E diele, 25.02.2024, 05:31 PM (GMT)

Kulturë

Shyqyri Fejzo: Nuk është pak të kesh “shok të ngushtë” Fiqri Shahinllarin

E diele, 12.11.2023, 07:55 PM


Nuk është pak të kesh “shok të ngushtë” Fiqri Shahinllarin

Nga Shyqyri Fejzo

Në jetë, jo rrallë, na ndodh që për ndonjërin të shprehemi se “e kam shok të ngushtë”.Kjo, afersisht do të thotë se ky nocion i referohet një personi të cilin e konsiderojmë si një mik të rëndësishëm dhe të afërt. Me  shokun e ngushtë zakonisht ndahen ndjenja, zhvillohen aktivittete të ndryshme jetësore, ka mardhënie të forta e të besueshme, si dhe mbështetin njëri-tjetrin në momente të vështira. Dihet se kjo lloj mardhënie është shumë e rëndësishme për shëndetin emocional dhe të përgjithshëm, sepse na ndihmon të ndihemi të lidhur dhe të kujdesemi për njëri-tjetrin në mënyrë të thellë.

Në jetën time, një nga shokët e ngushte është dhe Fiqri Shahinllari. Por në këtë rast unë do të bëja një përjashtim, sidomos për kohën që shokët e  ngushtë kalojnë bashkë. Për ne të dy piknisje dhe njohje për herë të parë u bë  shkolla e mesme “Irakli Terova” në Korçë. Unë fillova mësimet në atë shkollë në viti 1958, ndërsa Fiqriu erdhi një vit më vonë, pra në vitin 1959. Ne na miqësoi më shumë fakti që Fiqriu ishte një nxënës i mirë dhe lexues i rregulltë i gjithëshkaje që i binte në dorë. Nga bisedat e para që kishim bërë vura re se ishte një bashkëbisedues i këndëshëm dhe mbi të gjitha, një dëgjues  i vemendëshëm. Dihet se  njeriut që të shikon drejt në sy, i buzëqeshur,i hapet çdo portë. Dallohej se kishte një interes të gjërë për  të mësuar gjithëshka, pa të bezdisur me pyetje të gjata e të vazhdueshme.
         Miqësinë me të me sa duket, e forcoi dhe fakti që Fiqriu kishte shokë të pandarë dy nxënës të së njëjtës klasë, Fidai Sadikun dhe Vait Cecin, të cilët ishin shokë dhe bashkëfshatërt e mi nga Shënepremtja e Gramshit. Herë pas here, ata i, shikoja bashkë, ku valonte muhabeti dhe shakaja. Të kujtosh edhe sot “historitë”e Vaitit me Fiqriun, qershitë dhe kanatieren, të vjen për të qeshur. Me ata, shpesh përziesha dhe unë. Duhet thënë se ajo ishte një shkollë e mesme bujqësore, por që dallohej nga disa veçori. Drejtori  i saj Vangjel Rikashi, ishte jo vetëm euridit cilësor, por edhe një organizator shumë i zoti. Ai proçesit mësimor dhe rritjes të aftësive teknike- profesionale apo estetike e kulturore të nxënësve, më kujtohet, i kushtonte rëndësi të madhe. Në atë shoqëri pa interes, në konvikt e shkollë, nuk patëm vënë re shenja të bulizmit, po veç të kujdesit për nxënësit më të vegjël të klasave të para e më tej .Kushtet e jetës dhe të studimit aty ishin vërtet të mira. Personeli mësimor ishte zgjedhur me kujdes, duke sjellë për mësimdhënie pedagogë që ishin arsimuar në Francë, Itali, Çekosllovaki, Bullgari etj. Ndërsa për shkencat ekzakte si matematikë, Fizikë e Kimi shpesh merrte pedagogë të jashtëm të cilët përdornin programin e Gjimnazit, të avancuar për atë shkollë. Në konceptin e drejtorit kishim vënë re se nxitëte e stimulonte nxënës që kishin talent dhe në veprimtari të tjera. Kështu, Maksim Tuxhari, Andrea Gjermani Ivan Trajko, nxënës të asaj shkolle ishin futbollistë të mirë të “Skënderbeut”.Bardhyl Lubonja, Niazi Nele konkuruan e fitaun në shkollën e aviacionit,të cilët u dërguan në BS dhe u bënë pilotë. Nxënësja Fitnete Klaiqi(Tiço) u bë aktore. Po ashtu, nxiteshin element që kishin talent në pikturë, në gjuhë e letërsi, etj.

