Kulturë
Dorian Koçi: Armët e Skënderbeut në Vjenë
E enjte, 12.10.2023, 07:57 PM
Armët e Skënderbeut në Vjenë
Nga
Dorian Koçi
Armët
e heroit kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastriot Skënderbeut ruhen në në
sallën XXV Nr. 71 (127), të Muzeut të Arteve të Vjenës larg Shqipërisë në zemër
të Evropës, por në kontinentin për lirinë e të cilit ai u dedikua dhe luftoi.
Figura e Skënderbeut shërbeu për farkëtimin e identitetit kombëtar të
shqiptarëve në shekullin e XIX.. Ky identitet dhe vetëdije e lidhjes
shpirtërore me Evropën pas një traumatizimi shumë të rëndë të kaluar nga
pushtimi dhe bashkëjetesa me otomanët do të ringjallej prapë në fund të
shekullit të XIX, vite kur fillojnë e plazmohen sërish idetë evropiane të
shqiptarëve. Një rol përcaktues dhe të rëndësishëm do të luajë memoria
historike ku të gjithë rilindasit do ti drejohen figurës së Skënderbeut dhe
aksioneve të tij politike dhe ushtarake si pjesë e rëndësishme e koalicioneve
evropiane mesjetare. Mirëpo Skënderbeu nuk do të mund të ringjallej i vetëm pa
simbolet e tij që kishin shenjuar historinë dhe shkëlqyer në epokën e vet, ndaj
për këtë arsye së bashku me monumentet dhe portretizimet letrare të De Radës
dhe Naim Frashërit do të gjejmë dhe përpjekjet e para për të zbuluar flamurin
dhe përshkruar armët e tij.
Informacionet
e para në këtë drejtim i jep Konica në faqet e gazetës së vet Albania ku
publikon për herë të parë flamurin e Kastriotëve dhe informacionin për armët e
Skënderbeut. Si një studiues skrupuloz Konica , i cili e vëzhgoi në fillim të
shekullit XX në trupin e njërës prej shpatave shiheshin ende njolla gjaku, çka
mund të ishte e vërtetë por nëse do të marrim parasysh dhe anën tjetër të
personalitetit të Konicës, si pishtar i zgjimit të ndërgjegjes kombëtare mund
të ishte dhe një informacion shtesë për të krijuar emocion dhe afeksion ndër
shqiptarët që ende ishin nën zgjedhën otomane. Në fakt te ky tipar i fundit i
arsyes se përse Konica mund të ketë shtuar faktin se ende në shpatë kishte
njolla gjaku, qendron dhe një funksion tjetër i armëve të Skënderbeut gjatë
Rilindjes Kombëtare por dhe në vazhdimësinë e shtetit shqiptar. Kështu në
vigjilje të 20 vjetorit të pavarësisë gazeta “Besa” në Tiranë, e krijuar dhe e
sponsorizuar nga Mbreti Zog I, do të japë një informacion të detajuar të
vendit, mënyrës dhe rrugëve sesi janë gjendur në Vjenë, armët e heroit tonë
kombëtar.
