Kulturë
Mihal Gjergji: Mjerimi i poezisë
E premte, 08.09.2023, 06:34 PM
MJERIMI
I POEZISË
Nga
Mihal Gjergji
Para
shumë vitesh i kisha dhënë Driteroit një vëllim poetik për ta redaktuar. Poeti
zemërbardhë e bëri me kënaqësi. Në përfundim u takuam dhe më sygjeroi disa
ndryshime. Po përmënd vetëm një detaj. –Fjala “ndoshta”-ngjason si shprehje
agronomi, sikur ta bësh “ndofta”, është më poetike, apo jo? –Dakord, i
thashë…Isha te shtëpia e tij. Bujaria e sajdiste tavolinën, edhe bisedën. Dy
gotat e mbushura të rakisë më ngjasonin si varka lundrimi. E pse mos qëndronim
më gjatë sipër dallgëve dhe të vozisnim mbi të njejtat ujra? Ishin ndërhyrjet e
Sadijes që na kujtonte për të ruajtur masën...Në një moment e pyeta: -Të ka
ndodhur të pendohesh për një shkrim të cilin e ke publikuar? –Shumë herë, më
tha Driteroi, sidomos kur punoja gazetar dhe bëja reportazhe, portrete
sharrëtarësh apo minatorësh, shkrime problemorë…etj. Atëherë thoja; mbase s’e
lexon njeri. Gjëndja shpirtërore, arti konsiderohej detyrë (punë), emocionet që
s’mund t’i shmangësh, të gjitha ndikojnë, sodomos atëherë (para viteve ’90). –Po
me poezinë? –vijova bisedën. –Kam qëndruar para biblotekës apo te ballkoni i
shtëpisë mbasdite të tëra, kam nisur një poezi dhe s’e kam mbaruar dot, sikurse
më ka ndodhur të shkoj te “Lidhja e shkrimtarëve”, në zyrë apo te klubi në
hyrje, e gjatë pirjes së kafes kam shkruar vargje interesante që i kanë
rezistuar kohës. Askush s’e di se çfarë do shkruaj nesër, s’mund të
planifikosh. Magjija e krijimit s’varet prej nesh…Jo pa qëllim i solla këto
detaje nga biseda me Driteroin. Bota e artit është e mbushur me mistere. Një
tjetër poet i shquar, Xhevahir Spahiu, ndërsa flisnim për poezinë në takimet
tona të shpeshta, më ka thënë disa herë; -Unë shkruaj duke ecur rrugës, më
ndodh shpesh. Ti je në krahun tim, kthen kokën dhe s’më njeh më. Pikërisht kur
jam tjetërsuar, muza ka zbritut te unë…Edhe Lasgushi është shprehur në shkrimet
e tij se, një poezi e mirë mund të dojë edhe një vit për ta bërë…Poetit tjetër,
që unë e cilësoj si violina e baladave shqiptare, një ndër miqtë e mi të çmuar,
Koçi Petriti, elegjia brilante “Pas shpine mal, përballë det” i ka kushtuar 10
vite kohë, duke i qëmtuar fjalët me kujdes, si qelibari që vendosnin vezirët në
tespihe. Dhe i mbeti peng, që s’mundi ta recitonte vetë në një studio
televizive. Sa pak vend ka mbetur për artin! Këtë pikëllim ma shprehu dy javë
para se të ndahej prej nesh. Ishte kafja e fundit që pimë bashkë. S’trishtohej
vetëm për vete, këndonte plagët e Atdheut. Bëjuni kurreshtarë dhe lexoni pak
rreshta nga pena e tij mjeshtërore;
“O fis me dukë e kont e
mbret
Që shqip e gjuhë
Shekspiri flet
Pagan, pa fe, fetar
trefish
Me emër shpendi e shtat
hyjnish
Lypsar nuk je e dorën
shtrin
Të vdesësh do e s’gjen
qefin
Ti tokën shet e varrin
ble
Ke president e strehë
s’ke
Me perandorë ke bërë
krushqi
Lind çifligar e vdes
çifçi
E nën sulltan je
gjeneral
Në dheun tënd ç'bastard
fatal(!)
Ti, Geg e Tosk, shpend
dykrenor
Si pendë qe me nur
hyjnor
Si luledielli kryet
kthen
Andej nga drita e Zotit
vjen!”
