Kulturë
Beqir Meta: Një libër që hedh dritë mbi rrezikun rus
E hene, 02.10.2023, 07:50 PM
Një libër që hedh dritë mbi rrezikun rus
Prof.
Eshref Ymeri: Shqiptarët përballë politikës rusomadhe
Nga
Akademik Prof. Dr. Beqir Meta
Libri i fundit i
Profesorit dhe intelektualit të mirënjohur e të përkushtuar atdhetar Eshref
Ymeri, është një dritare e re dijeje për lexuesin shqiptar, madje e një dijeje
që inteligjencies dhe kombit tonë i duhet aq sa dhe drita e diellit.
Profesori i
nderuar, në një sërë artikujsh historiko-politologjikë, ka analizuar politikën
rusomadhe kundrejt Çështjes dhe Kombit Shqiptar, duke i nisur analizat e tij
qysh nga periudha e Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe duke i vijuar deri në
ditët tona. Në këtë botim shumëdimensional, autori nuk vjen rastësisht, por ai
është vijim i një pune të madhe, të zhvilluar prej tij përmes hulumtimeve në
literaturën ruse e perëndimore, por jo vetëm, dhe në hulumtimet e dokumenteve
historike që vijnë nga arkivat ruse, një pjesë të të cilave ai ka meritën se i
ka sjellë në shqip për lexuesin shqiptar, së bashku me Dr. Islam Laukën.Kjo përmbledhje
me artikuj, të shkruar në kohë të ndryshme, shquhet për analizën konsistente
dhe të qartë të politikës ruse kundrejt shqiptarëve, duke zbuluar me mprehtësi
konstanten e saj antishqiptare, qysh nga mesi i shek. XIX deri në ditët tona.
Prof. Ymeri provon
me argumente shkencore se kjo politikë lidhet me ambiciet e pandryshuara ruse
për të sunduar kontinentin evropian. Prandaj, një meritë e veçantë e këtij
botimi është pikërisht zbulimi se politika antishqiptare e Kremlinit është
degëzim i politikës imperialiste ruse kundrejt Evropës.
Në këtë kontekst,
ai na ka sjellë në një trajtë shkencore, por po kaq edhe letrare, thelbin e
kësaj politike, të cilën e pagëzon si politika e pabesë e Rusisë kundrejt
Evropës. Ai provon përmes postulateve të Carëve rusë, Leninit, Stalinit dhe së
fundmi veprimeve të Putinit dhe taborit të tij, se boshti politik dhe
gjeopolitik agresiv i Rusisë nuk ka ndryshuar prej disa qindra vjetësh.
Ky është një
përfundim që Prof. Ymeri e kishte arritur para luftës kriminale të Putinit
kundër Ukrainës, çka i jep vlerë të spikatur mendimit të tij shkencor. Kjo del
në pah aq më tepër kur qeveri, burra shteti dhe politologë evropianë
perëndimorë, pas viteve 1990, për shumë kohë u gabuan e u mashtruan nga loja,
pabesia e dinakëria ruse, duke shpallur përfundimin e Luftës së Ftohtë, pa e
kuptuar se ajo vetëm kishte ndryshuar mantelin ideologjik-propagandistik, dhe
jo vetëm që nuk kishte përfunduar, por kishte premisat të përshkallëzohej në
një luftë të nxehtë, ashtu siç e shohim sot me dhimbje e ankth, kur bombat ruse
godasin një popull liridashës, fqinj dhe evropian - ukrainasit heroikë.
Autori sjell fakte
dhe analiza të shumta për qëndrimin e Rusisë kundër të drejtave legjitime
shqiptare qysh gjatë Kongresit të Berlinit, Konferencës së Ambasadorëve në
Londër më 1913, Luftës I Botërore, Luftës së Ftohtë dhe veçanërisht për
qëndrimin armiqësor ndaj Kosovës, duke u vënë me forcë në mbrojtje të dhunës,
shtypjes dhe krimeve të shovinizmit dhe shtetit serb kundër shqiptarëve. Ai
nënvizon se “ajo që ka rënë më shumë
në sy në qëndrimin e Kremlinit, është histeria mbarëruse kundër mbarë kombit
shqiptar edhe pas përfundimit të bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë. Të
gjitha mjetet e informimit masiv u vunë tërësisht në shërbim të ndezjes së
urrejtjes kundër gjithë shqiptarëve, në mbarë trojet e tyre etnike”. Dhe se
traditën shoviniste të shtypit të kohës
së Rusisë cariste në shtrembërimin e së vërtetës për krimet serbo-bullgare,
përkatësisht kundër etnisë shqiptare dhe turke në vitet 1912-1913, po e
vazhdojnë sot me të njëjtin zell shtypi dhe mjetet e informimit pamor të Rusisë
neocariste, e cila, në qëndrimin ndaj kombit shqiptar, nuk ka lëvizur as edhe
një grimë nga piketat e shovinizmit rusomadh.
