E enjte, 03.10.2024, 06:17 PM (GMT+1)

Mendime

Florim Zeqa: A është i mundur unifikimi i elektoratit rugovian në LDK!?

E hene, 13.11.2023, 08:11 PM


A është i mundur unifikimi i elektoratit rugovian në LDK!?

Shkruan: Florim Zeqa

Pothuajse të gjitha subjektet politike shqiptare është duke i ndjekur sindromi i keq i ndarjeve dhe përçarjeve të brendshme, i ndikuar nga egoja për pushtet dhe privilegje, nga inatet e vogla personale të shndërruara në fraksione të mëdha politike të cilat më vonë po shkaktojnë ndarje të thella.

Virusi ndarës së pari e goditi LDK-në

Të gjitha ndarjet nëpër subjektet tona politike po fillojnë shkaku i mungesës së liderëve të përgjegjshëm, të atyre që fatin e vet personal e lidhin me interesin e partisë. Si rezultat i së cilës po krijohen grupe të vogla të interesit, të cilave nuk ju intereson e ardhmja politike e partisë dhe as e shtetit, por e liderit, përmes të cilit synojnë arritjen e qëllimeve të ngushta personale dhe familjare.

Kështu, këto grupe të vogla të interesit, të barrikaduara prapa liderëve partiak po fuqizohen në klane duke u bërë pëngesë e vazhdueshme e reformave dhe ndryshimeve pozitive mbrenda subjekteve tona politike.

Fakti pse qendronte unike dhe shumë më mirë sesa subjektet e tjera, subjekti më i vjetër i skenës politike kosovare, LDK-ja është subjekti i parë i cili u godit nga virusi ndarës dhe përçarës paslufte në Kosovë.

Pas shkuarjes në amshim e presidentit historik, liderit shpirtëror të shumicës shqiptare në Kosovë, hyjnorit Ibrahim Rugova, në LDK filluan të shfaqen haptas në skenë ambiciet individëve dhe grupeve të interesit për marrjen e primatit të trashëgimisë rugoviane në këtë parti, e cila rezultoi me ndarjen fatkeqe në kuvendin e VI-të, të vitit 2006.

Sadoqë ishte arritur një progres i kënaqshëm me bashkimin e ndarjes së parë (LDK-LDD), LDK-ja akoma është duke lënguar nga ajo plagë ndarëse, jo për shkakun e "shërimit" të ngadalshëm, por për shkakun e aktivizmit të kohëpaskohshëm të "virusëve" të ardhur prej partive oponente të skenës politike.

Ndarja e fundit në prag të zgjedhjeve të 14 shkurit 2021, është ndarja më e rëndë dhe më fatkeqe për LDK-në! Kjo ndarje ka lënë pak hapësirë për rikthimin dhe bashkimin e pjesës së ndarë në shtëpinë rugoviane, për shkak se përmes kësaj ndarje u fuqizua dhe erdhi në pushtet oponenca më e madhe politike rugoviane për kënaqjen e egos politike personale të një zonje të dalldisur pas pushtetit!

Sikur realizimi i epsheve karrieriste të presidentes aktuale të kishte ndodhur përmes një subjekti të filozofisë politike rugoviane, dera do t’i kishte mbetur e hapur për kthimin e sërishme të saj në LDK, por ajo atë e bëri përmes futjes në listën zgjedhore të një subjekti tjetër, në këtë rast të LVV-së!

Do të jenë zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ato që do ta dëshmojnë forcën reale të subjektit GUXO i cili i solli LVV-së fitoren historike me mbi 100 mijë vota të elektoratit të LDK-së!

LDK-ja dikur shtëpi e të gjithë qytetarëve

LDK-ja si shtëpi e madhe dhe e përbashkët e të gjithë qytetarëve të Kosovës, parti e besës dhe shpresës, e traditës dhe vlerave kombëtare siq ishte në të kaluarën, e ka për obligim moral t’i kthejë shpresën dhe dinjitetin çdo qytetari të Republikës së Kosovës me ndërtimin e një shteti ligjor dhe demokratik ashtu siq e kishte projektuar arkitetkti i shtetit tonë, presidenti historik Ibrahim Rugova.

Pyetja e ngritur në titullin e shkrimit, se a është i mundur unifikimi i elektoratit rugovian në LDK, përgjigjen e bën bukur të vështirë dhe sfiduese. Megjithëse asgjë nuk është e pamundur në këtë jetë. Kur jemi të ndarë edhe e mundura na bëhet e pamundur, kurse kur jemi të bashkuar e pamundura nuk ekziston!

Për të arritur qëllimet e përbashkëta, nuk mjafton vetëm dashuria dhe vullneti, përkushtimi dhe vendosmëria, kërkohet guxim dhe unitet i çelikt i të gjithë themeltarëve dhe veprimtarëve, aktivistëve dhe anëtarëve të LDK-së pa ambicie pushteti për ta rikthyer elektoratin e shkapërderdhur nëpër të gjitha subjektet politike.

Pa heqjen e ambicieve karrieriste dhe eliminimin e nepotizmit do të jetë i pamundur rikthimi i elektoratit rugovian në shtëpinë e vjetër. Pa largimin e karrieristve dhe heqjen e inateve personale do të jetë i pamundur rikthimi i filozofisë politike rugoviane në LDK.

Unë jam i gatshëm që pa asnjë ambicie pushteti dhe pa asnjë kompensim material ta ndihmojë shtëpinë e vjetër që të restaurohet dhe ristrukturohet ashtu siq e dëshiron elektorati, që t’i kthehemi ADN-së politike të viteve të ’90-ta.

Florim Zeqa

08.11.2023



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora