Kulturë
Rami Memushaj: Parathënie e fjalorit frazeologjik të gjuhës shqipe të Prof. Dr. Eshref Ymerit
E marte, 05.09.2023, 07:54 PM
Parathënie e fjalorit frazeologjik të gjuhës shqipe të Prof. Dr. Eshref Ymerit
Nga
Prof. Dr. Rami Memushaj
1. Gjuhët, sa më
të vjetra dhe sa më të hapura të jenë ndaj gjuhëve e kulturave të tjera, aq më
të pasura do të jenë jo vetëm në leksik,
por edhe në thënie e togje fjalësh të figurshme, përdorimi i të cilave i jep
laryshi e forcë shprehëse ligjërimit.
Edhe gjuha shqipe
nuk bën përjashtim nga ky rregull, duke na u paraqitur si një gjuhë mjaft e
begatë me thënie e togfjalësha të qëndrueshëm. Gjuhësia shqiptare i ka kushtuar
vëmendje edhe studimit të këtyre njësive, duke i mbledhur ato drejtpërdrejt nga
goja e popullit e nga burimet e shkruara, duke i studiuar dhe duke i sistemuar
në fjalorë. Shprehjet frazeologjike janë paraqitur në fjalorët dygjuhësh
shqip-gjuhë e huaj e anasjelltas dhe në fjalorët shpjegues të gjuhës shqipe,
veçanërisht në “Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe” (1980), që ka rreth 8 mijë
të tilla.
Frazeologjia
përbën një fushë të veçantë studimi, e cila sot njihet me emrin frazeografi.
Ajo është një degë e veçantë e leksikologjisë që ka si objekt studimi shprehjet
frazeologjike, ose frazemat. Me studimin e frazemave të shqipes janë marrë disa
gjuhëtarë, ndër të cilët shquhet akad. Jani Thomai, i cili për ndihmesat e tij
me studimet e botimet e posaçme për frazeologjinë, mund të quhet, pa e tepruar,
babai i frazeologjisë shqiptare.
Me krijimin e një
koncepti pak a shumë të qartë të frazemës, nisi edhe grumbullimi i këtyre
njësive dhe paraqitja e tyre në fjalorë. Kështu, më 1972 Mehmet Gjevori boton
në Prishtinë veprën “Frazeologjizma të gjuhës shqipe”, që është fjalori i parë
frazeologjik i gjuhës sonë, me 4 mijë shprehje popullore, fjalë të urta e
frazema, të vjela nga fjalorë e vepra të ndryshme; po edhe materiale të
mbledhura prej vetë autorit në Kosovë. Siç duket edhe nga titulli, autori nuk
ngurron t’i vërë titullin “fjalor” veprës së vet, por, i vetëdijshëm se pasuria
frazeologjike e shqipes është shumë më e madhe, e quan “fjalor i vogël
frazeologjik i gjuhës shqipe”.
Rreth dy
dhjetëvjeçarë më vonë, prof. dr. Jani Thomai, pas një vargu studimesh kushtuar
frazeologjisë, boton “Fjalorin frazeologjik të gjuhës shqipe” (Tiranë, 1999),
një botim i ri i të cilit është i vitit 2010.
Në këtë fjalor me
10.500 zëra, të hartuar duke u mbështetur në kritere shkencore, shpaloset për
herë të parë pasuria frazeologjike e shqipes. Megjithatë, edhe ky autor është i
vetëdijshëm se vepra e tij nuk e paraqet shterueshëm frazeologjinë e shqipes,
duke pohuar në parathënie se “si çdo vepër, edhe ky fjalor duhet parë si një
hap i mëtejshëm në këtë përvojë”.
Që frazeologjia e
gjuhës shqipe është shumë më e gjerë, këtë na e dëshmon vepra “Fjalor
frazeologjik i gjuhës shqipe” e prof. Eshref Ymerit, që po i jepet lexuesit.
Ky fjalor, me 4760
vatra kuptimore dhe me 19.300 zëra, paraqet në mënyrë më të plotë pasurinë
frazeologjike të gjuhës sonë. Megjithatë, as ky fjalor i ri nuk e shteron
pasurinë frazeologjike të shqipes, e cila është shumë më e madhe, siç mund të
shihet edhe nga krahasimi i këtij fjalori të ri me dy fjalorët frazeologjikë që
u përmendën më lart.
