Kulturë
Hamdi Hysuka: Poeti që mbolli dije e kulturë
E diele, 15.10.2023, 06:53 PM
POETI QË MBOLLI DIJE E KULTURË
Nga
Hamdi Hysuka
Më datë 7 tetor 2023, në
bashkëpunim me Bibliotekën “Pjetër Budi” të Bashkisë Mat, Klubi Letrar “Pjetër
Budi” organizoi në mjediset e Bibliotekës veprimtarinë “Poeti që mbolli
dije e kulturë”, kushtuar poetit matjan, Rakip Lasku.
Me dhimbje të thellë mësuam
lajmin e hidhur, se më 12 shtator 2023, në moshën 77-vjeçare, kolegu ynë,
mësuesi, poeti dhe publicisti Rakip Lasku, e la këtë botë dhe udhëtoi në
pakthim për në botën tjetër. Edhe një herë, familjarëve, shokëve, miqëve të tij
të ngushtë, në emër të Klubit Letrar “Pjetër Budi”, u drejtojmë
ngushullimet e thella dhe të sinqerta.
Rakip Lasku u lind më 20
shtator 1946 në Gur të Bardhë të Matit. Pas arsimit fillor e 7-vjeçar në
vendlindje, studimet e larta i mbaroi në Universitetin e Tiranës, dega
Histori-Gjeografi. Që në moshë të re është marrë me krijimtari letrare. Në
vitin 1969 botoi vëllimin e parë me poezi “Ditari i alpeve”, i mirëpritur nga
ne pasardhësit e tij. Është autor dhe i disa librave me poezi për fëmijë, ku
shquhen “Jam borizan”, “Trim si ju do jem dhe vetë”, “Matematika zbavitëse” dhe
“Çerdhja e lejlekut”. Ka botuar monografinë “Shkurte Skura” dhe dosierin
“Hysen Laçi, një jetë për arsimin”. Në vitin 2012 botoi vëllimin me lirika,
titulluar “Trëndafila me gjemba”. Për fëmijët e moshës së mesme
shkollore ka botuar librin me poema “Guri i Zoicës” dhe revistën
periodike shkencore argëtuese, “Zenit”.
Gjatë gjithë jetës së tij
Rakipi u përball me sfida. Punoi mësues në fshatin Peshk të Martaneshit dhe
pastaj në vendlindje, në shkollën e Gurit të Bardhë. Atje lidhi jetën
bashkëshortore me mësuesen Rabie Xira, me të cilën lindën, rritën dhe edukuan
djalin Florian dhe vajzën Mirena. Njëkohësisht, në rininë e tij, filloi të
shijojë jetën e mësimdhënësit dhe të poetit të preferuar nga lexuesit.
Kaloi muaji që i miri Rakip
bëri hapat e fundit të jetesës dhe nuk vrapon më. Por ka ngelur në kujtimet
tona njeri i dashur, poet i ditur, mësues i mirë dhe prind shembullor. I qoftë
toka e lehtë! Poezia e Rakip Laskut është testamenti i jetës, i miqësisë dhe i
dashurisë, sepse përmes shpirtit të tij poetik jetën e kuptojmë më mirë.
Vëllimet poetike "Ditari i Alpeve" dhe "Trëndafila me
gjemba" janë ura miqësie mes lexuesve pa dallime moshe.
Që para viteve '90 profilin e
tij letrar, të dallueshëm dhe kuptimplotë, e krijoi me vlera të larta lirike,
kur ishte mësues e poet, kur shkruante dhe botonte poezi frymëzuese për jetën,
për dashurinë, për ngjarje historike dhe personazhe realë. Vargjet e Rakipit kërkuan
personalitete të larta, të cilët i ndjeu, i adhuroi... Për kthimin e
Skënderbeut në Krujë, ka shkruar:
Turma e
kalorësve ngrinte ré nga dheu,
në trollin e
mëmës erdhi Skënderbeu,
korbat lanë
bedenat, ikën në një shpellë
gjysmëhën' e
mplakur dridhej mbi kështjellë.
Çallmëbardhët heshtën, heshtën si kufoma
shqipet
ngritën grushtet: -Toka është jona!
Retë u
arratisën, toka thithte diell
shqipja
arbërore ndriste mbi kështjellë.
Me studiuesin e njohur matjan,
Dilaver Kurti, bashkëpunoi në ekspedita të shumta etnografike. Dëshmitare janë
vargjet e poezisë “Arkeologu”:
Diku një
shpatë, diku një heshtë, një vendbanim a varr pirusti
si sizmograf
që kap tërmetet, ato i prek Dilaver Kurti
ai s’e njohu
kurrë Shlimanin dhe nuk ka qenë kurrë në Trojë,
megjithatë
ai rroku kazmën, drejt thellësive të gërmojë.
Rrugën e tij
s’e bën gjithkush, të fismen punë kushdo s’ia njeh
sido që
imazhet e pirustëve ti mund t’i shohësh në muze,
dhe balli i
tij është rrudhur, dhe ai është nxehur sigurisht
kur një
kalá, apo një tumë, ia kanë dëmtuar rastësisht.
A ka ndonjë forcë tjetër më
magjike se forca e dashurisë? Vargjet e Rakipit janë si uji, si dielli, si vetë
pranvera. Gjithmonë i etur për dashuri, sepse në poezinë “S’desha tjetër
mbretëri”, shprehet:
Porsi sot e
njëmijë vjet s’desha që të isha fare mbret,
duke të
patur ty në gji, s’desha tjetër mbretëri
njerën dorë
e njerin sy, padyshim i jap për ty
mjaft me ty
jam patjetër, porsi Zot përmbi mbretër
po ta kisha
mbretërinë, krejt e jap për dashurinë.
Ndërsa, po për dashurinë, te
poezia “Pranvera”, lexojmë:
Fryn era…
trëndafili sot gonxhet i çel vetë,
ndërsa të
lind dashuria, të kesh sot njëqind jetë
sot lulet,
bari, gjethet, puthen gushë më gushë
e mishi
lakmon mishin dhe buza kërkon buzë.
Se zemra
kërkon zemra edhe sytë kërkojnë sy,
ndërsa ti
kërkon mua edhe unë të kërkoj ty,
dhe shpirti
sot vërtet s’u ngopka duke dashur,
s’më mjafton
një zemër, por dy të kisha pasur…
Rakip Lasku ka një stil të
veçantë të shkruari, është i drejtpërdrejtë, pa u fshehur pas fjalëve, i
guximshëm, pa paragjykime, një Esenin i ri përmes poezisë “Kthimi”:
Me një boçe
nën sqetull, ja u ktheve më në fund
lëkund era
duke qeshur dete gruri në katund.
Ku je, nëna leshrathinjur, sot yt bir po vjen nga larg
sulet malli
i pabindur në vendlindje, në çdo cak.
M'është nxirë ca lëkura, ndodh që dikush nuk më njeh
më përqafin
gra e burra, i gëzuar qeni leh...
A ka gjë më të bukur se të
jesh zëdhënës i buzëqeshjes dhe ëndrrave të zemrave të fëmijëve? Mjafton të
shfletosh vëllimet “Jam borizan”, “Trim si ju do jem dhe vetë”, “Çerdhja e
lejlekut”, librin me poema “Guri i Zoicës”, “Matematika
zbavitëse” dhe arkivin e revistës periodike shkencore e argëtuese “Zenit”.
Në vitin 2012 Rakip Lasku doli
para lexuesve me tri libra të reja: “Hysen Laçi, një jetë për arsimin”,
kushtuar shokut të tij të ngushtë; "Trëndafila me gjemba",
përmbledhje lirikash me frymë erotike; "Guri i Zoicës", me
motive të hershme legjendare, kushtuar fëmijëve të moshës së ulët e të mesme
shkollore. Në vitin 2007 është ndër kryesorët e themelimit të revistës
periodike “Emathia”, në të cilën botoi shkrime të spikatura për
personazhe historikë dhe fenomene të ndryshme shoqërore.
Poezitë e Rakip Laskut janë
befasuese, me vlera intelektuale, me fragmente ideshë, të artikuluara mirë, me
kuptim poetik, si kjo me titull “Karrigia”:
Kanë
ndryshuar gjërat me shpejtësi kozmike,
veç karrigia
siç ka qënë ka mbetur prapë karrige,
po gjahtarë
karrigesh në çdo kohë ka pasur,
se dhe sot e
kësaj dite lufta mbetet e hapur.
Dhe grinden
politikanët për të thjeshtën, karrigen
si për një
gjah të majmë ujqërit në mal grinden,
se karrigia,
posi kurva, është futur në politikë
që, siç ikën
me njërin dhe me tjetrin mund të ikë.
Poezia e tij bashkon të
shkuarën me të ardhmen, ditën me natën, tokën me qiellin, shpirtin me trupin.
Pa drojë e them, se Rakip Lasku është një shpirt nga shpirti i kombit. Me
origjinalitet, identitet, thjeshtësi dhe sinqeritet, ky poet shkruan për Ferrin
dhe Parajsën.
Nëpër Ferrin
e jetës hyra, por edhe në Parajsën e saj
po ty askund
nuk të gjeta, dhe ndërkaq zura të qaj
sepse ti
ishe porsi llampa, që na duhet natën në terr
aq sa, pa
ty, edhe Parajsa më duket më tepër se Ferr
e pa ty miop
kam mbetur, dhe zemrën sot bosh e kam
se, as në
Parajsën e jetës, as në Ferrin e saj nuk jam.
Për vlerën e poezive lirike të
Rakip Laskut mund të them me plot gojën se ato janë të frymëzuara, të denja për
lexim dhe rilexim. Duke përdorur mjetet e duhura stilistike, poeti
depërton me sukses në botën magjike të fjalëve:
Tymi është i
biri i zjarrit, po përse s’i ngjan të atit
nga zjarri
rrjedh edhe hiri, kësisoj dhe ky është i biri
por edhe ky,
ashtu si i pari, s’paska fare tiparet e zjarrit
dhe kjo për
zjarrin, për çudi, nuk paska gjithësesi rëndësi
por nga im
bir, përse unë dua, të më ngjasë patjetër mua?!
Poezia është ajo që ne duam
dhe kërkojmë për lexuesin, diçka ndriçuese që ndiejmë dhe marrim frymë. Poezia
na qetëson, na harmonizon, na frymëzon. Për vlerën e poezive të kolegut Rakip
Lasku s'mjafton ky takim i sotëm, se siç thotë vetë:
Qetësi dhe
vetëm qetësi ka gjithmonë mbi varre,
sepse të
gjallët, për çudi, vijnë rrallë, rrallë fare
po dhe ashtu
në të rrallë, sa herë kur në varre vijnë
njëlloj si
gurët e varreve, përherë të heshtur rrijnë.
E them, pa ty sikur të isha në perandorinë e varreve
veç një
akuzë të gjithëve, do t’ua bëja të gjallëve
edhe do t’ua
përplasja posi bombë përpara syve,
për atë
zhurmën e madhe, që bëhet sot midis tyre…
Studiuesi i mirënjohur, Behar
Gjoka, në ngushëllimin e tij për kolegun Rakip Lasku, është shprehur:
-Njeriu që foli me fjalën e
mençur si poet, prozator, si mentar i fjalës, në gjurmim të historisë dhe
qytetërimit shqiptar, njeriu i cili ka vite që ka folur me heshtjen e tij,
përballë shurdhmemecërisë së kësaj kohe...
-Në bisedat e lira, -theksoi
më tej, -kam zbuluar diçka nga enigma që barti dhe e mori me vete, në amshim.
Njeriu që dinte të fliste kaq bukur, me një thellësi analize dhe arguemnti e po
me atë venerim dinte me dëgjuar. Një pasues më i afërt shpirtëror i Budit të
Gurit të Bardhë, i fjalës poetike dhe diturake.
Në lëvrimin e poezisë së sotme
me autorë matjanë japin ndihmesë poetët Basir Bushkashi, Kujtim Stana, Fatmir
Gjestila, Lindita Doda, Qemal Cenaj, Bajram Canameti, Haqif Heta, Fatmir Neli,
Fato Male, Adivie Hoxha, Xhavit Gasa, Ermal Lala, Lulzim Cuka, Rubjana Nika,
Elona Basha... dhe të tjerë. Me botime të reja artistike ky grup poetësh
bashkëkohorë forcojnë ndërtesën e modernitetit poetik matjan.
Koha që kalon nuk do ta
shuajnë dhimbjen, kujtimin, dashurinë dhe respektin që ruajmë për Ty, i
paharruari ynë Rakip Lasku! Mungesa jote është zbrazëti që nuk plotësohet
kurrë. Tani e tutje mërzi e mall për ty. Sado që vitet kalojnë, ti je pjesë e
jetës sonë letraro-artistike. Je dhembja e pashëruar e zemrave tona.
Hamdi Hysuka
Klubi Letrar “Pjetër Budi”, Mat.