Kulturë
Dorian Koçi: Naim Shqipëria
E shtune, 21.10.2023, 06:50 PM
Naim
Shqipëria
Këndo
ëngjëll urtësinë
edhe
të gjithë mirësitë...
Nga
Dorian Koçi
Sa
herë i rikthehemi rrënjëve të kulturës kombëtare e kemi të pamundur mos të
rikthehemi te Naim Frashëri dhe vepra e tij. Në harkun kohor prej 30 vitesh ai
krijoi nga një traditë e pakët dhe pa kohezion , një trashëgimi të pasur që u
kthye në arën pjellore ku u mbollën pothuajse të gjithë fidanet e ripërtëritjes
sonë kombëtare dhe kulturore.
Naim
Frashëri, në 1898, në prag të vdekjes së
tij boton “Istori e Skënderbeut”, një lloj testamenti politik me të cilin poeti
kombëtar i shqiptarëve dëshironte t’u jepte kumte të reja bashkatdhetarëve të
vet. Në poemë mungojnë referencat fetare, por ka një idealizim të fortë të
gjendjes së Shqipërisë të para pushtimit osman.
Aty
nuk përmendet asnjë institucion fetar, por ka një “pamje idilike”, ku si
karakteristika të kohës jepen paqa, kama, nderi, shpresa, drejtësia, dashuria,
miqësia dhe besa-besa.
Nuk
është e vështirë të kuptohet se duke mos përmendur asnjë fe konkretisht, por
duke dhënë në të njëjtën kohë pothuajse të gjitha karakteristikat e besimeve
monoteiste, Naimi Frashëri dëshiron të “krijojë” një besim të përbashkët të
gjithë shqiptarëve, të cilin ai e gjen të konkretizuar në epokën e Skënderbeut.
Kjo “fe” e re që Naimi kërkon të krijojë nuk është gjë tjetër veçse bashkimi
kombëtar i shqiptarëve dhe atdhedashuria.