Eshref Ymeri na
vjen me këtë vepër pas një vargu fjalorësh frazeologjikë dy-gjuhësh, si “Fjalor
frazeologjik italisht-shqip” (me bashkautorë, 2007), me mbi 15 mijë zëra;
“Fjalor frazeologjik rusisht-shqip” (2015), me mbi 25 mijë zëra; “Fjalor
frazeologjik anglisht-shqip” (2019), me rreth 25.500 zëra; dhe “Fjalor
frazeologjik frëngjisht-shqip” (me bashkautor, 2021), me mbi 40 mijë zëra. Me
këto prurje ai na shpërfaqet si një ndër frazeografët tanë me kontribute të
spikatura në fushën e frazeografisë. Kemi pasur fatin t’i redaktojmë të katër
këta fjalorë dhe gjatë punës redaktuese na pati tërhequr vëmendjen numri i madh
i frazemave shqipe që jepeshin si përgjegjëse të frazemave të huaja. Duke qenë
të mendimit se e gjithë kjo pasuri nuk duhet të mbetej në fjalorë dygjuhësh, në
parathënien e fjalorit të fundit (Fjalor frazeologjik frëngjisht-shqip, Bota shqiptare,
Tiranë, 2021) jemi shprehur kështu:
“Do të ishte një
ndihmesë e çmuar për frazeografinë shqiptare, nëse profesori do të arrinte që
lëndën shumë të pasur shqip të këtyre fjalorëve frazeologjikë dygjuhësh ta
përdorte si bazë për hartimin e një fjalori të madh frazeologjik të gjuhës
shqipe. Ky fjalor do të shënonte kurorëzimin e punës së tij prej më shumë se
një gjysmë shekulli dhe do të përbënte një vepër monumentale për frazeologjinë
e gjuhës shqipe”.
Këtë sugjerim
tonin autori e mirëpriti, duke arritur që brenda një kohe të shkurtër të na
japë këtë vepër të re të madhe, e cila kurorëzon punën e tij 50-vjeçare në
fushën e frazeografisë. Lëndën për këtë fjalor e ka nxjerrë nga korpusi vetjak
i frazeologjizmave, i krijuar prej tij duke
filluar gjysmë shekulli më parë, me vjeljen e frazemave nga rreth 500
vepra letrare, politike e publicistike; nga fjalorë dygjuhësh shqip – gjuhë e
huaj ose gjuhë e huaj – shqip dhe nga fjalorë shpjegues e sinonimikë të
shqipes. Veç këtyre, ka shfrytëzuar edhe korpusin e fjalëve të urta të shqipes,
të nxjerrë nga botimi i Institutit të Kulturës Popullore “Fjalë të urta të
popullit shqiptar” (1983). Në këtë mënyrë, ai ka arritur të krijojë një
kartotekë shumë të pasur me shprehje frazeologjike, të cilën e ka pasuruar nga
viti në vit, duke ndjekur më vemëndje ligjërimin e shkruar e të folur.
2. Çështja e parë
me të cilën përballet kushdo që ka si qëllim të hartojë një fjalor
frazeologjik, është ajo se çfarë duhet të përfshihet në të. Për këtë problem,
mes frazeologëve ka pasur e ka diskutime lidhur me fjalët e urta dhe proverbat
nëse duhen përfshirë ose jo brenda frazeologjisë e, për pasojë, në kuadrin e
një fjalori frazeologjik. Në këtë pikë ndeshen një kuptim i ngushtë për
frazeologjinë, sipas të cilit në një fjalor frazeologjik duhen përfshirë vetëm
shprehjet e mirëfillta frazeologjike, me një kuptim të gjerë të termit, sipas
të cilit përfshihen edhe proverbat e fjalët e urta, togfjalëshat e ngulitur,
lokucionet etj. Autori i këtij fjalori anon nga qëndrimi i dytë. Për pasojë,
vërtet që në Fjalor vendin kryesor e zënë shprehjet frazeologjike në kuptimin e
ngushtë të fjalës, por veç tyre ka edhe një numër të konsiderueshëm fjalësh të
urta dhe proverbash, togfjalëshash të ngulitur, kryesisht të natyrës
terminologjike; lokucionesh lidhëzore, parafjalore e ndajfoljore, shprehjesh
modale (fjalë të ndërmjetme), madje edhe fjalë të veçanta me kuptim të
figurshëm e me vlerë frazeologjike, të cilat autori i merr si frazema. Ndër
fjalët e urta dhe proverbat janë përfshirë ato që kanë vlerë frazeologjike si
dhe ato fjalë të urta, pjesë të të cilave mund të shërbejnë si frazema më vete.
