Kulturë
Viron Kona: ”Kol, mos fol! Mitrush, mos e mbush! Thanas, mos e zbraz!”
E diele, 12.11.2023, 08:56 PM
”Kol, mos fol! Mitrush, mos e mbush! Thanas, mos e zbraz!”
(Zgjuarsia
e zonjës Anë)
Shkruan
Viron KONA
Nëna ime më tregonte shumë
histori, veçanërisht për kohën kur ishte vajzë në kalanë e Beratit, që ishte
vendlindja e saj, por edhe e babait. Ajo kishte një kujtesë të jashtëzakonshme
dhe çdo histori që tregonte e lidhte me një ngjarje të veçantë. Sot, pak nga
historitë që tregonte ajo mbaj mend, njëra prej tyre është edhe kjo që po shkruaj:
1.
-Në kala, - më tregoi një
ditë nëna, - jetonte një grua e vetme e moshuar, që ne e thërrisnim zonja Ana.
Dikur familja e saj kishte qenë e lumtur, kur jetonte ende xha Jani,
bashkëshorti i saj, i cili ishte
gurskalitës i zoti. Ata kishin tre djem, njëri më i mirë nga tjetri: Koli,
Mitrushi dhe Thanasi. Pas vdekjes së parakohshme të Xha Janit, familja u
varfërua. Atëherë të tre djemtë morën rrugët e kurbetit. Kjo e dëshpëroi shumë
zonjën Ana, e cila vuante vetminë dhe e digjte malli për djemtë e saj që kishin
mërguar shumë larg, në Australi. Thuhej
se djemtë i dërgonin para, por sado që t`i dërgonin, paratë nuk e
ngushëllonin, ajo donte djemtë, t`i kishte
pranë, t`i përqafonte, t`u ndiente rrahjet e zemrave, t`i martonte, t`i gëzonte...
Ditën ajo i mbante sytë nga porta e jashtme e shtëpisë dhe nga rruga me
kalldrëm e kalasë se mos dëgjonte hapat e djemve apo trokitjet e tyre në portë.
Kurse natën i shihte ata në ëndrra dhe mbante veshët në përgjim. Sa herë që
ndiente ndonjë zhurmë, “po vijnë djemtë”, - thoshte, por jo, ishte era, apo
zhurma që bënin zogjtë kur uleshin mbi tjegullat e shtëpisë.
2.
Një mesnatë disa hajdutë i
vunë syrin shtëpisë së saj. Pasi ia arritën të hapnin portën e jashtme, ata u
futën në oborr dhe u gjendën pranë derës së shtëpisë. Zonja Ana ndjeu zhurmën e
tyre të pazakontë dhe u ngrit gjithë shqetësim nga shtrati. Kush ishin këta
njerëz të dyshimtë, që po i vinin nëpër natë në shtëpi? I shkoi mendja tek
hajdutët që bënin namin aso kohe në lagjet e Beratit. Ata, për të marrë paratë
apo çfarë donin, bënin edhe vrasje apo edhe e digjnin të gjithë shtëpinë me
qëllim që të zhduknin çdo gjurmë. “Më
mirë që s`i kam djemtë këtu, se hajdutët mund të bëjnë çdo gjë të keqe!”, - tha
me vete dhe kushedi pse iu ngjall një kurajë e madhe. Duket se edhe frika, edhe
halli e bëjnë njeriun trim. E, ndërsa
hajdutët përpiqeshin të hapnin derën, ajo doli në korridor me hap të
lehtë dhe, nga pas derës i pëshpëriti gjoja dikujt që ndodhej brenda shtëpisë.
Pëshpërimën e ngriti aq sa ta dëgjonin edhe hajdutët jashtë derës.
-Kol, mos fol! – pëshpëriti
ajo.
Hajdutët dëgjuan pëshpërimën
e plakës dhe u vunë në dyshim. U shkoi mendja se djali i saj i madh, Koli ishte
kthyer nga kurbeti dhe ata s`dinin gjë?! E, kur ata ndalën përpjekjen për
hapjen e derës dhe mbajtën frymën, plaka e sigurt që ata po e dëgjonin, foli
përsëri, gjoja duke iu drejtuar kësaj here djalit të dytë:
-Mitrush, mos e mbush!