Para
disa ditësh publikova disa vargje, një trill poetik me një të ftuar të zgjedhur
nga qytetërimi Persian. Në kohën time të kursyer hedh një sy portaleve,
kryesisht poezisë. Pikërisht këtë motiv e kishte rishkruar një fëmijë i plakur
(jo i vetmi) që bën vargje, por me një ndryshim. Në sofrën e tij të varfër u
kishte bërë vend gjithë mendjeve të ndritura. Problemi s’qëndron te vjedhja e
motiveve, tjetër gjë më shqetësoi. Ai s’ka thërrime për gojën e tij, çfarë do
shtrojë për miqtë e largët? E shumica e kalemxhinjve thurin vetëm vargje për
dashurinë. A thua se bukuroshet e botës mbajnë radhën te kasollja e tyre? Po
ato janë vetë poema, o mjeranë që s’dini të gdhendëni përjetimet tuaja. Me
gjuhën e popullit këto quhen 'gomaro punëra'- s'po them punë hajvanësh. Edhe
dashuria eshte dhimbje, por një dhimbje që e duam. Ajo ka dritë, e pikërisht
këtë dritë s'e shikoj në "poezitë" e provincialëve apo
"poeteve" që dëshirojnë të veshin sërish fustanin e bardhë të
nusërisë. Mote të shkuara, kur vija në vendlindje takohesha me burrat e veshur
me shajak dhe qeleshet e bardha (plisat), simbol i bardhësisë dhe lartësisë. E
gjithmonë provoja të njëjtat përjetime. Të duket sikur të presin e përcjellin
malet, jo njerëzit. Gjithmonë nguroja kur ulesha për të shkruar; për ata, për
nënat apo vajza e bukura, sepse, a do mundja t'i pikturoja ashtu siç janë, me
atë shtat, bukuri e shpirt mirësie? A mund të shkruash çdo ditë një poezi të
vërtetë? E pamundur. Edhe një në javë po ashtu. Nëse s'dini t'i falni bot?s
buzëqeshje, rrëmbeni prej saj. Përpiquni t'i ngjani natyrës.
"Rrjedh Bistrica,
e n'kalim,
ka një buzëqeshje
ua vjedh
kalimtarëve"
Janë
vargjet e Qerim Ujkanit, poetit nga Dardania. Sa më pëlqen ky mbiemër! Poeti ka
marrë me vete një pjesë nga karakollet e vendlindjes. A duhet të entuziazmohen
ata që botohen privatisht në Afrikë, Kinë apo Indi? S'besoj se janë kaq të
paditur sa ende s’kanë mësuar, që poezia ka lindur në brigjet e Mesdheut, e
nëse një ditë do vdesë, do jenë pikërisht këto brigje që do lartësojnë
piedestalin e emërave të ndritur. Ne s'kemi Lidhje shkrimtarësh, as Ministri
Kulture, që të promovojë kulturë (!). Po çfarë jemi ne në oqeanin e madh të
kulturës botërore? Një lumë i vogël që mëton të derdhet atje. Po në detin e
kulturës kombëtare? Gota uji, vetëm kaq. Para do kohësh, i kujtova Agim Shehut
dy nga poezitë e tij. Qeshi e me humor më tha: - Ato kanë mbetur si
"Shollët e xha Salikos". Agim Shehu ësht? poet i shquar liriko-epik,
por edhe intelektual me shëndet kulturor, që lufton për ndryshimin dhe e pranon
atë...Revolta ime për mediokrit rrjedh prej pakënaqësisë, jo prej “të drejtës”
si normë juridike. Unë s’jam Krishti të bëj predikime. E megjithatë, bota është
e madhe, ka vend për të gjithë, edhe për kukuvajkat. S’desha t’i lëndoja, por
unë s’shkruaj për ato (kukuvajkat), të paktën kështu besoj. Poezia eshte këngë
dhe kënga këndohet. Nëse fjala juaj s'bën muzikë në buzën e lexuesit, atëherë
trembuni. Nëse s'keni frikë si rracë shqiptari, atëherë turpërohuni sadopak. Po
i mbyll këto rreshta me atë thënien e njohur tashmë: "Fali zot, se s'dinë
ç'bëjnë!" Edhe pak mëshirë e meritojnë, domosdo. Më erdhi në ndihmë poeti
Jorgo Bllaci ndërsa mendohesha për të gjetur fjalët e duhura ngushulluese:
“Shtegëtar, që kalon
monopatit
Mos e nëm kukuvajkën e
shkretë!
Lëre zogn’ e përbuzur
prej fatit
Të këndojë pas qejfit të
vet!”
Tiranë, Shtator 2019