Kulturë
Xheladin Mjeku: Imazhi i hijes në tri kohe
E merkure, 20.09.2023, 06:55 PM
IMAZHI I HIJES NË TRI KOHË
Ramë
Oraca: ,,KALORËSI I HIJEVE”, poezi, botoi ,,Lena” – Prishtinë, 2023
Nga
Xheladin MJEKU
1. Me shkas
Ramë Oracën (1958) krijimtaria e tij
letrare për dekada e bënë të njohur për
opinionin artdashës. Ai pas disa titujve në poezi, prozë, dramaturgji, vjen me
librin e radhës ,,Kalorësi i hijeve”, që mund të
konsiderohet ndër më të veçuarit në opusin e tij krijues, qoftë për tematikat
që trajton, qoftë për vlerat estetiko-letrare që takojmë brenda kësaj lënde
poetike.
Një shpalosje mbresash nga shfletimi i
këtij libri do t’ia lehtësonte lexuesit ta gjej fillin e ngjarjeve të ndryra në
botën e hijeve, të zbuloi misterin e kësaj poezie që për pikënisje ka legjendën
e bashkëdyzuar me veprimet e tri kohërave të ravijëzuara mbi bazamentin e
ndërtimit poetik.
2. Doruntina shpërfill tisin e hijeve të kohës
Ramë Oraca, me zhdërvjelltësi shtjellon
gjetje të reja, si në prozë, ashtu edhe në poezi. I tillë vjen edhe me librin
,,Kalorësi i hijeve”, ku me sukses do
ta ndërtoj lojën e personazheve - hije, që sa dalin nga legjenda, sa i kthehen
asaj përsëri, gjithnjë duke mbajtur një dorë në jetën reale, për të cilën ishte
dhënë besa e përjetshme. Ai krijon një teatër mes dramës, tragjikës dhe
vizionit të jetës, që bashkudhëtojnë si një hije e pandarë deri në pafundësi.
,,Kalorësi
i hijeve” të shumtën e herave vjen përmes rrugëtimit me Kostandinin, të
cilit pas një dialogu të gjatë, do t’i kujtohet sërish fjala e lënë peng te
motra, që i tingëllon si kumt: ,,mblidhe
trupin tënd dhe nisu/ gjaku yt po të kërkon”. (po aty, fq.9), për ta
vazhduar rrugën mes këshillave dhe zbërthimit të pamjes së tij prej hije: ,,Qenke bërë si roje varresh/ e motra po të
pret/ pret vëllain e fjalës”. (po aty, fq.11). I ndodhur mes vdekjes dhe
fjalës së dhënë, në përpjekje të vazhdueshme që ta dalloj hijen që i
parafytyrohet, nëse është motra, apo nëna, që ka marrë udhë nëpër varreza ta
takoj djalin. Kostantini i sigurtë se ajo vërtetë po vjen ta takoi, do t’i
drejtohet Kalorësit të hijeve: ,,Ti nuk e
njeh fytyrën e nënës/ ajo erdhi gjurmëve të mia/ erdhi si agu i një nate të
acartë/ shikomi sytë/ sa shumë i ngjajnë asaj/ -Nënë jam syri yt!” (po aty,
fq. 12). Ky dialog vazhdon edhe më tutje në përafrimin e kjartësive mes dy
hijeve: ,,Doruntinën e kemi motër që të
dy!/ e nëna nuk vdes kurrë/ sado të plakemi ne/ ajo ringjallet në sytë tanë.”
(po aty, fq. 13).
Vërtetë, Kostandini do ta kërkoj gjatë
gjithë kohës Doruntinën, ndërkaq parreshtur i shqitet një hije që i gjason nënës,
e cila, pas një pritje të gjatë që t’i kthehen bijtë, (ashtu siç e thotë edhe
legjenda), në një çast niset për ta
takuar birin e saj, Kostandinin, gjithnjë mbi parimin e fjalës së dhënë, se
shkeljet e hijeve nuk durohen as në përtejbotën e saj. Mbi bazën e kësaj
legjende, poeti e shtron tematikën e shtjellimit të ngjarjeve mes
bashkudhëtarëve, Kostandinit dhe Kalorësit të hijeve, që të mbyllur si në Kuti
të Pandorës vazhdojnë të veprojnë në ,,Teatrin e hijeve”, në përballje të
shpeshta me ,,Hijet e zeza”. Të
gjitha skenat e lojës defilojnë ,,Midis
dy hijeve”, që nuk janë, veçse personazhet e njëjtësuara në një trup dhe
një hije të vetme, që do t’i përcjell kudo, herë si vdekje, herë si ringjallje,
në përmbushje të besës së dhënë. ,,Doruntinën
e solla unë/ ajo menjëherë më njohu/ ishte po ajo që ia dhashë besën.” (po
aty, fq.17). Dramaticiteti i kësaj përballje mes hijesh sa vjen e konkretizohet
me kuptimin e realitetit që po ndodh jashtë varrit. E nëndheshmja si hije dhe
pritjet e pafund në përmbushjen e besës konkretizohen me njohjen e zërave që
thërrasin djalin, vëllaun, shpëtimtarin. Tashmë, vetë Doruntina do të shpërfill
tisin e hijeve:
Kostandini:
Vet zëri i Doruntinës është
qenka përzier me lotin e nënës
të nisemi bashkë.”
