Kulturë
Fran Gjoka: Shkrimtari Pajtim Xhelo, është mishërim i thjeshtësisë, i dinjitetit dhe i krenarisë kombëtare
E premte, 15.09.2023, 07:17 PM
Shkrimtari Pajtim Xhelo, është mishërim i thjeshtësisë, i dinjitetit dhe i krenarisë kombëtare
PROFIL
SHKRIMTARI
Nga
Fran Gjoka, Lezhë
U
lind në qytetin e Vlorës, në një familje shumë të hershme qytetare me tradita
intelektuale dhe atmëmëdhetare nga të dy prindërit. Që në vitet e para të
shkollës shquhej për një përqëndrim të pazakontë në marrjen e dijeve. Mësuesit
e tij thonin që ky djalë nuk studionte për të marrë nota të mira. Ai studionte
për njohuri të qëndrueshme, me piksynyme të qarta, që të njihte sa më mirë
botën që e rrethonte. Ishte ndër nxënësit e rrallë, me formim të përgjithshëm,
i vlerësuar me notën 10 në letërsi dhe lëndët shoqërore dhe me 10 në matematikë
dhe shkencat e përpikta. Kish prirje të
veçantë për gjuhët e huaja, të cilat më vonë e ndihmuan në studimet e tij në
shkencat albanologjike.
Shquhej
për një pjekuri të parakohshme, seriozitet në çdo hap që hidhte, këmbëngulje,
etje për dije. Mësuesit dhe shokët e tij
trgonin se ai nuk mësonte kurrë përmendësh, pa e zbërthyer dhe kuptuar në thelb
gjithçka të re.
Pasioni
për letërsisnë u vu re që në moshë të re. Në klasën e pestë mësuesja e gjuhës
ruse, Mjaftime Gorishti, duke parë që njohuritë e tij ishin më të përparuara se
ato të moshatarëve të tij, e ngarkoi me mbarëvajtjen e bibliotekës së shkollës
Nr. 2 (Naim Frashëri). Kjo bëri që ai të niste të lexonte me një etje të
jashtëzakonshme që në atë moshë (11–12 vjeç) autorë të dëgjuar, si Tolstoi,
Dikensi, Viktor Hygoi, Balzak, Stendal, Xhek London, Gorki, Turgenjev, Gogol,
Pushkin, Lermontov, Majakovski, Dikens, Shollohov, Migjeni, Mjeda, Noli, Çajupi e shumë të tjerë. Siç tregon edhe vet,
nuk i duhej të studionte shumë në shtëpi, sidomos në matematikë. Cili qe
sekreti? Kishte një vëmendje të jashtëzakonëshme në shpjegim. Shokët e tij
thonë që kur mësuesit shpjegonin, ai nuk shkëputej nga dëgjimi, sikur bota të
përmbysej rreth tij. Mbase do duket e pabesueshme, po në moshën 13 vjeçare,
Pajtim Xhelo shkruajti një novelë me temë nga jeta shkollore, novelë që u
vlerësua nga një shkrimtar vlonjat, mësues letërsie, Miliano Stefa. Që kur
ishte në vitin e parë të gjimnazit, mësuesi i letësisë, Daut Shtino u thosh të
gjithëve që Pajtim Xhelo e njihte drejtshkrimin e gjuhës shqipe më mirë se vetë mësuesit e gjuhës. Një ngatërresë e
sajuar në biografi bëri që të mos shkonte në universitet në degën që donte.
Shkoi me dy muaj vonesë për agronomi. Nga letërsia dhe arti nuk u shkëput. Luajti
teatër, këndoi, ishte atlet cilësor... Një djalë me prirje, që mbase, në parim,
edhe kundërshtonin njëra-tjetrën.
Në
pesë vitet studentore shkroi dhe botoi heraherës në gazetën STUDENTI e më pas
në gazetën lokale të qytetit. E emëruan në Shkollën e Mesme të Llakatundit
(Teknikum Bujqësor), nga ku, për shkak të asaj përbërje politike të sajuar e
larguan me shkakun që lexonte libra të ndaluar. Pas 13 orë mbledhje, ku u
mbrojt nga të 59 mësuesit (me përjashtim të Sekretarit të Partisë dhe drejtorit
dhe spiunit) shpëtoi nga dënimi me burg, po mori një goditje që e deyroi të
heshtte për disa vite. Deri atëhere kish gati për botim dy novela, tre vëllime
me tregime dhe dy vëllime me poezi. I pushtuar nga paniku dhe frika mos e
përndiqnin, i dogji të gjitha dorëshkrimet në sobën e drurit. Nga shkrimet nuk
hoqi dorë, por fshehur, pa ia treguar askujt.
