Kulturë
Dorian Koçi: Aleks Buda – ‘Arbitër Elegantum’ i debateve historike
E diele, 10.09.2023, 06:50 PM
Aleks Buda -"Arbitër Elegantum" i debateve historike
Nga
Dorian Koçi
Sot
është përvjetori i lindjes të historianit të njohur dhe "arbiter
elegantum" i debateve historike për etnogjenezën e shqiptarëve, Aleks
Buda. Vlen të përmendet kontributi i tij për rikonsiderimin historisë së
mesjetës arbëre por edhe lidhjes mes ilirëve e arbërëve nëpërmjet kulturës së
Komanit.
Kultura e Komanit, thotë Profesor Buda është një
hallkë elokuente e kontinuitetit midis banorëve të lashtë dhe vazhduesve arbër;
një kulturë me shtrirje kohore që nga shekulli i VII deri në shekullin e IX dhe me një shtrirje
territoriale mjaft të gjerë nga alpet shqiptare deri në brigjet jugore të detit
Adriatik e në luginën e Vjosës. Kultura e Komanit ishte një kulturë e një popullsie qytetare e
fshatare, bregdetare e malore, më rrënjë
në traditën antike dhe me novacione, me elementë të trashëguara nga
kultura ilire halshatiane e hekurit dhe nga kultura provinciale romake e
paleobizantine, ku elementët sllave nuk figurojnë veçse si elementë të izoluara
dhe jo si një kulturë kompakte.
Po
kështu Profesor Buda mbrojti me pathos karakterin e shtresave sociale mes
popullsisë arbëre duke hedhur poshtë teza që shpesh herë riciklohen dhe në të
sotmen që i konsideronin arbërit një" popull barinjsh e që rronin në
kalibe. ".Dokumentat flasin thotë Profesor Buda për një shoqëri të
diferencuar feudale me origjinë shqiptare, siç janë arhondët e Arbërit që
mbajnë titujt e lartë të hierarkisë feudale bizantine si panhypersevastë, ata
“nobli viri”, kontë, baronë, prelatë, burgencë, ato bashkësi fshatare të cilat
sundimtarët bizantinë, anzhuinë etj, i cilësojnë si “burra fisnikë shqiptarë”
me emrat e tyre etnikë karekteristikë.