Eshref Ymeri, duke
shfrytëzuar burime të shumta në gjuhën
ruse, me të cilën fatkeqësisht sot punojnë pak dijetarë shqiptarë, sjell edhe
një histori reale, interesante, ndonëse të trishtë, të raporteve të shtetit rus
me popujt fqinj, të cilat dominohen nga
dhuna ndaj tyre, nga komplotet, frikësimi, lufta përçarëse dhe nënshtrimi. Një
vend të posaçëm ai u kushton raporteve ruso-ukrainase, ku evidenton rrënjët e
konfliktit prej qindra vitesh më parë, dhe shpjegon se si Rusia e tradhtoi
paktin e parë të miqësisë midis dy popujve. Por njëkohësisht ai ka analizuar
edhe karakterin liridashës qindravjeçar të popullit ukrainas, si dhe pasojat e
rënda që kishte sjellë degradimi i institucioneve demokratike para revolucionit
në sheshin Majdan, degradim i nxitur edhe nga Rusia. Ai pohon se “kur oligarkia ukrainase
pasurohej në një mënyrë marramendëse, dikush tjetër do të varfërohej në një
mënyrë po kaq marramendëse”. Dhe ata që
varfëroheshin ishin njerëzit e thjeshtë. Ky korrupsion, i nxitur nga Kremlini
me veglat e tij, ishte parapërgatitje e pushtimit. Gjithashtu, ai jep
shembuj të shumtë, si Kaukazi, Çeçenia, Gjeorgjia, vendet Baltike, Polonia,
Moldavia, etj., të cilat kanë qenë viktima të shovinizmit rusomadh dhe mbeten
ende nën kërcënimin e tij, duke na hapur sytë për trajektoren e pandryshueshme
historike qindravjeçare të imperializmit rus dhe të rrezikut që përfaqëson ai
për Evropën dhe mbarë paqen botërore. Nga ana tjetër, në këtë botim analizohet
dhe argumentohet se luftën kundër popullit paqësor ukrainas, Putini po e përdor
edhe si një mjet gjenocidi kundër pakicave kombëtare të shtetit rus. Ai
nënvizon se “ajo që ka rënë shumë në sy pas sulmit të 24 shkurtit, janë
skenat e mobilizimit të njerëzve nga radhët e pakicave kombëtare, për t’i
dërguar në “thertoret” e Ukrainës”.
Duke i bërë një
analizë koherente politikës ruse, bazuar në të drejtat dhe interesat legjitime
shqiptare, prof. Ymeri, njëkohësisht, ka bërë dhe një analizë koherente, bazuar
në parimet, vlerat dhe interesat evropiane dhe perëndimore. Kjo është një vlerë
tjetër themelore e botimit, i cili ka theks sa shqiptar, aq edhe properëndimor
e demokratik. Prandaj nga ky libër na vijnë mesazhe e mësime të shumëfishta,
polivalente, që janë një vlerë e shtuar për letërsinë historiko-politike
shqiptare. ?shtë me shumë vlerë përfundimi i tij se
“politika ruse, me një traditë të kahershme pabesie në strukturimin e vet,
idenë e përçarjes që kërkon të mbjellë mes Evropës dhe Shteteve të Bashkuara të
Amerikës, e ka shndërruar në një ide fikse”. Se politika ruse e pabesisë, e
programuar dhe e ushqyer disa shekuj nga diktatorët që Rusia ka pasur në krye,
e ka bërë punën e vet dhe “me kalimin e kohës, kjo lloj politike vjen e
infekton mbarë popullin, duke u shndërruar në pjesë përbërëse të formimit të
tij botëkuptimor”.