Këtu është fjala sidomos për ato fjalë të urta dhe proverba që dallohen për një
ngjyrim të theksuar kombëtar dhe që paraqesin vështirësi në procesin e përkthimit.
Në fjalor janë
përfshirë edhe 280 ndërkombëtarizma (shprehje me prejardhje biblike e
mitologjike, shprehje latine, shprehje që lidhen me ngjarje historike, me emra
personalitetesh historike ose shkrimtarësh të njohur etj.), të cilat përdoren
zakonisht në gjuhën e shkruar. Për këto frazema, përveç shpjegimit të kuptimit,
autori e ka quajtur të arsyeshme të japë edhe shpjegime të natyrës
enciklopedike, çka e tejkalon detyrën e një fjalori frazeologjik.
3. Në praktikën
tonë leksikografike janë mbajtur qëndrime të ndryshme për sa i përket zgjedhjes
së vatrës kuptimore të frazemave, domethënë të fjalës që mbart në vetvete
ngarkesën kryesore të kuptimit të frazemës. Në këtë fjalor, si vatër kuptimore
është zgjedhur përgjithësisht emri, pasi, sipas mendimit të autorit (qëndrim me
të cilin pajtohemi edhe ne), me “emrat fillon procesi i njohjes së realitetit
prej njeriut”, ndërsa pjesët e tjera emërtuese të ligjëratës tregojnë cilësi të
objektit (mbiemri), veprimin që kryen objekti (folja) ose të veprimit që kryen
objekti (ndajfolja). Si rrjedhim, mbiemri, ndajfolja e folja dalin si vatra
kuptimore më rrallë dhe vetëm në ndërtime të caktuara. Kështu, mbiemri shërben
si vatër kuptimore në frazemat ku shërben si kallëzuesor (p.sh., e ka zemrën të
ngushtë, e ka mendjen të plogët etj.) ose kur shoqëron foljen jam (p.sh., është
i plasur, është i kapërcyer etj.); ndajfoljet dalin si vatra në frazemat vetëm
me ndajfolje (p.sh., aq e kaq, gjallë e keq, lart e poshtë etj.) ose me
ndajfolje që ndjek një folje (p.sh., bëri poshtë, e ka keq, është plot, ra
ngushtë etj. ); ndërsa foljet janë marrë si vatra kuptimore vetëm në ato raste
kur frazema përmban vetëm folje (p.sh., të qoftë, del e tepron, shet e nuk blen
etj.) ose folje dhe fjalë joemërtuese (p.sh., nuk e kapi dot, s’është më, u pa
që etj.).
Në shprehjet të
cilat kanë përbërës që janë të barasvlershëm për nga pesha e ngarkesës
kuptimore, çka do të thotë që mund të shërbejnë si vatra kuptimore më vete,
është marrë si vatër kuptimore vetëm përbërësi i parë, p.sh.: gjella me kripë e
kripa me karar; kur mbiu tërfili, ngordhi kazili; lopa në mal, përsheshi në
vatër; të jep kaun në vorbë dhe shpatën pa dorëz etj. Për pasojë, në Fjalor
vetëm në ndonjë rast shumë të rrallë hasen shprehje të përsëritura dhe kjo në
ato raste kur autori ka qenë i mendimit se të dy emrat përbërës të shprehjes
mund të shihen si vatra të frazemës.
4. Një problem që
duhej zgjidhur, ka qenë ai se në ç’kohë dhe vetë duhej dhënë folja e frazemës.
