Kulturë
Kadri Tarelli: Çamëria, krah i shqyer i kombit shqiptar
E marte, 24.10.2023, 06:57 PM
Përpjekja për liri duhet të vazhdojë gjithnjë. Kauza e lirisë nuk duhet të marrë fund në mbarimin e një viti ose në mbarimin e një shekulli. Abraham Linkoln
ÇAMËRIA,
KRAH I SHQYER I KOMBI SHQIPTAR
Pse
hesht politika dhe politikanët shqiptar?
Nga
Kadri Tarelli
Një
vit më parë, në pranverë të vitit 2022, në Durrës u përurua libri: “Vendbanimet në hapësirën historike
Shqiptare të Çamërisë”. Me Autor Prof. dr. Selman Sheme, ku edhe unë pata
nderin te flas, duke e quajtur librin:
“TESTAMENT TRASHËGIMIE”, për botën shqiptare. Botuar në: Gazeta
“Bota sot” në Dardani, Gazeta “Dielli” në SHBA, portali “Fjala e lire”, Londër
dhe “Zemra Shqiptare”, Angli.
Ndërsa
sot kam nderin të flas para jush, këtu në qytetin e Kavajës, për librin më të
ri: Odeon. “Çështja Çame. Perspektiva e zgjidhjes, perspektivë e integrimit”,
të cilin e vlerësoj: ”Libër shkencor me përmasa kombëtare”.
Analiza
shkencore e librit i takon specialistëve dhe lexuesit të interesuar, ku veç
kënaqësisë, mund të gjejë vetveten, duke vlerësuar mesazhet që përcillen në
këto kohë të trazuara të botës në tërësi dhe botës Shqiptare në veçanti, ku
natyrisht çështja çame vazhdon të mbetet problem i pa zgjidhur, duke u
zvarritur pafundësisht nga politika jonë dhe e fqinjëve. Një çështje të cilës
autori i kushton kapitujt: “Pengesat për ripërtritjen e njohshmërisë së
identitetit “Çam”, “Çështja çame. Perspektiva e zgjidhjes, perspektivë e
integrimit”, në vazhdim edhe “Çështja çame nuk ka krahasim me asnjë çyshte
tjetër”, etj.
Duke
qenë njohës i fushës së shkencave histori-gjeografi, mendoj se është një
ndërfutje e fuqishme mes dy shkencave, madje unë i mëshoj idesë, se të dhënat
gjeografike, me aq bollëk sa janë, i shërbejnë më shumë historisë, që vetiu
pickon dhe shpon politikën, të shkuarën, dhe ca më shumë të tashmen, që të
tundet e të shkundet nga rutina apo nga plogështia jonë, si dukuri të
pafalshme, kur bëhet fjalë për çështje kombëtare.
Çdo
lexues, sado pak i vëmendshëm qoftë, do të dallojë thirrjen, madje më zë të
lartë të autorit, që pa frikë ve gishtin mbi plagë, mbi qëndrimin disi të
çuditshëm të politikës dhe politikanëve tanë, si para 90-tës, ashtu edhe në
ditët e sotme. Të them të drejtën sikur janë gjuhë lidhur, apo me gjuhë të
prerë, aq sa u thahet pështyma në gojë dhe belbëzojnë sikur në gojë kanë zhavorr
lumi. Nuk e di ku fle e panjohura dhe pse duhet të tutemi, të heshtim për një
të drejtën tonën? Politikanët tanë që ndërrohen vazhdimisht në këto 30 vite,
sikur druhen nga frika se mos na zemërohen grekët dhe na bëjnë hatanë. Këtu
pyetja: pse, pse, pse? Mbetet retorikë pa përgjigje, por që ka brenda shumë
dhimbje.
Unë
e vlerësoj dhe e përshëndes qëndrimin e profesorit tonë, që guxon të thotë
hapur mendimin e tij, në kërkesë të të drejtës njerëzore, kombëtare dhe
politike, të çamëve dhe Çamërisë në tërësi, të drejta të njohura
ndërkombëtarisht. Ai si njohës shumë i mirë i këtij problemi, jep pa ndrojtje
edhe udhët e zgjidhjes, që natyrisht nuk janë të lehta. Por qëndrimi i
politikës dhe politikanëve tanë është i çuditshëm dhe le shumë për të
dëshiruar, për të mos thënë le shumë dyshime.
