Kulturë
Albert Habazaj: Sofia Doko Arapaj, 'Terminali' i saj dhe një përurim me dritë humane në Vlorë
E diele, 17.09.2023, 07:40 PM
SOFIA DOKO ARAPAJ, "TERMINALI" I SAJ DHE NJË PËRURIM ME DRITË HUMANE NË VLORË
Sintaksa poetike dhe origjinaliteti i dallueshëm
në vargjet e autores Sofia Doko ARAPAJ
Dy
fjalë për profilin poetik të autores, kryesisht mbi vëllimin më të ri
“Terminal”, shkruar në dy gjuhë: shqip dhe në gjuhën vllahe (armânesht
[armënesht] nga poetja emigrante - Sofia Doko Arapaj
Nga
MSc. Albert HABAZAJ - Përgjegjës i
Bibliotekës Shkencore “Nermin Vlora Falaschi”, të Universitetit “Ismail Qemali”
Vlorë; Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko”, Vlorë
Jemi mbledhur në
një takim të veçantë dhe domethënës që flet vetë për shpirtgjerësinë fisnike të
Vlorës letrare. Si pjesë integrale e Detashmentit të Letërsisë dhe Artit në
qytet, po i themi autores emigrante Sofia Doko Arapaj, bijë nga Mekati i Vlorës
(armâno [rëmëne]- vllahe, nuse në Labëri, që jeton në Greqi: Mirë se na
erdhe me librin: “Terminal”; poezi , botuar në dy gjuhë: shqip -
armânesht [armënesht]! Në vazhdim të veprimtarive të përbashkëta dhe në
mbështetje të edukimit letrar e kulturor të qytetarëve vlonjatë, si dhe të
formimit letrar të studentëve tanë, po aq për të shkëmbyer përvojat letrare
midis miqsh të penës, Biblioteka Shkencore “Nermin Vlora Falaschi” e
Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë në bashkëpunimin me Qendrën e Kulturës dhe
Artit, Bashkia Vlorë, po zhvillojmë këtë përurim libri më tepër me vlera
njohëse, si një takim në formën e një bashkëbisedimi të ngrohtë me autoren
Sofia Doko Arapaj. Mendoj se kjo veprimtari është një ngjarje letraro -
kulturore e veçantë për qytetin kulturëdashës
të Vlorës dhe, patjetër për Universitetin e qytetit tonë.
Takime të tilla po
bëhen një traditë e mirë, sepse kemi ç’marrim e japim, kemi ç’përfitojmë nga
njëri-tjetri.
Dëshiroj të bëj
një parantezë, edhe për plotësim të natyrshëm të mozaikut shpirtëror e kulturor
të Vlorës.
Qarku
i Vlorës u paraqit siç i ka hije në Festivalin Folklorik Kombëtar (FFK) të
Gjirokastrës 2023, me 25 numra folklorikë, me një atlas etnofolklorik të
mrekullueshëm dhe me një hartë gjeografike të admirueshme, si një kartolinë e
gjallë mesdhetare. Ishin rreth 200 festivalistë që vinin nga 7 bashkitë e
qarkut të Vlorës: Konispoli, Finiqi, Saranda, Delvina, Himara, Selenica dhe
Vlora, që u ngjitën të parët në Kala natën e dytë të Festivalit, të dielën e 25
qershorit dhe tejmbushën skenën e Festivaleve. Polifonia labe, ninulla, kënga
vllahe, monofonia, vallja e minoritetit e mbushën me frymë lirike atë natë të
rrallë magjike, që shfaqej më madhështore me natyrën liriko - epike, kur kënga
dhe vallja burimore gërshetohej bukur me ato bashkëkohore. Komuniteti vllah u përfaqësua nga 6 artistë
popullorë të grupit të minoritetit vllah nga Mekati i Sofisë, me “Këngën e
Vasillës” (interpretuar në të dy gjuhët) që ishin shumë specifikë, sepse
ishin pjesëtarë të një familjeje, asaj Greveni, ndërkohë që njëra nga
këngëtaret kapte rekordin për moshën më të madhe të festivalistëve, 86 vjeçe.
