Kulturë
Visar Zhiti: Për një gjysmë ëndrre të Fatos Arapit
E enjte, 12.10.2023, 07:56 PM
Visar
Zhiti me shkrimtarët Kasëm Trebeshina dhe Fatos Arapi në Tiranë…
PËR NJË GJYSMË ËNDRRE
TË
FATOS ARAPIT DHE TONËN…
Nga
Visar Zhiti
U
bënë vite që poetin Fatos Arapi nuk e shohin më rrugëve të Tiranës dhe vërtet
miqtë e tij dhe të poezisë së tij e ndjejnë mungesën.
Mua
më duket se e ndjejnë dhe pemët trotuareve, ku ai ecte shkujdesshëm, me pak
nxitim kur ishte vetëm dhe ëndërrimtar, po aq njëlloj, megjithëse mosha
ndryshonte, flokët iu zbardhën krejt e megjithatë, kur shihte ndonjë të njohur,
koleg apo student të tij, ndalte dhe biseda, çdo bisedë, e bënte më të
vëmendshëm e të përzemërt po aq. Kështu e kujtoj, teksa forcohej miqësia me të,
mirëkuptim brezash dhe botëve të ndryshme. Ai e kishte kulturën e takimeve, e
cila mungon ndjeshëm tek ne apo keqkuptohet dhe shpërdorohet. Të tjerët,
shumicën, i kemi njohur nga kurrizet.
Nëse nuk i kishim kuptuar si kishin ardhur, e dimë pse na kanë ikur…
Mbase
e ka fajin gjysmë ëndrra, siç shkruan Fatos Arapi në një nga poezitë e tij. Ai
sikur e kërkoi, më saktë sikur e zbuloi gjysmë ëndrrën tjetër të vetes pas
ndryshimeve të mëdha, kur diktatura zhbëhej për t’u bërë ndryshe… dhe mbeti
poet, Fatosi, i lirë për të qenë më i trishtuar dhe më i dhembshur se më parë
dhe me zhgënjime sa të doje…
Gjithmonë
më ka tërhequr gjysmë ëndrra tjetër, ajo e pathëna dot dhe u afrohesha
shkrimtarëve me gjysmë ëndrrën e ikur, disave të burgosur, disave të vrarë
bashkë me të. Gjysmë ëndrra e mbetur ishte më e rëndësishmja se gjysma tjetër
apo më shqetësuese?…
Si
Fatos Arapin, që kishte qenë partizan që i vogël, që kishte luftuar për lirinë,
të cilën e përmendëte në poezi më shumë se të tjerët gjatë sundimit të
socrealizmit, etj, kam njohur dhe shkrimtarin Kasëm Trebeshina, edhe ai kishte
qenë partizan i egër, e pohon vetë dhe pas luftës, atë e çuan të studionte për
dramaturgji në Bashkimin Sovjetik, në Leningrad, kurse Fatos Arapin për ekonomi
në Bullgari, në Sofje. I arritën ëndrrat? Gjysmën?
Pse
po i kujtoj bashkë këta të dy? Apo më avitet imazhi, ku jam bashkë me ta?
Fatos
Arapi më pas u bë pedagog universitar, poet i njohur, kritikohej herë pas here
për modernizma dhe hernetizëm, e largonin, etj, kurse Kasëm Trebeshinën e
kthyen nga Leningradi në atdhe si të çmendur se doli kundër Realizmit Socialist
dhe e burgosën… a i mbeti gjë nga gjysmë ëndrra e tij dhe gjeti brenda telave
me gjëmba gjysmë ëndrrën tjetër? Apo janë viktima të idealit të tyre, njëri si
i burgosur politik dhe tjetri si poet i njohur i Realizmit Socialist, që
mundohej t’i shmangej?
Në
burg e dëgjova së pari emrin e Kasëm Trebeshinës. Mua më kishin burgosur për
ëndrrën e poezisë, që e kisha dhe poezi të ëndrrës dhe këto nuk janë dy gjysmat
e së tërës, por copëza të thyera në duart e mia që m’i përgjakën.
Unë
isha pjesë e gjeneratës më të pafat, që vinte pas atyre të fitimtarëve, madje
nga kundërshtarët. Na shikonin me dyshim, si armiq, gjithë me vrer, që ende nuk
u ka ikur, edhe pse komunizmi ra në shkallë botërore, ra ëndrra e fitimtarëve
si një çati e na zuri nën vete, edhe ne, të mundurve, por mbetëm mbi gërmadha më të lirë se kurrë, më
të lirë se ata që na burgosën…
Dhe
u përziemë të persekutuar e persekutorë, poetë që kishin qenë burgjeve dhe
poetë që kishin futur burgjeve, etj, etj, na bashkonte poezia, kështu m’u duk,
por në fakt ajo dhe na kishte ndarë… Po sot do flas që poezia na kishte
bashkuar. A ishte dhe kjo një gjysmë ëndrre? Për të tjerët s’e di, për mua…
prapë s’e di. Kur doja poezinë, doja dhe atë që e shkruante.
Më
pëlqenin takimet me poetin Fatos Arapi. Ai kishte diçka atërore, të mirë. Në
atë kohë mallëngjehej shpejt. Por atit i falet shumëçka… Ndërsa Kasëm
Trebeshina ishte zemëruar me të gjithë atdheun, me të gjallët e të vdekurit…
Poetë
bashkëvuajtës nuk kisha afër kur dola nga burgu dhe pothuajse të gjithë që
njihja, nuk guxonin të më flisnin. Me të ndryshuar kohët, ndryshuan dhe ata.
Poezia jonë, që kishim shkruar fshehurazi burgjeve dhe internimeve, në fillim i
trallisi, po e çmonin, pastaj s’e di, po e shihnin si akuzë ndaj vetes a rivale
a të dyja bashkë dhe po e përflisnin, po e shmangnin, u arrit në absurde të
padëgjuara duke lavdëruar poezitë që nuk ekzistonin, të ndonjë poeti që kishte
qenë në burg, por s’kishte shkruar dot atje, etj, madje ndonjë gazetë që
ribotonte poezi të dikurshme të ndonjë poeti, nuk harronte të vinte shënimin në
krye sikur të kushte rëndësi që ato s’ishin “poezi burgu”, kur dihet që s’mund
të ishin, se autori vetë s’kishte qenë ndonjëherë në burg, por shokë të tij. Po
ç’kishin, pra me poezitë e tyre, kur ato nderonin letrat shqipe, që s’u
përulën… Të ishte faji i gjysmë ëndrrave? Mos e përgjysmonin njeriun kështu?
Poeti
Fatos Arapi po nxirrte libër pas libri me poezi. Të hollë si flatrat. Me
autografin si fill fjongoje. Shtoheshin dhe shëtitjet me të. Ndodhte të shkonim
bashkë dhe në takime poezie, edhe jashtë vendit, në Itali, po ai mori dhe
“Kurorën e artë” në Festivalin e Strugës në Maqedoni…
Pastaj
s’po vinte më në Kafe “Europa”, ku e prisnin dhe miqtë, poetët Xhevo e Pano, etj, etj. Degjoheshim në telefon, më
falenderonte që kujtohesha, nuk ndjehej dhe aq mirë me shëndet, sytë i ishin
dobësuar shumë... dhe më kujtohedhin poezitë e tij me Homer. Gjysmë ëndrra
tjetër kishte ardhur tek ai si poet. Po e sjell dhe poezinë e tij. Ai tashmë i
plotë vezullon në mugëtirën e letrave shqipe. Dhe një poezi të prozatorit Kasëm
Trebeshina që pret natën të ëndërrojë dhe atë vazhdojnë ta përgjysmojnë pa
ndërprerje. Ëndrra e tyre tashmë është e përplotësuar e tërë në Qiell.
Po
kam dhe unë një poezi për ëndrrat, e kam shkruar në burg, kur s’desha zgjim, se
realiteti ishte më i keq. Në kërkim ende të gjysmës tjetër.
-
Sille ti! - Kjo është kredoja ime…