Kulturë
Sejdi Berisha: Krijuesi që jetën e shndërroi ne Obelisk të përjetshëm të kohës dhe fatit të njeriut
E diele, 10.09.2023, 06:58 PM
KRIJUESI QË JETËN E SHNDËRROI NË OBELISK TË PËRJETSHËM TË KOHËS DHE TË FATIT TË NJERIUT...!
Përftim
nëpër rrugëtimin jetësor të shkrimtarit, publicistit dhe dramaturgut, Shaip
GRABOVCI
Nga
Sejdi BERISHA
Gjatë
kam menduar se si ta filloj këtë shkrim, nga t’ia nisi fillin dhe si t’ia vë
vulën e kësaj forme të rrëfimit, i cili nuk kam dëshirë që të jetë i rëndomtë,
por mbaj shpresë se as nuk do të jetë i rëndomtë...! Nganjëherë më shkon mendja
që për njerëzit e veçantë, shkrimi duhet të jetë i thjeshtë, modest por në të
njëjtën kohë edhe me peshë e me mesazh të njerëzores që e përshkon tërë rrugëtimin
jetësor, i cili padyshim se është plot trakullima, plot përplasje, plot
dhembje, plot mall, e që të gjitha këto rrumbullakohen me lumturinë dhe me
thelbin e së mirës, e që i ngjanë polenit të luleve të jashtëzakonshme i cili
shpërndahet kado dhe kudo.
Andaj,
kujtoj se shkrimin për mikun dhe kolegun tim, për krijuesin dhe publicistin e
veçantë, Shaip Grabovcin, edhe pse është vështirë për t’i qëndruar besnik deri
në fund nivelit të vlerave të tij, pa e harruar apo pa të rrëshqitur ndonjë
detal, duhet qasur me përkushtim dhe në mënyrë ashtu si kam dëshirë unë. Kjo,
ngase jeta e tij, rrugëtimi i tij, veprat dhe madhështia e tij njerëzore, janë
një vlerë e patjetërsueshme dhe një bagazh aq me begati, sa që ndonjëherë e
tërë kjo, si krenari na duket si mbishkrim në një kështjellë ku reflekton
historia, ku ruhet e tërë ajo që flet e duhet të flasë, ku ruhet e tërë ajo që
lumturon dhe na bën krenarë por edhe që e qorton njeriun nëpër kohërat e
periudhat!
Sofra e bukës dhe e
kripës, krenaria e edukatës dhe e begatisë njerëzore
E
tash, si t’ia filloj?! Unë jam modest, por edhe kam vendosur të jam edhe sa më
i thjeshtë e modest, tamam si ky njeri, i cili tërë jetën e kishte dhe e ka
virtytin për ta luftuar të keqen, për ta ngritur në piedestal atë punën që
njeriun e bën të qëndrueshëm, të pathyeshëm, e bën optimist dhe luftëtar të
paepur që trakullimat e jetës, ngritjet dhe zbritjet t’i shndërrojë në dritë e
cila nuk shuhet kurrë...
Kjo
është edhe karakteristika dhe zotimi i këtij njeriu, i cili gjithmonë ishte dhe
është shembull i edukimit, i këshillave dhe i optimizmit se në jetë çdo gjë
mund të arrihet dhe mund të bëhet realitet që shpie përpara. Andaj, këtë njeri,
këtë mik jo vetëm timin, këtë krijues dhe publicist, me të cilin një kohë të
gjatë kemi punuar e krijuar së bashku, edhe pse kemi pak dallim në moshë,
thuaja se e njoh që nga fëmijëria.
Ndoshta
nuk është e qëlluar, por nga aty do të filloj... Ai u lind në një familje të
ndershme e bujare, por në skamje, si shumica e familjeve të tjera shqiptare.