Rikthehemi
në temë. Me “Terminalin” autorja Sofia Doko Arapaj na dhuron 87 poezi lirike, që ngjajnë
me një shportë me vjersha me motive shoqërore, të natyrës, peizazhit,
dashurisë, ku spikasin poezitë me temën e shqetësimeve qytetare, të cilat duken
se mbështillen me një tis gri trishtimi, por që në terminal të poezisë,
ngrenë zërin shkronjor me aftësinë, shëndetin letrar dhe forcën e ujkut. Besoj
se jo më kot autorja në mbi tri poezi ka ujkun hero e simbol. Ç’ka i rrit
vlerat më tej vëllimit, janë një tufëz me vjersha antropologjike. Autorja
shprehet hapur, e dëlirë, siç është, e pabujshme, por që, jo në pak poezi,
godet me të parën. Shfaq një art shkrimor të bukur, elegant, me mesazhe të guximshme,
por të larta e të dobishme. Shkruan me varg të lirë, monokolonë e rrallë përdor
poezinë me strofa. Ka ritëm poezia e saj, ka muzikalitetin e pëlqyeshëm të
kohës, jetë aktive, dinamikë e gjallëri
të natyrshme, që nuk të lejon të ngresh kokën që sa nis “Tek stacioni”
(poezia e parë) deri tek poezia e fundit “E mëndafshtë”. Në vjershërimin
e saj vërejmë kërleshjen (gërshetimin) e traditës dhe bashkëkohësinë, të
antikitetit e mitologjinë me modernitetin e futurizmin.
Sofia më duket si
një njeri në trajtë metafore, një metaforë që merr frymë në hapësirë dhe në
kohë, një metaforë e fisme në lëvizje, “herë si zog... dhe herë si ëndërr”,
siç sapo prezantohet ajo “Tek stacioni”.
Marrëdhëniet
letrare të vargjeve në poezi i freskon, si në kopshtin e shtëpisë së saj me një
ibrik të argjendtë me figura stilistike që nga litota apo hiperbola, krahasimi
apo dhe similituda, antonimia apo sinonimia, kontrasti apo dhe grotesku,
metafora e alegoria apo dhe sinekdoka etj. Duket dëshira apo dhuntia e saj për
gjetjet poetike, që shumë prej figurave që përdor i ka nga flora e trevës, aq e
pasur dhe e larmishme dhe në botën bimore.
Autorja nuk tutet
nga paragjykimet seç do të thotë bota, ajo shprehet si rebelkë e nuk i
llogarit llafazanët që shikojnë punët e të tjerëve dhe jo punët e tyre. Poetja
i shpërfill ata me lirinë e saj që bën dhe hënën ziliqare. Ajo nuk ka
komplekse, sepse është poete dhe raca e poetëve ka nevojë të ketë ngrohtësi
njerëzish e ndjenjash, shokësh e miqsh. Ajo sa është vllahe, ndihet e është labe. Si
vllahe kujtojmë disa poezi, por sidomos “Mumja armâne (vllahe)”. “Sa
e lehtë jam, trupin nuk e kam” - një varg të tillë vetëm një dashuri
gjenetike e tejdukshme dhe e trashëguar mund ta prodhojë. Ka dhe shumë poezi të
tjera më konkrete, të hollësishme dhe me persona realë, që në letërsi
shndërrohen në personazhe letrarë. Por, përsëri, Sofia sa është vllahe, është
labe, shqiptare. Po citoj një poezi me dy strofa kushtuar lirikut tonë aq të
ngrohtë, të paharruarit Petrit Ruka, thurur nga autorja qysh në gjallje të
mjeshtrit të baladave, e cila nis thjeshtë, si
një këshillë a qortim e përfundon në një furtunë poetike në stilin e saj
të dallueshëm origjinal: “Ali Pasha që vërtitesh/ me atë kokë të prerë/
lermi rehat djemtë labë/ po të them edhe një herë./ Mos i ajdë vërdallë
Petritit/ dritës dhe madhështisë / se pastaj asgjë s’të mbeti/ pa kokën e
poezisë”. Emocionuese është poezia për Ali Podrimjen, thurur kur Sofia i
kërkoi autograf për librin që poeti ynë identitar përuroi në Athinë. Vëreni
ç’gjetje poetike: “Libri u drodh edhe ra/
si zog në dysheme u vra...”. Tek poezia “Do të vishem”, një
energji e brendshme përcjell dritëz dashurie: “Fshihemi të tromaksur/ Si
vllahka me labin”, deri sa ndihet tamam labe me ujkun më të mirë
në botë, më të bukurin e Lumit...[është fjala për trimin e saj nga krahina
etnografike e Lumit të Vlorës] tek poezia “Ukju më i mirë në botë”, si
ujkonjë metaforike e tij.
Ajo udhëton në
kohë dhe në hapësirë, si grimcëz me grymë e universit dhe vetëdeklarohet jo
vetëm poetikisht: “Kam shekuj pa prekur/ ëndrrat e braktisura/ pa kënduar
shqipen,/ pa puthur tokën tonë”.
