Kulturë
Themi J. Tushe: Tre kazinotë e Fierit gjatë viteve 1930, u bënë qendra të rëndësishme të folklorit dhe këngës së bukur myzeqare
E hene, 28.08.2023, 07:53 PM
Tre kazinotë e Fierit gjatë viteve 1930, u bënë qendra të rëndësishme të folklorit dhe këngës së bukur myzeqare
Nga
Themi J. Tushe
Qyteti i
Fierit
Duke filluar qysh nga
lashtësia, kur Myzeqeja jonë, perla e bukurive të mëdha të Adriatikut quhej me
emrin e saj të moçëm Taulanti, kjo trevë ka qenë një krahinë shumë e zhvilluar
për ato kohëra dhe mjaft e përmendur në të gjithë botën.
Në qytetet e saj antike me
famë si Apollonia, Arnisa, Adria, Daulia(Daullasi), Dimali, Portëza,(Porti),
Mbyeti, Dasareti, Pirgu, Spinarica e tjerë, lulëzuan arti, kultura, skulptura,
piktura, oratoria, folklori, sportet dhe mjaft shkenca të tjera.
Thesare të shumta të këtij
qytetrimi të lashtë, i të parëve tanë, që egzistonte qysh para mijëra vjetësh,
por edhe ato të Mesjetës, kanë mbritur deri në ditët tona dhe tashmë, për
vlerat e tyre të ç’mueshme që bartin janë bërë pjesë e kulturës botërore.
Në universitetin famoz të
Apollonisë së Myzeqesë, vinin student nga e gjithë bota e atëherëshme, mjaft
prej të cilëve në auditoret e tij u bënë profesor, dijetar, artist dhe
historian të dëgjuar, që lanë pasë një emër të ndritur, por edhe ushtarak të
zot, të asaj periudhe të largët.
Tek ky universitet i
dërgonin fëmijët e tyre për të marrë njohuri të thella shkencore, dije në
fushat e bukura të artit dhe një kulturë të gjerë e të përparuar, vetëm familje
të pasura dhe shtresat e larta të asaj shoqërie, por edhe lider të mëdhenj
ushtarak që drejtonin perandorinë dhe ushtritë e saj.
Këtu, në këtë qytet të
lavdishëm dhe hijerëndë myzeqaro-ilirian, plot kulturë, stoli dhe skulptura
mermeri, studioi për disa vjetë edhe Oktavian Augusti, një nga perandorët më të
dëgjuar të Romës së Lashtë, i cili në shenjë respekti e dashurie për të dhe
popullin e saj artdashës, i akordoi Apollonisë edhe një status të veçantë
vetqeverisës dhe tepër të privilegjuar gjatë periudhës së mbretërimit të tij.
Megjithëse forcat e mëdha të
natyrës, por edhe okupatorët e shumët që u derdhën vazhdimisht nëpër shekuj mbi
këtë krahinë u sollën keq me atë, duke e dënuar dhe dëmtuar mjaft rëndë këtë
trevë iliro-pellazgjike kaq të zhvilluar e me histori të ndritur, por kultura,
arti, folklori, muzika dhe sidomos këngët popullore e vallet epike të kësaj
treve, nuk u shuan kurrë.
Ato mbijetuan për qindra e
qindra vjetë me radhë, tek populli ynë i mbrekullueshëm myzeqar me shpirt
artisti, dhe u përcollën nga njeri brez në tjetrin, duke mbritur deri në kohët
e sotme.
Trashëgimnia e këtij
folklori kaq të pasur e me rrënjê që nga lashtësia, ka një vazhdimësi të
pandërprerë qysh nga ato kohëra të herëshme dhe ajo gjendet pothuajse në të
gjithë krahinën e Myzeqesë.
Kjo trashëgimni e madhe ka
një shtrirje dimensionale mjaft të gjerë dhe fillon që nga fshatrat Spille,
Rreth-Greth, Vilë e Boshtovë në veri, vazhdon në Divjakë, Lushnje, Kuçovë,
Libofshë ( Karatoprak), Fier, Pojan, Shën Pjetër, Bishan, Pishë Poro dhe
përfundon në perlën e bukurive të Nartës, që kufizohet me qytetin e Vlorës, në
jug.
E tërë kjo pasuri kaq e vyer
folklorike shfaqet dukshëm edhe sot me të gjitha format e egzistencës së saj
dhe me një repertor mjaft të larmishëm, duke nisur që nga krijimtaria vokale,
(një zëshe, apo shumë zëshe-polifonike), krijimtaria instrumentale dhe deri tek
vallet e vjetra qindra vjeçare, të cilat kërcehen edhe tani aq bukur nëpër
Myzeqe.
Populli Myzeqar, me një
qytetërim të lashtë, megjithëse i okupuar e robëruar, por kurrë i nënshtruar,
ai ka bërë vazhdimisht një jetë prej artisti. Njerëzit e kësaj krahine, nuk
janë ndarë
kurrë, për asnjë çast nga
arti, sporti, oratoria, humori, teatri , muzika, dhe sidomos nga kënga e ëmbël
myzeqare e vallet e tij të mbrekullueshme, porsi ato valët e detit plot bukuri,
të cilat nën shoqërimin e fyejëve, borive, defit, daulleve dhe melodive të
instrumentave të tjera autoktone muzikore, ishin dhe mbetën perla të vërteta të
kësaj treve artdashëse .
