Kulturë
Dorian Koçi: Fshati Luzat në shekuj
E premte, 10.11.2023, 09:11 PM
Fshati Luzat në shekuj
Një
kontribut modest për fshatin e të parëve të mi
Nga
Dorian Koçi
Fshati
Luzat është një qendër e vjetër e
banuar, e cila daton qysh nga fillimi i shekullit të XV. Toponimet e vjetra
kristiane të vendit tregojnë për një jetë të lulëzuar të fshatit para dhe pas
pushtimit otoman. Gojëdhënat tregojnë që fshati më përpara ka qenë vendosur në
rrëzë të fushës në Batall. Më vonë është shpërngulur aty ku është sot. Se kur
ka ndodhur ky proces nuk dihet me saktësi dhe çdo gjë i përket legjendës.
Arsyeja e shpërnguljes është rreziku nga gjarpërinjtë por dhe ekzistenca në
buzë të rrugës që paraqiste rreziqe në ato kohë të turbullta. Në fshat brenda
ndodhen 3 toponime kristiane,Shën-Kolli,Shën-Todri dhe lagjja Lleshaj të cilat
bëjnë të supozosh për ekzistencën e tre kishave në fshat. Interesant dhe
kuptimplotë janë emërtimet shqip të shenjtorëve-Nikoll,Todër dhe
Aleksandër-Llesh. Në Shën-Todër me sa duket ka qenë kisha kryesore e
fshatit,përderisa aty ka qënë dhe varrezat e vjetra të tij. Gjithashtu ka një
toponim Shën-Gjergj në afërsi të Ujit të Ftohtë. Profesor Eqerem Çabej në
librin e tij “Etnogjeneza e Kombit Shqiptar”kur radhit fshatrat arbëreshe në
Italinë e Jugut në Kalabri,nënvizon faktin se në fshatin Santa-Xhiorxhia de
Albanezi banorët i deklaruan faktin se janë nga fshati ‘Luxat”. Shën Gjergji ka
qenë shenjti mbrojtës i shqiptarëve në mesjetë dhe ndoshta banorët që u
shpërngulën e morën me vete dhe u identifikuan në tokën e re me emrin e
shenjtorit.
Në
vitin 1430 Luzati përmendet në regjistrat osmane si fshat rebel,dokument i cili
ndodhet në muzeun historik kombëtar. Ky dokument nënvizon faktin se “kalorësit
turq të spahiut shkuan në Luzat dhe nuk u kthyen më”. Është viti 1431,kur
osmanët pasi pushtuan pjesën më të madhe të territorit shqiptar filluan
regjistrimin e tokave dhe popullatës në sistemin e timareve. Luzati duhet të
ketë qenë një bashkësi fshatarësh të lirë të cilët, në regjimin feudal ushtarak
turk kumbisnin të drejtat dhe pronat,prandaj kjo shtresë ishte shtresa më
aktive e popullsisë kundër osmanëve. Noli në “Historinë e Skënderbeut” më
1921,nënvizon faktin se “shtresa e fshatarëve të lirë ishte pjesa më rezistente
ndaj pushtuesve turq” këtë fakt e tregon dhe historia e mëvonshme,ku tokën në
Luzat nuk e zotëronte një familje e vetme por ka qenë e ndarë në ngastra
pothuajse të barabarta midis banorëve. Kullotat ka qenë gjithmonë e përbashkët
dhe i përkiste gjithë fshatit. Interesant është fakti se ura mbi përroin e
Gjirakarit,është e ndërtuar me
kontributin e përbashkët të gjithë fshatarëve,mbasi ata nuk pranuan ta
ndërtonte një i kamur i fshatit,pasi i donte ti vinte emrin e tij urës. Po
kështu gjatë kohës së Ali Pashë Tepelenës,kapedanin Myrto Çali fshatarët nuk e
lejuan të ndërtonte kullën në vendin e quajtur Pirgjes,pasi ai donte të
bllokonte rrugën për në mal dhe kullotjen e bagëtive në të ,duke i detyruar
kështu fshatarët për të paguar taksa. Akoma dhe sot shihen themelet e hedhura
të kullës së pambaruar si dëshmi e mëvetësisë së fshatit Luzat. Udhëtari turk
Evlija Çelebi e përmend si vendbanim në veprën e vet në vitet 1660-1670, vite
në të cilat ai udhëtoi në Shqipëri.
Historiani
grek Arivitanoi në librin e tij “Ali Pashë Tepelenliu” nuk e radhit në radhën e
çifligjeve të Aliut,siç bën me disa fshatra të tjerë të Tepelenës si
Veliqot,Hormovë Lekël etj. Ky fakt tregon se Luzati nuk ka kaluar nëpërmjet
procesit të feudalizmit klasik me bujarë dhe bujkrobër,dhe në pushtimin otoman
as në çifligarë dhe çifçinj në kohën e thyerjes së sistemit të timarit. Ka
shumë mundësi që Luzati për një periudhë kohe të jetë radhitur në krahinën e
Kurveleshit dhe të Himarës dhe të ketë gëzuar të drejtat e Venomeve. Fshati siç
dihet ndodhet në kufi me fshatrat e Kurveleshit të sipërm dhe shumica e
familjeve ishin të lidhura me krushqi me familjet e asaj krahine. Udhëtari,
diplomati dhe studiuesi anglez William Martin Leake shkruan në librin e vet
“Kërkime në Greqinë e Veriut dhe Shqipëri” se fshati Luzat ka 200 shtëpi, një
numër i konsiderueshëm për kohën kur në të njëjtën kohë Tepelena ka pasur më
pak se 100 shtëpi.
Rënia
e pashallëkut të Janinës solli centralizimin e pushtetit qendror turk,dhe kjo
pruri revoltat e vazhdueshme nga Veriu në Jug. Edhe fshati Luzat mori pjesë
aktive në dy kryengritjet e mëdha 1833 dhe 1847.Më 1833 në afërsi të fshatit
Luzat në vendin e quajtur “Guri i taborrit” u zhvillua beteja e përgjakshme
kundër forcave turke të Emin Pashës.Forcat kryengritëse shqiptare udhëhiqeshin
nga Tafil Buzi.Në këtë betejë u shqua dhe trimi luzatar Satedin Luzati i
përjetuar në këngë nga rapsodi popullor qe këndohen deri në ditët e sotme.
Gjatë gjysmës së dytë të shekullit të XIX, Luzati ashtu si gjithë krahina u
përfshi nga lëvizja e kaçake,e këtyre njerëzve “rebel” me shpirt të madh. Në
kujtesën popullore ky moment është skalitur nëpërmjet këngës popullore kushtuar
Ahmed Buqit dhe dy shokëve të tij Laze Skëndit dhe Sulejman Naçit.
Më
1914 Luzati u dogj nga forcat shoviniste greke,por popullsia shpëtoi nga një
masakër si ajo e Hormovës,falë trimërisë dhe heroizmit të 5 luzatarëve,Aliko
Koçi.Ali Beqiri,Selman Qibini,Jakup Skëndi dhe Haxhi Kasa,të cilët nuk u
treguan forcave greke,vendin ku fshihej fshati. Luzati ka marre pjesë në luftë
kundër shovionistëve grekë më 1914.Ky moment është përjetuar në vargjet
popullore:
Luzatë këmishbardhë
Në Kodër u ngrinë e vanë
Të luftojnë me Junanë
Edhe
gjatë okupacionit grek,fshati e kundërshtoi me mënyra të ndryshme pushtuesin.
Luzatarët nuk pranuan të paguanin taksa grekëve. Luzatari Mato Koçi qëlloi me
pëllëmbë oficerin grek që kërkonte më detyrim ato. Kjo ishte përgjigja që i
jepte fshati si dhe më parë në shekuj këtyre pushtuesve të rinj.