Duke
iu referuar gazetës “Besa” (3 Mars 1932) mësojmë këto të dhëna për “Armët e
Skënderbeut”: Koleksionuesi i objekteve të Skënderbeut ishte Arqiduka i Tirolit
Ferdinandi (1529-1595), i biri i perandorit austriak Ferdinandi I (1503-1564)
dhe vëllai i perandorit Maksimilian II. Këshilltar i arqidukës Ferdinand për
mbledhjen e këtyre objekteve, ishte sekretari i tij privat Jacob Schrenckh von
Notzing (Jakob Shrenk von Nocing). Ai koleksiononte veshje prej hekuri dhe armë
të princërve të shquar, si dhe të prijësve të ushtrive, të cilat i ruante në
kështjellën e tij në Ambras. Objektet e Skënderbeut përmenden për herë të parë
në një letër të datës 15 tetor të vitit 1578, në të cilën duka i Urbinos Marius
Sforca, i shkruante arqidukës Ferdinand, se do t’i dërgonte këtij të fundit
armët e Skënderbeut. Më 15 maj 1579 arqiduka i Tirolit, Ferdinandi, i shkruan
dukës së Urbinos Marius Sforces, duke e falënderuar për armët e Skënderbeut si
dhe për të tjerat, të cilat mund t’i binin atij në dorë. Këto objekte përmenden
për herë të dytë në letrën e dukës von Arescot (duka von Areskot) më 25 korrik
1588, e cila flet mbi armët e tjera të Skënderbeut. Objektet e Skënderbeut nuk
ishin shënuar në inventarin e vitit 1585. Ndërsa në inventarin e vitit 1593,
f.69, shënohet: “Dy shpata dhe përkrenarja e “Georgen Scanderbegg”. Prej këtyre
dy shkresave, si dhe inventarit, konstatohet lehtë se përkrenarja dhe dy
shpatat e Skënderbeut ranë në dorë të arqidukës Ferdinand, ndërmjet viteve 1588
dhe 1593, përmes ndihmës së dukës Marius Sforca të Urbinos dhe të dukës
Arescot.
Në
sallën XXV Nr. 71 (127), të Muzeut të Arteve të Vjenës, ndodhet përkrenarja
“George Skanderbeg”. Ajo është ngjyrë e bardhë, me rrafshe të arta dhe ka sipër
saj një kokë dhie të artë me dy brirë. Kjo përbëhet prej dy pjesëve: një pjesë
bakri dhe pjesa tjetër sipër, është me një copë metali, buzët e së cilës janë
të zbukuruara në ar. Në mesin e përkrenares është vendosur një rreth prej bakri
me një gjatësi prej 65 cm dhe në këtë rreth janë shkruar këto shkronja: I. N.
P. E. RA. TO. BE. BT. Ky shkrim, që është shumë i vështirë për ta kuptuar se
çfarë thotë, deri tani e kanë deshifruar kështu: “Jesus Nazarenus Principi
Emathiae. Regi Albaniae. Terrori Osmanorum. Regi Epiri. Benedicat”. Poshtë
buzës së përkrenares janë vënë 9 copa të mëdha dhe këto janë të lidhura me një
rrip lëkure me bojë hiri. Pesha e të gjithë përkrenares është 3000 gr. Sado që
kjo përkrenare ka elemente orientale, mendohet se është punuar prej një artisti
venecian.Si shikohet në shkrimin e viteve 30-të nuk vihet në dyshim mbishkrimi
në përkrenaren e Skënderbeut si me të drejtë konstaton shumë vite më vonë
studiuesi Kristo Frashëri në librin e vet “Historia e Skënderbeut” kur shkruan
se në pjesën e poshtme të saj, ka rreth e rrotull nje rrip bakri me një
mbishkrim prej gjashtë rrokjesh, të ndarë midis tyre me rozeta:
IM*PE*RA*TO*RE*BT, që do të thotë: Jezus Nazarenus*Principi Emathiae*Regi
Albaniae*Terrori Osmanorum*Benedictat Te (Jezuj i Nazaretit te bekon ty
Skenderbe, Princ i Matit, Mbret i Shqiperise, Tmerri i Osmanllinjeve, Mbret i
Epirit). Por rripi prej bakri me këto gjashtë monograme duket se është vënë më
vonë në përkrenare nga pasardhësit e Heroit, të cilët kanë menduar se me
shtimin e titujve do t’ia rritnin atij vlerën, kurse, sic u tha, ai nuk ka
mbajtur asnjë nga këto tituj, por vetëm “Zot i Shqipërisë” (Dominus Albaniae).
Arsyeja duket se ka qenë se pushtetit mbretëror dhe vetë Mbretit që shpesh herë
po mundohej të gjente lidhje mes familjes së tij dhe asaj të Skënderbeut i
pëlqente që ky emërtim të ishte i vërtetë pasi duke qenë i tillë, i jepte Zogut
që vetëm katër vjet më parë ishte vetshpallur mbret, legjitimitet më të madh
ndër shqiptarë dhe arsye shtetërore më tepër për të qeverisur. Më poshtë
informacioni i gazetës Besa vazhdon për shpatat e Heroit Kombëtar. Në Muzeun e
Arteve të Vjenës ka dy shpata të Skënderbeut. Njëra shpatë është me dorezë
kadifeje, në të cilën shënohet emri i Skënderbeut dhe është e gjatë 88.5 cm dhe
e gjerë 5.7 cm, me dy tehe, me një formë të drejtë dhe me një majë të kthyer,
që përmban disa shkronja latine, ku lexohen këto fjalë: “Heroi i Perëndisë,
Iskander Beg”. Doreza është prej druri, e mbështjellë me lëkurë. Pesha e kësaj
shpate është 1300 gr. dhe bashkë me këllëfin, është 1900 gr.
Shpata
tjetër është me dorezë lëkure shagren, ka në anët e jashtme katër arabeska të
thella, tre rrypa për hijeshi. Shpata është e përkulur në formë harku, gjatësia
e saj është 121 cm dhe doreza është e zbukuruar me ar dhe me lëkurë. Pesha e
gjithë shpatës është 3, 2 kg. Kjo formë me ornamente tregon se ajo është bërë
në gjysmën e parë të shekullit XV.Në inventarin e pikturave të sekretarit
privat Schrenchk (Shrenk), e titulluar “Armamentarium heroicum” të vitit 1601,
është tabloja XVI “Skënderbeu me përkrenare”. Skënderbeu rri në këmbë në
profil, duke kthyer kokën dhe mjekrën e gjatë nga krahu i majtë. Ai është i
veshur me një pallto të gjatë me astar lëkure dhe ajo mbërthehet në gjoks nga
shirita. Në krahun e djathtë mban lart shpatën e zhveshur, ndërsa poshtë në
tokë, afër këmbës qëndron përkrenarja. Në kokë Skënderbeu mban një beretë.
Objektet, që janë pasqyruar në këtë pikturë, i ngjajnë shumë origjinaleve që
ndodhen në Muzeun e Artit Historik të Vjenës. Historiani Kristo Frashëri
saktëson shume vite më vonë se gazeta Besa në librin e vet “Historia e
Skënderbeut” dhe cilat nga shpatat përdorej në sheshin e betejave dhe cila për
akte ceromoniale. Ndër dy shpatat, ka mundësi që Skënderbeu në fushën e betejës
të mos përdorte ate me trup te drejte, por pallen me trup te harkuar (sic
nenkuptohet nga Dh.Frengu), per arsye se e para ishte e shkurter per shtatin e
tij te gjate, kurse me pallen, te cilen e kishte ne perdorim ushtria osmane, ai
eshte familjarizuar me teper se me te paren. Ketyre mund t’u shtohet dhe nje
arsye tjeter: me te paren luftetari e kishte me te lehte ta godiste kundershtarin
horizontalisht, kurse me te dyten kishte perfitim, sidomos kur ishte trupmadh,
ta asgjesonte me lehte armikun me nje te rene te fuqishme vertikalisht. E
njejta gje mund te thuhet dhe me perkrenaren, e cila nuk duhet te kete qene
komode ne fushen e betejes. Perfundimisht, mund te thuhet se se si perkrenarja
ashtu edhe shpata me trup te drejte i kane sherbyer qe kjo e dyta te jete
shpata qe Papa Pali II i dhuroi Heroit, naten e Krishtlindjeve se vitit 1466.
