rruga e zgjedhur e Dinës doli të jetë triumfuese. Fitoi
dashuria ndaj origjinës së saj arbneshe. Publikisht ka treguar se nuk është
mëkat të pranojë se është me origjinë arbneshe dhe kjo nuk e pengon të jetë më
pak kroate.Këngën e moçme arbneshe e bëri që të dëgjohej në trojet shqiptare e
më gjerë. Me praninë e saj ajo e begatoi programin e “EtnoFesti-t”. Po ashtu
befasoi edhe publikun, duke kënduar këngën e njohur të arbëreshëve të Italisë,
“Moj e bukura More” që njihet edhe si himn i tyre.
Gjithsesi,
në të ardhmen në repertorin e saj, besoj se do të ketë edhe këngë të
shqiptarëve të Ukrainës, arvanitasve të Greqisë,si dhe këngë të vjetra të
trojeve shqiptare. Stafi i ambasadës kroate, që ishte i pranishëm, ishte i
entuziazmuar me suksesin e dyshes zarase. Ata, së bashku me Dinën e të tjerët
mund ta fuqizojnë bashkëpunimin kulturor me Kroacinë, sidomos duke i dhënë
hapësirë bashkëpunimi elitës kulturore arbneshe. Rrugëtim i mbarë artistik u
qoftë Dina Bushiqit dhe Melita Ivkoviqit në realizimin e projekteve të reja!