Ja si i përshkruan vlerat e
mëdha folklorike të Popullit artdashës Myzeqar rilindasi i madh, dijetari,
ideologu, folkloristi, ekonomisti dhe shkrimtari ynë Zef Jubani (1818-1880), që
i njihte mjaft mirë dhe i respektonte aq shumë myzeqarët:
“…Emri Myzeqe vjen nga emri
Muzikë …banorët e Myzeqesë, janë të prirur nga Muzika…Filozofët tanë të vjetër
zbuluan praninë e saj tek ata(myzeqarët) dhe prandaj i kushtuan Perëndisë së
Muzikës qytetin e Pojanit mbi brigjet e Adriatikut dhe e ngritën atë për të
qenë si mësim dhe si model për kombin e vet dhe për popujt e huaj…banorët e
atyre vendeve e mbajnë me vehte emrin myzeqar, që donë me thanë, njerëz të
prirur ka muzika, të cilët i përgjigjen edhe sot me fakte këtij tributi
tradicional… Kur shpirti i tyne tronditet nga misticizmi i muzikës, shihen si
të dehur deri në ekstazë dhe atëhere duket çasti me të cilin improvizojnë këngë
sipas shijeve kombëtare me koncepte të madhnueshme dhe të jashtëzakonshme, tue
ua përshtat melodinë e ëmbël dhe prekse në mënyrë origjinale… Këngët e Myzeqesë
janë nga më të mirat dhe nga më të kërkuemet e këtij kombi…”.
Dhe kishte shumë të drejtë
ky erudit shkodran me analizat dhe konkluzionet e tij të sakta shkencore për
Myzeqenë. Ai si një dijetar i përmasave të mëdha, i ishte referuar pikërisht
mitologjisë klasike iliro-pellazgjike, të përvetsuar e vjedhur nga okupatorët
greko-sllav, e cila na tregon qartë edhe për hyjnorin më të rëdësishëm të botës
antike me emrin Apolon, (të birin e Zeusit), që ishte Perëndia e Muzikës, e
Arteve dhe e Poezisë. Jo më kot në zemër të Myzeqesë, mbi dy kodra me bukuri
magjike, pran detit dhe buzë lumenjëve, ne gjejmë emrat e dy hyjnorëve, vëlla e
motër, atë të Apolonit dhe pran tij Artemidën(Ardenicën e sotme). Të parët
tanë(pellazgo-ilir) i prunë dhe i ngritën mbi piedestale natyrore këto dy hyjni
në Myzeqe(Taulanti), sepse ishin njerëz të artit, të muzikës, poezisë, por edhe
të punës. Në antikitet njerëzit preferonin më tepër ato hyjni, që u
përshtateteshin më mirë zakoneve, traditave dhe shijeve për plotsimin e
nevojave të tyre shpirtërore. Taulantët, duke jetuar në një trevë mjaft të pasur
si Myzeqeja dhe të dhënë shumë pas argëtimit, artit dhe muzikës, por edhe
trimërisë, preferuan Hyjnorin Apolon, Perëndinë e Muzikës, që ta kishin në
shtëpinë e vet, duke lartësuar kështu edhe më shumë emrin e tyre në ato
periudha tepër të herëshme.
Po kështu edhe diplomati,
shkrimtari, fizikanti, historiani dhe konsulli francez pranë Ali Pashë
Tepelenës, Français Pouqueville (1770-1838), që i njihte jo pak historinë,
kulturën, artin dhe famën e myzeqarëve, kur flet për këta dhe cilësitë e tyre,
ndër të tjera ai ka shkruar:
“…Gratë myzeqare dhe të
rrafshit të Tomorrit, janë thesare me vlera të vërteta bukurie për kurorën e
dashurisë…me sy të mëdhenjë, të kaltër e të ndriçuar me flakë qiellore, me
flokët gështenjë në të verdha, hundë të hollë, gojë të ëmbël…me lëkundjet e
tyre trupore, elegante dhe të ndjeshme, me finesën e këmbeve të tyre, çdokush
mund ti marrë për Perëndesha të Lashtësisë, apo Nimfa, me të cilat profeti
zbukuroi parajsën kur priste miqët e tij më të nderuar…të gjitha shfaqen si
prototipe të përkryera të bukurisë…toskët janë rraca më e bukur ndër tërë
shqiptarët, janë rracë burrërore, luftarak, mikpritës, këmbngulës, besnik ndaj
miqëve dhe aq të fort, sa është vështirë ti lëvizësh nga vendi i tyre…”.
Populli vital i kësaj
krahine, plot me virtyte të larta e gjithëfarë zakonesh të bukura, u qëndroi
gjithmonë besnik traditave të veta, të cilat mbetën bashkëudhëtare me të, në
githë jetën e tij.
