Kulturë
Albert Zholi: 115 - vjet nga unifikimi i Gjuhës Shqipe
E enjte, 23.11.2023, 08:05 PM
Sot,
115 - vjet nga unifikimi i Gjuhës Shqipe
Kongresi
vendosi me votë unanime përdorimin e dy alfabetëve: alfabetin e Stambollit, dhe
alfabetin latin. Gjithashtu në Kongres u vendos që pas një viti të t; mblidhet
Kongresi në Janinë për të miratuar se cili alfabet do të miratohej.
-Historia
e rrallë e Gjergj Fishtës, Babë Dudë Karbunarës, Kostandin Kristoforidhit, At’
Stathi Melanit, Petro Nini Luarasit, Luigj Gurakuqit, Koto Hoxhit, Pandeli
Sotirit etj .
-22 nëntor 1908-2023-
Përgatiti:
Albert Z. ZHOLI
Kongresi
i Manastirit, Kongresi i unifikimit të
një alfabeti të gjuhës shqipe ishte
tubimi i dijetareve shqiptarë më 14 nëntor deri më 22 nëntor të vitit 1908 në
Manastir, në qendrën e atëhershme të Vilajetit
për përcaktimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Gjendja gjatë zhvillimit
të letërsisë shqipe ishin hartuar disa alfabete të ndryshme. Një nga më të
fundit ishte ai i krijuar në Stamboll dhe quhej Alfabeti i Stambollit. Mendimi
zotërues ishte se shkronjat jolatine nuk ishin të përshtatshme për mbarësinë e
shqipes bashkimit gjuhësor kombëtar. Për këtë arsye, shoqëria më aktive dhe e
mirënjohur “Bashkimi” në Manastir, thirri Kongresin e Parë të Përgjithshëm për
diskutimin e një alfabeti të njësuar. Një alfabet i njësuar do të ishte fillimi
i letërsisë mbarë shqiptare. Prandaj më 14 nëntor 1908 në Manastir u mblodh
Kongresi i Manastirit ose Kongresi i Alfabetit. Në kongres ishin të pranishëm 160
delegatë, të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, si dhe nga komunitetet
shqiptare në Rumani, Itali, Greqi, Turqi, Egjipt, Amerikë etj. Kryetar i
Kongresit u zgjodh Gjergj Fishta. Sekretare e komisionit u zgjodh Parashqevi
Qiriazi, mësuese e shkollës së vashave në Korçë. Nënkryetar u zgjodh Grigor
Cilka, nga Korça si dhe 11 anëtarë të tjerë. Në atë Kongres merrnin pjesë
shqiptarë të fesë myslimane, katolike, ortodoksë, dhe protestantë, njerëz të
ditur dhe të gjithë erdhën së bashku, për arritjen e një qëllimi të madh
kombëtar.
Historia
e Kongresit
Kumtesa
e mbajtur nga prifti katolik Gjergj Fishta, nga Shkodra, preku të gjithë
pjesëmarrësit, sa një hoxhë rendi ta përqafonte para të gjithëve. Kërkesa e
kombëtaristëve shqiptarë ishte që gjuha shqipe të mos shkruhej as me shkronja
arabe, as me shkronja greke, por me alfabetin latin, gjë që do nënkuptonte
mosnënshtrim, qoftë ndaj otomanëve, qoftë ndaj grekëve. Kongresi vendosi me
votë unanime alfabetin e Stambollit, dhe alfabetin latin. Gjithashtu, u vendos që
pas dy vjetësh të mbahej një Kongres i dytë në Janinë për të miratuar alfabetin
përfundimtar, problemet drejtshkrimore e letrare, si dhe për të bërë përpjekje
për shkrirjen e dialekteve gegë dhe toskë në një gjuhë të njësuar shqipe. Duke
qenë se para Kongresit të Manastirit, gjuha shqipe ishte shkruar me shkronja
arabe, greke, sllave, apo përshtatjet e tyre, vendosmëria e delegatëve për t’i
kthyer sytë nga perëndimi ishte haptazi një shpallje kulturore e pavarësisë,
gjë që nuk kaloi pa u vënë re as nga qeveria turke e as nga kisha ortodokse
greke dhe aleatët e tyre sllavë.
