Kulturë
Vilhelme Vrana Haxhiraj: Gjykim pas Vdekjes (2)
E merkure, 11.10.2023, 07:56 PM
Gjykim pas Vdekjes
Vazhdim
i pjesës së parë...
Novelë nga Vilhelme Vrana Haxhiraj
Biseda me Alisën,
më qetësoi. U largova nga shtëpia e saj disi e lehtësuar. Tashmë isha më e qetë
dhe e gatshme për t’i kushtuar më tepër vëmendje sezonit. Sa përfundova
provimet, shkova disa ditë në shtëpi. Kur pyeta time motër, se si kishte
ndodhur, mamaja ma priti:
-Kështu ndodh me
vajzat që bëjnë pas kokës së tyre.
-Pse, kështu duhet
të përfundojnë gjithë vajzat që pësojnë një zhgënjim në jetë, mama?
-Jo, nuk thashë
këtë, por edhe prindërit duhen pyetur, moj bijë, - u përgjigj disi më butë ime
më.
-Mos vallë ajo nuk
i pyeti? Por ata u treguan shumë kokëfortë, s’donin. Një vajzë e re,
shtatëmbëdhjetë vjeçe, ngeli mes dy zjarreve. Mama, ti nuk e njihje, ndaj flet
kështu. Një e re që bën një gjë të tillë, vetëgjyqësi, është me shumë sedër,
pasi i duket se ka bërë turpin më të shëmtuar të kohërave. Asgjë të keqe nuk
bëri. Deshi një djalë me gjithë shpirt dhe kurrëgjë më tepër. Kur do të
mësohemi vallë që të mos na bëjë përshtypje lidhja e dy njerëzve dhe ndarja e
tyre, kur atyre të mos u puqen karakteret? Oh, sa shumë ka për të vuajtur femra
në këtë vend!
-Kur ajo paska
qenë vajzë e mirë, atëherë qenkan prindërit fajtorë, ë?
-Pavarësisht se
kush e ka fajin, ajo iku tani dhe nuk ka më rëndësi, ndërsa si mësim për të
tjerët, po... Veçse, nga ky rast duhet të mësojnë të gjithë ata që kanë fëmijë.
Mos të japin përfundimin pa arsyetuar mirë, se cilat do të jenë pasojat. Tani
le t’i bien kokës me grushte sa të duan prindërit e Evës, ajo nuk u hynë më në
derë. Ishte vajzë për kokë të vajzës, po ç’e do...
Sa erdhi Ariani
nga puna, ne të dy shkuam për një vizitë ngushëllimi te familja e saj.
E ëma, Mama Maria,
sapo më pa, filloi të qante me ngashërim e të ligjëronte nën zë, pasi ishte
darkë. U ula pranë saj dhe e përqafova, por dhembja e nënës nuk mjekohet me
fjalë. Për të s’ka ilaç që ta shërojë, sepse është një plagë që nuk ia gjen
asnjë lloj kurimi. Është plagë shpirti. Asaj i është ngulur thika në zemër,
ndaj është e pashërueshme. Është dhembje nëne. I jepja të drejtë, se e bija e
kishte marrë veten më qafë, kot së koti. Eva ishte nxituar...Ishte shumë e re
për të gjykuar me qetësi dhe ashtu si duhej. Jeta nuk është kaq e thjeshtë sa
ç’e mendojmë ne, por është e ngatërruar. Ka të përpjeta dhe të tatëpjeta dhe i
lumtur është ai që i kapërcen pa marrë parasysh vështirësitë. Asnjëherë jeta
nuk është vaj, por quhet “e pritura e të papriturave”. Sado të tmerrshme dhe të
hidhura të jenë dhembjet, duhet kurajo e forcë për t’i kapërcyer. Ndaj dhe Eva
nuk duhet të kishte vepruar kështu, sepse koha shlyen dhe ndryshon shumë gjëra.
Në fund të fundit, koha është ajo që shëron plagët e jetës. Ajo nuk kishte
marrë një përgjigje të prerë nga Kastrioti. Edhe sikur ai t’i kishte thënë se
nuk e donte, nuk duhej të kishte arritur në një vendim kaq ekstrem. Vërtet
humbi dashurinë e parë, por me siguri do të rilindte një dashuri tjetër më e
bukur, reale dhe më e vendosur se e para, e cila do t’ia shëronte plagët e
zemrës.
-Si ndodhi mama,
Marie?
-Ku ta di unë e
mjera, si ndodhi. Aq sa di ti, di dhe unë nënëzeza,- tha mes lotëve.
-Nuk vure re diçka
të dyshimtë në sjelljen e saj atë ditë ose më parë?
-Ajo kishte javë
që ishte mbyllur në vetvete që kur...që kur ne e kishim ndaluar të takohej me
atë grykëzënin në mënyrë të prerë.
-Ju jeni nënë, nuk
kuptuat gjë fare?!
-Si mund ta merrja
me mend një mynxyrë të tillë, kur nuk më hapej fare, veç ankohej nga dhembja e
kokës. Vetëm prej hetuesit mësova se
ç’plane kishte kurdisur mavria për atë natë.
-Po të kishte
ikur, s’do të ndodhte ajo që ndodhi..., mama Marie.
-Kur e donte kaq
shumë, le të ikte. Një ditë edhe ne do
t’na kishte rënë inati dhe do ta kishim falur. Si duket, kështu e deshi fati.
Duhej të na helmonte tani në pleqëri. Na hodhi bojën e zezë, na turpëroi, aq sa
nuk kemi as sy e as faqe të dalim përpara botës.
E gjora nënë, e
helmuar deri në palcë, ankohej e dëshpëruar me zërin e ngjirur prej
ngashërimave.
-Nuk e kuptoj, pse
duhet t’ju vij turp, moj nënë? Eva s’vdiq me turp. Ajo dënohet vetëm për aktin.
Vajza juaj ka qenë model dhe nuk pati njeri pranë që ta drejtonte kur mori këtë
vendim, ndaj u tregua e cekët. Përsa i përket botës, le të shikojnë veten dhe
fëmijët e tyre. Evën nuk duhet ta dënoni tani, pasi ju kishte lajmëruar me kohë
që donte një djalë.
-Tani fjalët dhe ankesat
apo mallkimet janë pa vlerë, moj vajzë.
-Ju jeni nënë, po
askush nuk di, se në ç’masë qëndronte faji i saj, vetëm pse dashuroi dikë? Këtë
nuk e pranon logjika e askujt.
Atë kohë erdhën
dhe dy shoqet e saj, Ina dhe Afërdita. Ato na treguan se i kishin thirrur në
hetuesi me gjithë shokët dhe shoqet e klasës.
-Nuk di pse
ngulnin këmbë për një letër që kishte marrë Eva në datën tridhjetë e një
dhjetor, - tha Ina.
-Një letër ...the?
-pyeti duke brofur në këmbë e ëma.
-Po, po. Një
letër...Nuk di se ç’shkruhej në të, por duhet të kishte diçka me shumë
rëndësi...-theksoi ajo.
-Mos ia dhe ti,
moj bijë?- e ëma e Evës iu përgjërua Afërditës.
-Po..., jo po...
-Patjetër ti duhet
ta kesh sjellë atë letër të mallkuar, se tek ne vetëm ti ke ardhur ato dy ditë.
-Ishte përgjigja e
së ëmës, pasi i ra ndër mend qëndrimi i saj vetëm për vetëm me Evën.
-Po...si të të
them...unë i solla një letër asaj atë ditë, të cilën ma dha një shoku i
Kastriotit, -u përgjigj Afërdita duke u përtypur.
-Jo vetëm për
këtë, por duhet të jetë edhe një letër e Evës, ndoshta përgjigja e saj..., - iu
drejtua Ina.
Nënë Maries sikuri
erdhi diçka ndër mend. Një pjesë e bisedës së tyre bënte fjalë pë një letër.
Asaj iu kujtua diçka dhe iu lut Afërditës:
-Pa kujtohu mirë,
mendohu një herë, bija e nënës! Mos të ka dhënë gjë ty, vajza atë ditë, moj të
keqen nëna? Tani më kujtohet fare mirë. Kur hyra në dhomë me tabaka që të të
qerasja ty, Eva diçka të zgjati dhe ti e fute nxitimthi në xhepin e përparëses
së zezë. Ishe pikërisht ti që ndenje më tepër se një orë, madje jo vetëm një
ditë, por dy ditë rresht. Këtu ke qenë më tridhjetë e një dhjetor dhe më një
janar.
E ëma filloi t’i
renditte ngjarjet e atyre ditëve që u bë gjëma. Tashmë ishte e bindur, se
Afërdita kishte luajtur rolin e postieres. Shoqet kërkonin ta bindnin atë,
por...
-Afrdita, nuk ka
gjë të keqe, sepse me anë të letrave, duhet të dalë e vërteta në shesh.
-Jo se do ta
ngjall, se ajo iku një herë e përgjithmonë, por dua të di përse dhe si vdiq ime
bijë.
Ishin fjalët e një
nëne të dëshpëruar. E shkreta nënë, mendonte se çfarë të fshehta kishte jeta e
së bijës. Ndaj donte ta dinte me çdo kusht, sado e hidhur të ishte e vërteta,
as një herë nuk do të kishte qenë më e tmerrshme se tragjedia që ndodhi.
Ditën tjetër dola në treg me
Arianin për të blerë disa gjëra që më nevojiteshin, se të nesërmen do të ikja
në Tiranë. Në kthesën e bulevardit më zuri syri Afërditën që ishte gati të hynte
në rrugicën e lagjes ku banonte. Më bëri pështypje ecja e saj e nxituar. Ishte
gati duke vrapuar dhe herë pas here, kthente kokën pas, tamam si një njeri që e
ndjekin. Nuk m’u durua dhe i thirra për të marrë vesh se çfarë i kishin thënë
në hetuesi.
-Afërdita!
Ajo ktheu kokën e
trembur. Vështroi rreth e rreth dhe u tulat prej frikës, tamam sikur ai që e
ndiqte, tani ndodhej aty pranë dhe ajo...
I thirra përsëri
dhe vrapova drejt saj. Atë çast ajo ndali. Më pa mua, u mbështet pas murit dhe
e lëshoi tërë trupin mbi të në mënyrë të çuditshme. Nuk di pse m’u duk aq e
telikosur, sa nuk qëndronte dot në këmbë.
-Nga ke qenë
kështu?- e pyeta kur shkova pranë saj.
-Isha atje...,-
tha dhe vështroi rreth e rreth tërë frikë.
-Ku atje? -bëra
sikur nuk dija gjë.
-Pse bën si e
paditur? Ti e more vesh mbrëmë, kur ishim te nënë Maria, - u përgigj e
pezmatuar.
-Të betohem që nuk
dija gjë. Ndoshta keni biseduar më vonë. Ti e pe...ne ikëm para jush.
-Në hetuesi isha,
e ku tjetër do të mbytesha?
-Zëri saj i
dridhur tregonte se ishte gati të shpërthente në lot. Dukej që kishte pjesën e
saj të fajit, ndaj e pyeta:
-Ç të thanë?
-Ta dija që do
t’më bënin kaq presion e do të arrija në këtë gjendje dhe me pasoja, kurrë
s’kisha për t’i çuar apo marrë letrat e saj, -u ankua dhe shau nëpër dhëmbë.
-Domethënë ti...
-Po unë...u
përpoqa për mirë. Kush bëri mirë në këtë botë dhe gjeti mirë?!- tha si e zënë
ngushtë, po më tepër kërkonte që të justifikohej. Padashur ajo kishte nxjerrë
të vërtetën në shesh.
-Pra ti e paske
marrë letrën, të vërtetën e tragjedisë. Po pse s’the që në fillim, moj e uruar
e Allahut? Kështu do të kishe mbaruar
punë njëherë e mirë dhe s’ishte e nevojshme të shkoje dhjetë herë. Të paktën,
letra, a shkoi në vendin apo te personi i duhur?
-Jo...
-Çfarë? Si jo,
moj? Ç’lloj shoqeje qënke ti? Si e thua kaq thjesht dhe pa turp, kur tjetra të
beson si veten një të fshehtë të tillë? Si e bëre moj? Fol!
-Nuk e çova se e
dija që Kastrioti nuk bënte asgjë pa të ëmën.
-Bënte apo s’bënte
gjë, ishte puna e tij. Ti duhet ta çoje porosinë në vend. Ai duhej ta mësonte
gjendjen shpirtërore të Evës, patjetër. Ishte një amanet, të cilin s’e tret as
dheu.
-Kështu mendova në
ato çaste. Nuk më shkonte në mendje kurrën e kurrës, se Eva mund të bënte një
veprim të tillë, një marrëzi...
-Po ja që e bëri.
Nuk kanë thënë kot, se jo vetëm nga një pakujdesì e vogël, por edhe nga një
shenjë pikësimi, merret më qafë jo vetëm një njeri, po një shtet a një
perandori e tërë.
Ajo rrinte e
menduar si një tuhafe dhe dukej se ishte nën trysninë e pyetjeve që i kishin
bërë në hetuesì. Ndoshta analizonte dëmin dhe fatkeqësinë e madhe që kishte
shkaktuar me mendjen e saj të vogël sa një bizele. Ndoshta, ndoshta...
Veçse nuk m’u
durua dhe i ki thashë:
-Po ku ke mend ti,
moj trushkulur...Kush e la mendjen, ta gjeje ti?!
-E kisha menduar
ndryshe, - tha pas pak.
-Si ndryshe? Mos
vallë do të bëheshe melhem që t’i shëroje plagën Evës, nëse Kastrioti nuk
vendoste?
I bërtita me sa zë
që kisha. Isha e nervozuar aq shumë, sa mund të bëja ndonjë skandal në mes të
rrugës. Një mendje më thoshte që ta kapja për fyti dhe t’ia merrja atë shpirtin
e saj të zi, katran.
-Meqë Kastrioti
letrën e saj nuk e mori dhe do të mendonte se ajo... Më vonë unë do t’i
propozoja për njohje me një kushëririn tim, student në drejtësi.
E shikoja dhe
analizoje gjendjen e saj prej fajtoreje mjerane,
e cila, për të
arritur atë që donte, kërkonte të zvordhte ndjenjat e Evës. Qëllimi i saj dukej
qartë, se, kur fliste, dridhej. Mendimet i ngatërroheshin, sytë i lëvizte sa
andej-këtej, për t’iu fshehur shikimit tim të egër.
-Domethënë ti e
paske mbajtur letrën qëllimisht. Bukur e paske menduar, se do ta mashtroje,
kështu? Kishe gjetur edhe zgjidhjen, prandaj ajo letër nuk shkoi kurrë në
adresën ose te personi i duhur. Paske pasur arsye të thella, kurse para asaj
nëne të helmuar, më rrije si shejtan budalla. Nuk thonë kot, se femra ka futur
shejtanin në shishe. Një vajzë apo grua pa karakter njollos gjithë femrat.
-Mendoja se do të
ishte një çift i përsosur...Ata të dy do të shkonin shumë me njëri-tjetrin. Me
atë njeri, Eva nuk do ta ndiente fare ndarjen nga Kastrioti. Edhe për tim
kushëri, do të bëhej mirë. Ku do ta gjente ai, një tjetër vajzë si Eva?
-Po Eva, a ishte
në dijeni për tët kushëri?
-Natyrisht. Ia
kisha thënë para se të njihej me Kastriotin, por ajo s’pranoi, pasi donte të
vazhdonte studimet. Të njëjtën gjë ia kujtova edhe më një janar, por s’më
dëgjoi fare.
-Nuk të dija kaq
pa mend, moj vajzë. Asaj po i digjej koka, i kishte marrë flakë, ti kërkoje të ndizje cigaren.
-Pse ?...-pyeti si
tuhafe.
-Guxon dhe pyet?
Si pse, moj? Veprime të mira janë këto? E gjete çastin e duhur që t’i
përsërisje propozimin tënd! Çudi, dhe pikërisht atë kërkesë që, ajo nuk ta
kishte pranuar më se një herë?!
-Mua m’u duk
zgjidhja më e mirë.
_-Si nuk e kupton
vallë që, në ato çaste aq të vështira për të, ajo donte dikë pranë që t’i jepte
kurajë, se një ditë nga ditët, ëndrra e saj do të plotësohej. Ndërsa ajo, duke
parë se ti po i bëje një propozim tjetër, u çorodit fare. Ti, dhe vetëm ti, ia
preve shpresën. Ajo vajzë e ndjeshme dhe me karakter, vendosi të gjente këtë
rrugë si më të shkurtrën. Eva ishte një vajzë e përkryer që e mendonte dhe e
ëndërronte të ardhmen të bukur, por fatkeqësisht ndeshi në konsevatorizmin e
njerëzve të saj dhe të nënës së Kastriotit. Kur mendonte se ajo për atë ishte
njeriu më i shtrenjtë, po pavendosmëria e tij për gjestin e premtuar, e
befasoi. Aq e papritur ishte heshtja e tij, saqë për një çast mendoi se kishte
shkelur në dërrasë të kalbur, ku s’i mbetej gjë, veçse të thyente qafën. Kudo
të përplsej? Fati e kishte hedhur në një udhëkryq pa dalje dhe s’kishte ku të
mbështetej. Mos do të gjente përkrahjen e prindërve, të cilët iu kundërvunë
ndjenjave të saj të brishta? Apo mos vallë do ta priste krahëhapur e vjehrra, e
cila kërkonte pajë? Pse i vari shpresat tek ti, moj shpirtkazmë? Në vend që t’i
jepje kurajë në ato çaste të vështira për të dhe t’ia rritje besimin në
dashurinë e saj se s’ do të shuhej, por ti ç’bëre? Ia shtove helmin në zemër
dhe ia vrave shpresën. Nuk di ç’të thanë në hetuesi, po në këtë tragjedi, ti ke
pjesën tënde të fajit. Po të isha unë në vendin e tyre, ty do të të quaja
fajtoren apo shkaktaren kryesore të tragjedisë.
-Kështu mendon
ti?! Unë, unë e ndiej se kam gabim, por faj, kurrë... S’i thashë unë që të
merrte atë vendim ekstrem dhe ta dënonte veten aq rëndë...
-Mjaft! Mbylle atë
gojë si kamare që nxjerrë vetëm plehra dhe vrer...O Zot, si mud të mbash mbi
sipërfaqen e dheut njerëz kaq shpirtvegjël e meskin që, janë në gjendje të
luajnë me fatin e të tjerëve dhe të intrigojnë me sinqeritetin e një vajze, aq
të padjallëzuar, si Eva?!
Atë çast gjaku më
kishte shkuar në tru dhe flisja me vete, pasi brenda qenies zieja si vullkan.
-Edhe pse u
vetëvra, nderet iu bënë...
-Si nuk të vjen
turp, moj e pafytyrë?! Unë gjithmonë kam kujtuar se ju keni pasur miqësi e
shoqëri të pastër. Nuk të paskam njohur se çfarë përbindëshi je?! E paske
shpirtin të kalbur dhe një mendje të mykur. Më habit një gjë: “si ka mundësi
që, ti ke qenë shoqja e saj, po si të ka pranuar ajo?!” -Po për çfarë nderi e ke fjalën? Mos vallë
ke dashur ta linin pa varrosur? Apo kishte bërë ndonjë turp tjetër që ne nuk e
dimë? Hë moj, fol, hape të shkretën?!
-Jo, po...
-Në ato çaste asaj
fatkeqeje iu duk se jeta kishte marrë fund për të. Pikërisht se mendonte këtë,
e bëri gjëmën, e bindur se për dashurinë e saj e dinin të gjithë dhe do ta
quanin të pander, një vajzë imorale.
-Më thuaj, ia vlen
të lavdërohet drejtori i shkollës, i cili organizoi një varrim madhështor? Fjala
e tij dhe e atyre vajzave në ceremoninë mortore, ia rritën personalitetin asaj
vajze që nuk i meritonte gjithë ato nderime.
-Ato fjalë aq të
dhembshura të drejtorit dhe të shoqeve, u hoqën perden që u kishte zënë sytë
deri atëherë, prindërve të saj dhe ata njohën Evën e vërtetë.
-Ajo nuk ishte si
ato vajzat e tjera që, hidhen në krahët e një tjetri si pa të keq. Në
kraharorin e tyre nuk ka zemër po gur. Kurse dhembja shpirtëore e saj i kishte
kaluar caqet dhe ishte më e rëndë se vdekja. Ndaj dhënia fund e jetës ishte me
mjaltë për të, se sa një jetë e zhgënjyer.
Më kishin kërcyer
damarët, më kishin hipur nervat dhe tensioni i gjakut nuk di sa më kishte
shkuar me atë tyryfyçkë. Po të mos kishte mbërritur Ariani aty, me siguri do ta
kisha rrahur dhe do ta kisha bërë fërtele, duke e flakur tej si një leckë pa
vlerë. Ne u larguam pa e përshëndetur. E lamë atje mbështetur te muri, si një
dhi të zgjebosur.
***
Të nesërmen shkova
në Tiranë. Gjatë udhëtimit mendoja për atë ngjarje që kishte tronditur gjithë
qytetin. Ngado që shkoja, ajo më shfaqej parasysh e gjallë dhe bisedoja me të
për dashurinë e saj fatkeqe, për fatin e saj tragjik. Kur sillja ndër mend ato
çaste të tmerrshme të fundit të jetës së saj të shkurtër, më dukej sikur kisha
qenë atje e pranishme. Ndërsa Eva, e shtrirë për shkak të sëmundjes së shtirur,
më dilte përpara kudo, madje dhe në leksion, me shishen e vogël të helmit
nëdorë, duke u lutur. Po kujt, kujt i drejtohej vallë?! Kush e di? Ndoshta
hapësirës i kërkonte ndihmë, por para saj kishte vetëm zbrazëti...Përfytyroja
çdo gjë me imtësi, e llahtarisur për vendimin e saj... Oh, sa e re! Doja t’i
largoja këto mendime, por...
Ja, tek e
shoh...disa herë me radhë ajo e çon shishen deri te buzët, pastaj një forcë e
padukshme ia tërheq dhe ia lëshon mbi tavolinën e rrumbullakët.
“Ai do t’më përgjigjet me siguri, por nuk i është krijuar mundësia,- mendonte e gjora. -Data një kaloi,
shkoi edhe nata...erdhi mëngjesi...e tani...ora dhe unë pres, po çfarë? As vetë
nuk e di se ç’pres më ?”
Mendimet ogurzeza
kundërshtonin njëri-tjetrin.
“Po sikur e ëma
të ketë vendosur të më pranojë me përparsen e zezë? Oh, ç’mrekulli do të jetë!”-
buzëqeshte dhe brofte ndenjur mbi
shtrat.
“Jo, nuk ka
mundësi. Çudi!...Jeta është e bukur...Përse vallë duhet ta mbyll kështu?! Përse
duhet të vetëvritem, xhanëm?!... Në këtë mënyrë i vras të dyja në të njëjtën
kohë: si jetën, edhe dashurinë...Po nëna ime, ç’do të bëjë kur të më shohë të
vdekur?- mendonte e brengosur.
“Sa herë të kam
thënë, o nënë! Ti doje të dëgjoje dhëndrin, dëgjoje pra! E shkreta, ti, moj
nënë! E di që do të të helmojë vdekja ime, por unë nuk jetoj dot pa atë që
dua”, -tha.
E vinte përsëri
helmin në buzë, por një zë tjetër nuk e linte të qetë dhe ajo e lëshonte
përsëri në vend atë shishe të mallkuar.
“Nuk u përmbys
bota për një njeri. Në këtë tokë nuk është vetëm Kastrioti...Adami ishte
një...ndaj Eva u martua me të dhe krijuan botën, por ama ishte vetëm një.”
“ Sa shumë i
kam dashur fëmijët! Më vjen keq që nuk do të kem...”
“Kjo varet nga
ti”- përgjigjej një zë tjetër.
“Nga unë?! Po si do të jetoj?”
“Mos je e para që ke humbur një dashuri?”
“Pse, ka dhe të tjera?”
“Ka thua? Sa të duash...”
“Jo, jo unë nuk mud të jetoj me një barrë turp.”
“Po ato si ia bëjnë?”
“Nuk e di, nuk e di...ato ndoshta ...ndërsa unë nuk jetoj dot pa
Kastriotin, sepse të gjithë e dinë që unë e dua, të gjithë...”
“Pse e zë me gojë?Ai nuk e meriton dashurinë tënde. Ai është i pavendosur.”
“Po unë e dua,
e dua... si asnjë tjetër në botë.”
“Më mirë jeto, po jo për atë, se nuk të meriton.”
“Jo, unë dua vetëm atë dhe nëse ka një njeri që do të guxojë të më pyesë,
me siguri që do të kërkojë të dijë: Përse nuk u kurorëzua dashuria jonë?”
“Mos vallë është e ndaluar të dashurosh? Ti je si një engjëll. Sa e
pafajshme je! Ti je një qelibar i vërtetë, aq e pastër është kjo dashuri. Ti je
si një lule, aq joshëse je. Të duket e turpshme se ke këmbyer vetëm një
puthje?...E puthura është e drejta e të dashuruarëve. Vetëm për këtë e rëndon
veten? E ke gabim. Nuk ke bërë asnjë mëkat. Kjo ndjenjë të zgjoi e të tha që ti
je femër. Është gjë e bukur ta ndjesh veten femër në kuptimin e vërtetë të
fjalës. Me bukurinë dhe thjeshtësinë tënde ke ngjallur interesin e
meshkujve.Hidhe poshtë atë shishe të mallkuar, ajo është tmerr, ndjell kob dhe
e ka emrin “vdekje”...Mos do të martohesh me vdekjen?!
O zot! Eja në vete Eva, harroje atë dhe jeto me ëndrrën e bukur që përjetove,
derisa t’ia hapësh portat e zemrës kësaj ndjenje sublime, kur të të trokasë një
zemër tjetër më bujare ...”
-fliste një zë që e
kishte dëgjuar më parë, një zë këmbëngulës dhe bindës.
“Jo, jo. Nuk duroj dot më... Boll se më çmendët...e kam vendosur...”- dhe zuri veshët me duar që mos t’i
dëgjonte ata zëra cingëritës që ia turbulluan mendjen. Më pas me dorën që i
dridhej, pa u menduar dy herë, e rrëkëlleu helmin me një frymë.
“Ç’bëra kështu?”- pyeti veten dhe nisi të dridhej prej tmerrit. Mendimi se do të vdiste e
cfiliste. Kishin kaluar dhjetë apo pesëmbëdhjetë minuta, kur i thirri së ëmës
me gjysmë zëri:
-Mam aaa, m..
am..a...! Unë po vdes...-fliste gati përçart, e penduar dhe me zë të shuar.
_ Ç’thua, moj
bijë? Ti nuk ishe kaq e sëmurë...- pyeste e ëma, por jo e bindur plotësisht.
-Ma...ma, më
ndihmo...po vdes,- i lutej me sy të zgurdulluar
Kur e pa të bijën
që u nderë e zbehur, klithi:
-Me të vërtetë?
Korba unë ç’ma gjeti vajzën?!
Ajo pyeste me
mosbesim dhe mendonte se ishte ndonjë trill i së
bijës.
-Mama, nuk po bëj
shaka...Nuk kam qenë asnjë çast e sëmurë...
-Po atëherë, përse
thua kështu?
-Po vdes
vërtet...bëj diçka të lutem...! -fliste me rrokje apo tinguj të shkëputur dhe
me zërin e shuar.
-Nuk të marr vesh,
moj vajzë?! Apo kërkon të më trembësh mua plakën? Të lutem, mos ma bëj gjaku
ujë, se i shprishur më është bërë këto kohët e fundit.
-Mama, po të them
të vërtetën...është mëse e vërtetë që po...që po...vdes...Kam pirë hel...min...
-tha me një zë të huaj dhe pa jetë.
-Helmin, helmin?!
O Zot! Ki mëshirë për time bijë! Ku e gjete, moj ditëzezë? Korba, ç’i bëre
vetes dhe mua qyqes.
-Nuk je qyqe, se
ke të tjerë...
-Përse, përse e
bëre këtë gjëmë? Më thuaj! - pyeste nëna e shkretë dhe shkulte flokët si e
lajthitur. Vinte rreth e rrotull nëpër shtëpi, pa ditur se ç’të bënte.
-A nuk më
kishe...thënë...më mirë e vdekur....se të martohesha me të? Unë...ta
plo...plotësova...dë...shi...rën...bëra si ...do...je...tiii...- tha me rrokje
të zvargura, ku pasqyrohej një lodhje dhe dhembje e madhe. Ndoshta donte të
shprehte diçka, por fjalët e tjera ishin me një gjuhë të trashë që, ajo s’mori
vesh asgjë.
Ato që i ngelën
nënës në kujtesë dhe që do ta brenin tërë jetën, ishin fjalët e fundit të saj.
Shishja i ra nga dora, ndërsa prej gojës i dilte një shkumë e bardhë. Ajo dukej
sikur flinte dhe dora i mbeti kalavarur poshtë.
Unë shikoja me
sytë e mendjes mama Marien, duke ulëritur dhe shkulte flokët mbi trupin e
pajetë të së bijës që, ishte ende e ngrohtë. Pastaj dalëngadalë trupi nisi të
ftohej dhe ngriu. Shikimi i saj ishte i tmerruar, ishte shikimi i një kufome që
kërkonte drejtësi. Ajo e re që, mohoi rininë, bukurinë e moshës së saj, tashmë
një kufomë, rrethuar nga njerëz të dëshpëruar, kërkonte të mos qanin. Të
kujtonin atë dhe të mos bëheshin pengesë për dashurinë, sepse pa këtë ndjenjë
të bukur, jeta do të ishte ferr, ose nuk do të ekzistonte fare.
Se ç’kishte
ndodhur më pas, nuk doja ta kujtoja. Pas ikjes së saj, asgjë nuk kishte më
vlerë. Kjo tragjedi ishte shpërblimi apo pasoja e një dashurie të ndaluar.
***
Kishin kaluar
dhjetë ditë nga vdekja e Evës, papritur na mblodhën në një auditor të
leksioneve dhe na thanë se do të bëhej një takim me rëndësi. Në këtë takim mori
pjesë edhe Sekretari i Parë i Komitetit Qëndror të rinisë. Të them të drejtën
s’isha në gjendje të mirë shpirtërore, ndihesha e dërrmuar fare, ndaj shkova pa
dëshirë. Gati sa s’më ra pika, kur mësova shkakun e këtij takimi.
Fjala e mbajtur aty, për mua ishte
një vdekje e dytë për Evën.
Komiteti Qënror i
rinisë në një plenum të jashtëzakonshëm, kishte marrë në analizë vdekjen e
Evës, jo si një tragjedi e moshës, por si një akt i turpshëm e kriminal. Një
vetëvrasje e tillë ishte në kundërshtim me normat e moralit komunist ishte
përdhosje e idalit të Partisë. Plenumi e dënonte këtë vtëvrasje dhe Evëne
quante fajtore, e cila po të kishte shpëtuar nga ktehtrat e vdekjes, do të
ishte dënuar nga ligjet në fuqi. Ç’marrëzi?!
Të vrisje veten
për një njeri të padenjë, për një armik të klasës, ishte veprim antipushtet,
antiatdhe dhe antiparti. Rinia e jep jetën vetëm kur e kërkon interesi i
atdheut, vetëm atëherë kur pushteti është në rrezik. Të vetvritesh për
dashurinë, është anormale, madje është imorale. Në atë fjalë të Qarkorit të
partisë kishte akuza të rënda, fyese ndaj asaj që tashmë e kishte marrë
ndëshkimin dhe s’kishte nevojë për gjykim pas vdekjes. Pasi Eva u vetëgjykya...
Qarkorja u ishte
shpërndarë komiteteve të rinisë nëpër rrethe, në çdo qytet e fshat. Rinia jo
vetëm merrte pjesë, ku diskutonin dhe e dënonin por studentët dilnin me detyra
dhe iniciativa. Diskutimet e tyre ishin nga më të ndryshmet, me një zhargon
fjalori rrugësh dhe arrinin deri aty, sa e quanin Evën “rrugaçe”. Sikur të mos
e njihja, do ta pranoja. Po për Evën model, më therte në zemër.
“Sa larg së
vërtetës jemi dhe sa fjalë boshe na kishte mësuar partia me moralin komunist!
Të tillë njerëz që shkojnë nga fryn era, nuk janë të denjë për rininë e kohës
sonë. Gjykim qesharak, dhe kur? Pasi ajo e kishte marrë pretencën:“Dënim me
vdekje”, për të cilin u rigjykua dhemori dëni kapital për së dyti. Vdekja e dytë
e Evës, ishte, ‘Gjykim pas vdekjes’. Pas shpine, edhe mbreti shahet. Më erdhi
neveri dhe nuk doja t’i dëgjoja diskutimet e tyre me fjalë të bukura vetëm në
sipërfaqe, ndërsa në thelb ishin krejt e kundërta. Cila ishte e drejta morale e
tyre? Mbi ç’baza këta njerëz të mbrujtur me idetë e moralit komunist, aq më tepër
të rinj, errrësonin të vërtetën? Kjo do të thotë ta bësh të bardhën të zezë.”-
tejet e hidhëruar mendoja, kur dola nga auditori.
Të nesërmen u nisa
për në shtëpi, më tepër për mamanë e Evës, se sa për njerëzit e mi. U
përshëndeta me njerëzit e familjes, bëra një dush dhe shkova drejt e tek nënë
Maria. Ishte me fëmijët, me njërën nga vajzat dhe me djalin. Pamja e tyre e
shfytyruar, më tronditi jashtë mse. Rrinin të heshtur në hallin që i kishte
zënë, me kokat e varura si grurë i korrur. Kurse nëna e saj m’u duk e rrëgjuar,
ishte tkurrur dhe mbledhur sa një grusht. Ishte mpakur dhe plakur brenda pak
ditësh. S’i vë faj. Jo vetëm një nëne, por as hasmit mos i ndodhtë një gjëmë e
tillë.
-Mama Marie, sot
kam ardhur enkas për ju.
-Të faleminderit,
Keti. Ajo, paska pasur të drejtë që nuk të lëshonte nga goja, se qenke vërtet
vajzë për kokën e vajzës, ashtu siç na pëlqen ne të moshuarëve. Rrofsh, moj
bijë që erdhe! Kur hyre në derë, m’u duk sikur m’u rikthye Eva... – dhe filloi
të qante.
E përqafova dhe i
hodha dorën në qafë që të pushonte.
-Do të vija pa
tjetër, mama dhe sa herë që do vij në shtëpi, do të kthehem tek ju.
-Ah, moj vajzë! “Mirë
gomari që ngordhi, po s’të lenë as mizat rehat”, -u ankua duke qarë e gjora
nënë. Ishte e rëndë, një plagë e pambyllur që u rihap që të diskutohej e bija
në organizatat e rinisë.
-Tamam, ashtu
është, mama.
-Po ç’patën me të?
Ajo veç vetes dhe neve, askujt nuk i bëri dëm. Përse komiteti po e gjykon dhe e
dënon tani? Ajo tashmë e ka marrë dënimin. Përse vallë nuk e lënë rehat që t’i
paqtohet shpirti? Oh, e ngritën të vdekurën nga varri...Eh, moj bijë e nënës,
kësaj i thonë gjykim pas vdekjes. Vallë a do të ndryshojë gjë?
-Thonë, se ky
gjykim do t’na shërbejë ne që të mos gabojmë si ajo, sepse janë shfaqje të
huaja mikroborgjeze. Vetëvrasja është e modës në botën kapitaliste dhe
revizioniste, ku njeriu i jep fund jetës për shkak të pasigurisë, të varfërisë,
të pagarancisë për të ardhmen e jetës pa shpresë në vendet e tyre. Ndaj
njerëzit atje janë të dobët, kurse ne jemi të fortë. Këtu jeta e njeriut është
e garantuar, ndaj dënohet vetëvrasja.
-Ah, moj vajzë!
Përse e bëre veten për t’u diskutuar dhe
përgojuar në gjithë vendin? Mjera, unë e mjera, kushedi se ç’daulle do të
dëgjoj akoma!- ankohej ajo e brengosur.
-Të të rrojnë këta
që ke, mama! Peshqir për gojët e botës nuk bëhesh dot.
-Vdekja e saj më
ka bërë plot dora, moj bijë e nënës.
Tani i dëgjoj unë avazet botës. Na bëjnë vizita gjoja për ngushëllim, po
në të vërtetë duan të merren me fjalë, jo thanë ashtu, e jo thanë kështu...Si
nuk përtojnë xhanëm? Sa dëgjojnë diçka nga fëmijët e tyre dhe e sjellin me
vrap. Nuk e di si janë gatuar këta njerëz, nuk e di.
-Po qe për
njerëzit, qimen e bëjnë tra, se duan të gjejnë një shkak për t’u marrë me
llafe, po mos ua vër veshin, mama, se më shumë do të brengoseh. Ajo u ka helmuar deri në palcë, vetëm ju të
dyve, se të tjerët do të gjejnë karar. Ndërsa njerëzit do flasin e do flasin sa
të lodhen. Pastaj, po nuk gjetën strehë te ju, do të pushojnë.
-Mirë me atë
ditëzezën, po me drejtorin e shkollës ç’patën, moj bijë? Oh, sa njeri i mirë
është! Përditë vjen, madje dhe sot ishte këtu...
-Sipas tyre,
drejtori është përfaqësues i shtetit në shkollë dhe një njeriu me detyrë të
tillë, i veshur me pushtet, nuk i lejohet të shpreh keqardhjen për një dramë të
tillë të moshës së re. Kjo është një tragjedi e vërtetë, të cilën nuk duan ta
quajnë kështu, ndaj e dënuan. Në këtë mënyrë adrejtori dëmton politikën e
shtetit dhe jep shembullin negativ te nxënësit. Një njeri i tillë s’është i
denjë për të mbajtur titullin “Mësues i Popullit” dhe nuk e meriton të drejtojë
një shkollë të mesme, se i ka dalë kundër shtetit me nderimet që i ka bërë
vajzës suaj.
Gjykimi i saj si
një vdekje e dytë për kujtimin e saj dhe familjen solli mjaft kundërshti nga
studentët.
Qarkorja u
shpërnda në çdo skaj të vendit dhe Evën e quajtën pjesërisht fajtore, ndërsa
shumica, kishte një mendim tjetër për të. Shumë të rinj apo të reja, në
diskutimet e tyre të lira, ishin në kundërshtim me qëndrimin ekstrem që mbajti
komiteti i rinisë.
Me ç’të drejtë
këta njerëz që personalisht nuk e njihnin Evën, nuk njihnin karakterin e saj,
apo rrethanat në të cilat ndodhi tragjedia, e gjykonin? Ky ishte një gjykim jo
vetëm pa bazë, por edhe kundër çdo norme njerëzore, sepse merrte nëpër këmbë
dinjitetin e saj femëror. Dëgjoje arsyetime nga më të ndryshmet dhe mjaft
revoltuese...
-Unë kam jetën
time do ta trajtoj dhe jetoj si dua vetë dhe sipas interesave të mia, -tha
një ngavajzat e institutit.
-Në ç’vend të botës ekziston dashutria e kushtëzuar nga politika? Juve po
ju pyes. Unë kurrë s’kam për të vepruar në jetë si të duan të tjerët. Është
jeta ime...vetëm e imja dhe e askujt..., - ia priti me nervozizëm një shoqe tjetër e kursit.
-A ka ndonjë
ligj që ndalon vetëvrasjen? -pyeti një tjetër.
-Vetëm ndjnjat nuk
diktohen...Ato lindin. Njeriu bën çfarë I thotë zemra de mendja. Tragjedia e
një vajze fatkeqe, e cila u përgojua, u gjykya dhe u dënua vetëm e vetëm që të
na çoroditnin për një kohë të gjatë, derisa të dalë diçka tjetër. Duke e marrë
si shembull negativ, ndaj saj u krye një krim. Evën e vranë për të dytën herë,
-shprehu mendimin e saj një tjetër. Dukej qartë që, më të revoltuarat ishin
vajzat. I dëgjova, u dhashë të drejtë dhe u tërhoqa vëmendjen:
-Vajza, të gjitha
keni të drejtë! Ndjenja e dashurisë lind natyrshëm, ashtu lehtë- lehtë dhe zë e
troket në portat e zemrës. Gllabëron shqisat, pastaj troket fort dhe rend e
rend nëpër dejet e trupit si e marrë dhe s’ka pengesë që ta ndalë. Pushton tërë
trupin, mendjen, gjymtyrët dhe ushtron një ndikim të paparë mbi zemër. Kur
pushton trurin, vërshon tamam si uji i lumit të rrëmbyer, po ka ëmbësinë e
nektarit. Atëherë, veç zemrës që troket fort, asgjë s’dëgjon dhe veç syve të të
dashurit, asgjë s’shikon. Brenda një nate ngre kështjella në erë dhe kur
përmendet prej gjumit letargjik, qoftë dhe një çast të vetëm, është gati të
bëjë mrekulli. Meqë arsyeja s’punon, çdo i ri apo e re është gati të marrë
vendime ekstreme ose të bëjë marrëzi të paparashikueshme.
Kështu ndodhi edhe
me Evën e pafajshme e cila u gjykua dhe u dënua kaq rëndë, sa... dhe kur se...?
Atëherë, kur ajo
ishte vetëgjykuar, atëherë përse diskreditohej kaq pa mëshirë?! Eva tashmë e
kishte kryer dënimin... gjithë të tjerat ishin pa vlerë, Ajo as shikonte dhe as
dëgjonte gjë...Kjo vajzë e re u shenjtërua për hir të dashurisë së parë. Ndaj
të gjithë ata që dashurojnë, le ta kujtojnë Evën që u shndërrua në simbol
dashurie. Në kujtesën e atyre që e njohën, ajo mbeti një lule që nuk do të
vyshket kurrë. Petalet e saj do ngelen të çelura dhe plot aromë në çdo stinë,
ashtu si dashuria e saj që do të ngelet gjithmonë e re...Sa herë që do kujtohet
nga ata që e njihnin, ajo do të rishfaqet e gjallë në përfytyrimin e tyre, si
ajo gonxhja që hap petalet në pranverë. Duke u ftilluar dalëngadalë, do të
shpërndajë bukurinë dhe aromën e saj dehëse! Eva, e tillë do të ngelet, e
qeshur dhe me fjalën e ëmbël, edhe për ata që nuk e njohën...
I nderuar lexues,
kjo novelë i kushtohet shoqes së brezit tim, në shkollën Pedagogjike “Jani
Minga” Vlorë, Lina Rrumbullaku, e cila flijoi jetën për dashurinë. E ribotoj si
memorje në 60 vjetorin e ndarjes nga jeta në n moshë të re...
Autore, Vivra
Vlorë, 10.10.2023