Nuk
ka dyshim se objekti më interesant nga armët e Heroit tonë Kombëtar mbetet
përkrenarja me simbolin e saj krejt të veçantë në krye, kokën e dhisë. Sipas
Frashërit se çfare ajo simbolizon mbi perkrenaren e Skenderbeut, eshte veshtire
te shpjegohet me saktesi. Mund te shpjegohet me kultin e dhise se eger,
simbolin e zanave shqiptare, te cilat jetojne, sipas legjendes, edhe sot ne
bjeshket e larta, perfshire edhe ne ate te Gjelagjoshit, mali qe qendron mbi
krye te Qidhnes se Dibres.(prej nga Frashëri argumenton në librin e vet se ka
origjinën familja e Kastriotëve). Mirëpo kulti i dhisë së egër sigurisht që ka
një shtrirje më të gjerë në mitologjinë ballkanike duke datuar që në kultin e
Zeusit, ku ai i hedhur nga Olimpi nga e ëma e vet, Gjea për ti shpëtuar frikës
paranonjake të atit të vet Kronit që gëlltiste çdo qenie që lindte, bie në
Kretë dhe ushqehet nga nga një dhi e quajtur Amaltia. Ka shenja qe tregojne se
kulti i dhise se eger eshte shume i lashte. Shkrimtari romak i shekullit te
I-II te eres sone S.Suetom Tanquilli (De Vita Caesarum, L.II, 12, 94) shkruan
se perandori romak Augusti, gjate luftes kunder Batos se ilireve, kur arriti ne
Apoloni, preu per nder te fitores se tij, nje monedhe argjendi me koken e dhise
se egër. Po kështu është tashmë një dëshmi e njohur nëpërmjet Plutarkut se Pirro
i Epirit mbante një kokë dhie të ngjashme në përkrenaren e vet çka mund të
mendohet për një kult të mirëformuar në viset epiriote ilirike. Gjatë gjithë
jetës së vet, qysh prej kthimit të tij në viset atërore, Skënderbeu ndihej
shumë krenar ndaj trashëgimisë epiriote-maqedonase të teritoreve të veta , fakt
që dëshmohet dhe në letrën e vet dërguar Princit të Tarantit në 1461 ku
nënvizon origjinën epiriotase të popullsisë arbëre. Një dëshmi tjetër është
vepra e Barletit ku vazhdimisht përforcohet origjina epiriote e truajve dhe
popullsisë arbëre . “Njerëzit kur vështronin atë rini luftarake dhe kur
shikonin atë lule burrash rreth Skenderbeut, nuk u dukej aq çudi që fuqitë e
Muratit ishin thyer prej shqiptarëvet. Me të vërtetë ishin kthyer atëherë
përsëri shkelqimi i lashte i Maqedonise dhe dukej se kishin ardhur prape tamam,
sic ishin dikur, kohët tanimë të harruara të Aleksandrit dhe të Pirros”.
Armët e Skënderbeut në
Vjenë
Mesa
duket kjo krenari e trashëguar nga antikiteti që u rigjet sërish gjatë
Rilindjes Kombëtare dhe u rishfaq më dukshëm në kohën e shtet formimit shqiptar
shërbeu për përforcimin e identitetit kombëtar të shqiptarëve ku armët e
Skënderbeut luajtën një rol të veçantë si objekte krenarie dhe dëshmuese të një
formacioni politik të sukseshëm të shqiptarëve në mesjetë. Kjo ka qenë dhe një
nga arsyet që me porosi të qeverisë shqiptare të paraluftës, një kopje identike
e përkrenares se Skënderbeut, punuar me 1937 nga një mjeshtër i talentuar
austriak, ndodhet në Muzeun historik të Tiranës dhe në kuadër të 100 vjetorit
të Pavarësisë armët origjinale u ekspozuan në Muzeun historik. Memoria
kolektive historike është një nga mjetet që se ndërton fuqishëm identitetin e
një popullsie dhe në rastin e etnisë shqiptare, kjo kujtesë kolektive kombëtare
shërbeu si një mjet bashkues për ngjizjen e identitetit kombëtar.
Bibliografia:
1- Ilir Ikonomi. Faik
Konica.Jeta në Uashington. Tiranë: Onufri
2- Kristo Frashëri.
Skënderbeu, jeta dhe vepra. Shtëpia botuese: Toena, Tiranë, 2002
3- Gazeta Besa, 3 mars
1932
Foto: Manjola Lumani