Ishin pesë fëmijë; katër vëllezër dhe një motër. Shaipi ishte fëmija më i madh,
kështu që pas babait, por edhe sa ishte gjallë prindi i tij, ai e mori rolin
dhe timonin për t’u kujdesur dhe për ta ngritur familjen.
Fëmijë
prush, por sofra kur shtrohej, atë e madhështonte buka edhe nga një grimë
djathë dhe lëngu gjithsesi. Kështu, Shaipi e frymëzonte shpirtin dhe diturinë e
mendjen që i zinte si brumin e bukës, që, të gjithë këta fëmijë si molla të
ecnin pa e vrarë mendjen as shpirtin me të gjitha ato telashet që i sillte
jeta.
Dhe
gjërat rridhnin si lumi, e këta rriteshin shëndetshëm, ndërsa, Shaipi në atë
kohë sikur i ngjante shqiponjës e cila zogjtë e vetë i ruan, i trimëron, i
ushqen dhe i mëson se si duhet sfiduar rrjedhat dhe kohërat...!
Sa
mirë që jeta e detyron njeriun të kalitet dhe kështu e shndërron në pelegrin
“kokëfortë”, të qëndrueshëm e ndoshta ndonjëherë edhe të çuditshëm me
këmbëngulësinë e tij.
Zotimi se jetën duhet
për ta bërë dritë, e dritën lumturi...
Erdhi
koha e sprovave për shkollim dhe për të zënë dituri, si i vetmi element për t’u
ç’kapur nga ai pellgu që jetën e ngulfat, e bën të rëndë, e në një mënyrë edhe
“armik” apo kërrupnajë që lëshon rrjetë degësh që mbyllin dyer e rrugë...! Por,
tash ngritët vetëdija edhe e vëllezërve dhe e motrës, të cilët nga shpirti i
tyre morën detyrimin edhe të shkollimit, edhe të punës.
Shkrimtari, publicisti dhe dramaturgu, Shaip GRABOVCI
Dhe,
rrugëtimi jetësor i ngjante një karroce që herë ngatërrohej në baltë, e herë në
kalldrëme rrapëllinte, e herë merrte shpejtësinë e dritës! Por, miku im, tash
gjithnjë e më shumë kujdesin e kishte pjesë të jetës për ardhmërinë e familjes,
e cila, lirisht dhe me mburrje mund të them se u ngrit dhe u ndërtua
shëndetshëm, duke e shtuar vetëdijen dhe
detyrimin se jetën duhet për ta bërë dritë, e dritën lumturi.
Tash,
krahas shkollimit në shkollën normale, Sh. Grabovci mori si obligim shpirti për
të krijuar edhe të ardhura, por edhe për ta ngritur e zhvilluar talentin në
fushën e kulturës, të cilën gjë qysh si kalama e kishte ëndërruar dhe ruajtur
në zemër e në shpirt.
Drama “Njerëzit me
shpresa të thyera” hapi dyert e suksesve të reja të dramaturgjisë kosovare dhe
kombëtare
Gjatë
mësimeve në shkollën e normales pasojnë aktivitet kulturore, të cilat ia hapen
rrugët për t’u dëshmuar edhe në rrjedhat e kulturës jo vetëm në shkollë por
edhe në qytet.
Drita
e ndezur e talentit i kishte të gjitha orientimet dhe synimet në fillim në
artin skenik, në Teatrin e Qytetit të Pejës, nga i cili dikur kishin dalë
aktorët më të njohur të Kosovës. Andaj, ky teatër tash u bë çerdhe e talenteve
të rinj, u bë institucion i cili provokoi shumë veta, që talentin dhe forcat e
tyre, përveç si aktorë, t’i sprovojnë edhe në dramaturgji...
Në
këtë fushë, Sh. Grabovci, qetë e me fanatizëm iu përkushtua dramaturgjisë, e
cili pastaj, me krijimet e tij begatoi krijimtarisë e dramës dhe të
dramaturgjisë kosovare dhe kombëtare. Shumë tekste dramaturgjike u rreshtuan në
skenat teatrore me të cilat shquhet ky krijues, intelektual, dramaturg dhe
publicist.
