E marte, 15.10.2024, 09:38 AM (GMT+1)

Kulturë

Hajdin Morina: Homazh i denjë për shkrimtarin Tahir Desku

E hene, 02.10.2023, 07:55 PM


HOMAZH I DENJË ESTETIK E STUDIMOR PËR SHKRIMTARIN TAHIR DESKU

Prend BUZHALA: ““Poeti që hyri në baladë” (Poezia e Tahir Deskut), botoi Lena, prishtinë, 2023, faqe 291

Nga Hajdin MORINA

Shkrimtari, studiuesi dhe kritiku letrar Prend Buzhala ka dalë para lexuesit me botimin letrar “Poeti që hyri në baladë” kushtuar profilit jetësor, letrar, luftarak, qytetar e njerëzor të poetit të ndjeshëm, bohem dhe kryengritës Tahir Desku. Pra, institucionet e artit e të kulturës, lexuesit dhe studiuesit e letërsisë tashmë e kanë edhe një referencë më shumë, edhe një formë më shumë të homazhit estetik që zgjon evokime dhe thadron në kujtesë për një shkallë më shumë Tahirin dhe veprimtarinë e tij të frytshme në disa aspekte të aktivitetit letrar e të angazhimit qytetar.

Autorit Buzhala i ka mjaftuar që figurën e Tahirit ta konceptojë dhe ta analizojë në një formë të veprës që përbëhet nga shtatë pjesë, nëpër të cilat kundrohen anë të ndryshme të jetës dhe të veprës së personazhit të tij. Atë autori e ka vënë, përpos nën optikën e stilit të tij studimor, edhe nën prizmin e qasjeve shkrimore, kujtimore e analitike të autorëve të tjerë, sidomos të bashkëkohësve dhe të bashkëluftëtarëve të Tahirit, të cilët nëpërmjet botimeve e qasjeve profesionale e kompletojnë figurën e shumanshme të Tahir Deskut. Ato lexohen edhe si vrojtime serioze, apo edhe si evokime e intervista nëpër mediume të ndryshme të Kosovës para dhe pas luftës së UÇK-së, të cilat sjellin material për ta njohur edhe më shumë qëndrimin dhe botëkuptimin e Tahirit ndaj çështjeve madhore të kombit, atdheut e të artit, por edhe ndaj fenomeneve të ndryshme shoqërore dhe kaheve jo gjithmonë pozitive në sistemimin e kërkesave dhe të progresit në fusha të ndryshme që janë shtylla të shoqërisë së organizuar dhe të shtetit.

1. Poeti bohem

Siç u cek më lart, kjo vepër e Buzhalës ndërtohet përmes shtatë pjesësh: pjesa e parë “Tahiri i artit, jetës dhe luftës”; pjesa e dytë “Poezia e Tahir Deskut”; pjesa e tretë “Libri poetik ‘Prejardhja e dashurisë”’; pjesa e katërt “Libri poetik ‘Nga biografia e pashkruar’”; pjesa e pestë “Libri poetik ‘Idil dhe vetmi’”; pjesa e gjashtë “Engjëjt e lirisë’ dhe ‘Në cilin gjeth kam vdekjen’”; pjesa e shtatë “Intervistat e Tahir Deskut në shtypin e kohës”.

Me pjesën e parë të këtij studimi kaq serioz nis shtjellimi i portretit jetësor dhe krijues të Tahir Deskut përmes të dhënave biografike, përmes konstatimit të fillesave letrare të muzës së Tahirit e të angzhimit të tij të frytshëm në media. Ndërkaq, përfshirja e tij në luftën e UÇK-së, përbën vlerë dhe pjesë që Tahiri e çmonte si njërën nga pjesët më të çmueshme dhe më të ndjeshme të biografisë dhe të shpirtit të tij, gjë që përbënte një sedër të veçantë që nuk lejonte t’ia prekin (mbaj mend mirë kur në bisedë e sipër shndërrohej në një tjetër Tahir kur fjalët papritmas binin në tokën, në qiellin dhe në dhimbjen e luftës). Kjo, pjesa e parë e veprës, na rrëfen për talentin dhe shkallën e suksesit që pati Tahiri në letërsi me botimin e përmbledhjes së parë poetike “Prejardhja e dashurisë”, e cila u prit mirë nga lexuesi dhe u prit me kërshëri nga kritika letrare,. Ndonëse, siç shprehet Buzhala, edhe redaksia e veprës së Tahirit ishte mjaft serioze në respektimin e vlerës së artit, sepse përbëhej nga emra eminentë të poezisë shqipe. Gjithashtu, kjo pjesë sjell informacion për veprimtarinë e Tahirit në medie: në Radiotelevizionin e Kosovës para lufte, nga i cili medium u përjashtua për shkak të integritetit profesional dhe për shkak të qëndrimit të tij politik ndaj zhvillimeve që kishin përfshirë Kosovën, pastaj gjatë luftës në radion “Kosova e lirë” dhe në Radiotelevizionin shqiptar (RTSH) si dhe në radio të jashtme që përfaqësonin agjenci prestigjioze të informacionit. Në këtë fillim të veprës së Buzhalës, po ashtu lexuesi merr informacion për kontributin e Tahirit si luftëtar lirie dhe reporter lufte, prandaj autori Buzhala, pasi ka kundruar këto tri aspekte ose dimensione të rëndësishme të aktivitetit të Tahirit, pra gazetarinë, letërsinë dhe luftën, me të drejtë ka konstatuar dhe faktuar se këto tri fusha, për të cilat është shkruar dhe do të shkruhet vazhdimisht, “do të ishin të varfra pa emrin e Tahir Deskut” (Prend Buzhala, vepra në shqyrtim, faqe 8.).