-O bobo, po na dështon kjo
vjedhje! – pëshpëritën hajdutët me njëri
- tjetrin, duke menduar se plakës i kishte ardhur jo njëri, por dy nga djemtë.
Të frikësuar ata u larguan pak nga dera dhe qëndruan një çast pranë një
shkurreje. Flisnin mes tyre se çdo të bënin: të futeshin me forcë në shtëpi,
apo të iknin. Druanin se po të përpiqeshin të hynin, do t`u duhej të ndesheshin
me dy djemtë e zonjës së shtëpisë, por edhe druanin se zhurma e tyre do të
shkaktonte alarm në kala, atëherë zor se shpëtonin. Banorët e kalasë ishin
shumë të lidhur me njëri-tjetrin. Ndërkaq, u dëgjua përsëri nga brenda shtëpisë
zëri i zonjës Ana, që thirri:
-Thanas, mos e zbraz!
Hajdutët ia mbathën të
lebetitur nga frika, por dhe të bindur se në shtëpinë e plakës ndodheshin jo dy, por të tre djemtë e
saj dhe të tre ishin të armatosur me armë të mbushura, gati për t`i shkrehur...
-Kështu shpëtoi zonja Ana
nga hajdutët, o bir. Ata s`guxuan t`i afroheshin më shtëpisë ku ajo po ngryste
pleqërinë.
3.
-U kthyen nga kurbeti
djemtë e zonjës Anë, o nënë?
Ajo më pa në sy dhe kushedi
pse u përlot.
-Jo, o bir, nuk u kthyen, i
hëngri kurbeti. Mbaj mend që vitet e fundit të jetës ajo dilte në njërën nga
tabjet (një nga 24 kullat e kalasë) dhe me vështrim të përhumbur nga qielli
thërriste djemtë: Kol, Mitrush, Thanas, o bijtë e nënës, si jeni? Ku jeni? Ka
atje vend të shenjtë si këtu? Ka atje kala me bedena stolisur, si këtu? Ka atje
vajza hyjnesha kaq të ëmbla e të bukura, si këtu? Ka atje Tomor e Shpirag, si
këtu? Ka atje kisha të zografisura kaq bukur, si këtu? Dielli, si këtu lind,
kaq i ngrohtë e i shndritshëm? Po Hëna bukuroshe, si këtu në kala vezullon? Po
yjet, si këtu ndizen e gëzojnë? Po gjuha që flisni, gjuhë e shenjtë perëndie
është, si këtu? Ejani, o bij, ne po ju presim!
Zonja Ana e shkoi pleqërinë
e vetme duke thirrur deri në frymën e fundit djemtë e saj.
Kurbeti është i rëndë, o
bir, asnjëherë nuk i dihet se çfarë ndodh atje larg. Edhe vëllai im, Tokliu nuk
u kthye. S`them gjë të keqe për ata të huaj që të mirëpresin, por ata të duan
vetëm për t`u shërbyer. Ndryshe është dheu yt. Sado i vështirë, sado keq të
jetosh, por është yti, aty ke edhe nënën, edhe babanë...Ne atëherë thoshim:
”Bukë e hi në shtëpi”. Në dheun e huaj
edhe mund të gjesh gjithçka, por askush s`të bëhet nënë e babë. Që në kohët e
vjetra, në gjuhën tonë kemi thënë dhe themi fjalën atdhe, që do të thotë
dheu i babës; themi edhe fjalën mëmëdhe, që do të thotë dheu i
nënës. Njeriu siç do nënën dhe babanë, ashtu duhet të dojë edhe atdheun, o bir!
.................
P S. Mund
të ketë edhe variante të tjera të kësaj historie. Unë shkrova këtë që më
tregonte nëna ime e mirë dhe e urtë si të gjitha nënat.