Myzeqari edhe kur shkonte në
luftë, apo në arë për të punuar, mbrëmjeve në stane, ose duke ruajtur e kullotur
tufat e bagëtive nëpër fushat e tij të lulëzuara, anës së lumenjëve plot me
ujëra të ftohta malesh dhe brigjeve të detit gjithë freski e kaltërsi, atë e
shikoje gjithmonë me fyej në dorë dhe këngë në gojë. Ai i ka kënduar
vazhdimisht gjithë pasion bukurive pafund të krahinës së tij, heronjëve e
trimave të rënë nëpër luftra e beteja për liri, dashurisë dhe sidomos vashës
myzeqare, kësaj shtojzavalle me flokët e saj gështenjë në të verdha dhe me sy
të kaltër, që shquhet për zgjuarsinë, nazet, inteligjencën, elegancën, finesën
dhe bukurinë e saj të rrallë.
Janë të shumëta këngët e
vjetra të kësaj krahine, që vijnë qysh para qindra vjetësh dhe na flasin edhe
sot për bukurinë, trimërinë dhe oratorinë e vashave myzeqare.
Ndër këto këngë, ne mund të
veçojmë dy perla të kësaj treve, që gati po shuheshin përgjithmonë prej
kujtesës së popullit tonë, nga errësira e gjatë nën robërinë turke, si ajo e
Bukuroshes së Strumit dhe Çupës së Pojanit. Ato u kushtohen dy vajzave të
bukura myzeqare, të cilat, ashtu si dikur gratë e Sulit, e mbrojtën me kobure
në dorë dhe trimëri nderin e vet, të familjes dhe kombit të tyre, për të mbetur
kështu përjetësisht të gjalla në mendjen dhe zemrën e çdo myzeqari.
Ndërsa Bukuroshja e Strumit
u ringjallë rastësisht përsëri, nga ndërhyrja e një lideri diktatoro-proletar,
e i gjithëpushtetshëm, Çupa e Pojanit vazhdonte rrugën e saj nëpër humnerën e
harresës pa kthim, për të humbur përgjithmonë.
Falë dëshmive të disa
burrave të nderuar nga fshati Pojan i rrethit Fier, si mësuesi i talentuar,
veprimtari dhe këngëtari popullor Mihal Stefan Gjeçi, Mihal Lena, Ndoni
Rrezhdo, Nasi Golemi, Koçi Mandro, Andrea Kili Dimo, Jorgji Tushe, Aleks Loni
Gjeçi, Mihal Prevazi e shumë të tjerë, që hodhën dritë me tregimet e tyre për
këto akte trimërie të pashoqe, të dëgjuara prej të parëve të vet, sot ne kemi
një informacion disi më të qartë rreth ekzistencës së tyre dhe këngëve kushtuar
këtyre dy heroinave myzeqare.
Nuk po merrem fare me
mendimet e ndonjë intelektuali arkaik e nihilist, apo paranojaku krahinor, të
cilët mund të thonë, se këto ngjarje trimërie nuk kanë ndodhur në Myzeqe. Sot e
kam të lehtë përgjigjem ndaj tyre, pasi ne tani më shumë i besojmë kujtesës se
popullit tonë, gojdhënave, tregimeve dhe këngëve të tij, sesa njerëzve të tillë
të painformuar, apo përrallave pa ndonjë vlerë shkencore të disa
pseudohistorianëve tanë të Tiranës, të cilët vuajnë ende sëmundjen e rëndë të
verbërisë dhe sklerozës, prej leksioneve antishqiptare të shkollës
greko-ruso-sllave mbi historinë.
Tashmë dihet shumë mirë nga
të gjithë ne, se historia e kësaj treve dhe e gjithë trojeve tona nuk është
shkruar fare, sepse shqiptarët janë përdjekur, burgosur, dënuar e vrarë pa
mëshirë, edhe pse mësonin gjuhën e vet e jo më të shkruanin historinë e
krahinës, apo të kombit të tyre.
Aktet e larta heroike të
liderëve tanë kryengritës myzeqar Mihal Kërraba, Nikoll Lushi, Martin Kolashi,
Bartol Palesi më 1603, ai i Alush Frrakullës e Filip Zhukës më 1835, por edhe i
kapedanëve Gori Myzeqari, Trifon Lala, papa Jorgji Karavastaja, Jorgji Perriu,
Mançe Malko, Sul Sinani, Met Roshe më 1840, në këto tre beteja të lavdishme
kundër Perandorisë Osmane e të tjera, të mbetura në errësirë dhe zbuluar vetëm
kohët e fundit, janë dëshmitë më të sakta, që na tregojnë ne për dhunën e madhe
të përjetuar nga populli ynë gjatë asaj periudhe.
Po kështu edhe kalvari i
vuajtjeve të rilindasve tanë të mëdhenj fierak, si Kostandin Minga, Jani
Kostandin Minga, at Irakli Pylli(papa Isai), Llazi Spiro të Shën Pjetrës, Jovan
e Zoi Ndreko të Libofshës, At Ikonom Kozma Dhima e papa Spiro Saqellari të
Kolkondasit, hoxha i Radostinës (Ujëmirës) Ymer Driza”Hoxha”(1867-1941) e
qindra të tjerë, para, gjatë dhe pas shpalljes së pavarsisë, që ende nuk janë
zbardhur plotsisht, ka qenë tepër i pashembullt.
Të gjitha këto fakte, por
edhe mijëra ngjarje si këto, na rrëfejnë më së miri, se kush ishte okupatori
turk, përse erdhi në Ilirik(jo Ballkan) dhe çfarë masakrash e terrori ka bërë
ai për pesë shekuj ndaj myzeqarëve të krishter, artit, kulturës, folklorit dhe
historisë së tyre, por edhe kundër tërë Kombit Shqiptar.
Ja disa nga këngët e
humbura, që janë shkruar përsëri mbi bazën e kujtimeve të disa myzeqarëve nga
Andy Apolloni për këto dy vajza trimëresha dhe për dy trima të tjerë, të cilat
kanë zënë një vend të nderuar edhe në librin”Këngët e Bilbilëve të Myzeqesë” të
këtij autorit, i cili po përgatitet së shpejti për botim.
Bukuroshe
e Strumit
Bukuroshe e Strumit.
———————————
1.
Shkoje anës lumit
Dhe hidhëshe ne vah
Bukuroshe Strumit
Me shtëma në krah
Koburen në brez
Fshehur nën kërma
2.
Te burimi vije moj
Çdo darkë dhe sabah
Bukuroshe Strumit
Me shtëmat në krah
Koburen në brez
Fshehur nën kërma
3.
Ç’bukuri të rrallë
Zoti se ç’ të dha
Bukuroshe Strumit
Me shtëmat në krah
Koburen në brez
Fshehur nën kërma
4……
13.
Ngrije pak shaminë
Përmbi vetulla
Bukuroshe Strumit
Me shtëmat në krah
Koburen në brez
Fshehur nën kërma
14.
Ta shoh bukurinë
Por si luleja
Bukuroshe Strumit
Me shtëmat në krah
Koburen në brez
Fshehur nën kërma
15…..
19.
Oficeri turk
Një ditë se ç’të pa
Bukuroshe Strumit
Me shtëmat në krah
Koburen në brez
Fshehur nën kërma
20.
Nga pas se ç’tu qep
Edhe nuk tu nda
Bukuroshe Strumit
Me shtëmat në krah
Koburen në brez
Fshehur nën kërma
21.
Mos më prek me dorë
Turçelisë i tha
Bukuroshe Strumit
Me shtëmat në krah
Koburen në brez
Fshehur nën kërma
22.
Shpejt koburen nxorri
Dhe në ball ç’i ra
Bukuroshe Strumit
Me shtëmat në krah
Koburen në brez
Fshehur nën kërma
A J. A
Çupa e Pojanit
———————-
1.
Çi kish dalë nami
Në gjithë njerëzinë
Çupa e Pojanit
Si ylli që ndrinë
Shqiponjë e vatanit
Nderoi tërë nahinë
2.
Nëna ja kish falur
Pa masë bukurinë
Çupa e Pojanit
Si ylli që ndrinë
Shqiponjë e vatanit
Nderoi tërë nahinë
3.
Zoti ja patë dhënë
Edhe trimërinë
Çupa e Pojanit
Si ylli që ndrinë
Shqiponjë e vatanit
Nderoi tërë nahinë
4.
Rrugës tek burimi
Se ç’ja zunë pusinë
Çupa e Pojanit
Si ylli që ndrin
Shqiponjë e vatanit
Nderoi tërë nahinë
5.
Një zabit ja mori
Përmbi kokë shaminë
Çupa e Pojanit
Si ylli që ndrin
Shqiponjë e vatanit
Nderoi tërë nahinë
6.
Menjëherë nga brezi
Nxori shpejtë alltinë
Çupa e Pojanit
Si ylli që ndrin
Shqiponjë e vatanit
Nderoi tërë nahinë
7.
Dhe në tokë e shtriu
Zabit osmanllinë
Çupa e Pojanit
Si ylli që ndrin
Shqiponjë e vatanit
Nderoi tërë nahinë
A J. A
Kënga e Rrapos
————————
1.
Se ç’i hipe kalit dhe e le
Zhavar’ë
Koburja në bres, ndriste
tërë ar
Lule trim o Rrapo
O djalë myzeqar
2.
Dhe në Fier u sose, duke
fluturuarë
Zbrite që nga shala dhe
ndeze cigar
Lule trim o Rrapo
O djalë myzeqar
3.
Aty se çu poqe me ca
taksidarë
Bashkë me ta na qenë dhe ca
tradhëtar
Lule trim o Rrapo
O djalë myzeqar
4.
Që kudo nga shkonin, bënin
si të marrë
Dhe grabisnin njerëzit,
njësoj si kusar
Lule trim o Rrapo
O djalë myzeqar
5.
Kur ti drejt burimit ishe
duke shkuarë
Tyja se çtë panë dhe të janë
afruarë
Lule trim o Rrapo
O djalë myzeqar
6.
Mos pi ujë këtu, të thanë
këta zuzarë
Unë do pi u the, se këtu jam
i parë
Lule trim o Rrapo
O djalë myzeqar
7.
Do ti jap dhe kalit, se për
ujë është tharë
Dhe pastaj të pij, kush të
vij me rradhë
Lule trim o Rrapo
O djalë myzeqar
8.
Por këta të krisur, mbenë të
turpëruarë
Dhe e ngritën zërin, ty duke
të ngarë
Lule trim o Rrapo
O djalë myzeqar
9.
Mu në mes të Fierit, brenda
në pazar
Së ç’ja nise sherrit me këta
qyqar
Lule trimi o Rrapo
O djalë myzeqar
10.