Po ashtu në pjesën e parë të këtij studimi, autori kundron një fenomen tjetër të jetës së Deskut: boheminë brenda konceptit të së cilës, në kontekstin kur jetoi Tahiri, lehtë dallohet pakënaqësia e tij ndaj frymës së instaluar të realitetit shoqëror, dëshira për ta sfiduar dhe anashkaluar këtë kontekst kohe. Ishte përpjekja  për t’iu përkushtuar letërsisë si të vetmes formë që mundësonte të jetuarit e asketizmit si përgjigje ndaj antivlerës dhe diskriminimit kombëtar e qytetar në kohën kur instiucionet zyrtare të artit, të arsimit e të kulturës përmes zhvillimeve të politikave shtetërore antishqiptare po shndërroheshin në mekanizma që luftojnë e mohojnë lashtësinë, letërsinë, traditat, kulturën dhe mbarë trashëgiminë e shqiptarëve e cila ishte dhe mbetet pjesë e traditave më të çmueshme të qytetërimit europian. Pra, Tahiri çante shtigje jashtë formave skematike e raciste të infrastrukturës shtetërore të regjimit të kohës, duke qenë gjithnjë një antikonformist i përbetuar, rol që e ushtronte edhe përmes bohemisë së tij karakteristike.

Buzhala, sigurisht për t’i dalë hakut Tahirit, zgjeron gamën e përsiatjeve të tij rreth konceptit të bohemisë që pa dyshim ka nxitur kureshtjen e studiuesve të kohëve dhe shoqërive të ndryshme. Fillimisht autori nënvizon se poetë bohemë si Mirko Gashi e Tahir Desku “e kishin ngritur kafenenë në kult krijimi, në vend ku zienin vorbullat e frymëzimit e të kryqëzimit të shpirtit” (po aty, vepra e cituar, fq. 18.)

Buzhala, për ta çuar më tej këtë konceptim, perceptim e receptim të objektit të tij të trajtimit u referohet edhe disa autorëve të huaj që kanë trajtuar në tekstet e veta fenomenin e bohemisë, prandaj në këtë rast përmend vepra, kundrime e qëndrime të autorëve Tin Ujeviq e Viktor Zhmegaq duke e pasuruar kështu tekstin me referenca nga literatura kroate, por edhe me referenca nga të tjera vepra e tekste të literaturës tjetër ndërkombëtare.

2. Arkitektura e librit

Në pjesët e tjera të kësaj vepre trajtohen dhe thellohen më tej aspekte të jetës dhe të veprës së Tahirit, të cilat edhe më herët kanë qenë në qendër të interesimeve vrojtuese të Buzhalës. Mirëpo, këtu paraqiten në formën e një formulimi dhe përpunimi çfarë e kërkon formati i një teksti që merr formën e librit të botuar. Rrjedhimisht, autori thënien e vet dhe metodën analitike e kombinon, e fakton edhe me shkrime, opinione e qëndrime të të tjerëve, duke arritur kështu të formulojë një sintezë të suksesshme të literaturës për Tahir Deskun.

Duke analizuar veprat poetike të Deskut, autori përmes stilit të tij të veçantë të natyrës studimore, arrin që duke zbërthyer konceptet krijuese që në titull, ta ofrojë lexuesin me objektin e tij shkrimor në një shteg më të shkurtër dhe më të qartë të rrëfimit dhe të përjetimit artistik. Këtë qasje dhe metodë Buzhala e ndjek duke analizuar konceptet që përbëhen nga fjalët e titujve të veprave poetike të Tahirit si: “Prejardhja e dashurisë”, “Nga biografia e pashkruar”, “Idil e vetmi” etj. Në sfondin e kësaj kundrimi po ashtu konstaton se poeti Tahir Desku dallohej nga gjenerata e tij krijuese me komunikimin poetik  të qartë dhe jo hermetik, gjë që paraqet njërën nga vlerat e kësaj poezie edhe në perceptimet e kritikës letrare, edhe në përvetësimet estetike nga ana e lexuesve. Si lexues i poezisë së Deskut, të lë përshtypje dhe të nxit për formulime të ndryshme kuptimore konstatimi i Buzhalës tek analizon konotacionet semasiologjike të dy fjalëve ose shenjave që përbëjnë titullin e veprës poetike “Idil dhe vetmi”, kur vëren se fjala “idil” është perceptuar si ironi poetike kundrejt gjendjes së keqe shoqërore, sepse nuk mund të ketë idil ose jetesë idilike “kur natyra e ka humbur harmoninë e saj, jeta urbane gëlon nga tymi e plehrat” (po aty, vepra e cituar, fq.127.). Rrjedhimisht, siç shprehet Buzhala, ky është “idil ironik”.