Kalorësi i hijeve:
Prit sa të hyjnë hijet brenda
njëra-tjetrës
dhe nisemi kah vaj i motrës!
(Po aty, fq. 17)
Këtu, imazhi i hijes nuk shqitet për
asnjë çast, sepse hija e ndanë realen dhe mistiken e kësaj drame jetësore deri
në zbërthimin e kuptimësisë së ngjarjeve.
3. Retrospektiva e legjendës në poezinë e Ramë Oracës
Pas një situate të gjatë e të
mundimshme të zhvillimit të këtyre ngjarjeve, dikush do t’i tremb ato hije me
erë dheu që stërzgajten në lëngatën e natës. ,,Një hije e përgjakur po thërret/ Fytyrë-dheu paska/ E sytë plot ujë.”
(,,Lajmëtari memec”, fq.19). Tashmë kjo dramë do të bartet në jetën reale, në
retrospektivë të hijeve nga legjenda, për të ndërtuar kështu botë-jetën mes të
gjallëve, intrigave, dhimbjeve, besimit dhe guximit të plotë në përballje me
realitetet e reja.
Gjithnjë flasim për një zhvillim të
panumërt ngjarjesh, për ndodhi fenomenesh, përplasje mendimesh, deri në takimin
e hijes me personazhet tjerë, për të vepruar si një trup i vetëm në mundjen e
hijeve që na rrethojnë në kohëra të ndryshme, me qëllime të caktuara. Kjo mbase
është gjithë esenca e mbarështrimit tematiko- motivor në gjithë poezinë e
librit të Ramë Oracës.
Tashmë gjithçka ndryshon këtu: e
kaluara si kujtesë, dhe përditshmëria si ndodhi, qoftë edhe imagjinare; pastaj
gjendja materiale e familjeve pas shkatërrimit të gjithçkaje në trojet e tyre,
të cilat do të shprehen veç si kujtime, sepse ,,Në maja të malit tonë/ Bora po shkrihet/ E askund gjurmët tona”
(,,Mali i djegur”, fq. 21).
Do të ndaloja pak më gjatë në poezinë
,,Lumi i kripës”, ku ,,Sipas ëndrrës së mbrëmshme/ Sërish akuzohen
hijet/ Për gurin e nënkresë/ Që e hodhën në lumin e kripës”, (po aty, fq.
27). Nga këtu gjithçka rikthehet në kujtesën e së djeshmes, të kaluarën pa
skenar, pa synopsis dhe pa përmbajtje, që të ngurtësuara vërtiten në kujtesën
popullore, si dhimbje, si humbje dhe ëndrra të paprekshme në kohën tonë, për ta
kërkuar pastaj të ardhmen edhe te hijet, meqë
,,Nga heshtja e varrmihësit/ Edhe
eshtrat u lëkundën/ Nga troku i hijeve të zeza”. Poeti, sikur e ka kuptuar
këtë ndryshim në kohë. Ai tashmë e zhvendos trajtimin tematik në retrospektivën
e ngjarjeve në kohën e tashme, anipse
nganjëherë do të ngatërrohet në çaste e situata të veçanta.
,,Kur arritën te lumi i kripës
Dikush ma shkeli hijen
Dhe u rrëzova para hijes tënde”.
(Po aty, fq. 27)
Ende ndodhemi ,,Para teatrit të hijeve”, shprehet poeti, ,,Ku luhet fat i fatit tim”, prej nga
,,Kjo hije e purpurt/ Në lojë me hije të zeza/ Me këmishën time të
përgjakur/ Nga etja e madhe/ Imiton vdekjen artistike”(po aty, fq. 33).
