Kulturë
Jusuf Buxhovi: Ilirët dhe etnogjeneza kroate
E hene, 04.09.2023, 07:24 PM
Botime
ILIRËT
DHE ETNOGJENEZA KROATE...
-Miško
Erak: “Ilirski krugovi života“ (Rrathët e jetës ilire), boti „Školska Knjiga“,
Zagreb, 2021, faqe 357
Nga
Jusuf Buxhovi
Etnogjeneza
e kroatëve është e lidhur me Ilirët. Këtë përfundim sjell libri i Mishko Erakut
“Ilirski krugovi zivota” (Rrathët e jetës ilire), duke u përqendruar te
mbretëria e Ardëve (nga shekulli IV para erës sonë deri te shekulli I i erës
sonë), ajo e Doarsëve, e Autoriatëve, Dalmatëve dhe e Gencit. Autori Erak, këtë
vlerësim e mbështet mbi faktet arkeologjike, siç i quan ai Gradinat
(fortifikata guri - katër sosh) në hapësirën e Plinit, Ploçe dhe Neretvës së
poshtme. Me shumë ilustrime, skica dhe artefakte, Erak bën përpjekje që të paraqesë
pikëpjekjen e mbretërisë së Ardëve me Doarsët, Autoriatët po edhe me atë të
Dalmatëve në një hapësirë jetësrore çfarë ishte ajo e lumit Neretva për në
Adriatik si strehë jetike e fiseve të njohura ilire, ku ato kanë ndërtuar
fuqinë e tyre ekonomike dhe politike të lidhur ngushtë me ambientin që lidh
hinterlandin me detin, e prej nga kalonin rrugët e furnizimeve me mallra veçmas
me krip deti. Pjesa e Ploçës dhe e Neretvës së poshtme është mbikëqyrur nga
mbretëria e Ardëve, por bazuar në dy gradinat (qytet-fortesa në pjesën e epërme
në drejtim të Mostarit, që u takonin mbretërisë së fuqishme Doarse), gradina e
Ardëve në hyrje të Plinit, ka qenë strategjike, ngaqë ka mbikëqyrë hyrjet nga
toka për në det, të një rëndësie të madhe për tri mbretëritë ilire në këtë
hapësirë. Duke elaboruar artiktektonisht infrastrukturën e këtyre qyteteve të
fortifikuara si dhe lidhjet e tyre rrugove (ujore dhe tokësore), nxirret
përfundimin se ato ishin qendra të rëndësishme ekonomike, kulturore dhe
ushtarake. Si të tilla zgjuan apetitet e romakëve për t’i pushtuar, meqë
nëpërmes rrugëve ujore dhe atyre tokëlsore mundësohej depërtimi në pjesën
qendrore, atë perëndimore dhe lindore të Ilirikut, që mundësonte shtrirje
perandorake.
Por,
ajo që bie në sy në këtë libër, është përpjekja e autorit që të rishqyrtojë
raportet historike dhe etnike të kroatëve me ilirët, me ç’rast nxjerrët
përfundimi se kroatët gjenetikisht, kulturalisht dhe etnikisht janë të lidhur
me ilirët dhe fare pak me sllavët. Me këtë rast rikonfirmohet qëndrimi i historianit
të njohur kroat Mate Suviq që thotë se populli kroat mbështetet mbi substratin
ilir. Kjo ilustrohet me të dhëna nga studimet më të reja gjenetike nga disa
institute të njohura amerikane, nga analizat e të cilave del se në Kroaci,
bazuar në faktorin Y-Haplogrup, (gjen që tregon vjetërsinë prej mbi 10 mijë
vitesh),50 % e popullatës, lidhet me këtë faktor, i cili mbështetet edhe nga
faktori 12a1. Ndërsa 25% e popullatës, lidhet me origjinën prej një mijë
vitesh, e përafërt me dyndjet sllave në Ilirik. Këto të dhëna përmbysin
qëndrimet e historiografisë së shekullit XIX (kryesisht të shkollës sllaviste
vieneze) e cila faktorin ilir thuajse e përjashton nga origjina kroate, duke e
ndërlidhur atë tërësisht me atë sllave. Autori, thekson se eliminimin i ilirizmit
dhe të “Lëvizjes ilire” lidhet me shkaqe politike të krijuara nga aneksimi i
Bosnjes dhe Hercegovinës nga Austro-Hungaria, me ç’rast është zëvendësuar me
“Lëvizjen sllave”, si platformë e re e jugosllavizmit, mbi të cilln do të
krijohet edhe shteti jugosllav pas luftës së parë botërore. Sipas Erakut,
eleminimi i “Lëvizjs ilire” (Ilirski pokret) dhe zëvendësimi i saj me “Lëvizje
sllave” (jugoslovenski pokret), ishte një veprim antihistorik dhe antishekncor,
meqë origjinën kroate anbllok e zhvendosi në kuadër të familjes sllave, gjë që
nuk përkon me realitetin. Me këtë rast, duke u mbështetur mbi qytetërimin e
zhvilluar ilir në Dallmaci, Bosnje dhe Sllavoni, autori kërkon që Akademia e
Shkencave Kroate të rikthejë vëmendjen kah trashëgima e pasur materiale dhe
shpirtërore ilire në Kroaci në mënyrë që të rishqyrtojë lidhjet etnike dhe
kulturore me të si pjesë e qytetërimit antik. Qendrimi që të rikthehet lidhja
kroate me ilirët, nuk është i ri. Ilirizmi, në shekullin XVIII, ishte dominues
tek studiuesit kroatë në kuadër të perandorisë Austro-hungareze. Jugosllavizmi
i Shtrosmajerit si dhe Jugosllavia e Versajes bashkë me atë të AVNOJ-it, e
margjinalizoi apo e hoqi fare atë, duke u lidhur me sllavët. Mbas shpalljes së
shtetit kroat, historiografia kroate, e vetëdijshme për pasojat nga diktati
serb, ka filluar t’i kthehet tezës së origjinës ilire. Akademia e Shkencave të
Kroacisë, gjatë dhjetë viteve të fundit, ka iniciuar projekte që mbështesin
këtë tezë, edhe pse e ka të vështirë, ngaqë mbi njëqind vjet jugosllavizmi i
ndikuar nga politika hegjemoniste serbomadhe, politikisht ka luftuar çfarëdo
përpjekje të tillë.
Krahas
kësaj përpjekje të historiografisë kroate që të rishqyrtohen lidhjet gjenetike,
etnike dhe kulturore me Ilirët, libri i Mishko Erakut, është me interes edhe
për historiografinë shqiptare, meqë fokusimi i tij te fortifikimet ilire në
pjesën e Ploçës deri te Neretva e poshtme, nxjerr në pah një pjesë të
rëndësishme nga mozaikut ilir i shtrirë në një hapësirë të gjerë euro-aziatike,
ku etnia shqipare, në pjesën e tri mbretërive të dikushme antike: Dardanisë,
Maqedonisë dhe Epirit, ruan vazhdimësinë historike të etnisë së vet.