Në një arkitekturë dhe arkitektonikë të tillë të kësaj vepre merr konotacione të reja dhe kuptime e përjetime të thella e të veçanta interpretimi i poezisë antalogjike “Baladë”, kushtuar komandantit të rrallë të UÇK-së, Mujë Krasniqit dhe 36 të rënëve në Gorozhub më 14 dhjetor 1998, poezi kjo që gjendet në vëllimin poetik “Engjëjt e lirisë” (Buzuku, Prishtinë, 2000). Në këtë drejtim konceptin logjik dhe artistik të baladës autori e ka prezantuar edhe përmes poezisë tjetër të Tahirit “Baladë për vdekjen e poetit” që gjendet në vëllimin “Idil dhe vetmi” (1989) dhe në vetë titullin  e veprës kushtuar Tahirit “Poeti që hyri në baladë”. Një ndërlidhje kjo jo e rastësishme me qëllim të afirmimit të vlerave letrare e luftarake. Poezia “Baladë”, siç shkruan Buzhala, i detyroi edhe krijuesit muzikorë të përkulen para tekstit të saj, kështu që teksti i kësaj kënge interpretuar nga zëri epik i artistiti dhe rapsodit Ilir Shaqiri solli gjëmimet dhe përjetimet e luftës qysh në festivalin e parë “I këndojmë lirisë”, ngjarje kulturore e tradicionale kjo që sikur “Ora e Tahir Deskut” është vendosur të mbahet sipas vendimit të Kuvendit Komunal të Klinës dhe nën patronazhin e kryetarit të Komunës, dhe këto dy ngjarje të zyrtarizuara kulturore tashmë me fizionomi të formësuar të standardit nacional arrijnë të ushtrojnë ndikimin e vet në perspektivat, prurjet dhe prirjet në fushën e kulturës jo vetëm në komunën e Klinës.

3. Tri përmasa ekzistenciale të figurës së Tahirit: lufta, gazetaria dhe letërsia

Qëllimisht desha ta përfundoj këtë kundrim dhe prezantim artistik të veprës së Buzhalës për figurën emblematike të Tahir Deskut me një mendim dhe pjesë analize të thellë të eruditit të kulturës dhe shkrimtarisë shqiptare Moikom Zeqo, i cili në një shkrim të botuar së pari në gazetën “Dita” të Tiranës më 20 qershor 2018, pastaj ribotuar nga gazeta e Prishtinës “Epoka e re”, për të argumentuar një ide të tij, ka cituar filozofin dhe eseistin francez me prejardhje hebreje Alain Finkielkraut (1949, Paris), konkretisht veprën e tij “Disfata e mendimit”, libër ky që, sipas Moikom Zeqos, “ka një kirurgji mendore të habitshme për mendimin njerëzor në përgjithësi”, në të cilën vepër hetojmë konstatimin e autorit francez se njerëzimi sot jeton në kohën post-faktuale, pra jemi në hohën kur faktet kanë humbur statusin e vet, nuk respektohet patjetërsueshmëria e tyre dhe njerëzit krijojnë opinione kundër së vërtetës ose fakteve me çdo kusht, me çdo formë të komunikimit, por edhe të veprimit, jo rrallë edhe brenda mekanizmave shtetërorë, kulturorë e parlamentarë,  me qëllim të përfitimit, qoftë edhe përkohësisht, në aspekte personale, familjare, grupore, sociale e politike, rrjedhimisht njerëzit, ashtu si e pranojnë i besojnë informatës, nuk e analizojnë, nuk e filtrojnë nëpër filtrat e mendimit logjik e kritik dhe kjo paraqet rrezik sidomos sot në kohën e zhvillimi të pandalshëm digjital e teknologjik dhe të vërshimit të informacionit përmes burimeve të panumërta, prandaj, siç shprehet autori francez, “sot njeriu është banor dhe qenie e manipuluar e Internetit dhe rrjeteve sociale”.

Në këtë kuadër autori Prend Buzhala me veprën “Poeti që hyri në baladë” ia ka dalë të sfidojë me mjeshtëri artistike përpjekjet e përditshme të organizuara e të paorganizuara, të drejtpërdrejta e të kamufluara që surrogatet të kthehen në vlera, pothuajse në të gjitha fushat e gjallimit, pra autori me veprën në fjalë ka hedhur më shumë dritë dhe fakte në tri përmasa ekzistenciale siç janë: lufta, gazetaria dhe letërsia si pjesë të çmueshme të biografisë së poetit Tahir Desku, por edhe si dimensione të patjetërsueshme të perspektivës nacionale, të programit, vizionit dhe vitalitetit krijues dhe luftarak të popullit tonë nëpër epoka të ndryshme, kur ky popull nuk kërkonte as nuk kërkon sot gjë tjetër, pos të jetojë i lirë, krenar e me dinjitet të përligjur, të ngritur në institucion që nuk preket, në truallin ku e lanë stërgjyshërit historikë.

Shtator 2023



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora