Kulturë
Sejdi Berisha: Murosja e kujtimeve si peshë e dhembjes, e ëndrrave dhe e dashurisë nëpër kohëra
E diele, 26.11.2023, 07:53 PM
Sejdi BERISHA:
Rrënjëzimi i mendimit
MUROSJA E KUJTIMEVE SI PESHË E DHEMBJES, E ËNDRRAVE DHE E
DASHURISË NËPËR KOHËRA
(Ose, pse vendosa ta shkruaj librin “Peja, dhembja dhe krenaria ime”- kjo
madhështi dhe perlë e veçantë historike e kulturore, që flet, që krenohet, që
ka dëshmi, që ka krenari, që heshtë kur duhet, që zërin e saj e ka përgjithmonë
të ngritur nëpër periudha të ndritura por edhe të dhembshme kohore ...?!)
Që kur isha kalama, në shpirtin tim u murosen
shumë kujtime si peshë ëndrrash dhe dhembjeje për qytetin që përjetësisht ka
qenë, është dhe do të jetë madhështi historie, që ishte bukuri ku rrëshqasin
kujtimet e mia aty diku në strofullin e shpirtit, me rebelimin për të thënë e
për të shkruar, për t’u djegur në atë vullkanin e rinisë, ku më nxitnin grimcat
e frikës për dashuriçka, që prej çasti në çast, prej viti në vit më bënin
pelegrin të rrugëtimit të qytetit tim, i cili edhe sot në vete ndrydhet, sepse,
madhështia dhe shenjtëria e tij sikur janë të fshehura vetëm në mendjen dhe në
shpirtin tim, i cili qytet, sa vinte e bëhej vullkan ëndrrash dhe ëndërrimesh
për gjithçka për “sarajet” e krenarisë dhe të historisë së tij: tabakët,
jazijet me ve shotash në strofullat përbri ujit të kulluar, kalaja, krojet e
lagjeve, kureshtja për Kullën e Haxhi Zekës, edhe për Lidhjen e Pejës, për
Kullën e Sheremetit, për jetën idili e të ndritur të Lagjes së Kapeshnicës, për
Tabjet, për Varrezat e Gjata, për Çarshinë e Gjatë, për zejet-begati e synim
historik për ta kapur pasurinë lumturinë e jetës...
Shumë luftëra i përjetove qyteti im, shumë armiq
shkelën mbi ty, por morali dhe pathyeshmëria për liri, për kombin dhe për
atdheun, në të gjitha periudhat të mbanin vetëm vertikalisht dhe krenar, edhe
më shumë ta begatonin historinë...
Rrëfimet e babait tim për rrugëtimin tënd që nga
koha e okupimit osman, nga robërimi sllav, austro-hungarez, serbo-malazez dhe
nga shumë regjime të tjera, u bënë faqe të ndritura dhe të praruara me ar, e që
të gjitha bashkë ma ngacmonin shpërthimin e sythit më shumë se edhe të
inteligjencës për t’i kënduar jetës, por edhe djersës dhe mundit të nënës e të
babait për ta ngritur ndershëm familjen.
* * *
Rrita dhe thellimi e rrënjëzimi i dashurisë për qytetin tim...
...Dhe, interesant, rrita dhe thellimi e rrënjëzimi i dashurisë për
qytetin tim, ishte e çuditshme, plot dhembje shpirti, por që përbrenda tyre
përbirohej edhe lumturia edhe krenaria për rrugëtimin tim në lashtësinë, në të
atëhershëm dhe në të tashmen e qytetit tim, i cili i ngjanë ëndrrave të cilat
kurrë nuk më lëshojnë këmbësh për të thënë e treguar diçka me peshë, diçka që
mbrumet me dashuri, njerëzi e sinqeritet.
Për besë ashtu është, ndoshta pse prindërit e mi prej dite në ditë edhe
më shpjegonin nga diçka por edhe e gjelbësonin tokën me djersën e tyre për të
na siguruar kafshatën e gojës. E kjo, dashurinë ndaj qytetit, ndaj rrugicave me
kalldrëm, ndaj lumit që kalonte përmjedis qytetit, e që ishte dhe është histori
në vete, që nuk ka thënë krejt as nuk ka dashur të tregojë për peripecitë e
veta, as për vuajtjet e popullit. Po, sa madhështi është kjo kur e analizon së
mbari dhe së prapthi të kaluarën e qytetit tim.
Sërish dua të theksoj, se kur isha i vogël, tërë atë energji që e kisha
brenda vetes dhe shpirtit, nuk dija dhe as nuk kisha fuqi ta shfletoja me dufin
e shpirtit, por vetëm e ruaja si panoramë kujtimi apo “sherri” për më vonë, kur
shpirti më rebelohej gjithnjë e më shumë për çdo gjë.
Dashurinë për qytetin tim, që kur isha në bankat e shkollës fillore ma
shtonin edhe rrobat “kat” prej zhguni, që m’i kishte blerë babai, e që të
gjithë shokët më përqeshnin edhe për rrobat, edhe për opingat, edhe pse isha
“katundar-zallogë”! Ani, se ashtu ishte, dhe ky realitet si fëmijë më kishte
“zënë” pisk me tharmin e dashurisë për kombin dhe atdheun, pra, edhe për
qytetin tim, sepse, ishte i imi!
Dhe kështu, ngjarjet, ditët, muajt, vitet dhe koha, kalonin e në shpirtin
tim shtresonin shumë ngjyra, të cilat herë shndërroheshin në pyetje, herë në
ironi, herë në dhembje, herë në uri për bukë, besa e herë-herë edhe në lot, të
cilat gjëra, dua të tregoj drejtë, të gjitha në mbrëmje sikur i mbyllja në një
thes të mendjes dhe hidhërimit, që ia lidhja fortë grykën të mos “eksplodojnë”
dhe të mos më lënë pa gjumë. Kështu, të nesërmen në mëngjes, vinin “gëzimet dhe
hidhërimet” e reja që më bënin edhe më krenar e kureshtar për të ëndërruar
gjithçka, por që më bënin edhe melankolik kur përvjedhsha me shikim ndonjë
vajzë, sepse, në këtë drejtim e kisha frikën e madhe të ngarkuar me shumë
arsye!
E si mos ta rrisja dashurinë ndaj qytetit tim, kur të gjitha këto m’i
dhuronte që dikur të bëhem diçka për ta ngacmuar historinë, madhështinë,
krenarinë dhe bukurinë mahnitëse të këtij qyteti...!
Ja, po ua numëroj disa nga perlat që i krijuam bashkë unë dhe qyteti im.
Së pari, kur isha nxënës në gjimnaz, isha “bërë” burrë dhe i ndihmoja familjes
me nga një bukë furre çdo të shtune dhe të mërkurë, kur ishte pazar. Dua të
them se pas përfundimit të mësimit, ktheja tek një mbathtar dhe me krenari i
mbaja këmbët e kuajve për t’i mbathur ata. O, sa vështirë ishte! Por, kur e
kujtoja se në fund të orarit të punës i fitoja aq para sa për ta blerë një bukë
furre, dhe kur e qoja në shtëpi, me lazdrim djaloshari ia jepja nënës dhe i
thosha: ja, nëna ime, për sonte e kemi fituar bukën! O, sa rëndë e rrezik ishte
për t’ua mbajtur këmbët kuajve për t’i mbathur, por buka ishte ajo që e dija se
në shtëpi shkoja kinse “plot”, pra, me një bukë! Besoni, se e tëra kjo, fije e
për pe, është e vërtetë! E në atë mbathtore, kur nuk kishte kuaj për t’i
mbathur, mbaronim patkonj në atë furrën-farkëtare të shëmtuar, që djersët e
fundit m’i shpenzonte. Dhe, kujtimi për te edhe sot më është i freskët; kur
duke mbaruar patkonj, mbathtarit i “iku” dalta dhe mua më goditi në urëzën e
kraharorit. Ma kishte thyer ashtin. Besoni se nga shpejtësia e “fluturimit” të
daltës, as që e kam hetuar se më kishte goditur...! Atë ditë, ika në shtëpi i
përgjakur, por paratë për bukë nuk i kisha “fituar” dhe ngela pa ia dërguar
bukën nënës...! Derisa e shërova kraharorin hoqa shumë ditë, dhe askush në
shtëpi nuk e mori vesh se çfarë më kishte ndodhur. Nuk i tregova as nënës, as
babait... Andaj, si të mos çelikoset dashuria për qytetin tim. Në gjimnaz, më
shkonte shumë rebelimi djaloshar, por jo prej rrugaçit, por prej njeriut që nuk
pajtohet me realitetin. Lëndën e gjuhës shqipe, atë të gjeografisë, të
biologjisë e më pak të historisë, i shkrija, i kisha në zemër. Bile gjuhën
amtare, ndoshta nuk është modeste, por shumë herë e dija më mirë se sa vetë
profesori.
