Kulturë
Albert Habazaj: Për 5 Tetorin - Ditën Botërore të Mësuesit
E diele, 08.10.2023, 07:50 PM
Mësuesit e mi Rexhep Abazi, Kujtim Mici dhe Zaim Hoxha në këmbë, ulur unë nxënësi i tyre Albert Habazaj
Për 5 Tetorin - Ditën Botërore të Mësuesit
Nga Albert Habazaj
Dita Botërore e Mësuesit - Organizata
e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, UNESCO, në vitin
1994, ka përcaktuar 5 tetorin si Ditën Botërore të Mësuesit, për të përkujtuar
nënshkrimin e Rekomandimit, në lidhje me Statusin e Mësuesve, miratuar nga ana
e ILO/UNESCO, në Paris, më 5 tetor 1966. Po në këtë vit, sipas idesë dhe
sugjerimit të UNESCO-s, pedagogu zviceran Robert Dottrens (1893-1984)
hartoi edhe betimin solemn të mësuesit mbi bazën e betimit të Hipokratit.
Drita e Mësuesit është e ngrohtë për ne, sepse
na ndrit mendimin, na fisnikëron shpirtin, na dëlirëson zemrën, na mbarëson
veprimin, na qartëson Udhëtimin, na zbukuron jetën.
Gjithkush, në Shqipëri dhe në botë ka
mësuesit e tij. Jemi grimcëza të pjesëszës së pjesës të së tërës njerëzore në
glob. Në këtë rrafsh, edhe unë kam të regjistruar në kujtesën time, mësuesit e
mi, ata që janë Mirënjohja e Nderimit tim. Ata që unë i quaj Ikona të arsimit,
yje të dritës, të mirët tanë, krenaria e Tërbaçit, nga unë kam origjinën dhe ku
kam marrë mësimet e para në shkollën 8-vjeçare “Halim Xhelo”. Ata lindën dhe
jetuan këtu, por edhe në Paris, Romë, Londër, Uashington, Çikago, Kembrixh,
Zyrih a gjetkë, po t’u jepej mundësia për kohën e jetuar dhe të mësimdhënies,
kam bindjen se do të ishin mësues të denjë e me firmë.
Ata ishin burra të zotë, fisnikë e
atdhetarë, komisarë të dritës.
Nderim 3 Mësuesve të mi, që s'i harroj sa
të jem: (në këmbë, nga e majta në të djathtë, të paharruarit Rexhep Abazi e
Kujtim Mici dhe fisniku Zaim N. Hoxha, ulur, unë, Albert Habazaj). Këta 3
viganë të arsimit në Tërbaç, në Lumin e Vlorës dhe në Vlorë janë shembëlltyra
më e përsosur e komisarit të Dritës për mua.
5 Tetori për gjithë botën dhe 7 Marsi për
Shqipërinë zyrtare, tek unë vjen me imazhin e këtyre 3 dritanëve të edukimit
dhe arsimit të sa e sa brezave në Tërbaç, në krahinën e Lumit të Vlorës dhe në
Vlorë. Duke i kujtuar çdo ditë, eci në shembullin e mësuesve të mi në kohë të
re, çdo ditë mësoj për vete dhe mësoj të tjerët. Me dinjitet. Nderim kujtimit
të tre dritanëve të mi të paharruar!
GËZUAR DITËN TUAJ, MËSUES TË BOTËS!
Gëzuar ju, mësues të vendit tim për ta
përmirësuar Shqipërinë, duke përparuar!
Mirënjohje atij brezi edukatorësh!
DRITA E MËSUESIT
***triptik***
NGA: ALBERT HABAZAJ
1. Drita e Ngrohtë e Mësuesit
Drita e Mësuesit, si frym’ e Bekuesit,
Lum ne për Mësuesit tanë,
Qenë imazh i Udhërrëfyesit,
Dhanë dritën e mendjes
e shpirtin dhanë!
2. Mësuesi im
Në hartën e yjeve
I bukur shkëlqimi yt.
Ra në tokën e ngrohtë,
Si meteor u këput.
Mësuesi im po të ndjek
Edhe tani që nuk jeton,
Unë të përshëndes kokulur...
3. Nderim Mësuesve të mi
Kur nxënës ne kemi qenë
Mësuesi quhej prind i dytë,
Dinjiteti i tyre kishte vlerë,
Si mësuesit s'kishte të dytë.
Ata qenë të mençur shumë,
Qenë si male hyjnorë,
Ata qenë diell në furtunë,
Një nga një u bën' meteorë.
Mësuesit më ikën një nga një,
Fisnikët e mi të lartë,
I kam, dhe pse s'ua dëgjoj atë zë,
Në frymëmarrjen time dit' e natë.
Ku t'i gjej t'u puth fjalën
Siç puth Dheun e Flamurin,
Si bregu i detit pret valën
Pres urtësinë e tyre të Burrit.
Mrekulli mund të ndodhë vërtet
Të bëhem sa një e mijta e tyre,
Ata erdhën e ikën profetë,
Dhe zbukurojnë qiellin me yje.
Për nxënësin qe emri Mësues
Baras me Perëndi, Zotërues.
Dritanët e mi dritërofshin e të
paharrueshëm qofshin!
Mësuesit e sotshëm rrofshin e
përparofshin!
Vlorë, e enjte, 05.10.2023