Në këtë pikë, autori është larguar nga praktika e ndjekur në fjalorët
njëgjuhësh të shqipes, në të cilët foljet e frazemave jepen përgjithësisht në
kohën e kryer të thjeshtë. Ai ka parapëlqyer të kryerën dhe të tashmen, si kohë
me vlerë përgjithësuese, që e japin një cilësi si tipar të përhershëm të
bartësit të saj. Në këtë mënyrë, e kryera e thjeshtë përdoret vetëm në rastet
kur nuk flitet për një karakteristikë të përhershme, po “për një situatë
konkrete të së shkuarës”, në të cilën ndodhet papritur a pa dashur bartësi.
Për sa i përket
vetës, autori foljet i vë në vetën e tretë, si vetë që “mund të përdoret me një
kuptim vetor të papërcaktuar”. Veta e dytë është përdorur në Fjalor vetëm në
disa shprehje thirrmore, që shprehin urim a mospëlqim, si: bëfsh hair! Lëshofsh
mjekër! Qofsh me jetë! Ti qofsh si bën! Etj.
5. Fjalori është
mjaft i pasur me informacion plotësues, gjë që ia rrit së tepërmi vlerat
praktike. Kështu, mjaft të rëndësishme për përdorimin e fjalorit sidomos nga
shkrimtarët dhe përkthyesit janë shënimet stilistikore që shoqërojnë frazemat
për ngjyrimet vlerësuese, si: euf, iron, keq, mospërf, përb, përçm, tall, shak,
ur; për regjistrat e ligjërimit, si: bis, fëm, libr, lart, stud, thjeshtligj,
zharg etj.; për fushën e përdorimit, si: anat, astr, bujq, ek, etnogr, gjuh,
mjek, tek, zool etj.; për përdorueshmërinë e frazemës në gjendjen e sotme të
gjuhës (vjet); dhe për shtrirjen hapësinore (krahin).
Fjalorit ia rritin
vlerën praktike edhe shënimet e natyrës sintaksore të frazemës, të cilat ia
lehtësojnë përdoruesit lidhjet e saj me pjesën tjetër të fjalisë dhe me
kryefjalën e me kundrinat e duhura që duhet të marrë. Të tilla janë tregimi i
drejtimit të foljes, që bëhet me anë të ndërtimeve që ndjekin frazemën, si: mbi
dikë, me diçka, i dikujt, para dikujt, nga ana e dikujt; për dikë, prej dikujt;
për diçka, diku etj.; si dhe tregimi i valencës së foljes (dikush, dikë,
dikujt, dikujt dikë, dikujt diçka).
6. Autori është
përpjekur që çdo zë fjalori të përmbajë edhe sa më shumë informacion leksikor,
gjë që e ka bërë duke dhënë brenda një zëri variantet fonetike, morfologjike a
leksikore të një frazeme. Si pasojë e kësaj ngjeshjeje, është pakësuar sa ka
qenë e mundur numri i zërave, duke mos u fryrë Fjalori me variantet e
frazemave. Për këtë qëllim, për veçimin e varianteve të një frazeme janë
shfrytëzuar kllapat e rrumbullakëta, kllapat katrore presja dhe pikëpresja.
Brenda kllapave të rrumbullakëta jepen: (a) variantet fonetike, si: e prapmja
(e pasmja) me hair, flet (m)broçkulla etj.; (b) variantet morfologjike (forma
morfologjike të së njëjtës fjalë dhe fjalë të formuara me prapashtesa sinonime,
si: gjumin e ëmbël (gjumë të ëmbël), me ballë (me ballin) lart, i doli bese
(nga besa), hyri (ka hyrë) në mendime të thella, kot je mprehur (kot që
mprihesh) etj.; i foli (ia tha) haptas (haptazi), ka zënë një mike (mikeshë)
etj.; (c) variantet sintaksore që përftohen nga kthimi i një ndërtimi vepror në
pësor ose anasjelltas, si p.sh.: e ka lodhur jeta (është i lodhur nga jeta),
është i mendimit (ka mendimin) se... etj.; si dhe nga përmbysja e rendit të
gjymtyrëve të frazemës, si: të qoftë për hair (për hair të qoftë)!; është halli
se (halli është se)..., është pleh i zi (i zi pleh) etj.; (ç) fjalët sinonime
të pjesshme ose edhe të plota me një nga gjymtyrët e shprehjes, si: janë prush
në hi (në tokë, në dhe), në anë (në fund) të botës, bën (ndan) pleqësi, e
ngriti (e ngjiti) lart, i vari (i vuri) legenin, i dha (i futi, i kalli, i
shtiu) lemerinë, s’e merr (nuk e merr) me mend etj.