Gjërat që ma forconin karakterin por edhe amanetin e babait që të bëhem
njeri i vetvetes!
Të gjitha këto ishin gjëra që ma forconin karakterin por edhe amanetin e
babait që të bëhem njeri i vetvetes, për t’i kontribuar familjes, qytetit dhe
kombit. Por, kulmi tërë kësaj ishte edhe momenti kur nga gjimnazi u
përjashtova, për shkak se kisha “marrë në thua” në një bust që u bë copë e
grimë! Më përjashtuan nga shkolla...! Dhe, mbajeni mend, sa rëndë ishte, prej
asaj dite nuk fliste askush me mua...! Por, Gryka e Rugovës, ujëvara tek tuneli
i parë dhe parku i qytetit më rrisnin krenarinë, më bënin shoqëri dhe sikur më
këshillonin se jeta të ngritë dhe të rrëzon...
Tash, më shumë e përqafoja dhe më përqafonte qyteti im. Gjimnazi u bë
obelisk i përjetshëm i historisë së rinisë sime. Por, harrova të tregoj, se në
shkollën fillore ia nisa të “shkarravis” vargje. Atë botë e botova edhe poezinë
e parë te gazeta “Flaka e Vëllazërimit” që botohej në Shkup. Prej aty u vu edhe
një gurthemel i ri, që ishte krijimtaria letrare, e cila kurrë më nuk mu ç’kap
nga mendja, zemra as nga shpirti e deri në ditët e stome, me të cilën kacafytem
dhe zihem deri në pafundësi, por të hidhërohem me te assesi. Sepse, muzat më
vijnë prapa dhe edhe tash më ngacmojnë për gjithçka...!
Dhe sërish: si mos ta dua qytetin tim, kur aq mirë i kam ditur varrezat
në të gjitha pjesët të qytetit, kur aq shumë i kam mësuar burimet e ujit, kur
aq me ngulm jam informuar për mullinjtë e Pejës, kur aq shumë di për Tophanet,
për dollapët që mbi jaz pandërprerë i rrotullonin ditët dhe ngjarjet pa treguar
asgjë, kur zejtarët ishin dhe janë vulë e historisë dhe e bukurisë së qytetit
tim. Kur te Kroi i Shatërvanit, me ujin e ftohtë e freskonin shpirtin mijëra
qytetarë, kur Gryka Pitoreske e Rugovës qëndron në krye të qytetit si kurorë e
rrallë mbretëreshe me ujëvarën histori.
Ditët e shtuna ishin të lumtura për mua, sepse, nëna dilte në tregun e
rrobave(lomën e grave) te Kulla e Pashës, dhe shiste këmisha prej pëlhure të
nuseve të katundit, që ua jepnin gratë e fshatit për t’i shitur, e ajo nga
“qiraja” e tyre fitonte nga pak para. Si sot më kujtohet ai muri ku i
ekspozonte ato artizanale, “teshat” e nuseve. Pra, dilte ndonjë para edhe për
mua por edhe për harxh shtëpie!
Kujtim i fortë që rritë dashurinë për qytetin tim, ashtu siç e forcojnë
“shekujt” e jetës, ishte edhe puna prej argati e babait tim, që me qëndresën
dhe me shpresën kurrë të pathyer, por edhe me fjalët-dritë, mua dhe tërë familjes
na lumturonte çdo moment, çdo ditë e çdo kohë. Po, sa madhështor ishte ky njeri
gjithmonë gojëmbël, ky njeri i dashur që ishte bërë pjesë e lumturisë edhe e
shumë njerëzve të tjerë, të atyre që aq ndershëm luftonin për kafshatën e
bukës, por kurrë pa e harruar fatin e kombit dhe të atdheut!
Si të mos e shkrij mendjen dhe mundin për qytetin tim, kur urat e tij i
bashkonin dhe i bashkojnë pjesët e qytetit dhe krijojnë hallka bashkimi të
shumë nahijeve...
Andaj, si të mos e shkrij mendjen dhe mundin për qytetin tim, i cili, me
Urën e Gegajve, me Urën e Zallit, me Urën e “Milet bahçes” dhe me Urën e Gurit,
e madhështonte Lumëbardhin, nën të cilat ura rrjedhke uji herë prajshëm e herë
plot rrëmbim dhe i trazuar...!
Këto ura i bashkonin dy pjesët e qytetit dhe krijonin hallka bashkimi të
shumë nahijeve. I bashkonin njerëzit, i forconte dhe i lidhte shumë dashuri të
vashave me djemtë që i shkrinin ëndrrat në zemrat e tyre. Ka edhe shumë
thesare, që qytetin tim dhe mua na lidhin edhe më fortë. Por, disa nuk arrihet
dot për t’i thënë, por ngelin si etje dhe si mall e dhembje për t’i fshehur dhe
për t’i ruajtur vetëm për ata që kanë dëshirë të ngelin gjithmonë në krahët e
dallëndysheve, të cilat, foletë i ndërtojnë si një përrallë bukurie por edhe
provokim për të thurë këngë e për të shkruar histori, për të shtjelluar vargun
poetik që përcëllon dhe për të përjetësuar çdo gjë të jetës që piktura e
përthekon...
Për të gjitha këto kam shkruar diçka, kam përjetësuar shumëçka në
Monografinë “Zejtarët e Pejës”, edhe në shumë libra të tjerë. Ndërsa, si të mos
e dua qytetin tim, kur në zemër të tij ishte dhe është teatri, kur fisnikërohej
jeta dhe kultura, e ku edhe unë shumë e shumë vite i “lëkunda” dërrasat e
skenës, të cilat i mbajnë si kujtim madhështor lojën prej artisti të shumë
aktorëve më të njohur, të cilët më vonë pushtuan teatrot e Kosovës dhe më
gjerë?! Edhe për këtë, historinë e këtij tempulli ndër më të vjetrit jo vetëm
në Kosovë, e kam përjetësuar në librin-monografi “Teatri i Pejës”!
Pra, kur këto pak shënime i bashkon me historinë e lavdishme të qytetit
që e ndritin dhe e bëjnë shenjtëri të paprekshme edhe të lirisë edhe shumë
shtatore, buste, obeliskë, edhe pllaka përkujtimoresh, që janë përjetësi e
heronjve dhe e dëshmorëve se si luftohet për ta çliruar atdheun, e që do mbesin
udhërrëfim e mësim i përjetshëm për gjeneratat që vijnë, ma detyrojnë shpirtin
që të shkruaj e të shkruaj, e të shkruaj, sepse, kurrë nuk jam ngopur as nuk
ngopëm dot me madhështitë e qytetit tim. Për atë, duke qenë i etur për
gjithçka, në shumë poezi në këtë libër me qëllim i kam përsëritur disa emra,
disa vendbanime kohe e shekullore, që kujtoj se vetëm sa e madhështojnë dhe ia
shtojnë edhe më shumë vlerën dhe peshën këtij këndimi poetik!
Ky ishte shkaku që këtë libër ta shkruaj e t’ia kushtoj kësaj madhështie,
kësaj perle të veçantë historike dhe kulturore të vendit tim, të popullit tim,
e që kësaj radhe e pashë të udhës ta pagëzoj: “Peja, dhembja dhe krenaria
ime”-Poemë të cilën kurrë nuk e përfundova...!
(©S. B.)