Kulturë
Albert Zholi: Mumtaz Dhrami - Gjirokastrës i duhet një monument madhështor i Ismail Kadaresë
E diele, 15.10.2023, 06:30 PM
Flet Skulptori i Popullit Mumtaz Dhrami: “Në qiell është parajsa kurse në tokë është Hangzhou”
Ministria e Kulturës nuk bashkëpunon me
artistët për të ideuar Tiranën mbi veprat e artit
-Nuk harrohen Odhise
Paskalin, Andrea Mano, Janaq Paço, Kristaq Rama, Shaban Hadëri
-Shqipëria ka pasur skulptorë që janë
respektuar në botë dhe sot janë lënë në heshtje
-Gjirokastrës i duhet një monument madhështor
i Ismail Kadaresë.
-Sheshet e Tiranës duhet të mbushen me vepra
arti, ato duken bosh.
Si u takova me mikun tim kinez Dun Zu Ji pas
shtatë vitesh ndarje
Intervistoi: Albert Z. ZHOLI
Në datën 27 shtator në Galerinë “FAB”, u hap
ekspozita vetjake “Kujtime nga Kina 1967” e Skulptorit të Popullit Mumtaz
Dhrami. Thuajse për 25 vitet e fundit kam marrë pjesë në çdo ekspozitë të këtij
skulptori që ka lënë gjurmë në artin shqiptar. Në këtë ekspozitë e
veçantë ishte ardhja e kryediplomatit kinez në përurimin e ekspozitës ishte një
surprizë befasuese për artistët e tjerë të pranishëm, por jo për vetë
skulptorin Dhrami. Ata ishin takuar një ditë më parë, me rastin e Pritjes së
dhënë nga Ambasada e Kinës me rastin e 74-vjetorit të Themelimit të Republikës
Popullore të Kinës dhe Uang Dexin ja dha këtë kënaqësi. Hapja e ekspozitës
“Kujtime nga Kina 1967” përkoi edhe me Javën Kulturore Kineze, në Kuadër të
Javëve Kulturore Ndërkombëtare, që zhvillohen nën kujdesin e Ministrisë së
Kulturës, me moton “Shqipëria mikpret botën”. Java Kulturore Kineze zhvillohet
nga 25 shtator deri më 1 tetor. Në përurimin e ekspozitës morën pjesë shumë nga
emrat më të rëndësishëm të arteve figurative shqiptare, midis tyre dekani i
Fakultetit të Arteve të Bukura në Akademisë së Arteve, Artan Peqini, skulptori
Maksim Bushi, piktorët Gazmend Leka, Mikel Temo, Adrian Devolli, Vasil
Diamanti, Myftar Cubi, dhe shumë artistë të tjerë; studiues arti, si Agim
Janina, përfaqësues të medias së shkruar dhe televizive, apo miq të Mumtas
Dhramit si inxhinieri Ibrahim Emiri, etj…
Kjo ekspozitë realizohet pas 56 vjetësh kur
ju vizituat Kinën në vitin 1967. Pra ju 56 vjet më parë, asokohe 31-vjeçar,
ishit pjesëtar i delegacionit të Lidhjes së Artistëve, dhe së bashku me
shkrimtarin Ismail Kadare dhe Resul Bedon (që ishte kryetar delegacioni) dhe
Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore vizitoi Kinën. Si i kujton “Skulptori
i Popullit” ato ditë dhe kush ishte shtysë për këtë ekspozitë?:
-
Për Kinën ruaj shumë kujtime. Madje kisha dëgjuar që në vegjëlinë time. Në
shtëpinë tonë të vjetër, në lagjen Palorto të Gjirokastrës, vite të shkuara, në
odën e madhe, mbi një raft, që ne e quanim sergjen, mbanim një servis të bukur
çaji prej porcelani kinez. Prindërve të mi ia kishin prurë si dhuratë në ditën
e martesës së tyre. E ruanim me shumë kujdes mos thyhej…
Isha fëmijë atëherë, por atë admirim dhe
dashuri që pata për bukurinë e atij objekti të vogël nuk m’u shlye për vite të
tëra. Nuk dija ku binte Kina, vendi nga kishte ardhur ajo bukuri, që unë si
fëmijë e admiroja. Prindërit, sa herë i pyesja më thoshin se Kina është larg,
shumë larg. Pastaj kemi pasur dy mësuese në shkollë, që më kishin folur diçka
për Kinën. Më vonë në Liceun Artistik më plotësoi me njohuri Odise Paskali. Nga
të gjitha këto që kisha dëgjuar kisha një ëndërr që të prekja nga afër
mrekullinë kineze dhe artin e veçantë të saj. Në vitin 1967 kjo ëndërr m’u
realizua. Pra kur isha vetëm 31-vjeç, isha pjesëtar i delegacionit të Lidhjes
së Artistëve, dhe së bashku me shkrimtarin Ismail Kadare dhe Resul Bedon (që
ishte kryetar delegacioni) dhe Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore. Të
gjithë shkuam për një vizitë miqësore në Kinë. Gjithçka ishte mjaft
mbresëlënëse, dhe mbi çdo gjë më prekte dashuria e mikëpritja, kudo ku shkuam.
Në Kinë pashë dhe punova me mjaft punëtorë, fshatarë, intelektualë, studentë,
ushtarë e artistë të operas kineze. Pashë mjaft qytete, fabrika, uzina e
kantjere pune. Kina ishte një continent më vete. Kur e krahasoja me Shqipërinë
time të vogël qeshja me vete.
-Çfarë impresionesh ndjeve kur shkove në Kinë
sidomos me veprat e artit?
Impresionet ishin të mëdha në çdo drejtim. E
dija që kishte një art të madh, pastaj kur takohesh drejtëpërdrejtë me vlerat e
tij befasohesh. Tashmë dihen se aty ndodhen kryevepra botërore të artit
që të befasojnë me madhështinë dhe elegancën e ndërtimit. Muri i Madh kinez të befason, varret perandorake që janë të mbuluara të gjitha,
tempujt me atë elegancë të madhe, Hangzhou mahnitës që ka një proverbë
kineze, ku thotë “në qiell është parajsa dhe në tokë është Hangzhou” që është
qyteti i bukur. Hangzhou gjendet në juglindje të Kinës dhe është qyteti i
famshëm turistik dhe kulturor. Hangzhou është i famshëm në botë për shkak të
liqenit të bukur Xihu. Para mbi 700 vjetëve, turisti i famshëm italian Marko
Polo e quajti Hangzhoun "qyteti më i bukur dhe më luksoz në botë".
Prej shumë vitesh, "parajsa në tokë" vazhdon të jetë emri tjetër i
këtij qyteti. Hangzhou mbart histori të gjatë dhe kulturë të lashtë. Prej më
tepër se 2200 vjetëve, ky qytet ka pranuar shumë qytetërime nga jashtë duke
krijuar kulturën e vet. Në Hangzhou gjenden shumë faktorë të kulturës
tradicionale kineze, si për shembull në Hangzhou prodhohet çaji më i famshëm
kinez - çaji Longjin; gjithashtu në Hangzhou është muzeu i mëndafshit të Kinës.
Unë admirova peizazhet e bukura të Kinës, admirova arkitekturën e pagodave me
çatitë elegante, me unitetin stilistik të çdo orendie e zbukurim të interierëve. Por për Hangzhoun thjesht për këtë
qytet do shprehem si dëgjova në vitin 1977: “Në një park të
bukur të qytetit Hangzhou më thanë një frazë të vjetër kineze që e lartësonte
bukurinë e atij qyteti: “Në qiell është parajsa kurse në tokë është Hangzhou”.
Koha ka kaluar. Pra jemi 56 vjet më vonë…Po tani që shikoj këto skicat e mia, bocetet, por dhe
kronikat që jepen për të shikoj se është tjetër Kinë tani. Është ndryshim
kolosal.
-Po skluptura patë kur shkuat dhe si
ndiheshit para tyre?
Me sklupturat ishte e profilizuar, se ishte
koha e revolucionit kultural që kishin një lloj deklamacioni në sklupturë, tani
arti kinez ka çarë shtigje të tjera. Sigurisht skulpturat ishin kudo me stilin
e tyre. Në këtë drejtim Kina ka pasur dhe ka disa artistë me famë botërore. Sot
kur shoh në television apo dhe në filma apo në vizitat në ambasadën Kineze them
se Kina nuk është më ajo që unë pashë në vitin 1967. Tani Kina është krejt
tjetër; një vend kolosal me një zhvillim mahnitës ku dhe arti, kultura dhe
skulptura si pjesë e tyre ka marrë një zhvillim të paparë.
