E shtune, 09.11.2024, 01:58 PM (GMT)

Kulturë

Jusuf Buxhovi: 'Enigma' e kodit të dashurisë?

E marte, 07.11.2023, 07:26 PM


“ENIGMA” E KODIT TË DASHURISË?

-Besnik Mustafaj: “Fati i marrë”, roman. Botoi “Onufri”, Tiranë 2023.

Nga Jusuf Buxhovi

Enigma e dashurisë është  vetë dashuria. Ajo nuk ka kod, meqë nuk do të ishte dashuri. Kështu parafrazon Markezi dashurinë në romanin e njohur “Dashuria në kohën e kolerës”. Shkrimtari Besnik Mustafaj, në romanin e tij më të ri “Fati i marrë”, sikur të mos i besonte Markezit, ngreh çështjen e një enigme te një dashurie, e cila kohësisht ka dy pamje (njëra në mesejte dhe tjetra në shekullin e kaluar), siç ka edhe dy personazhe historike të ndërthurura në përjetimin e saj imagjinativ (Gjergj Kastriotin-Iskander beun me të bijën e Hunijadit hungarez, Idunës dhe të Benjamin Disraelit, kryeministër britanik me Hanën, një malësore nga Veriu shqiptar).

Në përputhje me prosedeun tashmë të njohur nga tre romanët e fundit, ku participimi imagjinar i shkrimtarit në ndërtimin e rrëfimit ndërthuret me anticipimin nga veprat e botuar (këtë herë novela “Historia e një mushke”) me ç’rast  madje ai kthehet edhe në personazh, kërkimi i “enigmës” së dashurisë paralele: asaj mesjetare (Gjergj Kastrioti-Iskander beut me Idunën hungareze) dhe të Benjamin Disraelit me Hanën malësore, mbështetet mbi dilemën si moto të veprës se ç’i bashkoi këto martesa aq të largëta, cilat interesa fshiheshin para tyre e të ngjashme, të cilat ndiqen fillimisht nëpër rrugë historike (lufta e Skënderbeut kundër osmanëve e vetmja asokohe ndër popujt e pushtuar,  dhe më vonë nëpër  ato politike,  nga koha e Kongresit të Berlinit e deri te pavarësia e Shqipërisë), që për  referencë  kanë pikëtakimin e shqiptarëve me britanikët në planin kulturor, diplomatik dhe shtetëror.

Natyrisht se në këtë vorbull të dashurive paralele, shkrimtari ndërthur personazhet historike jashtë fakteve historike, kështu që në dashurinë mesjetare shohim Gjergj Kastriotin-Iskander beun, pas takimit me Huniadin, para se të largohet nga beteja e njohur e Nishit, fillimisht të dashurohet me të bijën e mbretit hungarez, Idunën dhe mandej edhe të martohet (pas një konflikti me shumë intriga  me princin grek Niketa). Ndërsa në dashurinë e vonshme, shohim kryeministrin britanik Benjamin Disraeli,  me Hanën, gjatë qëndrimit në kullën e Resulajve, në kërkim të zbardhjes se një vrasjeje midis krushqve të familjes Resulaj me një tjetër te një urë kur “nga krenaria” nuk pranojnë t’ia lëshojnë rrugën njëra-tjetrës. Në këtë histori tragjike, që për Disraelin e kohës së rinisë, duket fare e pabesueshme por reale në një ambient të tillë jetësor, Hana sikur të zbriste nga bota e magjisë së përrallave, shfaqet  "urë" që lidh dashuritë,  pikërisht aty ku ajo jo vetëm që nuk shfaqet shlirshëm, por, në përputhje me kodin e kanunit,   shkatërrohet deri në tragjicitet. Leja që Hana të shkojë me të huajin me arsyetimin thuajse mazohist të bashkëshortit “që ajo të jetë e lumtur” (shpjegimi i të cilit gjendet te impotenca), dashuria e tyre rrugës si dhe martesa para se të shkojnë në Londër, në dukje të pakuptueshme për sjelljen e një familjeje fisnore patriarkale, ndërtojnë rrëfimin e një romance ndër më të parëndomtat, që është në gjendje t’i krijojë vetëm imagjinata krijuese, gjë që arsyetojnë referenin e  dilemës “si mbiu ashtu papritur në zemrën e kryeministrit britanik Benjamin Disraeli dhe të mbretëreshës Viktoria kjo dashuti  e pakufijshme për Shqiptarët”, mbi të cilën ndërtohet edhe i gjithë koncepti i romanit.