Dhe tek ti dyfektë, se ç’na
i drejtuanë
Menjëherë i shkrepën, gati
sa të vranë
Lule trim o Rrapo
O djalë myzeqar
11.
Shpejt nxore koburen, dy të
vdekur ranë
Dhe pesë i plagose, me vigje
i çuanë
Lule trim o Rrapo
O djalë myzeqar
12.
Të tjerët ç’ja mbathën,
vrapit se ç’ja dhanë
Por njëzetë xhandar, shpejtë
të rrethuanë
Lule trim o Rrapo
O djalë myzeqar
13.
Koburen ç’ja dhe, një plaku
xhanan
Në thes shpejt ja fute,
brenda në duhan
Lule trim o Rrapo
O djalë myzeqar
14.
Kur mbritën tek ti, kobure
s’të panë
Dhe njerëzit për ty, asnjë
fjalë, nuk thanë
Lule trim o Rrapo
O djalë myzeqar
15.
Dhe pastaj xhandarët, ikën
dhe të lanë
Ata nuk të prekën, as me
dorë, s’të nganë
Lule trim o Rrapo
O djalë myzeqar
16.
Se ç’i hipe hatit, porsi
kapedan
Dhe shpejt i the ecë e ngave
revan
Lule trim o Rrapo
O djalë myzeqar
17.
Në shtëpi sa mbrite e gëzove
fshan’ë
Lajmi se çu hap, mori tërë
dynjanë
Lule trim o Rrapo
O djalë myzeqar
18.
Shtatë shok kaçak, se çtu
gjendën pranë
Të thanë të lumt dora,
nderove vatan’ë
Lule trim o Rrapo
O djalë myzeqar
A J. A
Kaçak Tasi me manxerrë
—————————————
1.
Ndër milet qe shumë i ndjerë
Ngrite shtëpi edhe në Fier
Shkallët i bëre me mermer
E thure përqark me tel
Kaçak Tasi trim
Trimi me manxerrë
2.
Dhe të gardhi vure derë
Prisje miq me shumë vlerë
Ta kishin frikën bejler’ë
Kurrë nga ata, spate qeder
Kaçak Tasi trim
Trimi me manxerrë
3.
Me dovletin gjithmonë sherr
Ta rrethuan shtëpinë një
herë
Gardh e bënë me asqer’ë
Krisi luftë e paprerë
Kaçak Tasi trim
Trimi me manxerrë
4.
Kokën lanë disa të mjerë
Vet zabiti shkoi si derr’ë
Shumë ja mbathën nëpër terr
Drejtë Beratit shkuanë si
erë
Kaçak Tasi trim
Trimi me manxerrë
5.
Në Ardenicë e kishe folenë
Bashkë me shumë burra të
tjerë
Shtyre pushkë për Mëmëdhenë
Na e nderove Myzeqenë
Kaçak Tasi trim
Trimi me manxerrë
A J. A
Myzeqeja si një krahine ku
jetonte një popull me besim fetar i krishter, ku çdo fshat ka patur edhe kishën
e tij, që drejtoheshin nga pesë manastiret e saj të mëdha si ai i Apollonisë,
Ardenicës, Kolkondasit, Sheqishtes dhe Zvërnecit, të cilat kishin edhe shkollat
e tyre në gjuhën greke me mësonjës priftërinj shqiptar, bënte një jetë më të
përparuar, të organizuar dhe me aktivitete të pasura kulturoro-artistike.
Shfaqet, koncertet, këngët,
humori, lodrat popullore dhe vallet e bukura myzeqare me sensin kombëtar, të
shoqëruara edhe nga grupet e sazeve, fyejëve, defave, daulleve e tjerë , që
zhvilloheshin nëpër dasma, ditë të shënuara shenjtorësh, gëzime familjare dhe
festa, të cilat ishin të vazhdueshme në jetën e myzeqarit, si dhe urrejtja e
madhe ndaj okupatorit turk, e bënin këtë krahinë që të dallohej dukshëm në çdo
drejtim nga trevat e tjera shqiptare.
Në shkollën e kishës së
Manastirit të Apollonisë, mësonjësi dhe rilindasi ynë i shquar myzeqar
Kostandin Minga(i ati i Jani Mingës), zbuloi këngëtarin brilant, bilbilin e
Myzeqesë Llazi Spiro, nxënësin e vet, tek i cili ndikoi shumë edhe në formimin
e tij si një patriot e luftëtar i madh.
Ura e Gjanices
Ndërtimi i urës së gurtë mbi
Gjanicë dhe i katedrales së bukur të Shën Gjergjit në katundin Fier më 1777,
pranë këtij lumi, midis livadheve plot lule anës tij dhe me burime ujë të
freskët, përmbi një tempull të mëparshëm kulti kristian mesjetar, ku gojëdhënat
e shumta rrëfejnë se në këtë vend të shenjtë pushonte edhe heroi ynë kombëtar
Gjergj Kastrioti (Skëndërbeu) kur udhëtonte shpesh në këto anë, si dhe karvanet
e shumta tregëtare, lider ushtarak e perandorak, solli disa ndryshime të
ndjeshme në jetën ekonomiko-shoqërore, arkitekturore dhe kulturoro-artistike të
këtij fshati e më gjerë.
Megjithatë, pavarsisht
nivelit disi të përparuar që kishte kjo trevë për atë kohë, ngritja e qytetit
të Fierit më 1864 nga ana e Kahreman Pashë Vrionit, i sarajeve të tij luksoze
dhe i një tregu mjaft të madh me mbi 100 dyqane nga një studio franceze
arkitektësh sipas stilit europian perndimor, krijoi një bum të fuqishëm në
zhvillimin e gjithanshëm ekonomiko-politiko-shoqëror të këtij qyteti gjatë asaj
periudhe.
Këto zhvillime kaq të mëdha
për kohën, si dhe dy hanet e mëparëshme tepër të dëgjuara për aktivitetin e
tyre çuan gradualisht edhe në ndryshime të tjera mjaft të rëndësishme në
gjallërimin e jetës kulturoro-artistike të popullit të këtij qyteti të ri, por
edhe në gjithë krahinën e Myzeqesë.
Tregu i
Fierit
Duke përjetuar këto
ndryshime të mëdha, tregtar(biznesmen) të suksesshëm fierak, me shije dhe
kulturë perndimore italo-francezo-austriake, filluan të bënin investime të
fuqishme në të gjitha fushat, për të rritur me shpejtësi edhe fitimet e tyre.
Kështu gjatë vitit 1900-të,
tregtari myzeqar Taçi Mandi ndërtoi kazinon e parë pranë urës së Gjanicës, në
qytetin e bukur të Fierit, e cila shumë shpejt u bë tepër e famëshme, jo vetëm
për biznes, por edhe si qendër shfaqesh artistike, që frekuentohej vazhdimisht
nga këngëtarët më të njohur myzeqar si dhe ata të Vlorës, Beratit, Përmeti,
Leskovikut dhe gjithë Shqipërisë së Jugut. Kjo kazino e ngritur afër sarajeve
të pashallarëve Vrionas, me koncerte për çdo mbrëmje, ku ushtonte fuqishëm
muzika dhe kënga myzeqare, i detyroi bejlerët beratas që të hapnin një proces
gjyqësor dhe të kërkonin mbylljen e saj. Duke ndjekur shumë seancave gjyqësore
maratonë, pas dy dekadash aktivitet suksesi, aty rreth vitit 1920 kjo kazino me
famë u mbyllë përfundimisht.
Qytetarët artdashës fierak,
të drejtuar nga liderët patriot, kapedanët e çetave të tyre të armatosura
kryengritëse dhe “ Komiteti i Fshehtë i Fierit”, duke parë se paria e Vrionëve
e fitoi gjyqin me gjyqtarët e vet të korruptuar të asaj kohe, për ti sfiduar
dhe turpëruar atë, morën një vendim të shpejt dhe tepër të guximshëm, që të
ndërtonin përsëri dy kazino të tjera në qytetin e vet.
Disa kohë pas mbylljes se
kazinosë së parë më 1920-të, tregtari dhe atdhetari trim Sotir Ikonomi për të
sfiduar bejlerët Vrionas, në oborrin e katedrales së Shën Gjergjit ndërtoi një
kazino të bukur, e cila mjaft shpejt u bë tepër e dëgjuar në të gjitha krahinat
e jugut. Fama e saj u rrit edhe më shumë, sepse në këtë kazino filloi të
këndonte për çdo natë këngëtari i madh, poeti, luftëtari, komandanti i çetës
kryengritëse Pojan-Shën Pjetër-Boçovës, bilbili i Myzeqesë Llazi Koli Spiro(
Shën Pjetra) me grupi në tij.
Ky akt i atdhetarëve fierak
i irritoi edhe më tepër bejlerët beratas, të cilët para vendosmërisë dhe forcës
së popullit të këtij qyteti, nuk mundën të bënin dot më asnjë veprim për t’ju
kundërvënë kohës dhe vrullit të fuqishëm patriotik të tyre.
Duke parë përpjekjet dhe
reagimet e dëshpëruara të Vrionasve kundër hapjes së kësaj kazinoje të dytë,
patriotët triumfator të këtij qyteti planifikuan edhe hapjen e një kazinoje tjetër,
për ti neutralizuar plotsisht përpjekjet e tyre dhe turpëruar ata përfundimisht
në ndërmarjen e aventurave të tilla.
Menjëherë e pa humbur kohë,
një pasanik tjetër fierak, nga një fis tepër i shquar për veprimtari patriotike
Nasi Toska, po gjatë këtij viti, ndërtoi edhe kazinon e tretë te Porta e Tregut
të Madh, në breg të Gjanicës, e cila shumë shpejt hyri në rrugën e suksesit të
pandalshëm, si edhe të parat. Edhe kësaj kazinoje ju shtua më shumë nami, pasi
ajo u bë shtëpia e dytë për këngëtarin e dëgjuar fierak Kiu Poro dhe partnerët
e tij.
Kështu të treja këto kazino,
pas dy haneve të mëparëshme të këtij qyteti, hapën një epokë të re dhe u bënë
qendra tepër të rëndësishme për zhvillimin e mëtejshëm të artit, kulturës dhe
këngës së bukur fierake dhe asaj myzeqare.
Në këto kazino të Fierit me
emër, vinin vazhdimisht edhe grupet e sazeve nga më të mirat e asaj kohë si dhe
këngëtarët më të dëgjuar prej gjithë jugut, si gjirokastriti Bilbil Cenko
Vlora, Tefik Hyskja nga Skrapari, Isuf Berati, Jonuz e Vangjel Leskoviku nga
Përmeti, Kili Gjonçe nga Mifoli e shumë të tjerë, për të kënduar sëbashku me
bilbilin tonë të Myzeqesë Llazi Spiro.
Instrumentisti dhe sazexhiu
prestigjioz përmetar Isuf Përmeti, një nga më të famëshmit e asaj periudhe që
vinte shpesh në kazinotë e Fierit ndêr të tjera ka thënë:
“…shumë vende unë kam
bredhur e gjezdisur, por këngëtar qeflinj të rrallë, që nuk ua gjen dot shokun,
nuk kam parë kund si në Fier”.
Kulmin e saj bukuria magjike
e këngës fierake e arrinte vetëm atëherë kur këndonin sëbashku dy kolosët e
mëdhenj të këngës, Llazi Spiro si marrës dhe Kiu Poro si mbajtës(kthyes), një
duet i veçantë dhe i paarritshëm për nga vokali dhe zëri i tyre tepër i ëmbël e
melodioz që kishin.
Llazi Spiro, ky këngëtar i
një niveli mjaft të lart”high class “, në çdo shfaqe dhe koncert me partner të
tjerë në Fier, Vlorë, Tiranë, apo qytete të tjera kudo gjetkë, ky ishte dhe
mbeti gjithmonë violinë e parë e këngës dhe për vlera të tilla ai respektohej
nga të gjithë edhe si bilbili me kobure i Myzeqesë, me të cilin nuk mund të
krahasohej dot askush, jo vetëm në këtë krahinë, por as edhe në tërë Shqipërinë
e Jugut.
Koçi Mandro dhe Andon
Rrezhdo, dy pojanak të nderuar, miq të shkrimtarit tonë fierak Jakov Xoxa dhe
punonjës pran serave të eksportit të këtij fshati, ruanin kujtime mjaft të
bukura për këngëtarin Llazi Spiro.
Aty rreth vitit 1974-1975,
ata rrëfenin se kur ishin të rinj, sëbashku me shok të tjerë shkonin
vazhdimisht mbrëmjeve prej Pojanit në Fier, në kazinon e Sotir Ikonomit, te
kisha e Shën Gjergjit, vetëm për të parë këngëtarin e famshëm Llazi Spiro, i
cili ishte mjaft i preferuar dhe pëlqejej shumë, jo vetëm nga qytetarët e
Fierit, por edhe gjithë myzeqarët.
Kjo kazino ishte gjithmonë
plot me njerëz dhe zotrinjët që mereshin me sigurimin e qetësisë së saj shpesh
na thoshin, shkoni te kazinoja e Nasi Toskës, sepse atje këndon Kiu Poro dhe do
të kënaqeni, por djemëria nuk pranonin të largoheshin prej oborrit të kishës,
sepse donin të shikonin elegantin bukurosh Llazi Spiro të veshur me kostumet e
bukura myzeqare dhe dëgjonin zërin e ëmbël magjik të tij. Edhe Kiu Poro ka qenë
këngëtar i mirë tregonin ata, por jo si Llazi Spiro, sepse shënpjetaraku ynë
ishte këngëtari më i mirë pothuajse në të gjithë jugun.
Ndërsa Jorgji Uani Tushe,
lidhur me këngëtarin shënpjetarak me famë ndër të tjera tregonte:
“… kur isha i ri mësova se
origjina ime ishte nga Pojani, por na kishte dëbuar Turqia, për shkak të
gjyshit tim Mitrush(Tushi) Kristo, i cili kishte luftuar kundër ushtrisë turke,
sëbashku me disa nga Shën Pjetra, për të mbrojtur pasurinë e Apollonisë nga
grabitja që i bënte një hoxhë prej Stambolli me xhandarët Osman…Shpeshherë
gjatë kësaj periudhe vija nga Petoshaj në qytetin e Fierit, që të bleja plaçka
të ndryshme në tregun e madh. Aty takoja njerëz nga kjo zonë dhe i pyesja rreth
gjyshit tim të vrarë nga ushtria turke. Në Fier jam takuar edhe me kapedanin e
Shën Pjetrës Llazi Spiro, i cili fliste me respekt të madh për luftëtarin e
Apollonisë Mitrush Kristo(gjyshin tim). Njëherë Llazi më ftoi të shkoja në
kazino se do të këndonte atë mbrëmje. Qysh nga kjo natë sa herë që vija në
Fier, nuk kthehesha kurrë në shtëpi pa u parë me këngëtarin më të madh myzeqar
Llazi Spiro, që këndonte aq bukur në kazinon te kisha e Shën Gjergjit”.
Ky vigan i këngës fierake
dhe asaj myzeqare veç të tjerash ishte edhe poet, krijues, kompozitor, patriot
dhe luftëtar i shquar e komandant i çetës kryengritëse të armatosur të
Pojan-Shën Pjetër-Boçovës.
Gojëdhënat tregojnë se para,
apo pas vdekjes se Llazi Spiros dhe Kiu Poros, në Fier është kënduar edhe një
këngë për kazinotë e Fierit dhe dy këngëtarët e mëdhenj të tyre. Mbi bazën e
disa vargjeve të mbetura qysh nga ajo kohë, Andy Apolloni ka shkruar edhe një
tekst për këtë këngë kaq të njohur e cila po shkonte drejt humbje së saj
Kazinotë e Fierit.
———————-
1.
Kazinotë në mes të Fierit
Të treja janë bërë me nam
Pranë Kishës së Shën
Gjergjit
Çdo ditë tundin tërë dynjanë
2.
Brenda në qoshetë e nderit
Burra të mëdhenj ato kanë
Që i njohin shumë prej emrit
Se janë këngëtar me famë
3.
Aheng bëhet për çdo ditë
Por dhe gjatë tërë javës
Këtu këngët dhe meloditë
Nuk pushojnë gjer vonë pas
darkë
4.
Mbledhur bashkë sazexhinjtë
Ardhur që nga anë e anës
Berat, Përmet dhe Leskovik
Por edhe sazet prej Tiranës
5.
Kënga jonë myzeqare
Është e ëmbël porsi mjaltë
Në Fier kurrë nuk pushon
fare
Gjer vonë ndihet për çdo
natë
6.
Dhe këto vajzat lozonjare
Dalin, rrinë nëpër çdo prak
Luajnë e hidhen si sorkadhe
Bërë të gjtha për merak
7.
Sa fillon të bjerë qendia
Dhe nis bëhet errësirë
Në Fier mblidhen njerëzia
Të dëfrejnë e bëjnë sehir
8.
Nga çdo anë këta djelmëria
Plot me gaz dhe me dëshirë
Bredhin këto kazinotë të
treja
Deri vonë më të gëdhirë
9.
Se për truall edhe për fe
Jo s’të falë kurrë myzeqari
Por dhe për këngë edhe valle
Ky ka qenë gjithmonë i pari
10.
Me rradhë këngët nis i ze
Por si një bilbil prej mali
Dhe trashëgim ato i le
Nëpër breza, djalë pas djali
11.
Se ç’na ngritën dhe bejlerët
Sherr dhe gjyq me kazinotë
Por edhe me këngëtarët
Bënë dava të mëdha Vriont’ë
12.
Pa na shkruan dhe defterët
Se çi mbushën kartat plot
Por çe do mbenë si të mjerët
Kazinotë si mbyllën dot
13.
Këndon bukur Llazi Spiro
Afër mu tek portë e Kishës
Dhe bilbilat i mbajnë iso
Që nga pylli i Ardenicës
14.
Po ja thotë dhe Kiu Poro
Mu tek Ura e Gjanicës
Se ç’i mbajnë thëllëzat iso
Që nga Qafa e Koshovicës
Andy J. Apolloni
New York 2020
Vargje për këngë
————————
Kazinotë e Fierit.
———————-
1.
Kazinotë e Fierit
Të treja me nam
Te kishë e Shën Gjergjit
Tundin tërë dynjanë
2.
Në qoshet e nderit
Burra të mëdhenj kanë
Që njihej prej emrit
Këngëtar me famë
Refreni
———-
Këndon Llazi Spiro
Mu tek portë e Kishës
Mbajnë bilbilat iso
Nga pylli Ardenicës
Ja thotë Kiu Poro
Te urë e Gjanicës
Mbajnë thëllëzat iso
Nga qafë e Koshovicës
3.
Aheng për çdo ditë
Dhe gjatë tërë javës
Këngët e meloditë
Deri vonë pas darkës
4.
Mbledhur sazexhinjtë
Që nga anë e anës
Përmet dhe Leskovik
Dhe sazet e Tiranës
Refreni
———-
5.
Kënga myzeqare
E ëmbël si mjaltë
Në Fier s’pushon fare
Dëgjohet çdo natë
6.
Vajzat lozonjare
Dalin në çdo prak
Luajnë si sorkadhe
Bërë për merak
Refreni.
———-
7.
Sa fillon qëndija
Dhe merrë errësirë
Mblidhen njerëzia
Për të bërë sehir
8.
Dhe këta djelmuria
Bredhin plot dëshirë
Kazinotë të treja
Deri më të gëdhirë
Refreni
———-
9.
Se për truall dhe fe
S’të falë myzeqari
Dhe për këngë e valle
Është gjithmonë i pari
10.
Këngët radhë i ze
Si bilbil prej mali
Dhe trashëgim i le
Ato djalë pas djali
Refreni
———-
11.
Ç’na ngritën bejlerët
Sherr me kazinotë
Dhe me këngëtarët
Bënë dava Vriontë
12.
Shkruan dhe defterët
Se çi mbushën plot
Por çe do të mjerët
Nuk i mbyllën dot
Refreni
———-
Këndon Llazi Spiro
Mu të portë e Kishës
Bëjnë bilbilat iso
Që prej Ardenicës
Ja thotë Kiu Poro
Te urë e Gjanicës
Bëjnë thëllëzat iso
Nga qafë e Koshovicës
A. J. Apolloni
New York 2020
Nga:
Themi J.
Tushe
New
York-Kingston Pennsylvania
July 2023.