-Ju këto ditë keni bërë një bocet për Ismail
Kadarenë? Keni ndonjë detyrim ndaj tij?
Jo se kam detyrim personal, por detyrim
intelektual, atdhetar. Së pari Kadarenë e madh e kam pasur shok klase dhe kemi
qenë në gjimnaz bashkë, por edhe më vonë. Jemi të dy gjirokastritë dhe mendoj
se patjetër e do Gjirokastra një monument të Ismailit. Pra unë kam hedhur një
ide, një mendim që është pak për Ismailin. Por për këtë duhet të prokupohet
Ministria, Bashkia dhe për t’i gjetur vendin. Patjetër në Gjirokastër
duhet një monument i tij, një monument madhështor pasi ai e ka lartësuar
Gjirokastrën, por mbi të gjitha ka lartësuar Shqipërinë kudo në botë. Emri i tij
njihet kudo dhe çdo shqiptar emigrant ku është mburret me emrin e tij.
-Ku mendoni ju se mund të jetë kjo
përmendore?
-Unë mendoj në hyrje për të krijuar një shesh
në hyrje të qytetit të Gjirokastrës. Aty duket sikur do t’i urojë mirseardhjen
çdo qytetari që vjen në qytetin e gurtë. Një përmendore i duhet Gjirokastrës
pasi emri i tij lidhet shumë me këtë qytet të shenjtë.
-Po në Tiranë mendon se duhet të jetë një
përmendore e Kadaresë??
Unë mendoj se së pari duhet në Gjirokastër.
Gjirokastra është qyteti i lindjes, qyteti që i dha frymëzimet e para, qyteti
që la gjurmë në jetën e tij. Pastaj mund të bëhet edhe në Tiranë. Por në
Tiranë nuk kemi Naimin, Fishtën, Migjenin. Në Tiranë nuk mund të vijë vetëm një
personalitet i tillë. Janë shumë figura kombëtare që duhen të mushin sheshet e
Tiranës. Sot Tirana ka shumë sheshe dhe ata që e kanë larëtësuar emrin e
Shqiëprisë patjetër që duhet të kenë monumente, pasi jo vetëm janë vepra arti,
por edhe pjesë e historisë. Sheshet e Tiranës duhet të lartësohen me këta emra
gjigandësh. Personalisht kam bërë gati Lasgush Poradecin për tek Liqeni
Artificial dhe nuk po kujtohet njeri për të. Edhe skulptorë të tjerë kanë gati
bocete personalitetesh, por nuk bashkëpunohet me ta. Ministria nuk i
kërkon të ideojnë të ardhmen e Tiranës me vepra arti.
-Përse sot monumente të tilla si Nënë
Shqipëria dhe Sheshi i Flamurit nuk bëhen? Mungojnë fondet apo indiferenca e
institucioneve…kush pengon?
Do plan. Duhen ide. Duhet bashkëpunim si
dikur. Pra çdo vepër, çdo vepër e madhe arti duhet të planizohet. Ministria e
Kulturës për këtë punë është, që të ketë një plan perspektiv p.sh që do të
ngrihet monumenti i Migjenit në Tiranë dhe të piketohet vendi dhe t’i lejë të
lirë artistët që ose do të futen në konkurs ose do të punojnë për qefin e tyre
siç punova unë tek Liqeni Artificial, që nuk ishte plan po ishte iniciativë
private. Po iniciativë private kishte marrë edhe i ndjeri Agim Rada për Fishtën
diku një monument afër parkut Rinia, por ngeci si ide. Nuk e përkrahën.