Drama
“Njerëzit me shpresa të thyera”, ishte filli i ndritur i krijimtarisë së Sh.
Grabovcit, por edhe i sukseseve të reja të dramës kombëtare. E them kështu,
sepse, kjo dramë u nderua me Çmimin “Katarina Josipi”, atëherë të Teatrit
Krahinor në Prishtinë. E tërë kjo sikur ndikoi edhe në masivizimin e artit
skenik në Pejë dhe më gjerë. Drama, “Njerëzit me shpresa të thyera”, me sukses
dhe të arritura u përgatit dhe u shfaq në shumë teatro të Kosovës dhe jashtë
saj.
Puna
dhe angazhimi në Teatrin e Pejës, Sh. Grabovcin e bëri edhe më këmbëngulës me
ide të reja krijuese, dhe kështu, deri me tash janë radhitur shumë vepra, drama
e veçmas komedi, zhanër ky i cili ende i mungon bukur shumë kulturës dhe artit
skenik kombëtar.
Ja,
po i përmendim vetëm disa drama e komedi, të cilat u shfaqen në skena teatrore
por edhe u botuan:
“Unë
në botën e Talisë”, dramë
“Pylli
është i të gjithëve”, dramë
“Njerëzit
me shpresa të thyera”, dramë,
“Memoaret”,
dramë,
“Ora”,
dramë,
“Infektimi”,
komedi
“Arrna
për thes”, komedi
“Princi
i shëmtuar, princi i bukur”, dramë për fëmijë
“Ujku”,
dramë për fëmijë
“Digimonet”,
dramë për fëmijë
“Stuhi
kozmike”, dramë për fëmijë
“Tomi
dhe Xheri”, dramë për fëmijë
“Lajthimi”,
monodramë,
“Ëndrra
e Lulit”, dramë për fëmijë
“Macja
në dritare”, përmbledhje humoreskash, botuar nga Rilindja
“Besimi
i humbur”, katër drama për fëmijë, botuar nga Rilindja
“Kënga si dhuratë”, dramë për fëmijë, etj.
Është kjo një kënaqësi, krenari dhe dëshmi që ky intelektual, punën e tij edhe në fusha të tjera. Kontributi i tij ishte edhe në emisionet për fëmijë në Radio-Prishtina, radiodrama dhe skeçe e emisione humoristike etje., të cilat e begatuan programin kulturor dhe arsimor me tema gjithnjë aktuale në Radio-Prishtina.
U angazhua edhe për afirmimin e punës së SHKA në qytet, si një histori e gjatë e vlerave shpirtërore
Të
gjitha këto të arritura që ishin synim për zhvillimin dhe afirmimin e vlerave
kulturore kombëtare, me sukses u reflektuan edhe me angazhimin e tij si
gazetar-korrespondent i Radio-Prishtinës nga Peja e më vonë edhe si
gazetar-korrespondent i gazetës “Rilindja”. Ai, së bashku me kolegët e tij
gazetarë, me vigjilencë dhe në mënyrë profesionale u angazhua për ta informuar
popullatën për të gjitha rrjedhat shoqërore, kulturore, arsimore mbase edhe politike,
por edhe për t’i luftuar të gjitha problemet që i përcillnin zhvillimet e
atëhershme.
Njëherësh
u angazhua edhe për afirmimin e të gjitha fushave kulturore, të cilat e kishin
një histori të gjatë e të begatë dhe me bagazh vlerash prej deceniesh. Nuk
kishte ngelur anash as puna dhe rezultati i shoqërive kulturo-artistike, si:
SHKA “Përparimi”, SHKA “Ramiz Sadiku”, SHKA “Xhemail Kada”, SHKA “Sofra
Pejane”, e shumë e shumë shoqëri dhe seksione
të tjera kulturore dhe teatrore në organizata, kolektive punonjëse dhe
në bashkësi territoriale.