Një
pyetje që mbin në buzë të cilitdo nga ne, lexues apo dëgjues: Si është e mundur
që qeveria Greke njeh minoritetin turk dhe maqedonas, ndërsa çështjen Çame as e
ze në gojë, nuk e shtron për zgjidhje, nuk e pranon në asnjë bisedë
qeveritarësh me shqiptarët, madje ca më keq, nuk heq “Ligjin e luftës”, mbetur
si gjemb gorrice, që shpon sa herë e prek apo e shkel?
Mendoj
dhe dëshiroj, që ky libër duhet të zerë vend në tavolinën e punës të çdo
mësuesi të historisë dhe gjeografisë, në çantën e nxënësve të shkollave të
mesme dhe studentëve të shkencave shoqërore. Pjesë të tij të përfshihen edhe në
programet mësimore në shkollat 9-vjeçare, ca më shumë në tekstet e shkollave të
mesme. Njohja e kësaj çështjeje është domosdoshmëri atdhetarie, jo thjesht
kulture historie.
Ngul
këmbë, si domosdoshmëri edhe për politikanët, diplomatët dhe deputetët, të
cilët, nëse dinë të shkruajnë e të leçisin shqip, të mundin të lexojnë e
dëgjojnë mesazhin e thënë qartë e prerë, duke kumbuar me zë të lartë: “Mësoni
ç’kemi humbur, kur jemi të përçarë dhe të dimë ç’të kërkojmë nëse bëhemi të
bashkuar, për të përmbushur të drejtën dhe ëndrrën tonë kombëtare, të shkelur,
të mohuar dhe të paharruar, por ende të pa zgjidhur.
Dëshiroj
të ve në dukje se ky libër, ka përmasat e një enciklopedie për Çamërinë dhe
tokat që u shqyen nga trungu shqiptar, pikërisht nga fuqitë e mëdha në vitin
1913, duke kënaqur lakminë shekullore të fqinjëve verior dhe jugor. Por
historia e përgjakur e Çamërisë dhe gjenocidit Çam nuk mbyllet këtu, pasi gjatë
viteve janë shumë përpjekje politike dhe ushtarake, për të larguar këtë
popullsi autoktone. I gjithë studimi mbështetet mbi të dhëna shkencore të
padiskutueshme dhe të patjetërsueshme.
Në
vazhdim të këtij mendimi, dëshiroj që kuvende të tilla të ketë në mbarë trojet
shqiptare. Është një ndër mënyrat më të mira për ta mbajtur ndezur zjarrin e
atdhetarizmit. Ndjenja kombëtare nuk duhet lënë të venitet, as të fashitet.
Urime
profesor i nderuar! Nëpërmjet këtij libri zëri yt të dëgjohet në mbarë
shqiptari, në trevat Arbnore dhe në mërgatën shqiptare të shpërndarë nëpër
botë. Ju jeni një shembull për të gjithë intelektualët tanë, sidomos gjeografët
dhe historianët, që duhet me forcë ta
thonë mendimin e tyre shkencor, në mbrojtje të çështjes sonë. Kur jemi shumë
dhe te bashkuar zëri ynë do dëgjohet më fort, më larg dhe më fuqishëm.
I
nderuar Prof. Dhe Dr. Selman Sheme! Historia na mëson se kombi u ngre monumente
përjetësie jo vetëm “Heronjve” që falin gjakun për mëmëdhe, por edhe atyre që
nuk kursehen të punojnë e të shkrihen për komb e atdhe.
Faleminderit
dhe mirënjohje, për vepra të tjera me po kaq vlera shkencoren e atdhetare.
Suksese!
Kadri Tarelli
Vjeshta e dytë 2023.
Shënim: Fotografitë u bënë dhe u punuan nga Muharrem
Shqarri.