Dhe bash në qendër
të këtij kërcënimi ogurzi, Prof. Ymeri, provon se është kombi shqiptar, i cili
ka qenë vlerësuar, vlerësohet dhe do të vijojë të vlerësohet nga politika
cariste e neocariste ruse, si pengesë për shtrirjen e tentakulave dhe dominimit
në Mesdhe, mu në zemër të Evropës, si ndërprerje e linjave të kontinuitetit të
popujve sllavë dhe ortodoksë, të cilët Kremlini i llogarit ende si ushtarë të
aspiratave imperialiste ruse. Ai vërteton se si në të kaluarën, ashtu edhe në
ngjarjet e fundit, Rusia përbën një armik të rrezikshëm të kombit shqiptar, të
aspiratave të tij legjitime për prosperitet, liri, demokraci, bashkim kombëtar
dhe bashkim me familjen evropiane. Kjo analizë dhe faktet që sjell ai në këtë
botim të thukët, me frymë sa realiste e objektive, po aq kombëtare dhe
evropiane, na bëjnë të mendohemi thellë, për këtë rrezik potent dhe konsistent.
Faktet dhe
argumentet që sjell autori, sugjerojnë medoemos rishqyrtimin dhe analizën kritike të politikës ruse,
veçanërisht të ngjyrave mashtruese që ajo ka marrë në periudha të ndryshme,
duke ruajtur gjithnjë thelbin e saj antishqiptar dhe antievropian. Profesori ka
argumentuar se pikërisht në dy periudha - atë komuniste dhe periudhën e
tranzicionit postkomunist, forma mashtruese e kësaj politike gaboi rëndë jo
vetëm politikanët xhahilë komunistë shqiptarë, por edhe dijetarë të atëhershëm
e të sotëm shqiptarë dhe evropianë, të cilët sot fërkojnë sytë nga tmerret që
kanë shkaktuar në Ukrainë bombat ruse, duke ngjallur makthet e luftërave të
mëparshme botërore, që shkrumbuan qytetërimin evropian dhe atë botëror.
Përmes fakteve e
analizave, ky libër i bën thirrje ndërgjegjes së çdo shqiptari të vërtetë: kujdes, vigjilencë, një milion
herë vigjilencë, rreziku rus është atje, i egër, gjakatar, mbytës, kriminal, si
një qen i gatshëm të na kafshojë! Kush është shqiptar i vërtetë e me ndërgjegje
të formuar, e përjeton thellë këtë kushtrim. Kush nuk e ka ende të plotë këtë
bindje e ndërgjegje (dhe, fatkeqësisht, ka ende shumë të tillë, për një mijë
arsye), lipset ta lexojë me vëmendje, por edhe me zemër këtë libër, që një ditë
të mos pendohet për pasojat e miopisë së tij.
Ky libër na hap
sytë se Rusia, për interesat e saj
fashiste e shoviniste, ka shtrirë tentakulat në Ballkan, por edhe në Shqipëri,
duke sponsorizuar e nxitur fenomene negative të shoqërisë, faktorë destruktivë
e shpërbërës të kombit e të shtetit shqiptar si: korrupsioni, veçanërisht në
nivelet e larta shtetërore, korruptimin e qarqeve të caktuara politike, ku ajo
ka pasur e do të ketë mundësi, ka nxitur tendencat e rrymat antidemokratike,
tendencat antiamerikane e antiperëndimore në Shqipëri, etj. Prej veprimtarisë
së saj të hapur dhe të nëndheshme, ose asaj që sot quhet luftë hibride,
rrezikohet edhe vetë qenia e shtetit kombëtar shqiptar dhe pavarësia kombëtare,
Kosova dhe gjithë shqiptarët në trojet e
tyre etnike.
Nga ana tjetër, në
këtë botim analizohet edhe dobësia e këtij shteti agresor dhe autori pohon se “Ukraina
e ndihmoi Aleancën e Atlantikut të Veriut të çlirohet një herë e mirë nga
iluzioni për “fuqinë e madhe ushtarake” të Rusisë”.
Prof. Ymeri ka
analizuar me mprehtësi edhe zhvillimet e brendshme në Rusi, shkallën e
zhvillimit të popullit rus, profilin e tij mental, strukturën e tij
social-kulturore dhe ndërgjegjen e tij politike në shekuj dhe në ditët tona.