Dom
Ndre Mjeda, i thuri vargjet, ndoshta më të bukura gjuhës shqipe në atë kohë :
Përmbi
za, që lëshon bylbyli,/ Gjuha shqipe m’shungullon,/ Përmbi erë, qi nep zymb?li,
pa ‘da zemrën ma ngushëllon./ Gegë e toskë, malësi, jallia,/ jan nji komb, m’u
‘da s’duron, fundë e majë nji âsht’ Shqipnia,/ E nji gjuhë t’gjith na bashkon.
Në
Manastir u hap dhe shtypshkronja, e cila financohej nga një grup tregtarësh
atdhetarë myslimanë shqiptarë. Shtypshkronja e Manastirit shpejt u bë e njohur
në të gjithë Shqipërinë si shpërndarëse e librave dhe gazetave në gjuhën
shqipe. Në këtë punishte ishin të punësuar 17 vetë, të cilët punonin me një
makinë të re elektrike, që vihej në lëvizje me dorë, për të shtypur gazetën e
përjavshme Bashkimi i Kombit si dhe abetaret shqipe dhe tekstet shkollore.
Ndërkohë
çështja e gjuhës shqipe shpesh bëhej shkas për shpërthimin e dhunës së
fanatikëve, që sulmonin pa mëshirë përparimin e gjuhës shqipe. Babë Dudë
Karbunara (1842-1917) i lindur në Berat, bashkëpunonte ngushtë me Kostandin
Kristoforidhin. Babë Karbunara shumë herë filloi gjatë kremtimit të meshës të
lexonte ungjillin në gjuhën shqipe dhe kështu i filluan kërcënimet e para nga
eprorët klerikë ortodoksë dhe më 1895, fanatikët i dogjën të tërë shtëpinë.
Prifti ortodoks kapedan Stathi Melani vraponte me librat shqip në gji dhe me
pushkën në krah fshat më fshat në Shqipërinë e jugut për përhapjen e shkollës
shqipe dhe kishën shqiptare. Veprimtaria e Atë Stath Melanit ra në sy të
autoriteteve turke. Tri herë turku ia dogji shtëpinë dhe librat shqip, por Atë
Melani nuk pyeti. Më 24 dhjetor 1917 Atë Stathit i kishin zënë pritë banda e
kusarëve të Josif Suropullos, të cilët e vranë duke i prerë kokën Atë Stath
Melanit.
Petro
Nini Luarasi (1865-1911) është një nga atdhetarët e shquar që punoi për
përhapjen e gjuhës shqipe në rrethin e Korçës. Qe drejtor i shkollës së djemve
në Korçë. Petro Nini Luarasi shkonte fshati në fshat për përhapjen e gjuhës
shqipe. Më 20 shtator 1892, peshkopi i Kosturit Fillateri nxori një lajmërim me
titull “Mallkimi i shkronjave shqipe”. Më 1909, qeveria turke mbylli të gjitha
shkollat shqipe dhe dha urdhër të prerë të shuhen në zjarr të gjitha librat,
dokumentet dhe letërsia shqipe. Gjendja politike në vend në atë kohë ishte
kritike për të marrë flakë nga çasti në çast. Për atdhetarët shqiptarë u bë
mëse e qartë se nuk do t’i realizonin dot kurrë qëllimet e tyre të larta pa
hapur më parë shkollat shqipe për formimin e rinisë. Deri në atë kohë rinia shqiptare
kishte qenë objekt i propagandës së huaj në shkollat e hapura nga qeveria turke
dhe nga kisha greke. Megjithatë, gjatë punës për krijimin e sistemit të tyre
shkollor, atdhetarët shqiptarë u ndeshën me tri probleme të mëdha, pengesa nga
autoritetet turke dhe greke, mungesa e të hollave dhe mungesa e mësuesve të
shkolluar.
Shuma
të vogla, por të dobishme të hollash ishin mbledhur aty-këtu brenda vendit,
kurse ato më të mëdha kishin ardhur nga shoqëritë dhe klubet shqiptare në
vendet e tjera. Mirëpo kishte fare pak mësues të shkolluar të gjuhës shqipe.
Për të bërë ballë kësaj sfide arsimore, Klubi i Selanikut thirri Kongresin e
Elbasanit, nga data 20 deri 27 gusht të 1909. Në këtë Kongres tetëditor, që
kishte synim zhvillimin e lëvizjes arsimore anembanë vendit, erdhën delegatë
nga 28 shoqëri e klube shqiptare. Në Kongres u vendos që të themelohet “Shkolla
Normale në Elbasan” një shkollë gjashtëvjeçare për përgatitjen e mësuesve të
rinj. Njerëz të mësuar në Universitetet e huaja Evropiane u gjetën dhe u
caktuan për të formuar trupin pedagogjik.
Klubi
i Manastirit u caktua si qendra për krijimin e një Federate të Klubeve
Shqiptare në Shqipëri dhe në kurbet. Qëllimi i Klubeve ishte përhapja e gjuhës
dhe arsimit shqip, pa u përzier me politikë. Klubi korçar “Përparimi” u caktua
si qendra financiare, që do të administronte ndihmat dhe shtimin e shkollave të
ditës dhe të natës. Përgjegjësia kryesore dhe preokupimi i madh ishte mbajtja e
Shkollës Normale të Elbasanit. Kongresi i Elbasanit nxiti të gjithë shqiptarët
të futnin gjuhën shqipe në shkollat e huaja, të përhapura anembanë Shqipërisë.
Më 18 nëntor 1909 u bë thirrja haptazi, “Përmbajtjen e Shkollës Normale të
Elbasanit duhen, para, para e më shumë para”. Nuk është e vështirë të
përfytyrohet niveli i ulët i jetesës së njerëzve, që u bëhej një propozim i
tillë! Mirëpo, me ose pa mjetet e përshtatshme, Shkolla Normale e Elbasanit
vazhdoi të përgatiste pionierët e arsimit për Shqipërinë që po rilindte.
Drejtori i parë i Normales ishte, Luigj Gurakuqi. Vite më vonë kjo shkollë u
pagëzua me emrin e tij. Shkolla Normale u hap në dhjetor të 1909, me 143
nxënës.
Shpërthimi
i shqiptarizmit i kaloi të gjitha parashikimet e armiqve të gjuhës shqipe. Në
atë kohë dolën në dritë rreth 90 gazeta dhe revista shqipe, që botoheshin në
Shqipëri dhe në kolonitë shqiptare jashtë vendit. Xhonturqit me kryetarin e
tyre Ferit pashën, të frikësuar nga ky shpërthim i shpejtë i arsimit shqip,
reaguan ashpër, duke ndaluar shoqëritë, shkollat dhe botimet në shqip. Në Vlorë
atdhetarët e ndershëm arrestoheshin dhe internoheshin, shkolla e Vlorës u
mbyll, kurse drejtori i saj Loni Naçi u largua nga Shqipëria, nga frika e
vrasjes. Në Gjirokastër pionieri i arsimit shqip kombëtar, Koto Hoxhi, u
internua në kështjellën e Bosforit. Pandeli Sotiri, themelues i së parës
shkollë shqipe në Korçë, u internua në Selanik. Xhonturqit i kishin vënë detyrë
vetes për të rrjepur të gjallë të gjithë shqiptarët e ndershëm, që punonin për
përhapjen e gjuhës shqipe. Gjërat po shkonin keq e më keq.
Dalja
në pah e gjuhës shqipe, me shkronja latine, provokoi myslimanët injorantë e
konservatorë. Ata protestuan se shqipja, ashtu si turqishtja, duhen shkruar
vetëm me shkronja arabe dhe se preferenca e atdhetarëve shqiptarë për shkronja
latine perëndimore ishte një përçmim për fenë myslimane. Njerëz të paditur dhe
injorantë formuan me mbështetjen edhe të Qeverisë së Xhonturqve në Stamboll
shoqërinë Mahfeli me synimin për përçarjen e shqiptarëve dhe frenimin e arsimit
në shqip. Në fund të vitit 1909, Qeveria turke ndaloi përdorimin e gjuhës
shqipe me shkronja kombëtare, në të gjitha shkollat anembanë vendit.
Gjithashtu, nxori një dekret, sipas të cilit gjuha shqipe do të shkruhet vetëm
me shkronja arabe. Shoqëria reaksionare “Mahfeti” me mbështetjen e qeverisë
turke, shtypi dhe shpërndau abetaret e para me germa arabe. Për këtë arsye, në
shkurt të 1910, u mbajt në Elbasan një miting proteste, ku 7000 protestues
ngritën zërin kundër përdorimit të shkronjave arabe për gjuhën shqipe. Po atë
muaj protestat vazhduan në Korçë, Berat, ku mbi 15.000 vetë dogjën në qendër të
qytetit abetaret shqiptare me germa arabe, të dërguara nga Stambolli.
Telegrame
të shumta nga shoqëritë, shqiptare të Selanikut, Shkupit e Manastirit u
shprehën në mbrojtje të alfabetit shqip. Në Shkodër, një grup myslimanësh u
bënë gati të organizonin një manifestim në përkrahje të shkronjave arabe.
Mirëpo ndërruan mëndje kur 60000 katolikë dhe myslimanë të ndershëm shqiptarë,
nga Malësia e Madhe, organizuan ditë më parë një manifestim madhështor në
përkrahje të shkronjave latine. Protesta të ngjashme u organizuan në Përmet,
Kolonjë, Tepelenë, Frashër, Konicë etj. Por turqit nuk deshën t’ia dinin.
Atëherë në mars të 1910 u thirr Kongresi i dytë i Manastirit. Aty u vendos që
të vazhdojë përdorimi i alfabetit kombëtar me shkronja latine dhe protestat
kundër vendimit të padrejtë të Qeverisë Turke.
Gazeta
atdhetare “Shkreptima” e Kajros botoi një memorandum të hartuar nga
kryengritësit, që luftonin në malet e Shqipërisë. Në të theksohej se qëllimi i
tyre nuk ishte për të plaçkitur apo për të vrarë, por për të luftuar për
‘’lirinë e edukimit në gjuhën shqipe dhe me alfabetin kombëtar, lirinë për të
hapur të gjitha shkollat shqipe të mbyllura nga qeveria turke dhe vënien në
punë të shtypshkronjave, si dhe botimin e gazetave të ndaluara, lirimin e të
burgosurve politikë. Dhe përfundonte me mesazhin: “E gjithë bota e qytetëruar
dhe veçanërisht qeveria e perandorisë Otomane le ta dijë mirë se të gjithë
shqiptarët, gegë e toskë, të krishterë e myslimanë, nuk do ta pushojnë luftën
për këto tri kërkesa, derisa qeveria të na i garantojë ato me siguri”.
Edhe
në këtë luftë, shkolla shqipe doli fitimtare. Me pak mjete dhe mësues, por me
dëshirën në shpirt për dituri shkollore shqiptare, midis pengimeve, nga armiqtë
e afërm dhe të largët, shkolla shqipe fitoi nga veriu e deri në jug të
Shqipërisë dhe përgatiti breza të rinj atdhedashës. Megjithëse ky zhvillim
kulturor ishte përfytyruar si jo i dhunshëm, shpejt ai u kthye në një zjarr të
rrezikshëm, që shqiptarët trima si Isa Boletini dhe burri i zoti Ismail Bej
Qemal Vlora, do nxitonin hapat për të shpallur mëvetësinë e Shqipërisë më 28
Nëntor të 1912 në Vlorë. Pas pak muajsh filloi Lufta Ballkanike dhe Manastiri e
Shkupi, dy qytete historikisht të banuara nga shumica popullsi shqiptare, u
pushtuan nga sllavët. Të gjitha dyqanet dhe librat shqip u dogjën dhe shumica e
atdhetarëve shqiptar u therën nga serbët, disa u burgosën. Popullata myslimane
shqiptare u detyrua të braktiste qytetin e Shkupit dhe të Manastirit, ato
familje ortodokse shqiptare që mbetën aty, me kalimin e viteve dhe me dhunë u
nënshtruan duke humbur dinjitetin e tyre shqiptar.