Një
pjesë e madhe e luzatarve për ti shpëtuar represionit grek apo për të forcuar
ekonominë e tyre pas djegies së fshatit nga grekët,emigruan fillimisht në Turqi
apo Misir dhe në fillimet e shekullit XX në Amerikë dhe Francë. Është e
natyrshme që kontakti me vendet e tjera të sillte evolucion në marredhëniet
midis komunitetit. Kështu traditat demokratike të SH.B.A u përcollën në fshat
me krijimin e një shoqate demokratike me emrin “Përparimi” nga Selim
Kopelli,Remzi Kalo,Malo Mustafai,Fuat Shehu,Myrto Progonati etj. Fshati Luzat
ka qenë gjithmonë arsimdashës. Në fillim ka ekzistuar mejtepi turqisht dhe më
pas shkolla shqip e hapur më 1909. Fshati Luzat është vendlindja e patriotit
Sulejman Luzati nga familja Kaziaj.Ai ishte miku dhe bashkëpunëtori i afërt i
Ismail Qemalit,i emëruar nënprefekt i parë i Tepelenës. Po kështu ai ishte
deputeti i Tepelenës në parlamenti demokratik 1921,mik dhe bashkëpunëtor i Fan
Nolit,Avni Rustemit,Luigj Gurakuqit etj. Ai ka luftuar tërë jetën e tij për
prosperitetin e demokracisë në vend.
Luzatarët
morën pjesë në luftën kundër italianëve më 1920,në Tepelenë dhe Vlorë nën
komandën e Dervish Xhaferit dhe nën udheheqjen e Baba Ahmet Turanit-iniciatorit
të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare”,i cili ishte nip në familjen Luzi në Luzat.
Luzati
duke qenë i vendosur në anë të rrugës nacionale Tepelenë-Gjirokastër-
Janinë(Derveni)ka njohur një zhvillim kultural të konsiderueshëm për kohën. Ata
jetonin duke ushtruar bujqësinë, blegtorinë dhe vreshtarinë. Luzatarët ishin të
pranishëm dhe në qytetin e Tepelenës ku ushtronin tregtinë dhe aktivitete të
ndryshme si hotel-restorant,këpucari,berber etj. Këtë proces e pengoi pushtimi
italian i vendit të cilin luzatarët nuk e pëlqyen dhe e kundërshtuan. Më vitin
1940 luzatarët kanë protestuar për dëmtimin e kanalit ujitës të fushës nga
italianët që ndërtonin një rrugë strategjike për nevojat e luftës. Lufta
Italo-Greke solli dëmtime të mëdha në fshat dhe shkatërrimin e ekonomive
fshatare. Kjo është dhe një nga arsyet e rritjes së ndjenjës nacionaliste dhe
urrejtje ndaj pushtuesve fashistë ndaj Luzati është një nga fshatrat që
radhitet nga të parët në vend për rezistencë kundër Italisë fashiste. Mbi 50
djem morrën pjesë me armë në dorë në formacionet partizane,shumica dërmuese të
rinj ndër ta dhe 4 vajza.Luzati i dha atdheut 12 dëshmorë dhe një
heroinë-Nimete Progonati.
Gjatë
regjimit komunist fshati Luzat kaloi nëpër të gjitha fazat e zhvillimit të
detyrueshëm të planifikimit të ekonomisë dhe të socializimit të jetës
shoqërore. Megjithatë vlen të theksohet se në këtë periudhë nga fshati Luzat
shkollohen disa breza në arsimin e lartë duke krijuar dhe elitat drejtuese të qytetit
të Tepelenës por dhe më gjerë në Shqipëri sidomos në Tiranë ku u vendosën shumë
familje nga Luzati. Sot fshati Luzat ka pothuajse të njëjtin numër shtëpish dhe
banorësh që ka pasur në shekuj, të cilët kujdesen të mbarështojnë dhe kujdesen për ekonominë e tyre dhe zhvillimin social të
fshatit. Mosbraktisja në numër të madh të shtëpive dhe fshatit tregon se Luzati
do të vazhdojë të jetë në shekuj një qendër e rëndësishme e banuar e krahinës
së Dervenit dhe të gëzojë frytet e zhvillimit të ekonomisë së lirë.
Burimet:
1. Akademia e Shkencave : Dokumente osmane
mbi Shqipërinë
2. E.Çabej : Mbi etnogjenezën e shqiptarëve
3. Aravitinoi : Ali Pasha Tepelenliu
4. William Martin Leake : Kërkime në Greqinë
e Veriut dhe Shqipëri
5. Fan Noli: Historia e Skënderbeut
6. Nevruz Kalo: Historiku i fshatit Luzat
(dorëshkrim)
7. Fjalori Enciklopedik Shqiptar 1986
8. Fatos Mero Rrapaj : Këngë popullore të
Labërisë
Foto. Nikolin Baba,
fshati Luzat, 1982.