Mendime
Albert Zholi: Dita kur Britania dhe Shqipëria u pajtuan për incidentin e Korfuzit
E shtune, 04.11.2023, 07:50 PM
29 tetor 1996, Dita kur Britania dhe Shqipëria u pajtuan për incidentin e Korfuzit
Tirana
t’i paguante Londrës dy milionë dollarë dëmshpërblim për incidentin në Kanalin
e Korfuzit, dhe Britania t’i jepte Shqipërisë 18 milionë dollarë nga vlera e
arit të bllokuar.
-77-vjetori-
Përgatiti:
Albert Z. ZHOLI
Britania
dhe Shqipëria më 29 tetor 1996, bien dakord që Tirana t’i paguajë Londrës dy
milionë dollarë dëmshpërblim për incidentin në Kanalin e Korfuzit, dhe Britania
t’i jepte Shqipërisë 18 milionë dollarë nga vlera e arit të bllokuar. Incidenti
i kanalit të Korfuzit i referohet tri ngjarjeve të ndryshme që kanë ndodhur në
vitin 1946, ku Britania e Madhe dhunoi sovranitetin e Shqipërisë nëpërmjet një
operacioni ushtarak të qëllimshëm, të paramenduar dhe me karakteristika të
dukshme kërcënuese, duke hyrë në detin e brendshëm dhe territorial të
Shqipërisë. Këto tri incidente janë konsideruar si një manifestim i hershëm i
Luftës së ftohtë.
Versioni shqiptar
Më
15 maj 1946, dy anije luftarake duke lundruar pa flamur ose shenja të tjera
identifikimi hyjnë në ujërat territoriale shqiptare në afërsi të Sarandës.
Bateria e artilerisë bregdetare u jep sinjal anijeve luftarake që të ndryshojnë
kursin. Pasi anijet vazhdojnë të ndjekin të njëjtin kurs, bateria hap zjarr paralajmërues.
Anijet luftarake ngrenë flamurin anglez dhe tërhiqen nga ujërat territoriale
shqiptare. Më 22 tetor 1946, katër anije luftarake (një kryqëzor e tre
destrojerë) të ardhur nga Porti i Korfuzit, kalojnë kanalin e futen në ujërat
tona territoriale, duke u afruar midis kepit të Varesë dhe kepit të Kasiopeas.
Në afërsi të kepit të Varesë, dy destrojerë ranë në minat e mbetura të Luftës
së Dytë Botërore, duke u dëmtuar në konstrukt e njerëz. Më 15 maj 1946, drejt
nesh erdhi një anije e vogël peshkimi me njerëz të armatosur dhe kërkoi të
largoheshim nga ujërat e tyre, pa na afruar asnjë lloj ndihme, e më pas u
larguan.
Versioni anglez
Më
22 tetor 1946, në afërsi të kepit të Varesë, dy destrojerët tanë ranë në minat
e vendosura nga shqiptarët. Dy destrojerët tanë ranë në mina, duke u dëmtuar e
fundosur, ku humbën jetën edhe disa marinarë tanë. (Nga ditari i anijes
flamurmbajtëse angleze, paraqitur në gjyqin e Hagës). Megjithëse gjykata e
pranoi faktin se në datat 12 nëntor 1946 dhe 13 nëntor 1946 futja e anijeve
luftarake angleze në ujërat shqiptare, ku ndodhi incidenti, ishte shkelje e
sovranitetit të Shqipërisë, vendimi përfundimtar e fajësoi Shqipërinë për
incidentin, dhe lëshoi një vendim, sipas të cilit Shqipëria duhej t’i paguante
844.000 dollarë Mbretërisë së Bashkuar. Qeveria shqiptare refuzoi njohjen e
vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës. Qeveria britanike kërkoi bllokimin
e arit të gjetur në Gjermani pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe që
do t’u shpërndahej proporcionalisht shteteve, të cilave Gjermania ua kishte
grabitur thesaret e bankave kombëtare.
Historia
Incidenti
i datës 22 tetor 1946, i cili njihet si Incidenti i Kanalit të Korfuzit është
rezultat i incidentit të datës 15 maj 1946, në të cilën dy kryqëzorë britanikë
H.M.S. Orion dhe H.M.S. Superb, në orën 08:30, ndërsa po kalonin nëpër Kanalin
e Korfuzit në përputhje me regjimin e kalimit paqësor nëpër rrugëkalimin MEDRI,
sipas versionit britanik, një bateri e artilerisë bregdetare shqiptare (në
Kepin Paladha) hapi zjarr kundër tyre. Zjarri zgjati për rreth 7 minuta dhe u
hodhën 18 predha 100 mm, të gjitha mosmbritëse. Anijet britanike nuk iu
kundërpërgjigjën zjarrit të baterive bregdetare shqiptare. Mbas incidentit,
midis dy qeverive pati një shkëmbin intensiv të notave diplomatike, në të cilat
Britania e Madhe i kërkonte Shqipërisë të kërkonte ndjesë dhe të dënonte
personat përgjegjës, duke e justifikuar se anijet ishin duke ushtruar të
drejtën e kalimit paqësor nëpër Kanalin e Korfuzit. Shqipëria u justifikua se
nuk kishte mundur t’i identifikonte anijet dhe “zjarri u ndërpre mbasi u
identifikua kombësia e tyre (britanike)”. Incidenti i datës 15 maj 1946 ngeli
në axhendën diplomatike të dy vendeve, pasi gjatë këtij incidenti nuk pati të
dëmtuar dhe disa muaj më pas do të ndodhte Incidenti “i vërtetë” i Kanalit të
Korfuzit. Më 21 maj 1946, një “urdhër ekzekutiv” i Qeverisë së Shqipërisë
shpalli pezullimin e përkohshëm të kalimit paqësor nëpër detin e saj
territorial (në Kanalin e Korfuzit) për të gjitha anijet e huaja ushtarake pa
autorizim paraprak të Qeverisë së Shqipërisë. Deri më 15 maj 1946, trafiku
detar në Kanalin e Korfuzit, sipas rrugëkalimit MEDRI, duke përfshirë edhe
anijet e luftës, funksiononte relativisht pa probleme dhe pa ndonjë kundërshti
nga vendet bregdetare, përfshirë Shqipërinë. Operacionet e pastrimit të minave
në Kanalin e Korfuzit u kryen nga Marina Britanike në fund të vitit 1944 dhe
fillim të vitit 1945, duke përfshirë rrugët e afrimit për në Portin e Sarandës,
Vlorës dhe Durrësit. Nga Shqipëria kalimi nëpër rrugëkalimin (MEDRI –
Mediteranian 18/34) i anijeve luftarake të huaja nuk ka patur kundërshti, duke
përfshirë edhe anijet e Marinës Britanike deri më 15 maj 1946. Rrugëkalimi
MEDRI deri në këtë periudhë nuk ishte një rrugëkalim ku ushtrohej e drejta e
kalimit paqësor, por një rrugëkalim i pranuar nga palët, duke përfshirë edhe
Shqipërinë. Goditja e anijeve britanike nga bateritë shqiptare ka qenë i
paramenduar dhe pasojë e marrëdhënieve të përkeqësuara disa muaj më parë. Nëse
do të ishte një gabim, Shqipëria duhet të kërkonte ndjesë Britanisë së Madhe.
Nëse Shqipëria nuk dëshironte që luftanijet britanike të përdornin rrugëkalimin
MEDRI, duhet t’i kishte lajmëruar në kohë. Pezullimi i të drejtës së kalimit
paqësor mbas incidentit, më 21 maj, provon se incidenti i 15 majit ishte i
qëllimshëm.