Në lëndën e gjuhës (me program të plotë) jepte mësim Kristaq Jorgji. Ai kishte mjeshtrinë e taktin e mësimdhënies e nxitjes së intersit për leximin në një shkallë të lartë. Disa nxënës që mbaruan atë shkollë në jetë treguan talentin e tyre në krijimtari, nisur nga Teodor Laço, Eqerem Meçollari, Fiqri Shahinllari, Shyqyri Fejzo, Fuat Memelli,Theodhoraq Ciko, Skënder Demolli  e të tjerë. Shumë nxënës ishin frekuentues të rregulltë të Bibliotekës Shtetit Korçë. Më kujtohet drejtoresha e asaj biblioteke, zonja Klara Çela, ishte një zonjë me diapazon të gjërë njohje  e korrektese në atë punë fisnike. Ajo, në vazhdimësi, nxitëte ,kontrollonte e vlerësonte nxënësit lexues. Nga viti i dytë i shkollës mesme, kur po ndiqnim dhe sportin (futbollin), mësuam se Klara ishte bashkëshortja e futbollistit të Skenderbeut Zeni Çela.(Ky  futbollist ishte shumë teknik. Kur kishte ai topin, nuk ja merrte dot kundërshtari, po kishte një të metë se nuk shënonte.) Në këto  kushte kemi rritur mardhëniet e miqësisë e shoqërisë me Fiqri Shahinllarin. Kjo miqësi u vazhdua më tej dhe në shkollën e lartë. Midis të tjerave aty na u dha dhe mundësia për të provuar krijimtari në gazetari etj. Nuk po ndalem në këtë shkrim në veprimtaritë në shkollën  e lartë, se gjykoj mos zgjatem por pas 4 vite studimesh sejcili e pa veten të diplomuar dhe të gatshëm për të punuar. Unë u emrova në rrethin tim të Gramshit, ndërsa Fiqriu, mbasi kreu dhe kursin e lartë të Gazetarisë u emrua gazetar në redaksinë e gazetës “Bashkimi”.

Mbasi u emruam në këto vende pune, veç detyrave që kishim në funksionet që na caktuan, na  “gërricte” dhe puna e krijmtarisë. Unë në rrethin tim e shikoja këtë drejtim veprimtarie të mundur dhe të shëndëtëshëme. Ksisoj vendosa  në vet-vete  të merrem veç detyrës shtetrore dhe me mbledhjen e fjalës së rrallë dhe shprehjeve frazeologjike popullore tipike të rrethit. Kjo, mbasi e dija që kjo pasuri ekziston dhe dikur do më hyjë dhe mua në punë. Së pari në ato vite u bë Kongresi i drejtshkrimit dhe përdorimi i normave standarte të gjuhës Shqipe. Botimi i fjalorit të Gjuhës Shqipe gjithashtu ishte një ndihmë e madhe, që pas një studimi të vemendëshëm të tyre, isha i gatshëm për të vepruar në krijimtari. Dërgova dhe botova disa artikuj në Gazetën Bashkimi, Zeri, Hosteni etj.

Një ditë, papritur,në Gramsh vjen gazetari i gazetës Bashkimi, Fiqriu  . Këmbyem me njëri-tjetrin fjalët  e para dhe u ulëm në atë lokal që ne e quanim turizëm për të pirë kafen e mirëseardhjes. Fiqriu sepse nuk po më dukej entuziast, ashtu si e kisha njohur unë. Kur hoqa napën e misterit dhe i shpreha këtë mendim, krojti kokën dhe tha: “Ti ke të drejtë,i dashur mik, po ta dish se pse kam ardhur unë….”