Nuk ka plan perspektivë për këtë gjë. Nuk e
di njeri që do të ngrihet një monument i Migjenit. Migjeni një bust ka, të
Andrea Manos në Shkodër. Në ministri sot nuk kanë piketuar sheshe për këto
vepra arti. Po të ishte gjallë Odise Paskali nuk do të lejonte që të mernin nga
raftet e muzeut Kombëtar figurën e Ismail Qemalit dhe ta vinte atje pranë
bunkerëve përballë Kryeminsitrisë. Ajo është një denigrim i veprës së Odisesë
dhe i figurës së Ismailit këtu në Tiranë. Ka qenë në pavionin e Pavarësisë ku e
morën nga atje dhe e vendosën të fshehur. E kemi thënë bashkë dhe më parë.
Ismail Qemalit duhet t’i bëhet një përmendore përballë Skënderbeut në hapësirën
mes 15-katshit dhe Muzeut Historik Kombëtar. Ata janë dy kolosat e kombit. Ata
kanë projektuar shtetin tonë, i dhanë frymë kombit dhe e bënë të gjallë.
Sot shikon disa vepra arti që s’kanë rëndësinë e figurës së Ismail Qemalit.
Kështu ka ardhur koha.
Ju mungojnë disa kolegë që kanë shkuar në përjetësi?
I kujtoj me mall. Shqipëria ka pasur
skulptorë të talentuar, që i kanë dhënë shumë artit shqiptar. Jo vetëm artit,
por edhe historisë. Në botë shumë skulptura janë pjesë e historissë. Ndaj
kujtoj çdo ditë Odhise Paskalin, Andrea Mano, Janaq Paço, Kristaq Rama,
Shaban Hadëri sikundër vlerësoj Th. Thomai, H. Dule, F. Dushku, A. Mano
etj…Skulptorët shqiptarë kanë punuar me shumë energji dhe mendim për të lënë
vepra të mëdha..
Miku Dun Zu Ji dhe Mumtaz Dhrami
Skulptori Mumtas Dhrami i shpjegoi me detaje
diplomatit edhe për miqësinë me një artist kinez, me të cilin kishte studiuar
së bashku në Leningrad. “Dikur, në vitet e studimit 1957-1961 në Akademinë e
Arteve (Instituti I.E Rjepin) të Leningradit, sot Shën Peterburg, isha në një
klasë me studentin e talentuar kinez, që e quanin Dun Zu Ji. U miqësuam shumë,
u bëmë gati si vëllezër, por fatkeqësisht na ndanë, si rezultat i zhvillimeve
politike. Larg atyre zhvillimeve ne e kishim ruajtur miqësinë tonë të paprekur.
Por ja…Gjatë vizitës sime në Kinë në vitin 1967 pata një nga gëzimet e mëdha që
provova kur ne u takuam pas shtatë vitesh ndarje me shokun tim kinez. Asgjë nuk
e kish prekur miqësinë tonë. Ashtu si dikur, kur ishim bashkë në ateljetë e
skulpturës në Moskë. Duni më qëndroi pranë dhe më dha një ndihmë të çmuar për
realizimin e punimeve të mia. Njëkohësisht unë ruaj ende me kujdes dhe
mirënjohje vizatimin që më ka bërë Duni. Dhrami kujtoi edhe një fakt të
bukur nga vizita në Kinë, të cilin e ka përjetësuar me një vizatim.
Përshëndetja e Uang Dexin
I ngarkuari me Punë i Ambasadës Kineze, Ëang
Dexin, gjatë fjalës së tij të shkurtër, vlerësoi ekspozitën e skulptorit Dhrami
dhe përcolli mesazhe respekti, duke uruar edhe thellimin e miqësie midis
artistëve shqiptarë dhe kinezë dhe midis dy popujve, duke i ftuar ata edhe për
një vizitë kortezie në selinë e ambasadës. “Jam shumë i nderuar që të flas para
jush, për mua është hera e parë që i drejtohem një grupi kaq të madh artistësh
të shquar. Ambasada e Kinës e ka mbështetur në vazhfimësi kulturën shqiptare. Miqësia
midis dy popujve tanë është e vjetër dhe unë shpresoj se ajo do të forcohet
akoma edhe më shumë. Arti është një urë e bukur miqësie”, -tha kryediplomati
kinez. Bisedat janë të hapura dhe tematikat sillen rreth artit kinez dhe atij
shqiptar. Kryediplomati kinez e komplimenton skulptorin Dhrami për një pikturë:
“Me vetëm pak linja, ky dallohet që është portreti i një fshatari kinez. Të
lumtë!”.