Poezia e Sofia
Doko Arapaj është një filigran në veshjen poetike të letërsisë femërore në
Vlorë dhe përbën një vlerë e shtuar në letërsinë bashkëkohore të Vlorës. “Ai
më dashuroi/ gjer në vajin e një violine...”. Dallon që është një poezi
femërore, me nota të ndjeshme të melankolisë romantike, e cila të rrëmben në
ktahtë qiellorë të dashurisë. Po shkëpus dhe dy vargje nga një strofë treshe “që
trëndelinat/ i gudulisin sandalen”, estetikisht ngacmuese, e ëmbël. Me një
tjetër prerje poetike vjen tek vargjet “Mos e prek mermerin/ se pse i dhemb
zemra”, që vijnë tek lexuesi si vargje abstraksioniste me një logjikë
mbushmendëse të pakundërshtueshme. Një ndër poezitë më të bukura dhe origjinale
është ajo me titull “Gratë e përrallave”, ku trilli letrar vërtet ka
dalë hergjele, por nuk fluturon qiejve të fantazisë, ai udhëton vëmendshëm
lëndinave, brinjave, honeve, llagëmeve apo shkrepave të realitetit të jetuar.
Sidomos këtë poezi e nis me ironinë, më
tej përdor satirën, për ta mbyllur me ortekun e sarkazmës. Ja vargjet
nismëtare: “Nëna mua më lindi me të meta të mëdha/ Akoma besoj në përrallat
për burrin...”. Ja dhe “terminali” - vargjet përfundimtare: “Vrapoj
të zë gratë e tjera të përrallave.../ Vetëm ato janë më të ndershmet deri më
sot”...
Kur shprehem që
Sofia është origjinale në thurjen e vargjeve, e kam fjalën që është vetvetja,
nuk është kopje e askujt tjetri. Ja nga kush autor tjetër i kemi dëgjuar vargje
të tilla për veshin, bistakun e rrushit si “Cicat e vreshtave/ Pikojnë raki”
apo “O vajzë e virgjër ku je?/ Cicat e vogla ia thëthiste dielli”.
Vjershëz befasuese që të ngulet si gozhdë në tru, por çuditërisht nuk ndjen
aspak dhimbje, veç qesh bukur si tek një mikropoezi. Tre vargje janë: “Sa më
shpon trurin zhurma/ Sa e përdredhur është jeta.../ Eja ferrë, të të vesh rroba
banje...”
Nuk mund të
kuptohet një poet pa poezi për nënën, ndaj kështu, në disa raste mendoj, që
është më mirë të recitosh vargjet e Sofisë se sa të flasësh dhe të komentosh
ato. Është në stilin e saj që vargjet i nis të thjeshta në dukje e rrjedhin
natyrshëm, por janë ca poezi a vargje gjurmëlënëse në kujtesën tonë si
këto: “Nëna ime i ka shpatullat të
thara/ Kalojnë dhjetëra trena e ia bëjnë shpinën copë...”
Sikurse dhe disa
të tjera, poezia “E mëndafshtë” është jetësore, filozofike,
mbresëlënëse, që të ngelet në kujtesë, të vë në mendime e aty të lë, se nuk e
kundërshton dot, sidomos vargu: “Zemra u dhemb atyre, që nuk bën dot dashuri”...
Më bën përshtypje sintaksa, si disiplinë gjuhësore e
përdorur nga autorja, me mënyrën se si i lidh fjalët në fjali, në varg dhe
fjalitë e vargjet ndërmjet tyre në poezi në dy gjuhë, në gjuhën shqipe dhe
armânesht [armënesht], që e ka bërë vëllimin poetik më të mirë gjuhësiht dhe
artistikisht, ptjetër me ndihmën e devotshme të përkthyesit z. Kristo Goçi, i
cili është dhe redaktor i librit, por ndërkohë zotërues i gjuhës armâno
[rrëmëno]-vllahe, posaçërisht i gramatikës, veçorive të përdorimit të pjesëve
të ndryshme të ligjëratës në fjali e vargje; ndërtimi i fjalive në poezi,
kohezioni tekstor i librit dhe pasurimi i leksikut letrar në të dy gjuhët, në
të cilën na vjen ky libër.
Duke e përfunduar këtë udhëtim të shkurtër komunikimi me
“Terminalin” e Sofisë, them se më tërheq sintaksa poetike që përdor
autorja, nëpërmjet ndërtimit të posaçëm të fjalisë për t`i dhënë fuqi e
gjallëri shprehjes, ndjenjës e mendimit poetik.
Eee, sot ne kemi
përurim libri, pra jemi mbledhur në një festë letrare, ç’ka do të thotë që nuk
kemi të bëjmë me një diskutim libri, që ka kuptimin e një kuvendi letrar.
Gjithsesi, me dashamirësinë më të madhe, nuk mund të rri pa shprehur se disa
probleme të redaktimit, sidomos të korrektimit nuk ia ulin vlerat librit, por
struktura e letërsisë artistike kërkon arkitekturë letrare bukurisht të
veçantë.