Nisur nga njohuritë e përgjithshme për jetën, këtu takojmë të trajtuar pjesërisht
dramën e quajtur Jetë, me vlerat, karakteristikat e veçuara në kohë, ndryshimet
dhe sprovat që ofron ajo, por i vetëdijshëm se ,,Asnjë dramë/ Nuk u shkrua deri në fund/ Për lojën e hijeve të gjata”,
as këtu nuk mund të
përmbyllet kapitulli i jetës, as përmes vargjeve më të spikatura, por një prekje e mirë
tematike bën të kuptohet se rrjedhat e saj kanë
orientim të pranueshëm, në përballje me ndryshimet, vlerat, synimet,
etj. Prandaj, ndodh që në meskohë ,,Fantazma e hijes sonë/ Shpesh ngjallet nëpër ëndrra/ Me sy
tanë!” (,,Fantazma”, fq. 37), pa mos ia
cënuar rrjedhën normale jetës, si veprim dhe synim parësor i njeriut të kohës. Megjithatë, në vazhdimësi
luhet ,,Drama” e jetës, edhe atëherë kur: ,,Si
në pasqyrë të thyer/
Krejt në fund të skenës/ Prapë inskenohet loja/ Për të mbijetuarit/ Nga dergja e maskave.”
(,,Drama”, fq. 41). Në rrugën e pandalur të jetës ,,Dikush edhe me veten aktron/ Sa për një kore buke.” (,,Kori”, fq. 45).
A nuk flasin
mjaft edhe këto vargje për nënën, në poezinë ,,Askund gjurmë dashurie”, për ta kuptuar lidhshmërinë mes
kohërave, me ndryshimin e daljes nga legjenda dhe kthimin në kohën e tashme?
,,Shpirti po më digjet kur e shoh nënën
Ndër engjëj duke më kërkuar”
(Po aty, fq. 108)
Por, çfarë thonë edhe shumë poezi
tjera, si:,,Asnjë pikë uji”, ,,Te Guri i Shpuar”, ,, Piku Molla e Kuqe”, ,,Ora
e ndryshkur”, ,,Në Shtëpinë e pleqve”,
,,Dergja e luleve”, ,,Vetëm Talia”, ,,Rruga e nisjes”, ,,Përsëri mëkati”, ,,Zogu
me zemër njeriu”, ,,Somnambul”, ,,Varri i Kalorësit të hijeve”, ,,Nën copën e
qiellit tonë”, ,,Aromë shiu”, ,,Fati i fatit tonë”, ,,Baladë për fjalën”,
,,Motiv për aktin e pritjes”, ,,Të pagjumët e tymnajës”, ,,Paraloja e një
loje”, ,,Bregu i flijimit”, ,,Kur çel dashuria”, ,,Rrathët e vdekjes”, ,,Midis
dy zanoreve”, ,,Kur je i askujt”, ,,Kur je vetëm”, ,,Askund gjurmë dashurie”,
etj., të cilat në sfondin e vet shpërfaqin ngjarje e situata që trajtohen
brenda kësaj laryshie temash, për të ndërtuar kështu një jetë botëkuptimesh, që
për qëllim kanë dekodimin e një enigme, të analizuar tashmë, edhe në këtë
shkrim mbresëtakimesh.
4. Ndalimi i trokut nuk është edhe fundi i fjalës
Këtu, Drama e hijeve, përveç tjerash, e
ka Premierën, Paralojën, Fantazmën, Prologun, Monologun, Dialogun, Dramën,
Komedinë, Tragjedinë, Epilogun, Korin, Reprizën, etj, që të gjitha e përbëjnë
Teatrin e madh të hijeve, ku figurat ngarendin si fije të holla, mes të cilave,
gjithnjë i mbështjellur me mjegullën gjysmë të tejdukshme ndodhet autori, në
lojë-kryelojën e trillit poetik, për të nxjerrë brumin e thadruar, me të cilin
do ta ndërtoj skenën e jetës nëpër kohë.
Togfjalëshat, apo vargje të shumta, ku
hija është pjesë qendrore e trajtuar në poezinë e Ramë Oracës, i takojmë
pothuajse në çdonjërën nga poezitë e këtij libri (ku në ndonjërën nga poezitë
hija vjen edhe në dy e më shumë raste), për ta formuar prezencën e kësaj loje
enigmatike të pazgjidhur mes legjendës dhe dramës së krijuar për jetën, si
fenomene që autori i trajton në këtë libër. E gjatë është lista e këtyre
togfjalëshave, që në lidhje të vazhdueshme fjalësh e vargjesh do të ndërtohet
struktura e kësaj materje poetike, apo e një poeme për hijen, si strumbullar
tematik i shtjellimit mbi elementet e legjendës, si dy ndërlidhje esenciale të
një bashkudhëtimi tematik. Nga gjithë ky arsenal togfjalësh të mbështjellura me
hijen, do të veçojmë disa prej tyre, që konsiderojmë se kanë një forcë të
qëndrueshme në ndërtimin e kësaj poezie, si: Kalorësi i hijeve, Dhe nisu pas
hijes sate, Kur s`ke vend për hijen tënde, Mos i kërko gjurmët e hijeve të
zeza, Duket si hije gruaje, Dikush e trembi një hije varri, Kjo hije ma shumë
po të përngjan ty, Mos humb kohë me hije të pashpirta, Nën hijen e një guri,
Prit sa të hyjnë hijet brenda njëra-tjetrës, Dikush i trembi hijet e gjata, Një
hije e përgjakur po thërret, Në bregun e hijeve, Vetëm një hije më njohu, E
gjetën të varur në hije të vet, Nga hiri i malit të djegur, Ranë përtej hijes sime,
Dy hije të verdha, Një hije ma preku dhimbjen, Një hije guri më përcjell, Vetëm
hija e një lisi, Në mbretërinë e hijeve, Copat e hijes sime i gjetën, Para
teatrit të hijeve, Kjo hije e purpurt, Nga pluhuri i hijeve, Fantazma e hijes
sonë, Hija ime hyn në skenë, Në lojë me hijet gungaçe, Dikush çobançe e ruan
hijen e vet, Hijen time e merr në thumb, Me hijen e njëri –tjetrit, Derisa të
vijnë hijet tona, Mund t’i zgjosh hijet e natës, Në këtë amfiteatër hijesh, Gjurmët
e hijes sime po më zbulojnë, Askush nuk ia shkeli hijen aq shumë, Jam në cep të
hijes sate, Me hijen time kokëfortë, etj. Këtu prezenca e hijes sikur nuk ka
fund, prandaj pa mos e rënduar më shumë këtë shkrim me citimin e çdonjërës veç
e veç, po lë mundësinë e takimit me këtë ,,material ndërtimor” të pafund, gjatë
shijimit të vargjeve që farfurijnë në skena e prapaskena që përbëjnë tërësinë
tematike të shtjellimit.
Pavarësisht
këtyre zhvillimeve të deritashme, përsëri ,,Kalorësi i hijeve” ngarend të prek ngjarjet nëpër kohë, herë si legjenda, herë
si hije meskohësh, që ,,Kushedi sa
shekujt i ka kullotur ai/ Deri në ditën e sotme/ Asnjë histori nuk qe e zonja/
Që ta zbresë kalorësin/ Nga hija e tij gungaçe” (po aty, fq. 110).
Por, në parim ,,Kush duhet t’i vrasë hijet e zeza?
Në gjithë situatat që takojmë, kjo
pyetje sikur e imponon prezencën e hijes së autorit, i cili në ngarendje ,,Të kalorësit pafre” që vazhdimisht
kalëroi edhe mbi trupat e të tjerëve ,,Duke
kërkuar adresën time” (po aty, fq.110), patjetër duhet të dal nga hija e
vet për ta shpalosur enigmën, si synim parësor në këtë realizim poetiko-letrar.
Kjo mbase mund të ndodh një herë tjetër, meqë ende ,,I njëjti fat po na bënë strehë/ Derisa të vjen e nesërmja/ Në një libër
tjetër/ Me emrin e fatit tim” (,,I njëjti fat”, fq. 112).
Besojmë se, poaq sa ka arritur të
begatojë veprën letrare figurshmëria e bollshme, gjuha e rrjedhshme dhe, në
përgjithësi, semantika e vargut, aq më shumë do t’ia zgjoj kërshërinë lexuesit
tematika e trajtuar, si një ndërlidhje konceptuale e kohë–ngjarjeve, duke i kompozuar
të gjitha në retrospektivë.
Padyshim se asgjë nuk do të përfundon
këtu, derisa mbetet edhe shumë për t’u thënë e analizuar nga kjo poezi, që reflekton
mesazh të fuqishëm dhe vlera të qëndrueshme letrare, në bashkudhëtim të
rezistueshëm në kohë.