Larg çdolloj tendence populiste, propagandistike e ideologjike, ai e pohon troç
dhe saktë: ky popull, i indoktrinuar me ndjenjën imperialiste rusomadhe, me
shkallën e zhvillimit politiko-shpirtëror e social që ka, është bazament i
regjimeve autoritariste e totalitariste dhe njëkohësisht edhe mbështetës i
politikanëve dhe politikave imperialiste, agresive, luftërave dhe një rrezik
për Evropën, që ajo të përjetojë fatkeqësi të reja. Veçanërisht ai ka nxjerrë
në pah, përmes fakteve relevante, orientimin dhe frymën dominuese
antiperëndimore (anti SHBA, anti BE dhe anti NATO) të opinionit rus, duke vënë
në spikamë rrezikun e madh që i kanoset Evropës nga ky shtet në ditët e sotme,
por edhe për shumë kohë në të ardhmen. Ai shkruan me saktësi se “Duke pasur
parasysh këndvështrimin mitik të popullit rus ndaj pushtetit, vjen e krijohet
një situatë e tillë, në të cilën etatizmi merr sipërinë, domethënë interesat e
shtetit janë gjithmonë mbizotëruese në raport me interesat e individit. Por një
gjë e tillë është e pamundur të arrihet pa shfaqje të qëndrimeve të egra ndaj
individit. Sepse pushteti gjithmonë është autoritar”.
Ai vë në dukje se
ky profil antropologjik, i bashkuar me urrejtjen dhe armiqësinë konstante
disashekullore kundër Perëndimit, me ndjenjat pushtuese perandorake ndaj
popujve të tjerë, me të cilat është ushqyer ky popull, përbëjnë një bazë solide
kryesore për politikën imperialiste agresive ruse, si në të kaluarën, ashtu
edhe sot.
Për shkak të jetës
së gjatë nën regjimet autoritariste e totalitariste, për shkak të mbizotërimit
të kultit të individit, në shoqërinë ruse është gjallëruar kultura e
qëndrimit nihilist ndaj mendimit ndryshe, dhe mendësia perandorake
përbën karakterin specifik të raportit të rusëve me bazueshmërinë (themeltësinë)
e pushtetit. Gjatë shekujve, rusët janë vetëdijësuar për natyrën parësore të
bashkësisë (komunitetit) dhe natyrën dytësore të individit.
Një vlerë të
veçantë kanë analizat për natyrën shovene të disa prej shkrimtarëve rusë, duke
përfshirë edhe shkrimtarët e mëdhenj, si Pushkini, Dostojevski dhe
Sollzhenjicini, madje duke na zbuluar në mënyrë befasuese me argumente se ky i
fundit ka mbajtur një qëndrim të spikatur antishqiptar edhe kundër popullit të
Kosovës dhe lirisë së tij, por edhe kundër demokracisë, duke përkrahur regjime
kriminale, si ai i Pinoçetit në Kili. Me pak fjalë, Profesor Ymeri na zbulon
botën e brendshme ruse, me politikanët, shkrimtarët, sociologët, politologët,
historianët dhe, në përgjithësi, intelektualët e saj, duke nënvizuar se pjesa më
e madhe dhe më me ndikim e tyre, është zhytur në llumin e shovinizmit rusomadh dhe i shërben atij pa ndërgjegje,
pra, është një inteligjencie e vdekur moralisht, mendërisht dhe shpirtërisht.
Profesor Ymeri zbulon edhe shkakun e kësaj anomalie me pasoja të rënda politike
për Rusinë dhe botën. Duke ju referuar studiuesit të shquar amerikan David
Satter, ai nënvizon se “pas shembjes së Bashkimit Sovjetik, në horizontin e
jetës ruse nuk u shfaq ndonjë elitë e re. Shumica dërrmuese e elitës së vjetër,
pa pasur pothuajse asnjë pasojë, erdhi e u sistemua në një tjetër rend
shoqëror, madje me më shumë privilegje se në periudhën e sistemit komunist
sovjetik.... Nga ky këndvështrim, problemi shtrohej jo për faktin nëse Rusinë e
priste ose jo degradimi, por për faktin se cilat do të ishin shfaqjet e atij
degradimi”.
Në përfundim dua
të theksoj se vlerat dhe mesazhet e këtij botimi janë të shumta. Unë thjesht u
përpoqa të veçoj disa prej tyre. Prandaj përgëzoj dhe falënderoj nga zemra
Profesor Eshref Ymerin për këtë kontribut me shumë vlerë për lexuesin shqiptar.