Kulturë
Gazeta Dielli (1989) për poezinë e Rudolf Markut
E marte, 19.09.2023, 07:03 PM
Rudolf Marku
Shkurt,
viti 1989:
Po
ngjitesha shkallëve të Bibliotekes Kombëtare, kur u ndesha përballë Nasho
Jorgaqit, profesorin tim të letersisë Shqipe. Më ndalon. - E di se ‘’Dielli,, i
Vatrës ka botuar diçka rreth teje?- më thotë, me një ton disi enigmatik.
‘Dielli’
i Bostonit ishte njëra ndër gazetat që ruhej në Fondin e literaturës së
ndaluar. Nuk lejohej ta merrnje pa patur autorizim. Por Vasilika Strakosha dhe
Etleva Domi- kjo e fundit vajza e profesorit tim të gramatikës, të nderuarit
Mahir Domi,- ishin shpëtimtaret tanë, për ne që ishim të pa-autorizuarit e
përjetshëm. Dy vajza të mrekullueshme që rrezikonin vehten e tyre për të na i
dhënë për disa orë, fshehurazi dhe pa
leje, librat a gazetat që donim ne!
Ja
teksti i gazetës Dielli, January 25,1989:
‘’DY POEZI NGA RUDOLF
MARKU-
Koment nga Hyll Ogreni
‘Dielli,.
‘Edhe në bahçen pa lule
të realizmit socialist-në poezi rrallë e tuk ndodh nonjë mrekulli e vogël.
N’atë grumbull ferrash,
gjëmbash, hithrash dhe trëndafilash plastiku (prodhime këto të Uzinës Letrare
Enver Gorki) mbijnë tek tuk lule të merme poezije. Në mos u gabofsha, të tilla
janë disa poezi nga Rudolf Marku, botuara në revistën Nëntori, 9, 1988. Dy sish
po i botojmë këtu.
Tre Veçori, të paktën, i
bëjnë këto vjersha të shquhen prej vjershave të realizmit socialist shqiptar:
-tisi i murmë
surrealist, me të cilën poeti e vesh atmosferën e brendisë si në vjershën e
parë ashtu dhe në ‘Kujtim për Nënën,- qe vetvetiu i veçon ato prej realitetit të realizmit
socialist;
-mungesa e
bombastiçsmash dhe moralizimesh të
materializmit dialektik;
-theksimi i ndjenjave
personale, individuale dhe shmnagia e nështrimit këtyre ndjenjave,
ndjenjave Objektive apo realitetit
objektiv a frymës objective ( e të tjera dëngla komuniste).
Me fjalë të tjera, në
poezinë e Markut ke për të gjetur shënja njerzilleku në ndjenjë dhe sinqerieti
në shprehje.
Gjë e madhe kjo-në një
system ku Mbret është Terrori dhe Mbretereshë Hipokrizia…’’
Të
them të drejtën, u frikësova! Edhe kur dola nga dyert e Bibiotekës, pashë rreth
e rrotull. Fjalia e fundit më ka ndjekur për një kohë shumë të gjatë.
Më
vonë kam mësuar se Yll Orgeni ishte një intelektual i njohur në rrethin e shqiptarëve të Amerikës, për kulturën dhe
njohjen e madhe të letersisë, studjuar në Oxford dhe Harvard.
Kurse
gurhedhësit e ditëve tona,- të diplomuar
në Universitetin e Hafijeve, -dhe ndonje thrash tjetër snob i gjizes autoktone
tê Tiranes -janë gati t’i konsiderojnë këto poezi dhe plot të tjera si këto,
botuar nga kolegët e mi, të talentuar, ditirambe ndaj Komunizmit shqiptar!
(Poezitë
nuk po i riprodhoj këtu, thjesht doja të lexonit se si një dashamirës i
vemendshëm i Poezisë shqipe, që jetonte larg, nuk ishte indiferent ndaj poezive
qê botoheshin ne shtypin e Tiranês).