Bashkorganizatori im në këtë veprimtari, shkrimtari,
këngëtari dhe aktori i njohur i Teatrit “Petro Marko” Vlorë, Ilirian Ali shpreh
këto mbresa, që na lënë gjurmë mirënjohjeje në kujtesën tonë: “Një mbasdite në bibliotekën e Umiversitetit! “Terminal” është një vëllim intetesant, por dhe i veçantë në
vlerat krijuese poetike të Sofia Doko Sofia Arapaj . Ajo e ka qëndisur peizazhin e jetës së saj nga vendlindja Mekati me
portretet e njerëzve puntorë, me moshatarët e saj, me shkurret, me gardhet,
madje edhe me cicërimat e zogjëve dhe blegërimën e bagëtive. Sa sinqeritet, sa çiltërsi ka në vargjet e saj, sa thjeshtë dhe sa bukur,
sa madhështore duken kur i percepton si lexues , ajo arrin t? përjetoj? por
dhe ta përcjellë nëpër vargje fëmijërinë e saj. Kjo pra Sofia me trup të vogël dhe e gdhendur në mendje me mprehtësinë e
mënçurisë dhe të fjalës, nisi të këndojë me valët e detit të cilat i pati muzën
e rrugëtimit të saj poetik deri tutje te vendbanimi i zotave, ku e takoi e
vallëzoi për Orfeun, Poetin e Antikitetit. Por më në fund, ajo e gjeti një
Orfe, komunikoi e kërceu bukur me fyejt e zotave ta shikonte poeten tonë. -Orfeu im, i zemrës Orfe... Atje Sofia në prehërin e Perëndive Kuvendoi me to,me Orfeun e zemrës e
shpenguar për anën më të bukur e më të ndjeshme të femrës “Def i lehtë i binte në gjoks dhe isha aq e ngrohtë” thotë... Figurat artistike, metaforat, krahasimet që përdoren, janë vërtet
fantastike. Poezia erotike, ose erosi në poezinë e saj është nga më të bukurat, nga më
të arrirat . Ajo vjen e thjeshtë, pa
eksklamacione, pa britma por e thjeshtë, e ngrohtë, e qëndisur në vargje, sa na
rrëmben dhe na bën ta jetojmë emocionin e saj. Shpirti i saj ka ngjyra, është është plot jetë delikate dhe ritmi i zemrës
së saj ndryshon ritmin nga kjo ndjenjë e fuqishme... Ashtu si personazhet e
antikitetit ajo e pret dashurine dhe përjeton me ankth. Erotika në poezinë e
saj është shumë e ndjeshme, ajo është mjeshtre në figuracion. Poezia e Sofisë
mban brenda vetes aromën e tokës mbas shiut, aromën e kashtës së grurit, mban
brenda vetes të gjitha ngjyrat e stinëve . Sofia, atje ku punon e jeton si
mërgimtare, mban në shpirt aromën e vendlindjes së saj, aromën e Atdhetut të
vetë dhe e përcjell mrekullisht te lexuesi. U mblodhëm në një mbasdite në
Bibliotekën Shkencore të Universitetit shumë miq e shokë që e pëlqejnë poezinë,
shkrimtar? e poetë
intelektualë të qytetit, q? i dhanë vlerë asaj mbrëmje dhe me pjesëmarrjen e vetë poetes. U ndjeva i
vlerësuar në bashkëpunim me Poetin & publicistin Albert Habazaj dhe me Përkthyesin e vëllimit në gjuhën Arëmëne Ing. Kristo Goci”
Mbas festës
poetiko-kulturore me mesazhe fisnikërisht të larta, autorja u shpreh: “Dua t
ju them se në datën 8 Shtator u promovua libri im, në Vlorë. Salla e
bibliotekës së universitetit të qytetit tim ishte plot. Dëgjova aq shumë fjalë
të bukura sa humba toruan. Qe një nga orët e rrethuara me ndjesi të forta
tokësore. Rrënjëzore. Dashuri, sinqeritet, ngjyra, muzikë, paqe, buzëqeshje,
fshat, libër, rrëmënesht, humor, labër dhe fisnikëri.
Ju
përqafoj të gjithëve! Ju që më zbukuruat atë sallë me plot energjinë tuaj
pozitive. Falënderoj dhe përqafoj dhe JU që s’mundët të vinit por, më dërguat
mesazhe. Falënderoj për pëlqimet, komentet. Nderuar organizuesit, televizioni,
universiteti, biblioteka dhe pjesëmarrësit.
Me shumë
dashuri Sofia Arapaj.”
Poetja Sofia Doko Arapaj me 3 organizatorët e Terminalit në Vlorë
Biblioteka e Universitetit të Vlorës, vatër e ngrohtë e shkrimtarëve dhe artistëve. Pamje nga takimi me poeten Sofia Doko Arapaj, shtator 2023