Për të ndarë
frazemat sinonime të një zëri përdoren rrallë kllapat e rrumbullakëta, p.sh.:
pikë e valë (pikë e vrer), e ka halë në sy (e ka si halën e peshkut në grykë)
etj. Por zakonisht përdoren presja dhe pikëpresja (kur brenda njërës frazemë
është përdorur presja), p.sh.: e ka marrë më qafë (e ka shkatërruar, e ka
rrënuar) kupa; miku i mirë (i vërtetë) njihet (duket) në të vështirë (në ditë
të vështirë, në rrezik); miku njihet që është mik, në të keq e në rrezik etj.
Nganjëherë vargjet
e formave sinonime janë të gjata, çka do të thotë që secila prej tyre mund të
bëhet gjymtyrë e një frazeme të veçantë, p.sh.: ka mbetur si guri në ujë (në
lumë, në pellg, në mes të pellgut, në zall); bredh (endet, hallavitet,
kapistallet, mbetet, pistallet, sorollatet) rrugëve; jo vetëm format sinonime,
po edhe shprehjet sinonime me të njëjtën vatër në mjaft raste formojnë vargje
të gjata, p.sh.: e kanë mbytur (e kanë mundur) hallet [e kanë vënë hallet
përpara, është (gjendet, ndodhet) në hall, është në ditë (në pikë) të hallit,
është katandisur në ditë të hallit, është për t’i qarë hallin, është me shumë halle,
i kanë rënë hallet mbi kokë, ka një mal me halle] etj.
7. Kuptimi i
frazemave në Fjalor është shpjeguar me mënyra të ndryshme: herë duke zbërthyer
përmbajtjen (nganjëherë shoqëruar edhe me shpjegime shtesë për rrethanat kur
përdoret një shprehje e caktuar), herë duke perifrazuar, herë duke përdorur
frazema sinonime, herë në mënyrë të kombinuar (me shpjegim dhe me frazema
sinonime), po më së shpeshti duke përdorur vargje sinonimike frazemash. Për
frazemat me prejardhje fetare, mitologjike, historike ose të përdorura nga
personalitete të shquara (politikanë, shkrimtarë) tregohet se në cilat
kontekste mund të përdoren.
Kur dy a më shumë
frazema sinonimike dalin në Fjalor si zëra të veçantë, autori në asnjë rast nuk
e ka quajtur me vend t’i drejtohet praktikës së referimit me shih. Kjo praktikë
referimi është përdorur shumë rrallë dhe vetëm për motivimin e shprehjeve
sinonimike me prapavijë të njëllojtë etimologjike.
Gjuha shqipe është
mjaft e pasur me frazema që mund të përdoren për të karakterizuar të njëjtën
vetë, dukuri a situatë, duke krijuar në këtë mënyrë vargje sinonimike.
Pikërisht, frazema të tilla janë shpjeguar në Fjalor me vargjet sinonimike
përkatëse. Në këto raste, autori e ka quajtur me vend që të radhitë sa më shumë
barasvlerës të një frzaeologjizmi, pavarësisht nga ngjyrimi i tyre stilistikor,
qoftë i natyrës funksionale, qoftë i natyrës emocionore. Janë të shumta
frazemat e këtij fjalori të cilat shpjegohen me vargje sinonimike që përmbajnë
me dhjetëra e dhjetëra shprehje. Kjo mënyrë shpjegimi i ndihmon përdoruesit e
Fjalorit, sidomos shkrimtarët e përkthyesit, që të zgjedhin për të përdorur në
veprat e tyre atë barasvlerës që e quajnë më të përshtatshëm për të
karakterizuar një situatë, një vetë a një cilësi të një vete, në varësi të kontekstit
ose të stilit të ligjërimit.