Kulturë
Sevdail Hyseni: Libri me aforizma i Halim Hasanit, vjen edhe në gjuhën angleze
E diele, 03.09.2023, 07:44 PM
Libri me aforizma i Halim Hasanit, vjen edhe në gjuhën angleze
Nga Sevdail Hyseni
Këto
ditë, doli nga shtypi libri me 1500 aforizma, i autorit Halim Hasani, përkthyer
në gjuhën angleze nga Avni Islami, i cili u botua në kuadër të shtypshkronjës
“Lena Graphic” në Prishtinë.
Autori
nga Dobrosini, Komuna e Bujanocit, Halim Hasani, tashmë është i njohur në
letrat shqipe, me krijimin e aforizmit, njërit nga zhanret më deficitare të
letërsisë shqipe. Ai, deri më tani, ka botuar, jo më pak se 10 libra me
aforizma, të cilat vitin e kaluar i përmblodhi brenda kopertinave të librit me
titull: “4000 Aforizma” (Fjalë të urta, konstatime, shprehje frazeologjizma
etj.).
Nga
kjo vepër janë nxjerr 1500 aforizma dhe janë përkthyer në gjuhën angleze, e që
sipas Hysen Këqikut, drejtues i Shtëpisë Botuese “Kurora”, në Gjilan, njëherit
edhe redaktor i librave me aforizma të Halim Hasanit “Përkthimi i 1500
krijimeve, që gjuhën shqipe e bëjnë të artë dhe hyjnore, në gjuhën angleze,
është një pranim dhe bindje për një punë kolosale të këtij autori. Urime edhe
për profesorin e gjuhës angleze Avni Islami, që e përktheu këtë libër në gjuhën
angleze, duke e bërë një punë fisnike dhe shumë të vyeshme. Ky libër do të
fluturojë gjithkund ku e ka vendin....”.
Kritika
letrare krijuesin e aforizmave Halim Hasani, shpesh e ka quajtur legjendë e
aforizmit, mjeshtër dhe epitete të tjera meritore, të cilat, ai, i ka gëzuar me
një punë të palodhshme disa dekadash, duke nxjerr në dritë librat, jo vetëm me
përmbajtje aforistike, por edhe publicistike, e që mbajnë titujt: Libri i parë
i tij mban titullin “Aforizma të kohës”, që e pa dritën e botimit, në vitin
1993, për të vazhduar me librin e dytë “Dobrosini kështjellë e rezistencës
kombëtare” ( 2003), më pas me “200 aforizma” (2005), “Në mes historisë dhe
legjendës, Dobrosini, skicë monografike” (2006), “Aforizma bashkëkohor” (2008),
“Yjet e lirisë” (2010), “Aforizma” (2010), “Fjalë nëpër kohë” (2012), “Ylli i
vogël” (2012), “1021 aforizma” (20012), “Fjali pa mahi” (2013) dhe “Aforizma
2400” (2016), për të vazhduar me librin e radhës në vazhdim “ 3000 aforizma”
(2019) dhe i ky i fundit “4000 Aforizma” (Fjalë të urta, konstatime, shprehje
frazeologjizma etj.)(2022).