Kulturë
Meti Rexhepi: Njëshi rrënues a ndërtues
E marte, 12.09.2023, 06:55 PM
NJËSHI RRËNUES A NDËRTUES
(Ese)
Nga
Meti Rexhepi
Një
motiv i fortë me ëndjen në brendi më shtyn, që t`i dhuroj botimet e mia në
gjimnaz. Përse pikërisht në gjimnaz? Në gjimnaz ngase ishte gjimnazi i rinisë
time, gjimnazi i ëndrrave të mia rinore. E kam përshtypjen se kopertinat e këtyre librave nga djemtë dhe vashat e
gjimnazit, nuk do të mbeten pa i hapur, pa i shpaluar për shkëputje të ndonjë
fragmenti, të ndonjë copëze kudo: në fillim, në mes ose në fund të akëcilës
faqe të librit përkatës... Hyrja në cekëtinë
tërheq hyrjen më në thellësi. Zgjohet kureshtja për përmbajtjen e
lëndës, për zhytjen në botën e ndjenjave dhe të figurave, të vargëzimit të
motiveve, të cilat prodhojnë ide të tërthorta, me qëllimin për hapje të
mbylljes të së vërtetës në një mjedis, ku ndiqet ose fshihet e vërteta dhe e
drejta e jetës me fytyrë të dinjitetshme. Me gjithë vështirësitë e ndryshme për
bërjen e librit, qoftë i sferës së imagjinatave, qoftë i diskurseve kritike,
teorike e estetike ato përgjegjësi i përkasin autorit. Kënaqësia e dhurimit i
përket pasionit të lexuesit. Mirëpo, njëkohësisht horizontet e hapura nga
autori, lexuesi i pasionuar i zgjeron përmes horizonteve vetjake; duku
identifikohet në ngjyrat, hapësirat, reflektime që të ndërsjella forcojnë
impulset shpirtërore të shkrimtarit, sepse ndjeshmëria shtrihet në dy pole:
autor-lexues... Tash e tutje në mes tyre kanë fatin dhe trajtat e lakimit të
fatit mes shkrimtarit dhe lexuesit. Lexuesi futet në botën shpirtërore të
akëcilës vete, duke i kapur perceptimet e autorit, edhe ai në mënyrën e vet,
assesi ngjashëm me autorin. Kështu përftohet alternativa e pamjeve... Në
hapësirën dhe kohen e autorit, lexuesi diku i shmanget asaj fushe dhe ngjitet
në kodrat e paparashikuara nga shkrimtari. Ky identifikim shkrimtar-lexues,
lexuesit i hap shteg për qasje kritike në rrjedhën e shtjellimit: qoftë
imagjinar, qoftë diskursiv ose leximit kritik të shtjellës...
Lidhjet
shkrimtar-lexues sjellin përafrimet e perceptimeve për çfarëdo identifikimesh,
duke zgjeruar horizontet e ndërsjella në hapësirë e kohë dhe, duke i saktësuar
kahet e rrjedhave shoqërore, paranderjen për oguret e fateve për të keqen, për
të shëmtuarën, për të bukurën, për paqen dhe harmoninë e shoqërisë njerëzore,
drejt zgripeve ose shmangies të zgripeve ekzistenciale?
Cili
do të ishte njëri nga qëllimet më fisnike të lexuesit? Gjithsesi, depërtimi në
egot e kamufluara e të ndërlikuara të vetave me mëtime për arritjen e shkallës
së Njëshit... Shkrimtari ngre shkallët e ngjitjes emocionale, ideore, etike,
filozofike e estetike të Njëshit mbi fatin njerëzor të individit e të masës;
përherë në përballje me të keqen, krimin e kamuflimit finok dhe të hapur... Ku
do të dal Njëshi tejet, tejet, tejet i forcuar me kompetencat që i kemi dhënë?
Njëshi me kategorinë e cilësimeve të së keqes a me ngadhënjimin e të bukurës,
të fisnikërisë, të harmonisë e të paqes në shoqërinë e pleksjeve të çuditshme
njerëzore?!
Rebusi
i shkrimtarit dhe lexuesit: mes Njëshit rrënues a ndërtues?
Gjilan, më 11 shtator 2023