Kulturë
Vangjeli Gega: Ndiqeni emisionin në RTSH Gjirokastra për të mësuar më shumë për veten tonë!
E hene, 06.11.2023, 09:11 PM
Prej disa vitesh në kanalin e RTSH- së Gjirokastër përcillet në fundjavë programi kushtuar pakicës arumune të vendit. Me titullin "Emisinuea in aromana" (Emisioni në arumanisht) programi u hap më 18 shkurt 2018 dhe falë punës së palodhur të autorit dhe drejtuesit të tij z. Dhimitër Basho është transmetuar pandërprerë. Emisioni zgjat 60 minuta, përcjell traditën, kulturën, gjuhën, zakonet e arumunëve të Shqipërisë, çaste nga jeta e përditshme, nga veprimtaritë e tyre etj. Programi transmetohet çdo të shtunë në orën 19.00 dhe ritransmetohet të dielën në orën 12.30. Në një intervistë të zhvilluar për portalin “arumun” në vitin 2021 z. Basho shprehej: “Çdo gjë që niset, ka ato të vetat përpara, do guxim, do punë, do pasion. Këto nuk na mungojnë”. Së fundmi në ekranin e RTGJ-së në drejtim të emisionit u shfaq një vajzë e cila mbështetur në rrugën e krijuar tashmë prej z. Basho, po krijon profilin e saj. Ajo quhet Vangjeli Gega. Ne i morëm znj. Gega një intervistë, gjatë së cilës ndërsa flet për etninë e saj Lica përdor termin "vllah" dhe gjuhën e folur "vllahçe" që mjaft njerëz, në të folurën e tyre, e përdorin. Në variantin ligjor pakica njihet "arumune" dhe e folura "arumanisht" kjo sepse Ligji 96/2017 njeh si pakica kombëtare në Republikën e Shqipërisë pakicat: greke, maqedonase, arumune, rome, egjiptiane, malazeze, boshnjake, serbe dhe bullgare. Ju ftojmë të ndiqni në vijim bashkëbisedimin tonë!
Arumun: Znj.
Vangjeli, si e keni mësuar gjuhën? Si janë zakonet tuaja në familje, sa i
ruani traditat?
V. GEGA: Gjuhën e kam folur që e vogël. Ajo ka qenë gjuha e
parë që unë kam mësuar të them fjalët e para. Madje shqipen e kam mësuar ta
kuptoj dhe ta flas në gjysmën e dytë të klasës së parë. Deri atëherë flisja
vetëm vllahçe me prindërit me gjyshërit, të afermit. Koha gjithmonë
ndryshon, ecën përpara, por në familjen time zakonet nuk kanë ndryshuar,
festohen dita e emrit, Pashka, Krishtlindjen etj. Traditat i ruajmë, na pëlqen
t´i mbajmë ashtu siç kanë qenë dikur, të trashëguara brez pas brezi, me vite me
radhë.
Arumun: Si
është pritur dalja juaj në emisionin "Emisiunea in aromana"?
V. GEGA: Kur më kanë thënë për herë të parë për
emisionin, thoja: " E pse unë? Ka plot vajza, djem më të mirë se
unë". Prindërit i kisha pak skeptikë në fillim, por që jo se më ndaluan të
bëhesha pjesë e ketij emisioni. Në daljen e parë që bëra më thanë dhe kritika,
por dhe fjalë të mira.
Arumun: Po
më përpara se të dilnit vetë në ekran, a e ndiqnit këtë program?
V. GEGA: Duke qenë se isha në shkollë e më vonë në
punë si dhe jetesa në fshat më bënte që herë ta ndiqja emisionin dhe herët e
tjera jo. Kisha dalë shpesh në programin e emisionit si recituese e ndonjë
kënge vllahçe në veprimtari të ndryshme, por jo si prezantuese e vetë
këtij emisioni dhe nuk e mendoja se një dite do të isha pjesë e emisionit.
Arumun: Cila
është Vangjeli, një përshkrim të shkurtër tuajin për lexuesit?
V. GEGA: Vangjelica eshte një vajzë e rritur në një fshat të
Gjirokastrës, nga dy prindër të thjeshtë, puntorë, të dashur, një vajzë e
thjeshtë, e dashur që është pak kokëfortë për gjërat që dëshiron të bëjë,
sigurohet mirë përpara se të hedhë një hap me tepër. I pëlqen thjeshtësia, të
ruajë traditat dhe zakonet e saj, të punojë si punë dore ashtu dhe punë
te zakonshme.
Arumun: Si
mendon se i shohin të rinjtë tanë traditat arumune, po gjuhën a e mësojnë ?
V. GEGA: Shumë vllehe janë larguar tani dhe gjenden
kudo nëpër botë me një zhvillim ndryshe, me një gjuhë ndryshe, duke u përballur
me kultura dhe tradita ndryshe nëpër vendet ku jetojnë. Disa tradita afrojnë me
tonat, disa te tjera nuk kanë lidhje fare, disa duan që t´i mësojnë si traditat
ashtu edhe gjuhën, disa të tjerë jo. Unë mendoj se jane prinderit apo gjysherit
ata që duhet t´i nxisin me shumë te rinjtë sot që ta mesojnë gjuhën. Pse të
flasin vetëm gjuhët që mësojnë nëpër shkolla dhe mos të mësojnë edhe vllahçen?
Ajo është gjuha jonë, ajo që na dallon ne nga gjuhët e tjera, pse mos ta
mesojmë dhe ta flasim atë pa pikë problemi apo se mos gjykohemi nga te tjerët?
Jo, sa me shumë ta dimë gjuhën tonë, aq më mirë për ne!
Arumun: A
keni ndonje mesazh për të dhënë për ndjekësit e programit në RTSH Gjirokastra?
V. GEGA: Po, e kam një mesazh: ju fëmijë, ju moshatarë
të mi mësojeni gjuhën, mos e kini problem se mund t'ju gjykojnë, asnjë gjuhë e
folur nuk gjykohet, prindër, gjyshër mësojuani gjuhen dhe traditën fëmijëve dhe
nipërve tuaj, nuk ka as një gjë të keqe të dinë për prejardhjen e tyre, gjuhën
e tyre, traditat e tyre. Ndiqeni këtë emision për të mësuar më shumë për veten
tonë!