Faleminderit
Albert Vataj: Thoma Turtulli, bamirësi i shquar që mbeti pa varr
E diele, 19.11.2023, 08:58 PM
Thoma Turtulli, filantropi që i dhuroi Korçës; spitalin, bibliotekën, kinemanë, liceun, jetimoren dhe mbeti pa varr
Nga
Albert Vataj
Më
19 nëntor 1937 ndërroi jetë bamirësi i shquar, Thoma Turtulli. Ai, edhe pse nuk
ka statujë apo monument që ta përkujtojnë, atë e lanë edhe pa varr. Por vepra e
tij e humanitetit është ende ndër thesaret e Korçës, është e ngulitur thellë në
shpirtin e qytetit, në themelet e asaj përjetësie që mbeti i vetmi dhe më i
epërmi shpërblim për të.
Shpesh
herë kryeqëllimin e udhëtimit tranzit në jetë, jam rrekur ta lidh me përpjekjen
që ngadhënjen për të qenë gjurmë në përjetësi. Jo të gjithë kanë patur fatin të
mbeten kujtesë dhe mirënjohje, rrjedhimisht, arsye e themeltë e dimensionit të
përjetësisë që ata i kanë ofruar vetes. Më shumë se luftërat absurde, idetë e
çmendura, lajthitjet e personalitetit, krekosjet e egos, lajkatimet e sedrës së
sëmurë, kultit të individit, ekstremizmi i narcizmit, etj., ajo që shpërblehen
me jetën e amshuar dhe gëzojnë statusin e të jetuarit në përjetësi, janë ata që
nuk ishin heronj që të shkruanin kujtesën e tyre në akte trimërie e guximi, por
në shpirtmadhësi e zemërbardhësi. Dhe për hir të së vërtetës, ata që qenë të
shpërblyer aq bujarisht me mirësi dhe humanizëm, sa të zgjidhnin të mbetnin të
përjetshëm, janë fare pak, dhe fatlum ishte dhe është Korça, që pati drejtuar
kah ajo duart e një shpirt të begatisë qiellore, i cili i dhuroi qytetit atë
çfarë do t’i jetë mirënjohës në jetë të jetëve. Ai që ka mbetur në historinë e
këtij detyrimin gjeneratash për falënderim dhe përulje, është Thoma Turtulli, i
cili i dhuroi kësaj kryeqendre të juglindjes së Shqipërisë, spitalin,
bibliotekën, kinemanë, shkollën e mesme (liceun) dhe jetimoren.
A
nuk është madhështore?!
A
do të mjaftonte mirënjohja e këtij qyteti për këtë zemërbardhësi?!
Cili
pati atë shpirt, i cili zgjodhi që pulsi e tij të rrahë përgjithmonë në të
gjallët e një qyteti?!
E
megjithatë kjo familje sot nuk ka varr. Korrektësisht, komunistët i shkatërruan
në mënyrë barbare varrin monumental të kësaj familjeje të shquar, dhe eshtrat e
filantropit të madh nuk dihet ku përfunduan.
Thoma
Turtulli, dikur e njihnin të gjithë, jo vetëm si tregtar por edhe si dorëdhënë.
Sot, janë fare pak njerëz në Korçë e jashtë saj që dinë diçka për të, edhe pse
ndonjë përkujtimore akademike është rrekur ta ridimensionojë këtë figurë, ta
kthejë në lavdinë e vet këtë emër dhe këtë vepër. Gjithqysh, pavarësisht se sa
u bë dhe çfarë u tha për të, ai ishte dhe mbeti një nga filantropët më të
mëdhenj që ka nxjerrë kombi shqiptar.
Filantropi
që begatoi zemra në fatbardhësi të jetës, që shpëtoi nga vdekja e sigurt me
dhjetëra njerëz, por që e pati të pamundur ta shpëtonte veten, jo nga vdekja,
por nga mënxura e kuqe.
Mbahet
mend se Thoma Turtulli, ishte ai që përgatiti pajën e shumë familjeve të
vobekta korçare dhe fitoi dashurinë e simpatinë e mijëra zemrave dhe ia arriti
kësaj më të njëjtën zemërbardhësi dhe shpirtbujari që na thërret ta kujtojmë
sot me nderim dhe respekt. Sepse ai nuk ishte i vetmi që kishte për të dhënë,
por pakkush pati aq shumë sa të jepte gjithçka me gjithë zemër.
Edhe
pse regjimi monstruoz diktatorial, u soll egërsisht me familjen Turtulli, duke
i lënë ata pa varr, akti sublim i bujarisë është më i larti monument i memories
dhe mirënjohjes, të cilën nuk ka barbari ta fshijë nga faqja e dheut, siç nuk
do të ketë monstruozitet fanatikësh terrorist të kuq, apo çfarëdo ngjyre, që të
mund ta asgjesojë. Sepse fara e mirësisë e hedhur në themelet e një humanizmi
të tillë si ai i Thoma Turtullit, do të mbijë e të harliset në nevojën tonë për
mirënjohje dhe konsideratë.
Po
kush ishte Thoma Turtulli?
Askush
më saktë nuk i jep përgjigje kësaj pyetjeje se sa Athina Turtulli, e cila
rrëfen për kujto.al jetën e babait të saj, Aleko Turtullit, trashëgimtarit të
vetëm të një prej familjeve më të shquara dhe filantrope korçare. Një rrëfim i
bashkëngjitur me dokumente zyrtare dhe foto domethënëse ku tregohet kthesa e
papritur në jetën e familjes Turtulli ku në vend të nderimit dhe mirënjohjes
ajo do përballej me hakmarrjen dhe përndjekjen komuniste. Një jetë e ndarë mes
kontributit të vyer dhe bamirësisë së pakursyer të familjes së njohur dhe
sekuestrimin e pasurisë, dënimin me burg të pinjollit të saj.
Ndër
të tjera, Athina Aleko Qirici Turtull, në një dëshmim për Najada Pendavinji,
kujto.al, mes të tjerave ajo hedh një vështrim thellë në kohë: Dera e madhe
qytetare Turtulli, vjen nga Vithkuqi i Korçës, por që herët të gjithë
veprimtarinë e saj do e drejtonte kah zhvillimit të qytetit të Korçës. Stërgjyshi
im Koçi i Ndrios, etiketohej si gozhdaxhiu dhe merrej me tregti, materiale
ndërtimi, ku qysh në vitin 1885, djemtë e tij, pra gjyshërit e mi, do krijonin
firmën tregtare që quhej atëherë “Vëllazëria Turtulli”. Një firmë e cila do t’i
kalonte kufijtë shqiptarë dhe do shtrinte degët e saj në Selanik, Manastir
etj.. Kështu filloi të ngrihej pasuria e Turtujve, e cila që në atë moment do
vihej në shërbim të njerëzve në nevojë apo në përgatitjen e pajës së vajzave të
reja. Në testamentin që ne kishim, pasi në vitin 1973 u dogj shtëpia dhe u
zhdukën shumë dokumenta, por e kam lexuar vetë, kishin martuar 50 vajza, me
prikë dhe i kishin dhuruar nga 50 deri në 100 napolona flori. Gjithashtu do
përfshiheshin edhe në lëvizjen atdhetare të qarkut Korçë, duke treguar patriotizmin
e tyre në shumë drejtime. Ishte koha kur elita e kombit po sakrifikonte në
mënyra të ndryshme për atdheun. Turtujt përpos të tjerave zgjodhën rrugën e
bamirësisë. Ishin njerëz me mendje të ndritur dhe zemër të pastër të cilët
ideuan projekte të mëdha e të rëndësishme që shënjuan jetën e korçarëve dhe jo
vetëm.
Athina
në këtë dëshmim për kujto.al bën gjithashtu një ekspoze të plotë të familjes
Turtulli, kah erdhi për të mbetur në historinë e qytetit të Korçës me vepër,
filantropi, Thoma Turtulli.
Vëllazëria
Turtulli, saktëson ajo, ishin: i madhi Andrea Turtulli, i dyti Thoma Turtulli,
i treti Mihal Turtulli me profesion mjek, i emëruar si ministër i Shëndetësisë
në qeverinë e Kongresit të Lushnjës, i katërti Vangjel Turtulli, Senator Nderi
në senatin Italian dhe e pesta motra e tyre, Evanthi Theodhosi, e ëma e Koço
Theodhosit, ministër i pushkatuar nga regjimi komunist.
Thoma
Turtulli ishte me origjinë nga Vithkuqi, dikur një qytet i madh me shumë lagje,
kisha e shkolla, që rivalizonte për nga përparimi vetë Voskopojën. Por njësoj,
si Voskopoja dhe Vithkuqi u dogjën dhe u grabitën tre herë. Asokohe, Familja
Turtulli u zhvendos në Korçë dhe bëhet një prej familjeve më të njohura
tregtare të kohës. Thoma Turtulli e kompania e tij zhvillonte tregti me Durrësin,
Shkodrën, Tiranën, por edhe me Selanikun, Manastirin e Stambollin, kryeqendra
këto të zhvillimit dhe kapaciteteve gjeneruese ekonomike, dhe jo vetëm.
Shumë
shpejt ai iu përkushtua punëve të mëdha filantropike, për ta bërë Korçën,
shembull të një qyteti evropian, për t’i dhënë asaj çfarë meritonte.
Kështu
në qytetin e Korçës më 25 dhjetor 1927-ë, çeli dyert kinemaja “Majestic”, një
La Scala e vogël në zemër të qytetit. Kjo kinema e bukur u ngrit nga Kompania
Anonime Shqiptare “Cinemato”, e krijuar prej Thoma Turtullit e miqve të tij.
Ai
i dhuroi qytetit arsimdashës të Korçës, bibliotekën, duke parë etjen e madhe
për dije të korçarëve. Në qytetin tonë e rreth tij, ekzistonin shumë libra nga
bibliotekat e dikurshme të Voskopojës, Vithkuqit e vetë Korçës si dhe të sjella
dhe nga shoqëria “Vatra” e SHBA-ës.
Kështu
që biblioteka e bukur e Korçës, e inauguruar më 1930-ën, numëronte rreth 30000
libra, asaj kohe. Jo vetëm kaq, qytetit të elegancës dhe kulturës, biri i saj,
Thoma Turtulli i dhuroi edhe, liceun, këtë vatër dije, brenda e jashtë
Shqipërisë. Ndërsa spitali i qytetit u inaugurua në vitin 1934. Pas përfundimit
të tij, bashkëshortja e Thoma Turtullit, Athinaja, i dhuroi shtetit 40.000
franga ari për ndërtimin e shkollës industriale.
Mbreti
Zog e dekoroi zonjën Athina Turtulli me Urdhërin e Skënderbeut. Thuhet se Thoma
Turtulli ndiqte vete punimet për ndërtimin e spitalit dhe atje u sëmur nga
bronkopneumonia.
Me
gjithë përpjekjet e jashtëzakonshme të mbretit Zog, i cili solli enkas nga
Selaniku mjekët më të mirë, ai nuk shpëtoi dot vdekjes, e cila i mori të
gjallët, i përpiu trupin, për t’i lënë eshtrat në mëshirën e një barbarie, e
cila, kur varrezat e Korçës u zhvendosen nga kisha e Shën Mërisë, shkatërroi
varrin monumental i kësaj familje të shquar dhe eshtrat e Filantropit të Madh
nuk dihet ku përfunduan.
Akti
i bamirësisë së Thoma Turtullit, vepra e tij janë sot xhevahire të shkëlqimta
në gjerdanin e krenarisë dhe qytetarisë evropiane të Korçës.
Po
sot?
Sot,
ajo çfarë ishte familja Turtulli, është e shkruar në faqet e historisë, në
kujtesën e kohës, dhe patjetër, zemra dhe mendja e përmasave të përjetësisë së
Thoma Turtullit, rreh ende në të gjallët e qytetit të Korçës, madhështon si një
solemnitet në veprat e bamirësisë që begatim mbeti për shpirtin e qytetit.
Sot?!
Po,
sot, mjerisht ka shumë e shumë, më të pasur se Thoma Turtulli, në Korçë dhe në
të gjitha qytetet e Shqipërisë, por ata nuk do të mund që shpirtin e tyre të
vogël ta shpëtojnë nga harrimi shuma e parave që kanë, babëzinë që ata nuk mund
ta ngopin kurrë, narcizmi që i sëmuri dhe… arroganca, kusaria, pamëshira,
fudullëku dhe injoranca, që i armatosi me pushtet dhe privilegje, por pa mundur
t’i shpëtojë nga një vdekje harrimtare. Ata jetuan si të vdekur dhe vdiqën dhe
do të vdesin, pa mundur që shpirti i tyre të linte ose të lërë diçka prej tyre
të gjallëve që ata ishin, prej këtij udhëtimi tranzit që ata bënë dhe po bëjnë.
Ata, është e vërtetë se kanë gjithçka, por s’deshtën dhe s’do të mundin kurrë
të kenë, shpirtin e madhe dhe zemrën e bardhë të Thoma Turtullit, këtij të
përjetshmi që jetoi dhe dhuroi çfarë sot e mot, është e denjë për mirënjohje
dhe respekt.