Kulturë
Ndue Dedaj: Tropojë, njëqindvjetori i shkollës së parë
E shtune, 25.11.2023, 07:55 PM
TROPOJË, NJËQINDVJETORI I SHKOLLËS SË PARË
NGA
NDUE DEDAJ
Më
22 nëntor në “Bajram Curri” ra shi gjithë ditën. Mjegulla nuk na lejoi t’bënim
fotografi qytetit, le pastaj Alpeve, këtyre bjeshkëve të pakrahasueshme që “gërvishtin”
qiellin, dikur log i kreshnikëve, orëve e zanave, kurse sot “bujtinë” e
turizmit të kullave etj. “Ky shi është paraprijësi i dëborës që pritet në
fundjavë”, na thonë vendasit. Por këtë ditë tropojanët nuk kanë punë me
kreshnikët dhe legjendat, as me motin e lagësht. Ajo për të cilën janë mbledhur
është një “legjendë” vetëm e njëqind vjetëve, shkolla e parë e Tropojës, me
emrin domethënës “Besëlidhja e Malësisë”, që qendroi pak kohë në Bujan e pastaj
u vendos në Kolgecaj, ku sot shtrihet qyteti “Bajram Curri”.
Nuk
janë shumë njëqind vjet, kur mund të hasësh tropojanë të gjallë njëshekullor,
që ecin rrugëve, por nuk janë dhe pak kur dëgjon historinë e kësaj shkolle, që
nisi si internat, i hapur më 1923 nga qeveria e Tiranës me kërkesën e Prefekturës
së Gjakovës. “Kumbara” i saj ishte Bajram Curri dhe një nga gjerat e bukura të
programit artistik është inskenimi që i kanë bërë nxënësit asaj ngjarje.
Historia e një shkolle si kjo është vetë historia e krahinës, qytetit, kulturës
së tij, mjafton të njihesh me listën e artistëve, shkrimtarëve, mësuesve,
mjekëve, inxhinierëve etj., që i morën mësimet e para aty. Këtë fakt e pohon në
skenë me krenari dhe këngëtarja e njohur Fatmira Breçani, që ka marrë rrugën
nga Tirana veç për një përshëndetje me këngë, pasi i duhet të nxitojë, se nesër
do të niset për në Suedi. Aktorja e humorit Ariola Demiraj, gjithashtu ish -
nxënëse e kësaj shkolle, e ka për kënaqësi të përcjellë në skenë, njërin pas
tjetrit, artistët e vegjël tropojanë, përfshi dhe një vajzë që këndon me
lahutën e lashtë të këtyre kreshtave, duke e përtërirë traditën e shquar
epiko-lirike të Malësisë së Gjakovës. Ariola, si moderatore, e fton vazhdimisht
publikun t’iu dhurojë duatrokitje fëmijëve që përformojnë visare të folkut, jo
aq për t’iu bërë qejfin atyre dhe prinddërve që i shoqërojnë, sesa për të
shprehur mbështetjen për këtë bardje etnokulturore autentike te gjenerata më e
re. E pamundur të mos kujtohesh këtë çast për Fatime Sokolin, zërin e
papërsëritshëm të rapsodisë malësigjakovase, që nëse fati do të ishte treguar
bujar me të, tash do ta kishim jo si një mit, por mes nesh, duke kënduar sërish
në skenën ku artistja e madhe shkëlqeu në vitet ’80. Ashtu si logu i bjeshkëve
dikur, skena është shpirti artistik i këtij populli, ajo rrezaton ngjyrat e
vjeshtës, që pret dëborën e parë...
Drejtori
i shkollës “Besëlidhja e Malësisë”, Petrit Zenelaj, një emër i njohur në
arsimin e Tropojës, prej dyzet vitesh, nuk e përmban emocionin, sidomos kur i
duhet të përshëndesë të ftuarit e shumtë, përfshi dhe mësuesit e shkollës
“Gjergj Kastrioti” të Malishevës, Kosovë, me të cilët është e binjakëzuar
shkolla e tij. Petriti është njëherësh një gjuhëtar i njohur, që ndër të tjera
ka botuar para njëzet e pesë vitesh fjalorin dhe frazeologjinë e të folmes së
trevës. E pyes nëse vazhdon të banojë ndokush nga njerëzit e tij në Markaj, një
fshat vetëm dy kilometra larg nga qyteti, mes pyllit të gështenjave, ku pata
qenë mik në shtëpinë e tij, aty nga fillimi i viteve ’80, kur ishim
bashkëstudentë në Shkodër. Më thotë se nuk banon njeri, vetë ai del ndonjëherë
të kujdeset për trojet e vjetra, shtëpinë, bashtinën. Rrugës për në “Bajram
Curri” kishim takuar një burrë, Bardhoshin, që ishte rikthyer prej tre vitesh
nga Tirana në fshat dhe merrej me pemët etj. “Djalit i kam lënë biznesin në
kryeqytet, kurse vetë jam kthyer në vendlindje pas daljes në pension”, thotë
ai.
Megjithatë,
paçka kthimeve të tilla të mirëpritura, Tropoja ende vazhdon të zbrazët pak e
nga pak, si kudo tjetër. Shkolla, që kremton shekullin, ka pasur dikur një mijë
nxënës, aq sa kanë sot të katër shkollat e qytetit, përfshi dhe gjimnazin “Asim
Vokshi”. Nuk e beson tkurrjen e banorëve kur sheh gjallërinë e shkollës, ajo të
duket plot, po ashtu dhe pallati i kulturës ku jepet koncerti festiv. Kjo
ndjesi të shtohet kur sheh larminë artistike tropojane, kostumet e bukura,
këngët, vallet, që fëmijët këtu i kërcejnë që në djep. Njerëzit e urojnë
shkollën, si të jetë njeri: “Edhe njëqind vjet!” Pastaj shtojnë: “Edhe dyqind
vjet!” Edhe treqindvjet!” Festuesit hyjnë nëpër klasa, flasin me nxënës e
mësues, e reja është muzeu i shkollës, por të tërheqin dhe klasa e
trashëgimisë, biblioteka, ekspozimet e ndryshme fotografike nëpër sallone, si
një polifoto njëqindvjeçare. Vallet janë identiteti artistik tropojan, sot të
gjitha vajzat janë kthyer në kërcimtare. Kanë ardhur dhe ato të gjimnazit për
të përshëndetur. Mesazhe të shumta dhe nga diapora. Është shkolla e tyre, që e
kanë përzemër. Ka nga ata që përlotën, nga kujtimet e mësuesve që nuk rrojnë
më, ku dy prej tyre, Flutura Jakupi dhe Isa Mustafa, u nderuan me titullin
“Qytetar Nderi”.
Bajram
Curri nuk ishte vetëm i Malësisë së Gjakovës. Një javë më parë kremtoi 100-
vjetorin dhe shkolla e Bardhajt në Selitë (Mirditë), që mban emrin “Bajram
Curri”. Bardhok Pulaj, që kishte ardhur nga Lezha, solli për të pranishmit
urimin e kësaj shkolle. Në Mirditë Baca Bajram ishte i shtëpisë kudo. Tregohet
për plot kulla ku ai bujtur me ditë e me net, në vitet e Pavarësisë.
Lulzim
Logu është gjithashtu mik yni i hershëm, i cili përpos se mësues dhe përgjegjës
sektori në Zyrën Arsimore, është dhe kryetari i klubit të shkrimtarëve të
Tropojës, ku e veçanta janë veprimtaritë e përbashkëta prej vitesh me krijuesit
e Gjakovës. Luli sapo është vlerësuar me çmim të parë, nga një shoqatë për
kulturë e letërsi në Kosovë, për poezinë e tij “Kohë e ligë”. Metafora letrare
alpine është e pashterrshme, si vetë gurrat e Dragobisë dhe rrjedha e
kaltërimtë e Valbonës, që janë palca e rapsodisë së hershme dhe e poezisë
moderne të Paplekajt, Buçpapajt, Aliajt etj.
Mbasdite
u larguam nga “Bajram Curri”, teksa ende binte shi. Nuk i kundruam dot kësaj
here Alpet e mbytura në mjegull, por me vete morëm diellin e fisnikërisë
tropojane, mësuesve që aq thjeshtësisht u ngjitën në tribunën e festës, sa për
një fotografi për në muzeun e të nesërmes…