Ndërsa,
puna e ndritur e Teatrit të Qytetit, ku një kohë Sh. Grabovci ishte edhe
drejtor i këtij institucioni, ishte si qershi mbi tortë. Drama shqiptare e
këtij teatri me të arriturat e veta u bë e njohur në të gjitha viset dhe
qytetet e Kosovës dhe të ish Jugosllavisë. Kështu ishte lëvizja kulturore.
Kështu ishte ecja dhe rrugëtimi i njeriut me vlera të veçanta shoqërore,
kulturore mbase edhe njerëzore.
Por,
puna e tij si krijues dhe gazetar, por edhe e kolegëve të tjerë, ishte me plotë
vështirësi, me plot trakullima, sepse, vëzhgohej e përcillej çdo shkrim dhe çdo
aktivitet. Mirëpo, vetëdija e lartë bëri që punën ta kryejmë me guxim dhe me
dinjitet, edhe pse, ishim jo rrallë të kërcënuar e të ndrydhur nga pushteti i
atëhershëm.
Shaip GRABOVCI (Fotografi e shkrepur në muajin mars të vitit 1981)
Edhe pse, si duke ecur
nëpër teh të thikës, ai arriti t’i ruajë dhe t’i zhvillojë edhe më shumë vlerat
e informimit të opinionit të gjerë dhe të popullit
Si
intelektual e punëtor publik, që studionte edhe gjuhën angleze, Shaip Grabovci,
mobilizohet dhe begatohet me ide të reja për punë edhe në asketin shoqëror.
Tani, gazetaria, teatri e krijimtaria teatrore por edhe kultura përgjithësisht,
ishin bërë themel i fortë dhe argument që ky njeri të ecën drejt të arriturave
të tjera. Ai, në kohërat më të vështira dhe të ndërlikuara shoqërore dhe
politike që kishin nisur gjithnjë e më ashpër ta godasin Kosovën dhe popullin shqiptar,
me përkushtim iu përvesh gazetarisë në Radio-Prishtina dhe në gazetën
“Rilindja”. Pastaj, mori guximin dhe iu përvesh edhe detyrës së Kryeredaktorit
të Radio-Prishtinës, të cilën detyrë, edhe pse, si nëpër teh të thikës, ai
arriti t’i ruajë dhe t’i zhvillojë edhe më shumë vlerat e informimit të
opinionit të gjerë dhe të popullit.
Pas
luftës në Kosovë, nuk iu nda detyrës së rëndë por të shenjtë të gazetarisë, por
edhe të krijimtarisë letrare dhe dramaturgjike. Ai, kësaj radhe u angazhua të
RTV-21, ku me sukses i realizoi të gjitha punët e gazetarit dhe të redaktorit
me përvojë, por edhe të këshilltarit dhe të edukatorit për gazetarët e rinj.
Edhe këtu la gjurmë, duke sajuar e përgatitur edhe emisione për fëmijë por edhe
emisione me peshë të humorit bashkëkohor dhe intelektual...
Ai,
edhe sot, shpirtin dhe mendjen e ka të stolisur me peshën e kuadrit të rrallë
profesional, të njeriut me shpirt të madh e të urtë, e që marrë në tërësi,
gjatë rrugëtimit dhe angazhimit të tij, jetën e shndërroi në obelisk të
përjetshëm të kohës dhe të fatit të njeriut!
Pra,
ky është njeriu, krijuesi, dramaturgu, publicisti dhe shembulli i veçantë i
njerëzores, Shaip GRABOVCI, i cili ka rrugëtuar dhe rrugëton edhe me familjen e
vetë, me bashkëshorten Nasiben dhe me vajzat intelektuale, Arbneshën-Bucin dhe
Vjosën...!
(©S. B.)