Gjatë
kohës, studionte autodidakt për
historiografinë e lashtë të popullit tonë, e cila i dha dorë të
përfundonte romanin e tij historik “Mallkim i përjetshëm”, të cilin e aprovoi
për botim Shtëpia Botuese “Naim Fr4ashëri” në vitin 1988, ku ishte
nëndrejtoreshë Iskra Tata Thoma. Recensenti historik, Myzafer Korkuti e
vlerësoi me notat më të larta jo vetëm nga ana
e vërtetësisë historike, por edhe si lexues i kualifikuar. Po kështu
edhe recensenti tjetër, Arben Xoxe. Romanin nuk pranoi ta linte për botim,
sepse nuk ra dakord që të ndryshonte një fakt historik... Donte t’i përmbahej me përpikmëri vërtetësisë
historike. E botoi në vitin 1997, nëpër plumbat e marsit të tmerrshëm të atij
viti të mbrapshtë. Në vitin 1992 nxjerr gazetën “Zgjimi” si gazetë e vetme në
Vlorë, sepse gazeta “Vlora” tashmë ishte
mbyllur. Po atë vit çel Shtëpinë e parë dhe të vetme Botuese në Vlorë me emrin
“Flamuri”. Nisi botimin e një Almanaku letrar me titullin “Aulona”, por për
shkak të vështirësive financiare dhe teknologjisë shumë të vjetër të
makinerive
të shypshkronjës, dolën në dritë vetëm tre numra. Po kështu boton një gazetë të
dytë dyjavore me titull “Ekartshkin” (ekonomi, art, shkencë, informacion). Edhe
ajo pasoi almanakun, dolën vetëm tre numra dhe nuk jetoi më. Siç thotë edhe vet
Pajtimi, nëse do t’i presësh rrugëtimin
një artisti krijues, vëre në drejtim dhe ia ke arritur qëllimit. Ato vite për
Pajtimin ishin një zbrazëtirë, pa
krijimtari. Në të vërtetë, nga viti 1990, deri në vitin 1997, duke qenë
Drejtor në dy ndërmarrje, nuk pati mundësi të merrej me krijimtari.
Shkrimtari
dhe poeti i talentuar Pajtim Xhelo, Vlorë
Botimet
i nisi në vitin 1997 dhe 1998. Për shkak të një diabeti shumëvjeçarë (që në
moshën 18 vjeç, kur nuk i doli e drejta e studimit), pati probleme të rënda me
sytë. Bëri 9 ndërhyrje në klinikat ruse dhe deri në vitin 2015 nuk mundi të
shkruante. Pas këtij viti, edhe pse duke sakrifikuar shëndetin e të parit,
vijoi të shkruante dhe të botonte me një vullnet dhe frymëzim të
jashtëzakonshëm. Vetë Pajtimi thotë: -Mund të duket çudi, po Zoti ma ktheu
borxhin e viteve që heshta. Ka botuar dy romane dhe të tretin e ka gati për
botim, 10 vëllime me lirika, dy vëllime me novela, në bashkautorësi me Iskra
Tata Thomanë, një vëllim tjetër me novela në bashkautorësi me Iskrën, një
novelë xhepi, një vëllim me tregime, një libër me studime albanologjike dhe
librin e fundit, në bashkpunim me Iskrën, me “Shprehje frazeologjike” përmes
rrëfenjave. Edhe pse me probleme të rënda shëndetësore, ai po vijon
krijimtarinë. Ja si shprehet Iskra për
mikun e saj, Pajtimin: “Pajtim Xhelo, si shkrimtar, ka arritur në majën e
Olimpit në të gjitha gjinitë e prozës, që nga tregimi i shkurtër, novela,
romani (madje edhe romani historik, që është aq i vështirë, sidomos kur flet
për lashtësinë). Më duhet të theksoj faktin, që, edhe pse nuk është çam, ka
shkruar aq shumë tregime për Çamërinë, aq sa kanë shkruar të gjithë krijuesit
çamë të marrë së bashku. Disa nga shokët, me shaka, i thonë: “Ti je çam.” E kam
të vështirë ta them me siguri nëse Pajtimi ka lënë pa na sjellë në tregimet e
tij ndonjë krahinë të Shqipërisë Natyrore apo, siç i quan ai, Epirit, Iliirisë
dhe Maqedonisë me origjinë pellazge, duke nisur që nga Trieste, në Mitrovicë,
në Ulqin, në Folorinë, Kostur, Konicë, Grebene, Selanik, deri në Artë dhe
Prevezë. Them se na i ka sjellë të gjitha trevat pellazge në krijimet e tij.
Nuk mund të lë pa përmendur këtu edhe disa rrëfenja impresioniste të tpit të
Kafkës etj. Shpesh, madje mund të them pa frikë, rëndom, në përshkrimet kthehet
në prozë poetike të mirëfilltë, me të gjithë bukurinë e këtij stili,
veçanërisht me mendimin e thyer dhe tingullin ngacmues për shpirtin. Si poet,
më duhet të pranoj se i ka kaluar përmasat mbarëkombëtare, madje i ka kapërcyer
edhe këto kufij. Në një kohë kur poezia, jo vetëm te ne, por edhe në botë,
është zbehur, është bërë thjeshtë një prozë e zhveshur nga melodia, flladet dhe
aromat e vesës nektarore, lirikat e Pajtim Xhelos të rrëmbejnë shpirtin, për të
të çuar në yllësitë e përfytyruara të legjendave hyjnore. Edhe poezia e tij epike të rrëmben në krahë, për
të të çuar mysafir në botën burrërore të nderit, besnikërisë, bujarisë dhe
trimërisë. Poezia e tij është gati hyjnore, teknika ka arritur përsosmërinë,
Shpirti i tij i madhërishëm na flet me gjuhën e Perëndive përmes vargjeve
brilante. Gjuha e poezive të tij (natyrshëm, edhe e prozës) është shqipja e
kulluar, larg huazimeve dhe ndikimeve. Dhe nuk ka si të ndodhë ndryshe. Ai ka
bërë një punë të palodhur për të përzënë nga fjalori fjalët “ardhacake”, si i
quan fjalët e panevojshme që kanë pushtuar fjalorin (leksikun) e gjuhës shqipe.
Ai ka studiuar historiografinë e lashtësisë së popullit tonë, ka arritur në përfundime
me vlera të pamohueshme, që hedhin dritë mbi të vërtetat që na i kanë rrëmbyer
padrejtësisht fqinjët tanë.
Natyrisht,
nuk kish si të ndodhte ndryshe, që një njeri me një kulturë kaq të gjerë e të
thellë në të gjitha fushat e jetës, një intelektual i mirëfilltë si Pajtim
Xhelo, të mos ishte edhe një poet dhe shkrimtar me përmasa të pakufishme, të
pakonturuara. Ky është shoku dhe miku im, Pajtim Xhelo, njeriu me një përvojë
jetësore të jashtëzakonëshme, që po na e lë këtë përvojë si margaritar për brezat
që do vinë. Dhe të mendosh që ky njeri, deri para pesë viteve, nuk tha kurrë me
gojën e vet: “Jam poet apo shkrimtar, apo studiues”. Po thoshte gjithmonë: “E
dua vendin tim, e dua kombin tim, e dua qytetin tim mbi jetën time fizike”. Një
njeri me të tilla vlera, që nuk thotë: “Jam poet, jam shkrimtar, jam studiues”
është mishërim i thjeshtësisë, i dinjitetit dhe krenarisë që hesht, por që flet
me gjuhën e një shpirti të shenjtë. I kujtoj qeverisë e sidomos pushtetit lokal
të Vlorës që t’i krijojë kushte minimale këtij njeriu me përmasa të
jashtëzakonshme, që ka pranuar të digjet pa flakë, pa bujë dhe zhurmë për të
mirën e kombit, të atmëmëdheut dhe Vlorës sonë. Edhe pse me probleme të rënda
me shëndetin, sidomos me sytë, për të cilët mjekët e kanë këshilluar të mos
lexojë e të mos shkruajë, pasi bëri nëntë ndërhyrje për të ruajtur këtë pakëz
dritë, ky njeri ka vendosur të sakrifikohet për atë qëllim madhor që i ka vënë
vetes. Të lerë trashëgim krijimet e tij perla për të gjithë ne, edhe për
fëmijët e tij, se tjetër pasuri ai nuk ka. I uroj me zemër jetë të gjatë këtij
njeriu të thjeshtë, të heshtur, që nuk e ka njohur egoizmin dhe egocentrizmin,
kësaj blete që ka mbledhur për vite të tëra nektarin e jetës për të na sjellë
mjaltin e shpirtit. Që në gjimnaz, e thërrisnin Esenin. E them pa e tepëruar,
që Vlora ka fat të ketë një Esenin të ri. Ku ka poet tjetër që ka shkruar për
Vlorën 22 poezi perla, që nuk ngjajnë aspak me njëra-tjetrën. Ku ka poet
tjetër, që në të dhjetë vëllimet e tij me poezi të na sjellë njëlloj si në
prozë, dashurinë, gëzimin, trishtimin, zhgënjimin, miqësinë e sinqertë,
pabesinë, rrëzimin dhe ringritjen, merakun, dhëmbjen, fitoren dhe humbjen me
një stil klasik mjeshtëror, ku rima, ritmi, figurat e mrekullueshme letrare,
brishtësia dhe ëmbëlsia të të bëjnë të ndihesh në një lirishtë pylli, në një
majë mali, të të puthin valët e detit, të të freskojë ujët kristal të një kroi,
të këndosh me netët hënore, të vallëzosh me yjet... Shqipëria e ka këtë fat.
Vlora e ka këtë fat. Veç ne, shqiptarët,
duhet të mësohemi t’i vlerësojmë njerëzit që i shërbejnë kombit me përkushtim,
që kur ata janë gjallë. Një atmëmëdhetari si Pajtim Xhelo (po përdor fjalën
atmëmëdhetar, një nga qindra fjalët e reja, me të cilën ka pasuruar gjuhën
shqipe ai), duhet t’i afrojmë dorën e çiltërsisë për të na çuar në të gjitha
burimet e shpirtit të kombit tonë. E them pa rezervë, që nuk kam njohur asnjeri tjetër me vlera të pamohueshme, që të
jetojë në varfëri dhe të ketë mendimin dhe shpirtin të pasur e të thellë sa nëntoka
e Vlorës së tij, prej nga ai merr fuqi si Anteu. I pati të gjitha mundësitë që
të largohej nga Vlora, po nuk e bëri këtë. E fundit, po kryesorja që do them,
asnjë varg i Poetit Pajtim Xhelo nuk ka
nevojë për redaktim. Ai ka arritur përsosmërinë. Dhe mos harroni që këto i
thotë Iskra Tata Thoma, që ka punuar redaktore në Shtëpinë Botuese më të mirë
“Naim Frashëri” për 10 vite.
Që
të flasësh për Pajtim Xhelon, nuk mund të mos thuash edhe pasionin e tij për
gjuhësinë dhe historiografinë. Për gati 45 vite ai studio autodidakt për
historinë e lashtë të popullit tonë. Deri në vitet 1985 iu desh të përkthente nga italishtja, frëngjishtja dhe
rusishtja, sepse në bibliotekat tona kishte pak materiale për historiografinë.
Përfundimet e këtyre studimeve (jo të gjitha) i botoi në librin “Vëzhgime
Albanologjike”, libër që u vlerësua nga Universiteti i Vlorës “Ismail Qemali”,
rektori i të cilit organizoi edhe një simpozium në rang akademik. Një pjesë e
mirë e materialeve të këtij studimi nuk e pa dot dritën e botimit, sepse
Pajtimi i kish lënë në kompiuter, për t’i plotësuar me materiale të tjera,
pastaj t’i botonte në një vëllim të dytë. Fare papritur, në 12 shkurt 2023 i
bllokuan faqen e tij të facebook, të cilën nuk e hapi dot më, edhe pse bëri
përpjekje kudo. Së bashku me këto materiale, humbi edhe 15 tregime dhe disa
studime në gjuhësi (leksikologji dhe sintaksë si dhe krijimin e disa fjalëve të
reja, duke përqasur ato të dialektit të veriut). Sidoqoftë, në bashkautorësi me
miken e tij, Iskra Tata Thoma, ata botuan librin “Shprehje Frazeologjike,
sjellë përmes rrëfenjave”, i cili u vlerësua edhe ky nga Universiteti i Vlorës
“Ismauil Qemali” (falë iniciativës së Rektorit të këtij Universiteti, z. Roland
Zisi.) Edhe për këtë libër (me 430
faqe), i vetmi i këtij lloji në Shqipëri, Universiteti organizoi një simpozium
shkencor, ku u dhanë vlerësime nga
pedagogë dhe akademikë me tituj shkencorë, si Bardhosh Gaçe, Ermir Xhindi, Mujo
Buçpapaj, Albert Habazi, Aleksandër Çipa, Vllasova Musta e të tjerë. Ja disa
vlerësime të Dr. Ermir Xhindit (pedagog në Universitetin “Ismail Qemali”
Vlorë), një nga njohësit më të mirë të Letërsisë Shqipe. Tekstet që shkruan
Pajtimi, sipas meje, u takojnë këtyre prirjeve, me gjuhën, poetiken,
ndjeshmërinë e tyre, çka dëshmon jo vetëm talentin e shijen e njeriut qe nuk e
ka humbur kurrë garën me kohën, por edhe etike intelektuale të nivelit të
lartë, cilësi që ndeshet rrallë këto kohë kur konformizmi është kthyer në
mënyrë jetese, madje kusht për të jetuar.
Sa
i përket poezisë, Pajtim Xhelo duket se ka arritur majat e përsosmërisë në të
gjitha drejtimet. Nuk po hyj në një analizë të detajuar, mjafton të them me
bindje të plotë, pa asnjë rezervë, se poezia e Pajtim Xhelos të fton në magjinë
e saj e lirë, e pa ngatërruar në sajesa të kota e të panevojëshme, të cilat
dobësojnë efektin estetik, shpirtëror e psikologjik, aspak imponuese, larg
empirikes, të rëndomtës, larg “të të shkruarit poezi për poezi”. Poezia e tij
rrjedh natyrshëm, e pa sforcuar, siç zbret ujët e një përroi malor, fëshfëritës
dhe i kulluar, që të përfton qindra melodi hyjnore, të papërsëritëshme, të
cilat të mbajnë shpirtin peshë dhe të qetësojnë e të qartësojnë mendimin. Ajo
që e bën më të pranueshëm nga të gjitha moshat dhe kategoritë shoqërore
Pajtimin si poet është tematika e gjerë, e pafundme e poezisë së tij. Nuk gjen
në poezinë e Pajtim Xhelos trajtesa pa kuptim, fare të rëndomta të natyrës, si
yjet, hëna, bilbili, trëndafili, etj., siç i gjen te poetët e tjerë. Asgjë nuk
shkruhet për asgjë. Gjithçka ka përmbajtje, ka lëndë. Ka jetë njerëzore,
shpirtërore, ka mendim të thellë, psikologjik. E ndërsa përfytyrimi i poetit
pushton të padukëshmen, të paarritëshmen, qielloren, gjykimi dhe arësyeja i
zbresin ato në tokë, bashkë me hapat e kujdesëshme që ai hedh me urtësinë dhe mençurinë
e tij. Pajtim Xhelo nuk fluturon, ai është ectar i përditshëm, i zakonshëm, në
jetën e përbashkët me njerëzit e tjerë. Nuk është nevoja të përmend emra
poetësh, mjafton të them se lirikat e Pajtim Xhelos mbajnë aromën Eseniniane.
Kjo besoj mjafton.
Nuk
mund të anashkaloj prozën e Pajtimit, e cila është një “Prozë Poetike” e
pandarë nga poezia e tij. Për këto dy elemente, dekonstruksionin si parim
krijues dhe ndershmërinë intelektuale që i jep funksion veprës se Pajtimit.
Përkatësisht, po flas shkurt për “Gruaja dhe Vdekja”, “Testamenti i Aleksandrit
të Madh”, “Doktori i Vdekjes”. Tregimet i lidh filli i vdekjes, por jo siç në
kuptimin e fatalizmit. Është interesante se është zgjedhur vdekja, kjo
rrafshuese e pamëshirshme e jetës, për të kryer të kundërtën: për të sublimuar
kuptimin e një jete të plotë, të pashkatërrushmërisë së saj. Në kuptimin
poetik, strukturor, vdekja e kushtëzon tregimin në çdo rast, me një dinamikë të
detyruar veprimesh, zhdërvjelltësi në shpalosjen e karaketereve dhe fund simbolik
të pashmangshëm. Padyshim zgjedhje e vështirë, por autori ka arritur që për çdo
rast të kontrollojë ndërlikimet e kuptueshme. Unë besoj se janë njëlloj
arkeologjie shpirtërore e psikologjike, në kohë e në hapsirë, njëlloj aventure
e kujtesës, që shpie, si të gjitha aventurat e mëdha të njerëzimit, në zbulime
të jashtëzakonshme. Në këtë pikë, për këtë shkak, tregimet që duket sikur i
lidh vdekja, në të vërtetë i bashkon eksplorimi i fuqisë së jetës. Vërej me
kënaqësi, tregimet e Pajtimit i përmbahen një rendi në sintoni me zhvillimet e
sotme të letërsisë shqipe, siç e përmenda. Në njërën anë dramat urbane, në anën
tjetër, kaosi i identitetit. Në ndonjë rast dëshmohet edhe një version i
integruar i tyre.
Nëse
do të duhej ta përkufizoja, në shërbim edhe të bindjes sime mbi llojin e
letërsisë që shkruan Pajtimi, humanizmi, brishtësia emocionale, përkushtimi
bindja e njeriut e shenjojnë atë pashlyeshëm.
Në
tre tregimet e tij, Pajtimi ka eksperimentuar me të dyja, çka më shtyn të besoj
praninë e një pune krijuese në kërkim të teknikave më të përshtatshme për
shkrimin. Subjekti, pavarësisht nga fabula e thjeshtë, është pothuajse
gjithmonë materie e përpunuar mirë, proporcionale – situatat, edhe për shkak të
përzgjedhjes tematike, por kryesisht për shkak të ndërhyrjes autoriale, kanë
tension të brendshëm, nuk bien në rrafshtësinë apo deklamacione sentimentale.
Karakteret – këtu Pajtimi meriton vlerësim të veçantë – janë entitete
shpirtërore e morale të krijuara përmes konfesionit. Mbi këtë skemë
topik-mekanizëm poetik pra, vdekja–konfesion në prag të saj, ndërtohet tregimi,
një lloji kodi origjinal, koherent, një lloji religjioni poetik në miniaturë.
Pa
u zgjatur, për të mos e humbur interesin, për aq sa e njoh krijimtarinë e
Pajtimit, qoftë në prozë, në poezi, në publicistikë, në interesimet
historigrafike e gjuhësore, në albanalogji, përgjithësisht e shoh të mbushur me
kode të tilla koherente, gjej shenjën e një njeriu plot pasion, kërshëri e
dije. Edhe pse me probleme të rënda me shëndetin, sidomos me sytë, për të cilët
mjekët e kanë këshilluar të mos lexojë e të mos shkruajë, pasi bëri nëntë
ndërhyrje për të ruajtur këtë pakëz dritë, ky njeri ka vendosur të sakrifikohet
për atë qëllim madhor që i ka vënë vetes. Të lerë trashëgim krijimet e tij
perla për të gjithë ne, edhe për fëmijët e tij, se tjetër pasuri ai nuk ka. I
uroj me zemër jetë të gjatë këtij njeriu të thjeshtë, të heshtur, që nuk e ka
njohur egoizmin dhe egocentrizmin, kësaj blete që ka mbledhur për vite të tëra
nektarin e jetës për të na sjellë mjaltin e shpirtit. I vetëdijshëm për këtë,
me shembujt që solla, vlerësoj se krijimtaria e tij është një sistem vetjak i
organizuar rreptësisht e i mirëmenduar, dëshmi e talentit e akumulimit të një
jete plot punë, shenjë e një letërsie që është pjesë e një prirjeje të re
letrare, të një letërsie që buron prej përgjegjësisë ndaj lexuesit e leximit e
jo si sundim mbi të.
Tani
nuk më mbetet gjë tjetër, veç të shpreh dëshirën që Pajtim Xhelo të ketë edhe
shumë vite jetë, që të na lerë sa më shumë vlera të çmuara me krijimet e veta
brilante.