Hapjën e  kësaj enigme dhe dilemat që e përcjellin atë,  ku ecuria e zbërthimit të saj ngrihet mbi supozimin, në dukje të një interesi politik, por që porosia përfundimtare le për të kuptuar afrinë kulturore dhe shpirtërore mbi konceptet e civilizimeve të njëjta, për të cilat edhe luftohet, siç ndodh me atë të Gjergj Kastriotit me hungarezin Huniad kundër osmanëve, shkrimtari e ka mbështetur në dy plane rrëfimtare, në dukje kohësisht të shkëputra: nga Pëkthyesi  M. B. dhe Historiani D.D.

Përkthyesi M.B. në pjesën hyrëse, shfaqet “si një intrigues” i rrëfimit në raport me vetë shkrimtarin, ku edhe ndërtohet pasazhi mesjetar i dashurisë së Gjergj Kastriotit-Iskander beut me Idunën, princeshën hungareze. Përqendrimi i përkthyesit te vepra “Naltësimi i Iskanderit” dhe “ngjashmëritë” me  “Historinë e mushkës”, në të vërtetë paraqesin reminishenca të historisë kulturore, shpirtërore dhe shoqërore të një shoqërie perëndimore, që arsyetojnë sjelljen e Skënderbeut nga pasha i njohur osman te kundërshtari i pushtimeve osmane, ku Shqipëria dhe shqiptarët ngritën në nivelin e një shëmbëllese ndër më të fuqishmet e kohës.

Ndërsa te Hitoriani D.D. një shqiptar, pinjoll i një familjeje të vjetër në Tiranë, të nderuar nga një brez në tjetrin dhe njëri nga nxënësit më të mirë të gjimazit “Sami Frashëri”, i cili do të vazhdojë studimet në Britani të Madhe ku edhe do të mbesë përgjithmonë, me nënshtetësi britanike, i integruar tërësisht në mentalitetin kulturor, intelektual dhe politik të Mbretërisë së Bashkuar, kemi pjesën e dashurisë së Benjamin Disraelit me malsorën Hana dhe martesën e tyre në Londër, kur ajo do të shfaqet si njëra ndër damat më të njohura të lozhës politike të kohës.

Kështu, Përkthyesi M.B. dhe Historiani D.D. ndërtojnë kornizën e tërësisë së veprës, në të cilën argumentet historike vihen në shërbim të fakteve jetësore (shoqërore, kulturore dhe poltike) që i prodhon pikërisht historia,  gjithnjë si mesazhe në kuadër të realiteteve jetësore.

“Shkëputja”  nga historia dhe inkuadrimi i tyre imagjinativ në narrativen e veprës, ku përsëritjet e ngjarjeve (martesat mbretërore në mesjetë dhe në rrethanat e  krijimit të shteteve në shekullin e kaluar), në rastin e  dhënë të martesës imagjinatave të kryeministrit britanik Benjamin Disraeli me malësoren Hana, ndërton tablonë e simbolikës mbi të cilën qëndron edhe pragmatizmi politik i kohës në raportet e shqiptarëve me rendët mbretërore (ai britanik), si një faktor historik, i një kujtese nga lashtësia mbretërore dardane, maqedone, epirote dhe ajo e Skënderbeut, ku edhe mund të zbërthehet enigma e kodit të dashurisë midis një kryeministri britanik dhe një malësoreje shqiptare, si një avanturë që del jashtë koncepteve shoqërore dhe kulturore të kohës në njërën  ose në tjetrën anë, por si të tilla, antagonizmi i  kthen në monument letrar?...

Në fund, duhet thënë se, Mustafaj, romancën e dashurive historike, të parën e llojit të tillë në letrat tona, slilistikisht e brumos me filigraniznin e njohur nga romanët e fundit, gjë që veprës i jep një peshë të veçantë artistike.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora