Kulturë
Gjekë Gjonaj: Me krenari e nostalgji i kujtoj mësuesit e mi
E shtune, 14.10.2023, 07:57 PM
Me krenari e nostalgji i kujtoj mësuesit e mi
Nga
Gjekë Gjonaj
Brezi
im dhe brezat e mëparshëm në fshatin tim
të lindjes në Triesh janë rritur me figurën e shenjtë të mësuesit, të cilën ne
e kishim gati si perëndi, ngase vetë
mësuesit ishin jo vetëm mësues,
por frymëzim dhe shembull ideal për ne, misionarë
.
Gjithkush
në botë ka mësuesit e tij. Edhe unë i kam regjistruar dhe i mbaj në kujtesën time mësuesit e mi
trieshjanë në SH.F. Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” në Triesh të cilët i kujtoj me krenari e nostalgji dhe s’do t’i
harroj kurrë , meqë ata janë mirënjohja e nderimi im.
Megjithëse
këta misionarë të arsimit, fisnikë e atdhetarë, komisarë të dritës, edhe
pse punonin në kushte të vështira ata vazhdimisht ishin
njerëz të zotë, të përkushtuar që synonin të
përçojnë dijen tek nxënësit.
Ata me gjithë qenien e tyre janë angazhuar që nxënësit e tyre të jenë të
suksesshëm. Vështirësitë e nxënësve bëheshin
vështirësitë e tyre, qeshnim dhe hidhëroheshim së bashku. Klasa ishte
një familje e madhe e mësuesi herë ishte
në rolin e kryefamiljarit, herë të psikologut, herë të nënës, herë të
shokut e herë të shoqes. Mësuesit nuk ai falnin
vetes asnjëherë nëse një nxënës nuk arrinte të jetë i suksesshëm në jetë! Jam me fat që kam pasur mësues të tillë, që
çdokush do të dëshironte t’i kishte.
Jam
i bindur se mësuesit e mi, edhe pas
shumë dekadash në arsim,
ndjeheshin sikur ditën e parë të shkollës. Ka qenë ky një brez mësuesish që
kanë punuar me pasion, sepse mësimdhënia është me të vërtetë jo thjesht
profesion, por është pasion, dëshirë, është shpirti që kanë dhënë për vite të
tëra për edukimin e brezit të ri. Ata
kishin shkumësin në dorë, buzëqeshjen, kishin dëshirën për të dhënë maksimumin
e tyre.
Unë
sot kujtoj me mall kohën kur kam qenë nxënësi i tyre,
kohë që për mua dhe mësuesit e mi, ka qenë një ëndërr, ndër pjesët
më të bukura në jetë. Mësuesit e mi
edhe sot e gjithmonë do t’i
kujtoj me shumë nostalgji, gjithnjë ashtu të qeshur, me fjalë të ëmbla.
Ata na kanë mësuar gjithnjë me atë mënyrën e tyre të them
aktoriale. Kanë qenë shumë të
dhënë për arsimin. Dashurinë e bukur të
mësuesit e shprehnin te ne nxënësit.
Jemi të bekuar që kaluam nëpër duart e
tyre. Mësimdhënia për ta ishte gjëja më e jashtëzakonshme që mund t’i
ndodhë njeriut në jetë. Ata na
thoshin ta duam mësimdhënien, jo për të
marrë një rrogë , por thjesht për të kuptuar se aty është zemra e tyre, pasioni
i jetës së tyre. Disa nga mësuesit e mi
janë gjallë, ca të tjerë nuk jetojnë më
me ne, por dëshira e tyre për
mësimdhënien ka mbetur e përjetshme. Roli i tyre në procesin edukativo-arsimor
ishte shumë i rëndësishëm për zhvillimin
e përgjithshëm të shoqërisë, andaj ata
janë heronjtë tanë!