-E përse ke ardhur? Të bësh ndonjë shkrim per urat e përrenjve e lumenjve që na mungojnë…

-Ah! Jo,jo i dashur.! Ja! Ma dhe çak-bam temën e një artikulli , po kësaj rradhe puna është ndryshe. Kam ardhur me rekomandim të bëj një shkrim me kritikë të rreptë për fiktivitetin, ndaj do më ndihmosh pak  ku e kanë “Dhëmballën e prishur”këta të Komitetit  dhe tua këndojmë me një shkrim me dy firma ,po të duash.”  Si parantezë, ky miku im i mirë Fiqriu, kishte marrë shumë shpejt huqet e një kolegu që punonte në gazetë, për të zbuluar e gjetur temën e korespondencës. Ai, me dy tre fjalë, hynte aty “ku mulliri i tij duhet të bluante” dhe i thoshte bashkëbiseduesit direkt apo në telefon. Hë!”kështu trajtoje. E di vetë ti. Kur do ma sjellësh shkrimin?” Por Fiqriu, mbasi e kapte fillin që e çonte tek tema e përtypte mirë mendimin ku do delte, pastaj jepte ndonjë porosi. Kur mora vesh mirë se ku po i shtinte dyfeku gazetarit, i them:

-Kjo qënka serioze.- e mora fjalën unë.-Mirë është që të takosh kryetarin e Komitetit Ekzekutiv e t’i tregojsh msionin përse ke ardhur.-desha t’a  fut në brazdë shokun.

-Mirë e ke ti. Po a na pret?-pyeti i menduar.

-Do të takoj unë me të dhe do i them si qëndron puna-Fola dhe u nisa nga qeverija vendore. Kryetar i Komitetit ishte Irfan Çelkupa, që kishte ndonjë muaj që filloi punë aty, i ardhur nga Tirana. Kur i tregova si ishte ajo puna që do bënte gazetari, tundi kokën, buzëqeshi pak hidhur dhe tha:

-Shko, takoje dhe ejani të dy se po ju pres në zyrë.-

Nuk e zgjatëm. Pas dhjetë minutash trokitën në derën e zyrës paradhomë  dhe sekretarja na tha se -kryetari po ju pret.-Kur hymë në zyrën e tij, ai kishte lënë vendin ku qëndronte zakonisht dhe gjithë përzemërsi iu drejtua Fiqriut.

-Mirë se  erdhët shoku gazetar. Si të duket Gramshi? Ke qënë ndonjëherë tjetër këtu?

-Vi për herën e parë. Nuk e kam parë gjithë qytetin, po ky shoku im i shkollës kam besim se do ma tregojë-foli Fiqriu duke bërë me dorë nga unë.

-A,a,a! Qënkeni shokë, ë!

-Po, Shokë nga shkolla e mesme dhe e lartë.

-Shumë mirë. Po na thuaj, si  qëndron problemi? Fiqriu krojti pak kokën(e kishte me lesh kokën atëhere) dhe pak i përtuar filloi.

-Kryeredaktori më ngarkoi një detyrë të shkruaj një artikull të fortë për fiktivitetin  në bujqësi, për rrethin tuaj. Me këtë  që po ju tregoj unë shkel etikën e gazetarit, po ky shoku im i ngushtë ma bëri ters këtë shkrim që do sajoja, ndaj erdhem deri këtu.- tha Fiqriu dhe u mbush me frymë si ai që është para një sikleti të madh.

_”Të shplaftë mortja o kryeredaktor-“ t’i kishe  thënë. Po pse ajo gazetë vetëm “lepura” gjuan? Dilni ore për “derra”.Kapni ore ndonjë rreth të madh. Unë them, me që paske shok dhe Shyqin që ja thotë edhe ky gazetarisë, kapni një temë tjetër ,më të lehtë. Se me të botuar ti një artikull kritik për Gramshin, mua pasnesër do më  vinë 25 zarfa nga 26 rrethe që ka vendi dhe në zarf do të jetë artikulli juaj. Jo për ndonjë gjë, po thuajse shumicës u a kam bërë borxh. Hë? Si thua? Ti e vendos këtë.

-Shoku Irfan. Të vështirë e kam po nuk do e shkruaj artikullin. Veç kam  një kërkesë. Ke qënë shumë kohë kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës. Shumë njerëz kur bie fjala për ju, të përmendin dhe  tregojnë shakatë tuaja të “krtipura”,të bukura. Disa i di edhe unë. Na trego ndonjë nga ato, jo për ta shkruar, por vetëm ta di.

