Kulturë
Prend Buzhala: Imzot Nikë Prela, njeriu që trokiste portë më portë nëpër Europë për Çështjen e Kosovës
E diele, 01.10.2023, 06:57 PM
IMZOT NIKË PRELA, NJERIU QË TROKSITE PORTË MË PORTË
NËPËR
EVROPË PËR ÇËSHTJEN E KOSOVËS
(Manifestimi
i 14-të tradicional "KUSHTRIMI I GJEÇOVIT", që iu kushtua
105-vjetorit të lindjes së Imzot Nikë Prelës 1918-1996. Ky manifestim
tradicionalisht mbahet në Zllakuqan të Klinës, ku Gjeçovi më 1897 pati hapur
shkollën e parë shqipe në këto anë)
Nga
Prend BUZHALA
1.
Sot,
në Qendrën Rinore në Zllakuqan, në organizim të Forumit të Intelektualëve
"Luigj Gurakuqi" të Klinës, në bashkëpunim me Kishën Katolike të
Zllakuqanit, u mbajt manifestimi i 14-të tradicional "KUSHTRIMI I
GJEÇOVIT" që iu kushtua 105-vjetorit të lindjes së Imzot Nikë Prelës
(1918-1996), i cili ishte prelat i Kishës që shquhej me vlera kombëtare, dhe i
cili ka dhënë kontribut të çmueshëm për çështjen e lirisë së Kosovës. Imzot
Nikë Prelaj ishte i burgosur tri herë nga regjimi serbo-jugosllav. Ishte
ipeshkëv i dioqezit të lashtë Shkup-Prizrend. Në shënimet biografike për të nga
Radio Vatikani, thuhet: "Si atdhedashës, të cilit i dhimbsej vendi e
populli i vet, trokiti portë më portë në zyrat e larta kudo nëpër botë për të
mbrojtur me kërrabën e bariut, grigjën që i qe besuar, rrethuar nga ujqërit e
uritur. Dha kështu një kontribut të shquar në ndërkombëtarizimin e çështjes
shqiptare, veçmas të Kosovës. Mbylli sytë më 25 shkurt 1996." Në
manifestim merrnin pjesë Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës Imzot Dodë Gjergji,
mulla Xhevat Kryeziu, meshtarë, intelektualë, mërgimtarë nga SHBA dhe vendet
evropiane dhe të pranishëm të tjerë.
2.
Me
fjalë përshëndetëse u paraqitën nikoqiri don Alfred Sokoli, ipeshkvi Imzot Dodë
Gjergji, pastaj Besarta Nrecaj, drejtoreshë e shkollës fillore "Atë
Shtjefën Gjeçovi" të Zllakquanit. Për biografinë jetësore të Nikë Prelës
foli drejtuesi i manifestimit don Pal Tunaj.
Me
kumtesa u paraqitën:
-
don Shan Zefi, që shpalosi aspekte të personalitetit të tij si Njeri i
Popullit, i Zotit e i Kishës.
-
mulla Xhevat Kryeziu, që evokoi pajtimin e gjaqeve në vitin 1990. Mulla Xhevati
është mik i madh i Klinës e i Zllakuqanit, në veçanti, prej vitit 1990, i cili
sot la mbresa të pashlyeshme, kur evokoi brezat e prejardhjes së tij familjare,
si pasardhës i Gjeçvit;
-
Anton Kolaj, që shkëputi momente të bashkëpunimit e të takimeve të imzot Nikë
Prelës e të ish myftiut të Kosovës të asaj kohe, Rexhep Bojës, me krerë të
lëvizjes poltike të viteve '90 e me përfaqësues të huaj evropianë,
-
Pal Canaj, që nënvizoi praninë e imzot Nikë Prelës në Zlakuqan gjatë viteve
'90, në pajtimet e gjaqeve e në manifestimet kushtuar Gjeçovit e shkollës
shqipe,
-
dhe autori i këtyre rreshtave (Prend Buzhala), me kumtesën "IMZOT NIKË
PRELA,
NJË
PROFILI NË BOTËN E SHKRIMIT DHE LITERATURËS".
Manifestimi
u begatua me recitime të nxënlsve të shkollës së Zllakuqanit, si dhe pikat
muzikore rapsodike nga rapsodët e këtyre anëve Lekë e Gjon Duhani e Valentin
Laci.
3.
Shkëputje
nga kumtesa ime:
Kur
Papa Gjon Pali II i është drejtuar Imzot Nikë Prelës me fjalët: "Të
falënderoj, vëlla i nderuar dhe i dashur, për vuajtjet tua që ia paraqet Zotit,
për Kishën Katolike, për mua, për Kishën tënde vendase, për popullin tënd
shqiptar. Vetëm përpara, sepse vuajtja gjithmonë përgatitë ardhmërinë më të
lumtur. Kosova është plaga dhe shpresa jonë", pothuajse, brenda kësaj
fjalie i ka përfshirë të gjitha: përmasat e një personaliteti që ka vuajtur tri
herë burgje Serbie, përkushtimin e tij për Kishën dhe besimin, si dhe
sakrificën e dhënien me gjithë shpirt për fatet e kombit të tij. Dhe, kur në
kërkesat e këtij Ipeshkvi që ia kishte drejtuar Papës për Kosovën, po ky Papë,
mik i madh i kombit shqiptar, do të shprehet: “Kosova është plaga dhe shpresa
jonë”. Dhe, kur shpalosim jetën dhe veprimtarinë e personaliteteve të tilla
madhore, është e pamundshme që ata të mos i shohim edhe në një përmasë tjetër,
në atë të literaturës dhe shkrimit.
Ndryshe
nga jeta e tij, që paraqet anën e jashtme, shkrimi paraqet botën e tij të
brendshme, mendimin dhe përsiatjet, ndjesitë dhe përshpirtjet e tij, vizionet
dhe roli i udhërrëfyesit për t’i arritur qëllimet e synimet. Është njeriu që
nuk dëshiron të largohet për asnjë çast nga idealizimi i tij jetësor. Ndër të
tjera, akti i shkrimit është edhe akt i rishikimit të vetvetes dhe të borës që
e rrethon. Fjala është për librin “Vështrime dhe meditime” (i botuar si vepër
postume nga “Drita” më 2006. Në fakt, punën e tij me shkrimin, në Kosovë ai e
kishte nisur që më 1970, kur zuri ta botonte revistën “Drita”, revistë fetare e
kulturore e zyrës ipeshkvnore në Ferizaj. Do theksuar se në ato vite Drita
botoi rreth 40 libra shkencorë, dokumentarë e publicistikë të autorëve të
ndryshëm, e që paraqesin një thesar për kulturën shqiptare në përgjithësi. Shkrimet e punimet e tij të shumta, prej atij
viti e deri sa vdiq, nga rubrikat e tij të rregullta, qenë përmbledhur në dy
libra të tij të tjerë: “Fjalori biblik”, 1994 dhe “Shenjtorët, pajtorët
tanë”,1995 të botuar te “Drita “Ferizaj.
4.
Punimet
e librit “Vështrime dhe mendime”, i përmblodhi dhe i përgatiti për shtyp më
2006 don Lush Gjergji dhe i përktheu don Fatmir Koliqi nga kroatishtja, meqë më
1997 ishte botuar si libër më vete kroatisht. Këtë vëllim që ka një përmbajtje
e strukturë unike, mund ta lexojmë si një çetë moderne bogdaniane të profetëve,
por edhe të kundrimeve tjera me karakter teologjik, filozofik, sociologjik,
kulturologjik etj. të shkruara gjatë një dekade të errët, gjithsesi q aty
hetohen dy anë të kohës: njëra, që nuk e lë të shprehet hapur, por shkak se
kisha jo vetëm që ishte e ndarë nga shteti, por ajo survejohej e vëzhgohej në
çdo hap dhe aty hetohet hija e shpatës së Damokleut që i rri mbi kokë; dhe, e
dyta, të mendosh ndryshe nga mendimi përfaqësues zyrtar i kohës, qoftë edhe
plemes trajtesave të tilla, nuk ishte pak, ishte guxim. Libri ishte çeta e tij
ideale e profetëve, nëpërmes të të cilëve ai i fliste kohës dhe aktualitetit.
5.
Janë
edhe dy libra monografikë që i kushtohen imzot Nikë Prelës, siç janë monografia “Imzot Nikë Prela” i autorit Frrok
Kristaj, botim i Shoqatës HEKAS “Nikë Prela”, Ferizaj 2006 dhe “Imzot Nikë
Prela, Njeriu i Zotit, Kishës dhe Popullit” (botoi “Drita 2010, Prishtinë) i autorëve Don Lush Gjergji e DoVakentino
Salvoldi. Te libri i parë në mënyrë të plotë vështrohet jeta e vepra e imzot
Nikë Pelës, e ku, me interes janë kapitujt që flasin për historinë shqiptare të
Kotorrit, vendlindjes së Prelës, për takimet e tij me papët e Romës e me Nënë Terezen etj., burgosjet e tij, veprimtaria meshtarake e si Ipeshkv i
Kosovës, kurse te libri i dytë jepen
sfidat e jetës së Nikë Pelës, jetën e tij në historinë e në kujtesën e Kishës,
veprimtarinë e tij në pajtimin e gjaqeve, për vitet e burgimit të rëndë nën
regjimin komunist, si dhe për zërin e tij kritik e profetik.
Është
pra, Njeriu i Zotit e i Popullit që frymëzon në secilën kohë dhe një zë që
dëgjohet në secilën kohë.
Zllakuqan, 30 shtator 2023