-Eh! Shejtana jini ju gazetarët. Tirana është e madhe, po kishte dhe probleme dhe ishte një lloj burimi dhe për shakatë. Në një rast do të bëja pritje populli. Më sjell listën sekretarja dhe i hodha një sy.  Pak njihja nga ata që do të prisja. Aty si nga mesi i listës  pashë emrin e  një shoku të luftës, Sefës. Këtë Sefën thirre të parin-I them dhe zura vend aty tek tavolina kryesore.

Erdhi Sefa dhe u pershëndoshëm me të. Dola tek kjo tavolina e vogël dhe i drejtohem shokut.:

_Po si ja ke kaluar more Sefë? Kemi kohë që nuk jemi parë, po nuk na lënë dhe këto djall punë- fol i them.

-Shoku kryetar, mirë kemi qënë. Me punë kam gruan, djalin  e nusen e tij. Jam ca ngushtë me strehimin.-

-Pse sa dhoma ke?- e pyeta.

-Dy  dhoma dhe një guzhinë kam.

-Po, dëgjo. Edhe keq hë, për hë, nuk qënke Sefe. Kemi edhe familje  me tri  kurorë që kanë strehim sa hyrja jote…

-A,a,a! Po dëgjo o kryetar! Unë kam një problem shëndetësor.

-Pa më thuaj, çfarë problem shëndetësor të shqetëson? Sefa shikoi njëherë për rreth, pastaj më tha me zë të ulët:-Unë kam shumë fryrje barku.Bëj shumë pordhë, ndaj desha shtesë një dhomë…

-Dëgjo i dashur shok. Sa kohë  po bëj unë këtu kryetar i komitetit të Tiranës, të betohem nuk kemi  dhënë asnjëherë ndonjë dhomë për të pjerdhur. Megjithëatë po mbaj shënimet e mia. –Me kaq mbaroi pritja për atë. Të nesërmen aty si nga ora 10.00 bie ziljae telefonit.-Shoku Kryetar- foli çentralistja.- Në telefon ndodhet kryeministri, foli të lutem.

-Urdhëro shoku kryeministër.-Kuptova nga zëri se ishte në formë, se e  nisi me të  qeshur. Me mua ai gjithnjë bënte shaka të forta që për dy tre ditë ato shaka merrnin dhenë.

-Si i ke ato punë?-u interesua.

-Deri tani mirë i kemi. Hë, për hë nuk kam ndonjë emergjencë…

-Po me ndërtimet veçanrisht me strehimin si je.?

-Mirë. Kemi pak ngadalësi, po them se doja dalim  shoku Kryeministër.-

-O Irfan!  Desha të di se sa dhoma kini shpërndarë si Komitet për të pjerdhur? Jo për ndonjë gjë, po reja ka ngarë  fasulen sivjet dhe kemi goxha prodhim. Me pordhët duhet të jemi mirë këtë dimër. Duhet pregatitur.

-Ah! Shoku kryeministër! Se ku më ka rrjedhur informacioni se nuk kam thënë gjë.-

-Po ti Fane e di atë fjalën që doli fjala nga goja e dhëmballa, i mori shtatë mëhalla.-

Duar bosh nuk  u nis nga Gramshi Fiqriu. E bëri artikullin për grindjet dhe mërtitë që përçajnë unitetin si dhe mori me vete një shaka të këndëshme që tregoi vetë dora, Irfan Celkupa.

Gjatë kohës që punoja në Gramsh shkrova artikuj si dhe disa krijime në gjininë e humorit. Artikullime titull”Verejtje me shënim në…portofol”mori çmimin e dytë në konkurset e Hostenit si dhe u dramatizua për emsionin humoristik në radio. Me këtë titull botova dhe një vëllim me tregime humoristike. Në këtë linjë botova dhe vëllime të tjera, si “Kur merr shtatë e shpenzon tetë, s’ke nevojë për kuletë”,Nastradini në internet,” “Kur gabon i mençuri çuditet budallai.” etj. Në vitet nëndëdhjetë pasi mora dhe librezën e punës firmosur “Larguar nga puna sipas nenit 24/1” duke parë veten se kisha dhjetë gishta në dorë e dhjetë në këmbë,  dhe mendje të kthjellët në kokë, ika refugjat në Greqi. Atje punova rrumbullak pesë vjet .Nuk po zgjatem për këtë. Po them shkurt se emigracioni na u bë më shumë se shkollë e dytë, dhe se praktika dhe teoria që patëm bërë sidomos në shkollën e mesme në Korçë na vlejti shumë në emigracion. Gjatë asaj kohe mblodha material, botova në gazetat greke shkrime e tregime si “Duke shikuar dy fotografi-Kallavrita” “Herkules apotin Allvania” etj.Të jem, pak,modest dhe mirënjohës unë nuk e njihja gjuhën greke letrare, po kur ke një avokat mik në Greqi, me origjinë nga Tepelena përshtëtja e shkrimeve shqip në greqisht, për gazetën, “Elefterotipia” e gazeta të tjera, rregullohej. Ka mbetur ajo fjala  “Kush kërkon gjen, kush këmbëngul gjen dhe merr.” Kështu më ndodhi dhe mua me krijimtarinë në Greqi. Takova shkrimtarin me origjinë shqiptare, Aristidh Kolën në Athinë me ndërmjetësinë e shkrimtarit të minoritetit zotit Spiro Xhaj, etj. Më pas vendosëm të  transferohesha   në Korcë ku bleva me paratë e emigracionit shtëpi e tokë dhe fillova të merrem me bujqësi. Në Korcë rastësisht takoj “Shokun e Ngushtë” Fiqriun. Drekuam bashkë në Boboshticë. Por kot nuk thonë se “doktorët nuk u a bëjnë dot operacion bajamet gazetarëve, se ata nuk e mbyllin gojën.” Të gjitha ato që tregova nga Greqia, Fiqriu sikur ti kishte inçizuar, i botoi në një gazetë. Më pas e futi në një vëllim dinjitoz që ka botuar me tregime. Në rastet e botimeve për mua, unë kam bërë sikur nuk dua, po nuk pyeste ai, i botoi të gjitha.

Disa konsiderata për shkrimet e krijimtarinë e zotit Fiqri Shahinllari. Fillimisht po e nis me një shkrim të bërë shtatë vjet më parë për librin e tij  “Derte Shpirti”

“Derte shpirti” një vëllim i kompletuar dhe dinjitoz i Fiqri Shahinllarit

Fiqri Shahinllari kalin e krijimtarisë së tij gjatë jetës e ka ngarkuar me një shumëllojshmëri pasurie folklorike, shprehje frazeologjike, fjalën e rrallë, përvojë jete. Këto kanë bërë që të jetë i suksesëshëm në përshkrimet plot kolorit, në tregime, poezi, përralla, novela e romane, mençuri jete etj.

Te shkrimtari e poeti që jeton e krijon përtej detit bie në sy qartësia e mendimit dhe këmbëngulja e tij, për të na gostitur me krijime pikante, të besueshme me formë të lartë artistike, të cilat, mbasi i lexon, nuk harrohen lehtë. Disa prej tyre lënë mbresa të pashlyeshme. Kujtoni librin “Brezargjedta dhe dushklisi i shenjtë”, çfarë mençurie, frazeologjie e larmishme popullore e përvojë që përmblidhet aty.

Ja, tani Fiqriu del me një vepër të re, “Derte shpirti”. Këtu ai dhe njëherë afirmon vehten si shkimtar i kompletuar në fushën e prozës tregimtare. Në intervistën e tij dhënë gazetares Rajmonda Mojsiu, ish

gazetari i spikatur, tregon se tani jemi përpara shkrimtarit e poetit të pjekur dhe të saktë. Kjo veçori shpaloset dhe në vëllimin e fundit të Fiqriut, në 237 faqet e tij. Aty, edhe pse janë të përmbledhura, tregime, poezi, poema, vlerësime të penave të spikatura para botimit të vëllimit “Derte shpirti”, këto nuk ja ulin vlerën veprës, përkundrazi, e bëjnë më interesante e të larmishëme.

Të 13 tregimet e tij, janë njëri më i mirë se tjetri, më interesant me fabula të gjetura, e ndërtuar me mjete artistike pikante. Para meje kanë dhënë mendime të tjerë miq e shokë të Fiqriut dhe të mitë, si z.Illo Foto, Prof.Doktor Hektor Veshi. Përparim Hysi etj. për vëllimin e fundit të tij. Dua të ndalem në dy veçori që dalloj në krijimtarinë e Fiqriut e veçanrisht në këtë vëllim. Së pari, në shkrimet e tij ke se çfarë lexon sidomos “midis rrjeshtave”. Veç formës artistike të arrirë, në këtë mes, rëndësi ka dhe mesazhi që jep. E, mesazhet e krijimtarisë të Fiqriut janë sa miqësore e shoqërore, aq dhe bashkëkohore.

Së dyti. Aty bie në sy një shpërndarje e larmishme dhe e ekujlibruar. Fiqoja e di ku ta vendosë “furkaçen” e ekujlibrit të temave që trajton midis fshatit dhe qytetit, të kaluarës dhe të tashmes, midis intelektualit puntorit dhe fshatarit. Ai shpalos përvojën e jetës dhe euridicionin e vet në fushën e ekonomisë, bujqësisë, mjeksisë, arsimit, politikës dhe historisë. Dhe këto probleme i trajton me themel dhe kompetencë.

Në konceptin filozofik, dihet se lëvizja është formë e ekzistencës së materies ku, midis të tjerave dhe njerzit e fenomenet e tregojnë se cilat janë. Krijimet e Fiqriut nuk dremtin. Ato janë në lëvizje, në dinamikën e tyre bashkëkohore. Kjo e bën dhe autorin të tillë.

Në disa tregime trajtohet dhe dashuria njerzore, si ndjenja më e lartë e fisnike e njeriut. Aty gjen përshkrime me një ardhmëri befasuese dhe bindëse. Kuptohet, dashuria që përshkruan autori, nuk është platonike.Ajo është e pashkëputur nga hallet, problemet që nxjerr jeta, pa humbur shpresën, lumturinë e bukurinë që synon.

Vëllimi “Derte shpirti” përbën një sukses në ngritje të shkrimtarit Fiqri Shahinllari. Ai duhet të zerë vendin e vet në këtë lloj letërsie.

Pata kënaqësinë që librin ma dorëzoi vetë Fiqriu, me autografin e tij në një takim miqësor që bëmë në Korçë. Qëndruam pak kohë me miqtë e shokët e tij. E ftova të vinte ne fshat, duke i premtuar ti therja një kaposh shtatëvjecar. Kaposhin më të ndershëm të fshatit që nuk ka  parë me sy një pulë, por për mungesë kohë, nuk më erdhi këtë rradhë. Më rekomandoi që kaposhin tja bëj kurban një miku tjetër të përbashkët, emrin e të cilit nuk po e them. Do e mbaj e do e çoj në vend porosinë e tij. U inatostë e të bëjë një vepër tjetër si kjo.

Shkrimet e krijmtaria e z.Fiqri Shahinllari, kanë veçorinë e vet që lidhet me faktin që ai (si dhe shumë të tjerë), jeton e krijon në dy sisteme ekonomiko-shoqërore të ndryshme; Në sistemin që dominonin prona shoqërore mbi mjetet e prodhimit dhe në sistemin ku dominon prona private mbi mjetet  e prodhimit. Si i tillë, ai dhe të tjerët, provuan sheqerin dhe zeherin e të dy sistemeve. Në prodhimtarinë letrare këto faktorë dhanë ndikimin direkt në sasinë, cilësinë e tyre,si dhe një lloj “inflacioni galopant”ku gjithkush që ka para apo miq  mund të botojë çfarë të dojë, pa për reçensë, redaktim dhe më e rëndësishme, shitja e librave nuk pyet njeri.

Koha vërtetoi se sistemi shoqëror dhe marrëdhëniet midis prones shoqërore dhe private ndikojnë thellësisht në krijimin letraro-artistik.

Interesant më duket pasqyrimi i realitetit në veprat e zotit Fiqri. Përherë në kërkim të dritës, të njerëzve ndriçimtarë, të ngjarjeve kulmore, të vlerav universale, si: patriotizmi, sakrifica, besa, dashuria, mirënjohja, talenti…Duke i respektuar të gjithë njerëzit në kohë evende të ndryshme, ai dalloni mes kopesë deshët me këmborë, mes pyjeve, lisat ku bien rrufetë,  në qiellin prush me yje, yjet më ndriçimtarë. Ata bëhen antena që thithin e shpërndajnë valet  e tij mendore e shpirtërore. Pena e Fiqriur, ka nxjerrë nga harresa, baltosja apo mëdyshja xhevahire historike e njerëzore, që brezave mund t’u shërbejnë si gurë kilometrikë, si bizhu zbukurimi, si hajmali për syrin e keq. Vepra e tij, përcjell mesazhe që e lartësojnë njeriun, e përsosin moralisht, e armatosin me filozofinë e ndryshimit, të ndërtimit të së bukurës e së mirës. Ajo na fton ta shohim njeri-tjetrin në sy, ta vlerësojmë e mbështetim, se kështu lartësohet dinjiteti i individit, i familjes, i krahinës, i Kombit mbarë.

Shkrimtari e ka ngjyer penën edhe në thesarin e vyer të gjeniut popull, ku ka qëmtuar me pasion, këmbëngulje të pareshtur e me përkushtim ritmik fjalë të rralla, shprehje të bukura, fjalë të urta, frazeologji gazmore etj. dhe i ka përdorur ato me mjeshtëri ku, kur, sa e si duhet në krijimet e ndryshme letrare.Theksojmë edhe një herë se krijimtaria letrare e këtij autori dallohet për gjuhën e thjeshtë, të pastër, e të qartë. Ajo është e kuptueshme, e zhdërvjellët, e rrjedhshme, tërheqëse, e përshtatshme me fjalorin e kufizuar e me të shprehurit e thjeshtë të lexuesve.

Përmasa promovuese e këtyre materialeve që përmendëm shtrihet nga një fjalë, fjali a shprehje e thjeshtë, e qëlluar, shqiptuar nga një person, vazhdon në një poezi apo shkrim i shtypit të ditës hartuar nga ndonjë i njohur, qoftë edhe i panjohur, rritet me përgëzimin e autorit për një libër të suksesshmëm, shpërthen nga një arritje, nga një nderim, nga një vlerësim.Çdo nxitje, çdo impresionim është i rastësishëm, i çastit, i shtypit, i televizonit, i fejzbukut, i jetës së përditshme.

Unë kam pasur rprivilegjin të njihem  me veprat e Fiqri Shahinllarit. Kjo,midis të tjerave se na lidhte shoqëria, por autori, edhe pse ai ishte në Washington disi e unë në Hamburg Gjermani, është merita e tij që gjente mundësinë të më dërgonte çdo botim. Ksisoj jam kënaqur duke lexuar “Lisi në Shkëmb”. “Derte  Shpirti”, “Seriozitet me buzëqeshje,” e shkrime të vecuara  si "Nisur nga pyetjet e S.Çelës”,”Fuati viziton Floqin” “Kurth”,”Poshtrimi i një heroi  gjeneral” etj. Krijimet e tij dhe personazhet e larmishëm të lënë të mahnitur, kur në veçanti lexon anë të panjohura të tyre, si tek libri”Lisi në Shkëmb”,ku ka personazhe sa të thjeshtë si ata që nuk ka gjetur nëpër arshiva, e ka gjetur tek arshivat e gjalla, tek "intervista" me pleqtë e moçëm si Xha Nevruzi, xha Sule, xha Hyseni... E ç'mekulli gazetari! Fjalë e flori!”. Do të shkruante poeti Ziko Kaporani. Fiqriu “gjuante”dhe shkruante për të thjeshtën, si për ngjarjet dhe personazhet. Në një shkrim të tijën ai i referohet I.Kadaresë.

Gjërat e thjeshta nuk janë të varfëra; pra dhe kujtimet e thjeshta nuk janë të varfëra. Harresa trembet nga kujtimet e thjeshta. Në thjeshtësinë e një kujtimi modest rron pasuria e pashterrëshme e kujtimeve tona.

Me ngjarje e personazhe të tillë janë stolisur shkrimet e tij, duke i dhënë bukuri e ngjyrat e kohës çdo krijimi.

Por  pena e tij e artë kap bukur dhe personazhe të njohur e të famshëm në veprime e funksione sa njerzore  aq dhe të panjohura e interesante për lexuesin, si Foqion Postoli, i cili ngjarjet e përshkruara i vendos në Floq, Kristo e Thanas Floqin, Rushan Beun, i cili ishte mik shtëpie me Qemal Ataturkun. Libri Lisi na e fakton këtë me një foto ku e motra e Rushanit, Myzejeni, danson në një mbëmje dëfrimi, me vetë themeluesin e shtetit të ri turk. Për piloten me origjinë Bosnjake, Sabiha Gökçen. Ajo ishte e adoptuar në moshën e vogël nga Mustafa Kemal Atatürk, themeluesi i Republikës së Turqisë, dhe u bë pilotja e parë femër e Turqisë. Ajo është një figurë e rëndësishme në historinë e aviacionit dhe është nderuar me emrin e Aeroportit Ndërkombëtar Sabiha Gökçen në Stamboll, që është një nga dy aeroportet kryesore të qytetit sot.

Por personazhe të shkrimeve të tij janë dhe njerëz të ditëve të sotme si poeti nga Floqi, Agron Elezi, këngëtarja vyrtioze Eli Fara me origjinë  nga Floqi, artistja e ekranit, nuse në fisin e Fiqriut, Zamira Kita,etj.

Sot krijimtaria, gazeta, libri ndodhen përpara problemesh të mëdha. Është e vërtetë se puna për të shkruar, redaktuar, printuar e botuar është lehtësuar e përmirësuar si efekt i zhvillimit të teknologjisë. Kjo ka bërë që në fushën e botimeve  të vërshojnë libra të shumtë. Por, në këtë proçes dhe përmbajtjet e mesazhet që japin librat e shkruara dalin probleme bazike jo të pakta. Këto probleme jo më pak i “ngatërrohen nëpër këmbë” dhe Fiqri Shahinllarit. Shqetësimi më i madh, biem në një mendje me shumë krijues, është e ashtuquajtura  “Kirurgjia mendore” për mendimin njerëzor në përgjithësi.  “Skanerin”si të thuash, midis të tjerave, e ka bërë eseisti francez Alain  Finkielkrut në librin e tij me titull“Disfata e mendimit”. Sipas këtij autori njerëzimi sot jeton në kohën post-faktuale, pra jemi në hohën kur faktet kanë humbur statusin e vet. Sot nuk respektohet patjetërsueshmëria e tyre dhe njerëzit krijojnë opinione kundër së vërtetës ose fakteve me çdo kusht me çdo formë të komunikimit.  Njerëzit, ashtu si e pranojnë i besojnë informatës, nuk e analizojnë, nuk e filtrojnë nëpër filtrat e mendimit logjik e kritik. Kjo paraqet rrezik sidomos sot në kohën e zhvillimi të pandalshëm digjital e teknologjik dhe të vërshimit të informacionit përmes burimeve të panumërta, prandaj, siç shprehet autori francez, “sot njeriu është banor dhe qenie e manipuluar e Internetit dhe rrjeteve sociale”.

Është realitet se përpara këtyre sfidave ndodhet sot gazetaria, letërsia e krejt krijimtaria, si dhe shoku im  i ngushtë Fiqri Shahinllari. Para shoqërisë  njerzore në këtë drejtim, ka dalë një “postat pune”mjaft i komplikuar i cili kërkon vullnet politik dhe këmbëngulje stoike për t’u kapërxyer.

Brezi ynë që ka jetuar e punuar në dy sisteme ekonomiko-shoqërore, duke provuar dhe sheqerin e zeherin e tyre, lidhur me shoqërinë është në përgjithësi i parimit se”një shok të vjetër nuk e këmbejmë me tre të rinj”,ndaj Fiqriut i urojmë shëndet e jetoftë një shifër me tre numura dhe suksese në krijimtarinë e tij.

Shyqyri  Fejzo

Nentor 2023

Hamburg- Gjermani.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora